“Kemi arritur të ofrojmë mbi 20 mijë konsulta, vizita dhe mbi të gjitha ndërhyrjet mikro-kirurgjikale që janë bërë në të gjithë strukturat tona në qendrat shëndetësore verore. Janë mbi 20 mijë pushues, turistë që kanë marrë shërbime në këto qendra shëndetësore dhe mbi 30% e tyre, janë pushues të huaj. Do të thotë që kemi një fluks të rritur në këtë sezon, përsa i përket rasteve që kërkojnë kujdes shëndetësor”. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të qendrës shëndetësore verore 24/7 në Velipojë të Shkodrës.
Gjatë vizitës në qendrën shëndetësore verore Velipojë, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, Ministrja Ogerta Manastirliu foli edhe për programin kombëtar të rehabilitimit të qendrave shëndetësore.
“Qendra Shëndetësore verore në Velipojë do të reabilitohet dhe reabilitimi fillon këtë vit, por nga ana tjetër do të përmirësojë të gjithë performacën e saj, sepse ne duam që këtë qendër ta projektojmë si një qendër 24 orë dhe një qendër socio-shëndetësore. Të ofrojë kujdes social për banorët e zonës dhe nga ana tjetër, të shtojmë edhe shërbime të reja, sikurse janë fizioterapia dhe logopedia, që vërtet ndihmojnë banorët të kenë akses në këto shërbime”- tha Ministrja Manastirliu.
Duke folur për shërbimin në QSH verore Velipojë Kryetari Bashkisë Shkodër, Benet Beci e quajti një një qendër model në ofrimin e shërbimeve falas 24/7 për pushuesit dhe turistët gjatë këtij sezoni veror.
“Doja të ritheksoja se qendra këtu plotëson nevojat më së miri gjatë kohës së sezonit dhe kanë qenë për mendimin tim, jashtëzakonisht profesionistë dhe korrekt në realizimin e të gjithë nevojave të zonës dhe për këtë falenderoj të gjithë stafin tuaj, por sigurisht edhe ju për investimet e reja që doni të bëni në qendrën e Velipojës”-tha Beci.
Në të gjithë vendi janë hapur prej 15 qershorit, 30 qendra shëndetësore verore, ku ofrohet shërbim pa ndërprerje, për t’iu përgjigjur në kohë dhe me cilësi emergjencave shëndetësore gjatë sezonit turistik. Gjithashtu, në të gjithë vijën bregdetare por edhe në atë malore, janë 18 postacione të autoambulancave, që janë vendosur gjatë sezonit turistik, në mënyrë që të ofrohet shërbim sa më i shpejtë për pushuesit dhe turistët. Në këto ditë të të nxehtit ekstrem, janë shtuar edhe 9 njësi të asistencës mjekësore në territor, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë nevojë për kujdes shëndetësor.