Marrëveshje e rëndësishme në rrugën e mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla e të mesme shqiptare

Kryeministri Edi Rama: Jam vërtetë  i lumtur që më në fund të mirëpres në Shqipëri presidenten Calviño! E dashur, Nadia, më në fund ia dole pas ca kohësh. Nuk mund të jem më i lumtur se kaq ndërsa dëgjoja mbresat tuaja për Tiranën, për një vend që e vizitoni për herë të parë, sepse tani jam i sigurtë se do kthehesh. Ky është problemi gjithmonë, nuk është e lehtë të hedhësh hapin e parë, por pastaj Shqipëria të bën të hedhësh hapin e dytë, të tretin e kështu me radhë.

Jemi këtu për diçka që është shumë e rëndësishme për ne. Ja pse deshëm ta theksojmë sa më shumë të jetë e mundur këtë vizitë, këtë takim me Bankën Evropiane të Investimeve, me presidenten e kësaj banke dhe ekipin drejtues sepse për ne është shumë e rëndësishme nevoja për të bërë gjithçka të jetë e mundur për të mbështetur të gjithë ata njerëz që i besojnë sipërmarrjes së lirë dhe ndërmarrjeve të tyre të vogla e të mesme.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë partnerët tanë më të rëndësishëm në krijimin e vendeve të punës, për të mbështetur familjet dhe sigurisht për të krijuar hapësirë për të rinjtë që të rriten dhe për t’i dhënë vendit kaq shumë gjëra të mira.

Ja pse jemi këtu, sepse tashmë ndihemi më të fortë duke pasur Bankën Evropiane të Investimeve dhe edhe bankën Intesa Sanpaolo që në fakt po përfshihen në një përpjekje që ne e kemi nisur tashmë si qeverisë së bashku me Bankën Qendrore, me sektorin privat për të mbështetur programin e madh për dyfishimin e sipërmarrjeve, që është saktësisht diçka që lidhet dhe ka të bëjë me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Ajo çfarë e bën të rëndësishme këtë hyrje të Bankës Evropiane të Investimeve së bashku me bankën Intesa Sanpaolo, nuk është thjesht vlera e parave. Në këtë rast për këtë program do të kushtojmë një vlerë shumë më të madhe parash, por është dija, është mundësia për të mësuar nga mënyra se si ato do të ecin në këtë drejtim dhe për të bërë maksimumin, për të përfituar prej tyre përvojën që kanë krijuar në kaq shumë vite në mbështetje të shteteve anëtare për t’u transformuar vetë e për të mbështetur NVM-të në mbarë Bashkimin Euopian.

E dashur, Nadia përpara se të vinim këtu më pyete, pse vazhdojmë të këmbëngulim, të presim me padurim të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian, pse situata nuk është fort frymëzuese sot. Kam një përgjigje shumë të thjeshtë: sepse nuk ka alternativë përkundrejt lirisë, lirisë individuale dhe shtetit të së drejtës, çka nënkupton, barazisë përpara ligjit. Shqipëria kurrë nuk ka pasur një plan B. Shqipëria kurrë nuk i ka hedhur sytë në një drejtim tjetër sepse ne e dimë prej historisë sonë, e kemi mësuar në kurriz që çdo plan i mundshëm B apo C, është plan pa liri individuale dhe pa barazi përpara ligjit.

E kemi pasur për një kohë të gjatë dhe nuk duam as ta çojmë nëpër mend që mund të kthehemi në atë kohë. Natyrisht kohët kanë ndryshuar dhe po shfaqen aktorë të tjerë ndryshe, por thelbi është aty. Thelbi është i pranishëm. Ka vetëm një qytet që shkëlqen mbi kodër për atë që ne duam më fort, që është liria jonë e nevoja për të jetuar nën sundimin e ligjit dhe ky “qytet” është qartësisht Bashkimi Evropian për ne.

Unë e them përherë ka një arsye, ka shumë arsye po së paku në këtë rast do të përmend një, pse afganët apo irakianët nuk ia dolën. Arsyeja është se nuk kishin Bashkimin Evropian si horizontin e tyre, si burimin e dijes dhe si partner në përpjekjen për të ndërtuar një shtet funksional me institucione funksionale. Liria pra, nuk mjafton sepse mund të fashitet. Dëshira për të jetuar nën sundimin e ligjit nuk është mjaftueshëm. Mund të fashitet. Të duhet njohuria dhe Bashkimi Evropian ofron njohuri që askush në botë nuk i ka dhe ky është bekimi ynë, ky është shansi ynë dhe ne duam të përfitojmë prej tij. Ju po na ndihmoni për këtë gjë dhe dua të sigurohem që ta dini që në fakt keni të drejtë që po na ndihmoni. Në fakt keni dhe të drejtë që besoni te ne dhe do të keni edhe më shumë të drejtë për të marrë me rezerva edhe disa stereotipe që ende gjallojnë për ne. Ne jemi një vend që ka probleme, por kemi bërë një rrugë të gjatë për të ardhur këtu ku jemi. E dimë që ka ende rrugë për t’u bërë derisa të jemi pjesë e Bashkimit Euopian. Po ndërkohë jemi krenarë që kemi bërë gjëra që kanë ndryshuar marrëdhënien midis individit dhe shtetit, siç e përmendi dhe ministrja, duke transformuar shërbimet tona në një platformë të mirëfilltë digjitale të qeverisjes e duke ju dhënë mundësi qytetarëve me 95% të shërbimeve ta marrin këtë shërbim duke mos bërë asgjë përveçse duke klikuar në telefonat e tyre celular apo kudo ku janë në Shqipëri e në botë.

Ndërkohë jemi edhe shumë krenarë që kemi kryer një transformim kaq të jashtëzakonshëm të sistemit tonë të prokurimit publik që tashmë konsiderohet nga Komisioni Europian, ekspertët e Komisionit Europian, konkretisht nga SIGMA dhe OECD-ja si sistemi më i mirë i prokurimit publik në Ballkanin Perëndimor. Një sistem që ndërkohë është në mesataren e sistemeve të shteteve anëtare të Bashkimit Europian.

Pa dashur të marr më shumë nga koha juaj e pa dashur që ta zgjas më shumë fjalën time, dua t’ju them që po presim me padurim që të forcojmë bashkëpunimin me Bankën Evropiane të Investimeve. Siç e thashë, pikë së pari për të marrë sa më shumë të jetë e mundur nga dija juaj e jashtëzakonshme dhe së dyti sigurisht për t’ju bërë të investoni më shumë në Shqipëri.

Siç ju informova, tashmë kemi një Bankë të re Zhvillimi të sapo themeluar të Shqipërisë që është një instrument i ri që shpresoj do të përdoret jo vetëm nga ne por edhe nga ju si një instrument për të shërbyer si urë midis nesh dhe Bankës Europiane të Investimeve.

Thënë të gjitha këto i jam shumë mirënjohës edhe bankës Intesa Sanpaolo. U jam mirënjohës të gjithëve atyre që kanë kontribuar deri më tash për gjithçka që ju përmendët në të gjitha drejtimet e po kështu jam shumë mirënjohës që me sa duket e more seriozisht kërkesën time për të investuar më shumë në kulturë. Kemi nevojë për këtë sepse kultura është ajo që na lidh thellësisht me Europën, është ajo që na bën të ndihemi europianë dhe çka është më e rëndësishme na bën të kuptojmë pse Europa është diçka që ja vlen të luftohet.

 

Faleminderit shumë!