Në Laboratorin e Inteligjencës Artificiale në shkollën “Arben Broci” në Tiranë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, pati mundësinë të ndjekë nga afër një orë mësimi dhe të njihet me projektet inovative të nxënësve.
Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e përfshirjes së inteligjencës artificiale në kurrikulat shkollore, si një mjet për të përgatitur nxënësit për sfidat e ardhshme.
“Ju keni fatin dhe dëshirën të jeni pjesë e grupeve të inteligjencës artificiale në shkollat ku ne keni instaluar laboratorët e inteligjencës artificiale dhe keni mundësinë që të thelloni jo vetëm dijet tuaja por edhe të përgatiteni për të ardhmen. Ne kemi instaluar nëpërmjet mbështetjes që kemi nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për zhvillim 25 laboratorë të Inteligjencës Artificiale në 25 shkolla në të gjithë vendin. Shohim se ka një interes në rritje të nxënësve. Janë më shumë se 2000 nxënës që do të përfshihen deri në 2025 në këtë program”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Nxënësit, nga ana e tyre ndanë arsyet pse zgjodhën të përfshiheshin në programet e Inteligjencës Artificiale në shkollë. Shumë prej tyre theksuan vlerën e inteligjencës artificiale si një fushë inovacioni që ofron avantazhe konkurruese në karrierat e tyre të ardhshme, përfshirë fusha të ndryshme si mjekësia, programimi, dhe më gjerë.
“Inteligjenca artificiale po bëhet pjesë integrale e përditshmërisë sonë dhe është esenciale që të jemi të informuar dhe të përgatitur për të përballuar sfidat që vijnë me të,” u shpreh një nxënës.
“Pavarësisht degës që unë do të zgjedh mendoj se është mirë t’i kesh të zgjeruara horizontet e tua përpara se të hysh në tregun e punës”, shtoi një tjetër nxënës,
Implementimi i laboratorëve të AI në shkolla është një hap i rëndësishëm drejt përgatitjes së të rinjve për sfidat e së ardhmes. Këto laboratorë ofrojnë një mjedis praktik ku nxënësit mund të eksplorojnë dhe të mësojnë për teknologjitë e AI, si dhe të krijojnë projektet e tyre.