Zëvendës Kryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku ka folur në një konferencë të përbashkët me Komisionerin e Zgjerimit Oliver Varhelyi mbi marrëveshjen e firmosur mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian për reduktimin e tarifave Roaming.
Balluku theksoi në fjalën e saj se përmes marrëveshjes, e cila është një nga arritjet më madhore të rajonit, nga viti i ardhshëm do të shënohen ndryshimeve pozitive të lidhura me çmime më të mira të paketave roaming dhe rritje të cilësisë së shërbimit.
Belinda Balluku pohoi gjithashtu se nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për jetësimin e udhërrëfyesit të heqjes së tarifave roaming mes operatorëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor përbën një nga arritjet më madhore të viteve të fundit. Emërtesa mund të duket teknike por impakti është real për jetën e qytetarëve tanë kudo që ata banojnë dhe me një impakt sa i përket përshpejtimit të hapave integruese.
Falë përfshirjes së rajonit tonë në një bashkësi europiane të përdoruesve fundorë që përmes një lundrimi pa kosto shtesë në internet, me shpejtësi të lartë dhe shumë të lartë, përfitojnë kudo, njësoj, nga mundësitë e panumërta të shoqërisë digjitale, duke bërë të mundur qarkullimin e ideve, projekteve, qarkullimin e çdo inovacioni që deri më sot ka qënë i pamundur. Marrëveshja e sotme integron më shumë rajonin tonë në sistemin e të drejtave themelore të çdo europiani, të qarkullimit të lirë të personave, të mallrave, të ideve dhe ndërveprimeve ekonomike që janë shumë të rëndësishme.