“Të fuqizojmë bërthamat e karrierës në shkolla për orientimin drejt arsimit profesional”
“Nxënësit të cilët kanë filluar gjimnazin, që janë në vitin e parë dhe që vlerësojnë së bashku me prindërit dhe mësuesit e tyre, do të mund të transferohen në arsimin profesional”. Deklarata u bë nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, gjatë turit të dëgjesave me mësuesit e shkollave 9-vjeçare në qytetin e Elbasanit, teksa ka njoftuar fillimin e një fushate intesive komunikimi në shkolla për fuqizimin e bërthamave të këshillimit të karrierës për nxitjen e arsimit profesional.
Nga shkolla 9-vjeçare “Bardhyl Popa” në Elbasan, Ministrja Manastirliu nëvizoi rëndësinë e pajisjes të të gjitha shkollave me një paketë të unifikuar me mjete didaktike.
“Ne duhet të kemi një paketë të mjeteve didaktike e cila të jetë në çdo shkollë në fillim të vitit dhe të mund të replikohet për lëndë të veçanta, ku është nevoja që eksperimentet të kryhen në grupe”, – tha Ministrja Manastirliu.
Gjatë bashkëbisedimit, në ditën botërore të mësuesve, Ministrja Ogerta Manastirliu foli për mbështetjen e qeverisë me rritjen e pagave. “Edhe në 2024 jemi duke përgatitur që, në kuadër të reformës sonë për rritjen e pagave, mësuesit t’i jepet mbështetja e merituar”,- tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, teksa ka shprehur mbështetjen edhe për trajnimin në vazhdim dhe rritjen profesionale të mësuesve.
Mësuesit e shkollave 9-vjeçare në Elbasan në takim me ministren sugjeruan zgjerimin e bazës didaktike në shkolla, rritjen e aksesit në teknologji për përdorimin e programit SMIP, zgjerimin e ambienteve sportive dhe palestrave për zhvillimin e edukimit fizik dhe mbështetjen e tyre për rritjen e pagave dhe rritjen profesionale nëpërmjet trajnimeve.