“Kemi prioritet ngritjen dhe aplikimin e një programi kombëtar për trajnimin e mësuesve në shkenca dhe në teknologji, për të rritur nivelin profesional të mësuesve”,- tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu gjatë bashkëbisedimit me mësuesit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, në vijim të turit dëgjesave me mësues, prindër dhe nxënës.
Ministrja Manastirliu tha se Programi Kombëtar i Trajnimit të Mësuesve do të do të jetë me dy faza. “Është një platformë, e cila do të përfshijë në fazën e parë të këtij procesi, mësuesit e shkencave dhe mësuesit e TIK, më pas ky program kombëtar do të zhvillohet edhe në lëndët që janë prioritet absolut, si gjuhë-letërsia dhe lëndë të tjera”,- theksoi Ministrja Manastirliu nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi”.
Gjatë këtij takimi, Ministrja Manastirliu ka dhënë lajmin e mirë për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar, të cilët do të kenë rritje domethënëse të pagave me buxhetin e ri. “Në të gjithë nivelet e arsimit parauniversitar, për vitin 2024 do të kemi rritje të pagave për mësuesit. Tashmë jemi zotuar në këtë angazhim 2-vjeçar në reformën e rritjes së pagave për të gjithë profesionistët, sepse ju meritoni shumë dhe vlerësimi ynë për ju do të jetë maksimal përgjatë 2024 me buxhetin e ri”,- deklaroi Ministrja Manastirliu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, u ndal edhe tek administrimi i procesit të Maturës Shtetërore, duke folur për vëmendje të shtuar në përgatitjen konkrete të nxënësve, për të arritur rezultate të larta në provimet e Maturës Shtetërore. Manastirliu tha se testet paraprake të maturës do të fillojnë që në muajin dhjetor, duke vendosur theksin tek rezultatet e provimeve, të cilat do të jenë vendimtare për hyrjen dhe pranimin e nxënësve në universitete.
Mësuesit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në takim me Ministren ndanë disa ide mbi përmirësimin e kurrikulave, zgjerimin e bazës didaktike në shkolla, rritjen e aksesit në teknologji, orientimin e nxënësve drejt arsimit profesional dhe mbështetjen e tyre për rritjen e pagave dhe rritjen profesionale nëpërmjet trajnimeve. Ministrja Manastirliu po vijon turin e dëgjesave “Flasim për Arsimin” me mësues, nxënës, prindër për të marrë sugjerime për përmirësimin e sistemit mësimor.