Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Vodafone Albania nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit “Për zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor dhe promovimin e turizmit në Shqipëri”.
Marrëveshja e nënshkruar nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Vodafone Albania Katia Stathaki përfshin promovimin e programeve turistike e mjedisore. Duke filluar nga ky muaj, do të nisë promovimi i atraksioneve turistike të Shqipërisë në disa vende europiane si Holandë, Zvicër, Gjermani, Itali etj., ndërsa Shqipëria do të vizitohet nga blogerë të ndryshëm të cilët do të krijojnë materiale për mediat online duke prezantuar atraksionet më të bukura për publikun e huaj.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh në fjalën e saj se turizmi nuk është thjesht ekonomi, por udhëtim, komunikim mes njerëzish në shumë dimensione dhe si i tillë, duhet parë si një strategji kombëtare për zhvillim.
“Ka një logo që na bashkon të gjithëve: Shqipëria është vendi ynë, mjedisi është shtëpia jonë, ne duhet ta mbajmë pastër atë. Qëllimi është të shkojmë në një plan edhe më të thelluar jo vetëm me fushata sensibilizimi, por edhe drejt një produkteve të mirëfillta. Në fushën e mjedisit po ashtu të krijojmë modele të qëndrueshme se si mjedisi mund të jetë i pastër në mënyrë afatgjatë, se si produktet që ne konsumojmë, para se të kthehen në mbetje, duhet të ripërdoren, të riciklohen. Së bashku me partnerët, të prodhojmë modele të cilat duhen ndjekur, edhe modelet janë të rëndësishme për produktin e tyre, por edhe edukimin që i bëjnë popullsisë”, u shpreh ministrja Mirela Kumbaro.
Në fjalën e saj, Drejtoresha e Vodafone Albania, Katia Stathaki, prezantoi projektin më të ri për mjedisin që është riciklimi i baterive konsumatore:
“Vodafone ka kontribuar në promovimin e Shqipërisë për 21 vite, nëpërmjet rrjetit Vodafone, i cili lidh njerëzit nga Vermoshi në Konispol. Përmes këtij memorandumi hedhim një hap përpara, duke vënë kanalet tona në dispozicion të promovimit të mundësive të mrekullueshme që Shqipëria ka mundësi t’u ofrojë turistëve. Por sot jemi këtu dhe për mjedisin. Projekti ynë më i ri është pikërisht riciklimi i baterive konsumatore”, u shpreh Stathaki.