Revolucioni digjital, si një process transformues edhe në arsim, shënoi një hap të rëndësishëm me firmosjen e marrëveshjes së bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), për krijimin e 100 laboratorëve të parë SMART në shkollat 9-vjeçare dhe për programin e ri të kodimit në arsimin parauniversitar.
Kryeministri Edi Rama i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes tha se ky angazhim i rëndësishëm i qeverisë u nxit në mënyrë të posaçme edhe nga nxënësit gjatë takimeve dhe bashkëbisedimeve me ta, të koordinuara nga Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, ku në mënyrë të përsëritur ata theksuan dosmosdoshmërinë e ngritjes në një nivel tjetër të laboratorëve të informatikës.
* * *
Do përpiqem të flas sa më shkurt për shkak se së bashku me fondacionin shqiptaro-amerikan në orën 5 e gjysmë, duhet “të gllabërojmë” edhe Teatrin e Operas, Butrintin “e gllabëruam” siç e dini, Pazarin e Korçës, Pazarin e Ri këtu në Tiranë, stadiumin Qemal Stafa, mbase nuk e dini po e kemi “gllabëruar” me të ashtëquajturin projekt “Tumo” e shumë akte të tjera nga këto që do të dalin në dritë besoj ditët në vijim.
Ndërkohë që, sot këtu jemi për të filluar një proces transformues, rrënjësisht transformues që është pjesë e revolucionit tonë digjital që u nxit në mënyrë të posaçme nga nxënësit me të cilët ne patëm një komunikim intensiv të koordinuar nga Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, lidhur me domosdoshmërinë e çuarjes në një nivel tjetër të laboratorëve të Informatikës, laboratorë që faktikisht figurojnë fizikisht në shkolla, por në të vërtetë kryejnë një pjesë shumë të vogël për të mos thënë asgjë të misionit të tyre sepse janë realisht të dalë kohe në kushtet kur sot fëmijët e vegjël janë shumë më të avancuar dhe jashtëzakonisht më të shpejtë sesa shpejtësia e ndryshimit të logjistikës të bërë në gjithë këto vite që kur se kanë filluar të vendosen laboratorët e Informatikës.
Atëhere ne u vumë në lëvizje me shpejtësi dhe gjetëm në këtë rrugë edhe njëherë tjetër një partner serioz, të besueshëm, të superkualifikuar dhe një partner të gatshëm për të kontribuar edhe financiarisht së bashku me ne, për ta nisur këtë proces. E fillojmë me 100 laboratoret e para smart që janë laboratorë të gjeneratës më të fundit në 100 shkolla të vendit tonë, ndërkohë ky është vetëm fillimi.
Ne do të vazhdojmë më tutje sepse ambicia jonë është që me shpejtësi të shkojmë drejt plotësimit të të gjithë shkollave me laboratorë smart, por sigurisht kjo kërkon financë dhe përveç financës kjo kërkon edhe një njohje të mirë të procesit.
Kështu që, me këto 100 shkolla të parat ne do të kemi disa muaj kohë për të parë edhe sesi do të funksionojë procesi për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë më mirë, jo në aspektin e furnizimit të laboratorëve, por në aspektin e mësimdhënies dhe ndërkohë paralelisht me këtë, ne besoj nesër do të lançojmë përsëri me Fondin shqiptaro-amerikan një tjetër program që është programi i të mësuarit të kodimit për nxënësit, të rejat dhe të rinjtë që janë në arsimin parauniversitar.
Edhe ky program, është një program që do të fillojë me numra relativisht, them relativisht, jo tërësisht të vegjël, por që ne duam ta kthejmë në një lëvizje rinore në sensin e plotë të fjalës.
Të dyja këto punë shkojnë paralelisht edhe me çka po bëjmë edhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit përsëri, për Piramidën, e cila së shpejti do të hapi dyert duke u transformuar në qendrën më të madhe të inovacionit në rajonin tonë dhe duke u bërë streha për të reja dhe të rinj që do të shkojnë më tutje në fushën e teknologjisë, ashtu siç ndodh aktualisht me qendrën Tumo në një nga hapësirat e stadiumit tonë kombëtar “Air Albania” dhe siç do të ndodhë edhe me të tjera pika që ne do të hapim në pjesë të tjera të vendit.
Aktualisht në Korçë po zhvillohet ky aktivitet, në Vlorë planifikojmë që të kemi një qendër tjetër te sheshi i Flamurit dhe kështu me radhë për të shtrirë sa më shumë në territory, hapësirën e mësimit të teknologjisë dhe hapësirën e zhvillimit të fëmijëve, të vajzave dhe të djemve për t’i dhënë në dorë një instrument që ju siguron punësim cilësor dhe ju siguron të ardhura të larta.
E fundit që kam, është se ne po përgatitemi që duke filluar nga viti i ri shkollor të kemi një sistem të ri të të mësuarit të lëndës së Informatikës, i cili do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, jo vetëm në këto laboratore smart, por edhe në laboratoret ekzistuese për të rritur cilësinë e mësimdhënies përmes një skuadre mësuesish të përzgjedhur, të cilët në mënyrë të qendërzuar do të lidhen me klasat në të gjithë territorin e vendit dhe kjo do të shërbejë qoftë për nxënësit, qoftë dhe për mësuesit e Informatikës që të kenë mundësi të rrisin kapacitetin e tyre, duke pasur si të thuash, këtë skuadër mësimdhënësish të super kualifikuar që do të sjellin një energji të re dhe do të sjellin risi të rëndësishme në mësimin e Informatikës.
Unë besoj që në këtë periudhë kohe ne kemi planin e duhur, patjetër që kemi dhe partnerët e duhur. Michael e tha që Fondi është një partner dhe qëllimi është që ne të kemi dhe partner të tjerë, jo vetëm partnerë institucionalë si Banka Botërore, të cilët janë angazhuar për të financuar në këtë drejtim, por edhe partnerë të tjerë që ne po përpiqemi që t’i afrojmë drejt kësaj iniciative në mënyrë që Shqipëria e vitit 2030 të jetë tërësisht ndryshe pikërisht në kapacitetet e reja në funksion të teknologjisë dhe patjetër me një cikël punësimi të të rinjve që është një cikël i ri që ju garanton punësim cilësor pa qenë të detyruar të lëvizin nga shtëpia, pa qenë të detyruar të lëvizin nga atdheu i tyre, por duke u integruar në tregun global përmes dijeve të përfituara brenda këtij sistemi dhe duke ofruar dijet e tyre për kompani kudo në botë.
Sot kemi një numër të rinjsh që e bëjnë këtë. Janë të rinj të talentuar, të angazhaur në vullnet të madh individual në këtë punë dhe shembulli i tyre është një burim frymëzimi për ne që ne ta kthejmë këtë në një lëvizje dhe patjetër që do t’ia dalim për sa kohë kemi partnerë si Fondi, që bën një rrugë e dy punë dhe “i gllabëron” këto pasuritë tona dhe bën që këto pasuritë tona të dalin në dritë dhe të përfitojnë të gjithë. Pastaj vetë shqiptarët që dëgjojnë, qoftë për “gllabërim”, qoftë për dalje në dritë, e ndajnë mendjen se çfarë është, se nuk mund të jenë të dyja bashkë, por meqenëse kjo puna e Butrintit doli fuqishëm këtë muajin e fundit, unë doja që Michael Granoff, i cili është edhe shtetas shqiptar përveç të tjerave, t’i bëja një urim publik sepse më në fund u pagëzua si “i korruptuar”.
Kishte shumë kohë në fakt që e prisja që ta merrte dhe ky këtë pagëzim, të lahej në këtë ujin e baltës e të pagëzohej, kështu që” Michael, ëelcome to the club of corrupted criminals and I am sure you ëill feel much beter and a real groën up, finally”.
Shumë faleminderit të gjithëve!