Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu po merr pjesë në Sesionin e 67-të të Komisionit për Statusin e Gruas që po zhvillon punimet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York.
Gjatë fjalës së saj në OKB, Ministrja Manastirliu ka theksuar progresin që ka bërë Shqipëria në lidhje me fuqizimin e grave dhe vajzave dhe zgjerimin e shërbimeve digjitale, si një mjet që ka rritur aksesin në shërbimet publike.
“Shqipëria ka bërë progres në drejtim të shërbimeve digjitale. Përmes platformës e-Albania janë më shumë se 1220 shërbime të cilat aksesohen; janë më shumë se 2.7 milion përdorues, ku 53% e të cilëve janë gra, që tregon se sa shumë shërbimet digjitale kanë përmirësuar dhe kanë rritur aksesin në shërbime dhe se sa shumë gra përfitojnë nga shërbimet digjitale, duke marrë shërbime të cilat janë tashmë pa barriera, pa burokraci dhe që kanë mundësuar përmirësimin e statusit të grave dhe vajzave në shoqëri”,- theksoi Ministrja Manastirliu.
Duke folur për shtrirjen më tej të shërbimeve online, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se: “Qoftë përsa i përket strategjive sektoriale dhe qoftë edhe në ombrellën e strategjisë për zhvillim dhe integrim europian, e sapo miratuar nga Këshilli i Ministrave është vendosur një fokus i veçantë tek shtrirja e shërbimeve digjitale, në mënyrë që të rritet aksesi në shërbimet publike, që ka lidhje direkt me fuqizimin ekonomik të gruas dhe mbështetjen përsa i përket programeve të fuqizimit në bujqësi, ato të mbështetjes në shëndetësi apo në shërbimet sociale, por edhe në shërbime të tjera publike, fokusi i rëndësishëm i është vënë zgjerimit të bazës së shërbimeve online, si një mjet i rëndësishëm për uljen e barrierave, për krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë dhe mbi të gjitha për fuqizimin ekonomik dhe social të grave dhe vajzave tona”.
Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York po zhvillohet Sesioni i 67-të i Komisionit për Statusin e Gruas, me përfaqësues të lartë të shteteve anëtare, organizatave të OKB dhe organizatave të ndryshme nga e gjithë bota, për të shkëmbyer eksperiencat për aksesin në shërbimet publike dhe krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për nxitjen e barazisë gjinore. Sesioni i këtij viti i Komisionit për Statusin e Gruas (CSW67) është fokusuar tek inovacioni, ndryshimet teknologjike, edukimi në epokën digjitale drejt arritjes së barazisë gjinore dhe fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave në shoqëri.