Malaj: Rritje ekonomike dhe papunësi në nivelin më të ulët në 30 vjet
Gjatë takimit të sotëm në Pallatin e Brigadave, Ministri i Financave, Petrit Malaj, paraqiti bilancin ekonomik për vitin 2025 dhe prioritetet për vitin 2026, duke deklaruar se shkalla e papunësisë në vend ka zbritur në 8,1%, niveli më i ulët në tre dekadat e fundit, nga 17% që ishte një dekadë më parë, ndërsa kjo normë mbetet më e ulët se mesatarja e Ballkanit Perëndimor prej 10.3%.
Sipas tij, ekonomia shqiptare u rrit me 3.9% gjatë vitit 2025, ndërsa projeksioni afatmesëm parashikon një rritje prej 4%, mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor prej 3%. Në pesë vitet e fundit, Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur me rreth 20%, tregues që, sipas ministrit, dëshmon stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë.
Paga minimale është rritur nga 40 mijë në 50 mijë lekë në vitin 2026, ndërsa paga mesatare në sektorin publik ka arritur në 1026 euro dhe në sektorin privat në 785 euro. Për herë të parë ka nisur edhe zbatimi i skemës së indeksimit të pagave në administratën publike. Paralelisht, të ardhurat nga tatimet dhe doganat, përfshirë kontributet shoqërore e shëndetësore, arritën në 6.7 miliardë euro në vitin 2025, rreth 560 milionë euro më shumë se një vit më parë. Për vitin 2026 planifikohet një rritje tjetër prej rreth 540 milionë euro, pa ndryshim të taksave, por si rezultat i përmirësimit të administrimit fiskal.
Borxhi publik ka zbritur në 53% të PBB-së, nga 54.2% një vit më parë. Ndërkohë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte për 9-mujorin 2025 arritën në 1.21 miliardë euro, niveli më i lartë historik për këtë periudhë.
Ministri njoftoi gjithashtu për emetimin e suksesshëm të Eurobondit prej 650 milionë euro në shkurt 2025, ku kërkesa e investitorëve arriti në 4.3 herë shumën e emetuar. Gjatë vitit u miratua edhe Garancia Sovrane për bujqësinë, me 30 milionë euro kredi të buta për fermerët, si dhe një linjë kredie prej 250 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë.
Në fund të vitit 2025 u krijua shoqëria shtetërore “ALBTrace” sh.a., për menaxhimin e pullave fiskale dhe markimin e karburanteve, ndërsa u themelua edhe Banka Shqiptare e Zhvillimit, sipas modelit të institucioneve homologe evropiane, për financimin e sektorëve të nënfinancuar dhe projekteve strategjike.
Sa i përket prioriteteve për vitin 2026, Ministria e Financave do të fokusojë punën te projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga tërmeti, skema e sigurimit në bujqësi, përafrimi i plotë i legjislacionit tatimor dhe doganor me direktivat e Bashkimit Evropian, akreditimi dhe zbatimi i programit IPARD III, si dhe zgjerimi i përdorimit të inteligjencës artificiale në tatime dhe dogana për rritjen e të ardhurave dhe uljen e informalitetit.
Sipas ministrit, treguesit e vitit 2025 konfirmojnë konsolidimin makroekonomik dhe fiskal të vendit, si dhe një performancë mbi mesataren rajonale në rritje, punësim dhe tërheqje investimesh.