Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, me Ministren e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, kanë parë nga afër investimet në shëndetësi që po kryhen në qarkun e Shkodrës.
Ministrja Manastirliu ndau me stafin lajmin e mirë të fillimit të investimit në Poliklinikën e qytetit.
“Investimi i poliklinikës së spitalit është një investim i qeverisë shqiptare në vlerën 116 milion lekë. Jemi të fokusuar që sa më shpejt të fillojmë punën për rehabilitimin e kësaj godine, e cila do të transformohet tërësisht pasi do të riorganizohen shërbimet, do të ketë 13 shërbime specialitetesh që do të ofrohen. Edhe Elbasani dhe Durrësi po këtë vit fillojnë investimin sa i përket poliklinikave të spitaleve e kështu shkojmë drejt modernizimit të sistemit shëndetësor në çdo qytet”,-theksoi Ministrja Manastirliu.
Ndërsa gjatë iinspektimit të Qendrës Shëndetësore Nr.1 në Shkodër, e cila po rikonstruktohet sipas standarteve më të mira, në kuadër të programit kombëtar të rehabilitimit të qendrave shëndetësore, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se: “Programi i rehabilitimit të qendrave shëndetësore po vijon me intensitet. Në qarkun e Shkodrës kemi rehabilituar 22 qendra shëndetësore, ndërkohë qe do të vijojmë edhe këtë vit. Në të gjithë Shqipërinë pritet të rehabilitohen edhe 60 qendra të tjera, duke e çuar në 400 numrin e qendrave dhe ambulancave të rehabilituara në të gjithë vendin”.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka vlerësuar investimet në sektorin e shëndetësisë në qarkun Shkodër.
“Ky është një investim serioz i qeverisë shqiptare në Shkodër. Jam e sigurt që ky investim do ta kthejë këtë poliklinikë në një qendër të vërtetë me aparatura moderne, por do t’i japë edhe dinjitet mjekëve, infermierëve e të gjithë atyre që shërbejnë me vetmohim ndaj qytetarëve”, -tha Spiropali.
Ministrja Manastirliu nënvizoi se në kujdesin parësor po ofrohen një sërë programesh të konsoliduara për shëndetin e qytetarëve nga kontrolli mjekësor bazë, vaksinimi tek sherbimet e integruara socio-shëndetësore.
Pas investimeve në sallat e kirurgjisë dhe urgjencës së spitalit rajonal, edhe poliklinika do t’i ndënshtrohet rikonstruksionit të plotë.