Me financimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, me buxhetin 2024 përfundojnë investimet në 30 shkolla dhe hapen kantiere të reja me një financim prej 1.3 miliard lekë për shkolla, palestra dhe terrene sportive.
Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku organizuan një takim me kryetarët dhe përfaqësuesit e bashkive në vend, për shpalljen e thirrjes për financimin e projekteve të reja për infrastrukturën arsimore dhe sportive, për periudhën 2024-2025, si dhe për të diskutuar dhe për të gjetur zgjidhje për çështje të ndryshme që kërkojnë bashkëpunim dhe koordinim me pushtetin vendor, për t’iu krijuar nxënësve dhe mësuesve kushte sa më të mira për një arsim cilësor.
Duke folur për investimet në territor, Ministrja Manastirliu tha se me buxhetin e ri pritet të përmbyllen investimet në 30 shkolla, teksa foli për thirrjen për investimet e reja të ciklit 2024-2025.
“Thirrja për investime të reja në shkolla është hapur më herët se vitet e tjera dhe janë 1.3 milardë lekë, të cilat do të shkojnë në hapjen e kantiereve të reja për shkolla, palestra dhe terrene sportive. Paralelisht do t’ju kërkoja bashkëpunim me të gjitha Zyrat Arsimore në funksion të fillimit të investimeve, për çështjen e transferimit të nxënësve dhe organizimi në territor për këto shkolla”, i’u drejtua Ministrja e Arsimit dhe Sportit, kryetarëve dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha do të hartohet një masterplan shumë ambicioz për zhvillimin e infrastrukturës arsimore, për të ngritur cilësinë e arsimit dhe infrastrukturës sportive në Shqipëri.
“Ne do të nisim menjëherë nga procesi i hartimit një Masterplani për Zhvillimin e Infrastrukturës Arsimore, një nevojë e kohës për sa i përket zhvillimeve demografike dhe zhvillimeve socio-ekonomike, për të planifikuar edhe më mirë buxhetet, por edhe për bashkitë vetë, mbi bazën e prioriteteve, zhvillimit të vendit, zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit infrastrukturor”, tha Manastirliu.
Një pikë e rëndësishme diskutimi për Ministren Manastirliu ishin dhe bursat për nxënësit në nevojë. Ajo tha se janë akorduar për nxënësit me nevoja të veçanta, bursa me një buxhet total prej 250 milion lekë.
“Mbështetja e nxënësve me nevoja të veçanta me bursat që jep Ministria e Arsimit dhe Sportit për nxënësit e arsimit parauniversitar është një mbështetje që ne e japim për një seri çështjesh dhe problematikash. Janë 3800 bursat të cilat financohen nga MAS. Do t’ju kërkoja që ju t’i kaloni në këshillat bashkiakë këto vendime që nxënësve t’u jepen pa humbur kohë bursat e dhëna nga MAS”, tha Ministrja Manastirliu duke shtuar se gjithashtu janë akorduar 300 milionë lekë për bashkitë, të destinuara për përmirësimin dhe mbështetjen e konvikteve. Ky fond sipas saj do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të banimit për studentët që jetojnë larg shtëpive të tyre.
Programi i rimbursimit të shpenzimeve të transportit ishte një tjetër çështje ku u ndal Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu në takimin me kryetarët dhe përfaqësuesit e bashkive në vend, me qëllim për të gjetur zgjidhe në mënyrë që asnjë nxënës të mos penalizohet për shkak të vështirësive në transport.
“Janë 50 mijë nxënës dhe mësues së bashku që mbështeten nga rimbursimi i transportit. Janë mbi 13 milionë dollarë të financuara nga buxheti i shtetit. Këtu do doja shumë një vlerësim më efektiv për sa i përket infrastrukturës rrugore dhe aksesit në shkollë. Duhet të gjejmë zgjidhje dhe bashkitë këtu duhet të jenë më të fokusuara me strukturat e shërbimeve sociale në territor, për të mundësuar që nxënësit të mos penalizohen në këtë drejtim”.
Ministrja gjithashtu bëri thirrje për sigurimin e kushteve logjistike në shkolla, sidomos në zonat malore për ngrohjen gjatë sezonit dimëror. U theksua rëndësia e përdorimit efikas nga bashkitë i fondeve që janë ndarë për këtë qëllim.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku u shpreh:
“Doja të theksoja dy elemetë. Vëmendje te demografia dhe një vëmendje e posaçme për përqëndrimin e institucioneve. Besoj se këto janë dy sfida që na sjellin drejt një cilësie tjetër në ofrimin e shërbimit arsimor”.
Në dy vitet e fundit, Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka financuar 63 objekte arsimore dhe sportive, me një fond total prej 4.3 miliard lekë.
Fondi në dispozicion për investimet që nisin këtë vit është 1.3 miliard lekë, dhe bashkitë e interesuara do të kenë një afat 30-ditor për të paraqitur aplikimet e tyre. Këtë vit, thirrja për investime në shkolla për bashkitë është hapur më shpejt. Sipas Ministres, Manastirliu, në koordinim të ngushtë më pushtetin vendor, synohet të përmirësohen kushtet në mjediset arsimore dhe sportive në të gjithë vendin, me një fokus të veçantë në reduktimin e mësimit me turne dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive në mjediset shkollore.