Marrëveshja mes MIE dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, Kryeministri Rama: Thellim i bashkëpunimit mes qeverisë dhe universitetit
U nënshkrua sot marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, në kuadër të Paktit për Universitetin, për të mbështetur përgatitjen e studentëve përmes praktikave të paguara të punës, me qëllim aftësimin e tyre profesional, si dhe njohjen nga afër në terren me të gjitha proceset e zhvillimit të infrastrukturës.
Kryeministri Rama, i cili ishte i pranishëm në takimin me pedagogë e studentë të Universitetit Politeknik tha se përmes programeve të bashkëpunimit, në kuadër të Paktit për Universitetin, do t’u jepet mundësi të gjithë atyre që studiojnë në Universitet që të fillojnë të materializojnë një perspektivë të së nesërmes pa mbaruar ende studimet, duke u përfshirë në praktika pune.
Kryeministri theksoi ndër të tjera se Pakti për Universitetin po funksionon edhe në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës, duke e konkretizuar me shembullin e Universitetit Politeknik, i cili po fuqizohet me dy struktura të reja moderne, që do të garantojnë hapësirë dhe kushte optimale për studentët, që nga inxhinieria deri tek gjeologjia.
“Patjetër që ne nuk do të kufizohemi me kaq sepse përtej kësaj infrastrukture të re dhe të domosdoshme, është po kaq e domosdoshme, që ne të mbështesim universitetin për t’u fuqizuar me laboratorët e nevojshëm për t’u fuqizuar me teknologjinë e nevojshme, në mënyrë që ndryshimi epokal që po ndodh kudo në botë ta përfshijë fuqimisht edhe universitetin.” – u shpreh ai, – ndërkohë që theksoi nevojën e krijimit të hapësirave për t’i dhënë mundësi pedagogëve, dhe studentëve që të aktivizojnë talentet dhe dijet, por dhe kuriozitetin e tyre intelektual për inteligjencën artificiale. “Ne do përgatitemi që edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm dhe në buxhetet e viteve të ardhshme të kemi një komponent që të mbështesim të gjitha sprovat që do ia vlejnë që të mbështeten në këtë drejtim dhe për këtë arsye përfitoj nga rasti që t’iu bëj thirrje pedagogëve, t’iu bëj thirrje studenteve që të angazhohen sa më shumë për të punuar së bashku në funksion të rritjes së komponentit të inteligjencës artificiale në të gjithë hapësirat e universiteteve tona.”- tha lidhur me këtë aspekt Kryeministri Rama.
Marrëveshja u nënshkrua nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës Prof. Akli Fundo.