Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nënshkroi sot marrëveshjen mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës.
Marrëveshja synon mbështetjen dhe përgatitjen profesionale të studentëve përmes praktikave të paguara të punës, duke i afruar ata me proceset konkrete të zhvillimit të infrastrukturës. Programi i ri i praktikave konsiderohet një hap i rëndësishëm për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes qeverisë dhe universiteteve, duke u dhënë studentëve mundësinë të përfitojnë nga përvoja praktike para se të mbarojnë studimet dhe të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së punës në institucionet shtetërore.
Ministrja Balluku theksoi rëndësinë e investimit te të rinjtë si bazë për “Shqipërinë 2030”, pasi vendi ka nevojë për burime njerëzore të edukuara dhe të trajnuara sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
“Brenda këtij mandati paga mesatare kombëtare do të arrijë 1000 euro, por siç thamë nuk mjafton vetëm paga. Më thelbësor, patjetër është krijimi i mundësive të arsimit dhe trajnimit profesional. Shkollat do të transformohen në qendra multifunksionale, me konvikte dhe kurse, duke i pajisur të rinjtë tanë me certifikime ndërkombëtare që do të njihen kudo dhe veçanërisht në Evropë. Ky është një investim i drejtpërdrejtë në kapitalin njerëzor. Formimi i brezit të ri është prioritet i posaçëm dhe i Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë, e cila ashtu siç thashë mbulon sektor jetik të vendit dhe të ekonomisë. Një pjesë e mirë e ekspertëve që punojnë në këtë sektor janë në vitet e fundit të karrierës së tyre dhe do t’i duhet t’i lënë stafetën një gjenerate të re profesionistësh për të garantuar zhvillimin e vazhdueshëm të vendit tonë”, u shpreh Balluku.
Marrëveshja nuk ka vetëm aspekt teknik, por edhe social, pasi forcon barazinë gjinore në sektorët ku punojnë gjithnjë e më shumë vajza dhe gra.
Programi parashikon dy faza zhvillimi: në rastin e parë, ai nis në muajin nëntor dhe përfundon në prill, ndërsa në të dytin nga marsi deri në maj. Një pjesë thelbësore e kurrikulës do të jenë vizitat e përjavshme në terren, ku studentët do të kenë mundësinë të shohin nga afër proceset reale të punës.