Shkolla artistike “Onufri” në Elbasan është në fazën përfundimtare të rindërtimit, e financuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me bashkinë e Elbasanit. Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, bashkë me kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja dhe Drejtuesin Politik të PS në Elbasan Damian Gjiknuri, kanë inspektuar investimin në shkollën e re, ku e vunë theksin tek mbështetja për infrastrukturën arsimore.
“Fokusi i qeverisë dhe MAS është mbështetja e shkollave me drejtime profesionale, me drejtim artistik dhe sportiv. Hapi i radhës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është puna për t’i dhënë shkollave artistike një status special, që do të bëjë të mundur që shkollat artistike të kenë edhe një autonomi financiare për të organizuar punën e tyre, për të mos munguar mjetet didaktike dhe për të garantuar gjithashtu që edhe nga pikëpamja infrastrukturore, edhe nga pikëpamja e burimeve njerëzore, të kemi përmirësime në vazhdim”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu bëri me dije edhe vijimin e investimeve në shkolla në të gjithë vendin, me buxhetin e ri.“Me buxhetin e vitit 2024, ne do të garantojmë që në gjithë vendin të përfundojnë 30 objekte shkollore. Me buxhetin e ri 1.2 miliard lekë do të shkojnë për rikonstruksionin apo rindërtimin e shkollave”,- tha Manastirliu.
Kryetari i Bashkisë Elbasan Gledian Llatja u shpreh:
“Për rikonstruksionin e shkollës Onufri kemi bërë një projekt shumë të mirë, falë edhe mbështetjes së Ministrisë së Arsimit. Janë krijuar kushte shumë të mira për të gjithë profilet që shkolla artistike ofron me laboratore dhe ambiente të veçanta”,- tha kryetari i Bashkisë Elbasan.Damian Gjiknuri, drejtuesi politik i PS në Elbasan, vlerësoi investimet në arsim. “Ka fusha të tëra që janë prekur në arsim dhe jam e bindur që do të vijojnë në përputhje me atë çka presin qytetarët”,- tha Gjiknuri.
Në Shkollën e Mesme Artistike “Onufri” në Elbasan do të garantojë kushtet më të mira për nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle. Kjo shkollë do të ketë një shtesë 4 kate, klasa dhe laboratorë të dedikuar për çdo profil artistik dhe sallë koncertesh që do t’i shërbejnë 340 nxënësve me drejtimin artistik të muzikës, skulpturës dhe pikturës.