Një tjetër qendër e re shëndetësore është rehabilituar në qarkun e Tiranës. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bashkë me deputetin Xhemal Qefalia kanë parë nga afër Qendrën e re Shëndetësore Zall-Bastar, pjesë e programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në vend.
“Në 30 vite nuk ishte vënë dorë. Qendra shëndetësore e Zall-Bastarit që i shërben më shumë se 5 mijë banorëve të kësaj zone, tashmë është në kushte bashkëkohore. Ne vijojmë të shtojmë shërbimet në qendrat tona shëndetësore. Kujdesi në banesë është një tjetër paketë e kujdesit shëndetësor shumë e rëndësishme që po përfshihet në qendrat tona. Dhe nga ana tjetër, ne do të vijojmë që të përmirësojmë shërbimet, duke përfshirë dhe shërbimet socio-shëndetësore, duke futur shërbimin psiko-social si pjesë të kujdesit shëndetësor”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se ka filluar faza e dytë e programit të rehabilitimit dhe përmirësimit të infrastrukturës së qendrave shëndëtësore, duke shtuar se synohet që brenda katër viteve të finalizohet përmirësimi i të gjithë kujdesit parësor kudo në Shqipëri.
“Duke filluar nga ky vit hyjmë në fazën e dytë të programit të rehabilitimit, të përmirësimit të infrastrukturës të qendrave shëndetësore. Janë 40 qendra shëndetësore dhe ambulanca, të cilat kanë filluar tashmë rehabilitimin. Qarku i Tiranës ka 6 ambulanca, të cilat do të rehabilitohen në kuadër të këtij programi. Dhe ne synojmë që në këto katër vite, të finalizojmë rehabilitimin dhe përmirësimin e infrastrukturës në të gjithë kujdesin parësor kudo në Shqipëri, qoftë në zona urbane, qoftë në zona rurale”, tha Manastirliu.
Qeveria shqiptare ka përfunduar fazën e parë të Programit të Rehabilitimit të Qendrave Shëndetësore dhe Ambulancave me 300 qendra shëndetësore të rehabilituara dhe rindërtuara. Ndërkohë që ky program do të vijojë edhe këtë vit me qendra të tjera shëndetësore.