Marta Kos: Shqipëria nis mbylljen e kapitujve të negociatave, moment historik në procesin e anëtarësimit në BE

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e cilësoi nisjen e mbylljes së kapitujve të parë të negociatave të Shqipërisë si një moment historik në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në prag të Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri-BE, Kos deklaroi se vendi po hedh një hap të rëndësishëm përpara në rrugën drejt anëtarësimit. “Sot është një ‘Super e Martë’ për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada po zhvillohen katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë”, u shpreh Kos, duke theksuar se Shqipëria, së bashku me Ukrainën, Moldavinë dhe Malin e Zi, janë vendet që aktualisht kryesojnë procesin e zgjerimit. Sipas saj, Konferenca e IX Ndërqeveritare shënon nisjen e fazës së mbylljes së kapitujve të negociatave për Shqipërinë, ndërsa theksoi se progresi duhet të shoqërohet me rezultate konkrete në zbatimin e reformave. Në konferencën që zhvillohet sot në Bruksel pritet të mbyllen provizorisht Kapitulli 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitulli 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitulli 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”, duke shënuar herën e parë që Shqipëria kalon nga faza e hapjes së kapitujve në atë të mbylljes së tyre. Mbyllja e këtyre kapitujve vjen pasi Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER) miratoi më 10 korrik Pozicionin e Përbashkët të Bashkimit Evropian për mbylljen provizore të tyre, duke vlerësuar progresin e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve që lidhen me procesin e anëtarësimit. Delegacioni shqiptar në Konferencën e IX Ndërqeveritare drejtohet nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa takimi zhvillohet në kuadër të presidencës irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian. Konferenca e sotme pason Konferencën e VIII Ndërqeveritare të mbajtur më 26 maj 2026, e cila hapi zyrtarisht fazën e mbylljes së negociatave, pas konfirmimit nga COREPER të përmbushjes së kushteve të ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret”.