Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije se po përfundon projekti që do t’i hapë rrugë transformimit të Institutit të Shëndetit Publik në një institucion bashkëkohor, me një strukturë moderne të laboratorëve, me pajisje të teknologjisë së lartë.
“Jemi në përfundim të gjithë master-planit për Institutin e Shëndetit Publik. Shumë faleminderit ekipit që është duke punuar së bashku me ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, për të bërë një projekt të mirëfilltë jo vetëm të rehabilitimit të godinës qendrore të ISHP, por gjithashtu edhe për të pasur mundësi që gjithë kampusi në funksion të shërbimeve të Institutit, të mundet që të përkthehet në atë që ne kemi për vizion; një institucion që jo vetëm ofron bazat më të mira të kërkimit shkencor, që mbron popullatën dhe që është një institucion që ka të gjitha ato standarde dhe kushte bashkëkohore përsa i përket laboratorëve të rëndësishëm që Instituti i Shëndetit Publik ka, por që në fakt duhet që t’i përshtaten sa më shumë dhe të përkojnë sa më shumë me standardet europiane të shërbimeve”, tha Manastirliu.
Në prezantimin e projektit, Manastirliu tha se ky është një projekt i së ardhmes që do të ofrojë për ekspertët e ISHP kushtet më të mira të punës.
“Ky do të jetë projekti i të sotmes dhe projekti i të ardhmes. Një projekt që të mundet që të ofrojë për të gjithë ekspertët e Institutit, kushtet më të mira të punës; që të ofrojë për ekspertët e laboratorit kushtet më të mira për laboratorët e ndryshëm që ISHP ka sot, por edhe për ata që ne duam të shtojmë që i përkasin shumë laboratorëve genetikë, që aty është edhe e ardhmja. Dhe ne duam që të shtrihemi në laboratorët që kanë lidhje me genomët dhe të gjithë elementët e tjerë të rëndësishëm të laboratorëve. Laboratorë, të cilët ne sot i kemi në kushte shumë të mira. Por që e nesërmja dhe projekti që ne jemi duke përfunduar jam besimplotë që do të jetë pikërisht përkthimi i një vizioni të vërtetë mbi një institucion, i cili i shërben mbrojtjes së shëndetit të popullatës”, tha Manastirliu.