Puna për rehabilitimit e lagjeve dhe banesave karakteristike vijon në lagjen Mangalem në Berat, ku historia e lashtë e qytetit ndërthuret punimet autentike. Gjatë vizitës së tij në Berat, Kryeministri Rama u ndal për të parë nga afër edhe projektin për rijetëzimin e kësaj lagje emblematike.
Investimet në qytet kanë bërë që një pjesë e mirë e shtëpive të vjetra të restaurohen nga pronarët me synim kthimin e tyre në qendra të ofrimit të shërbimit për turistët vendas e të huaj ndërkohë që mbështetja me bonus për këta pronarë nuk mungon.
“Ky është një model i rrugicave që ne jemi duke restauruar dhe që do të krijojnë një pamje të jashtëzakonshme të zonës, është përfshirë edhe ndriçimi. Normalisht kur të përfundojë e gjithë puna, kur të vendoset edhe ndriçimi, këtu do të jenë disa rrugica të magjishme dhe kemi rastin më të mirë të një prej godinave kryesore në Berat. Po restaurojnë me një dashuri të jashtëzakonshme pavarësisht se po i kthejnë në bujtinë dhe unë besoj se do të kthehet një nga bujtinat më të magjishme në Shqipëri për vetë arkitekturën që ka dhe vlerat që mbart. Janë duke punuar për të kthyer gjithçka siç ka qenë para qindra vjetësh”, – u shpreh kryebashkiaku i Beratit, Demo.
Kryeministri gjithashtu u ndal për të vizituar shtëpinë muze të Vrionasve, një ndërtesë mbi 200 vjeçare e cila është një tjetër vlerë e shtuar në gjerdanin e ndërtesave historike të Beratit mijëravjeçar.