Ministria e Arsimit dhe Sportit nënshkroi sot me Federatën Shqiptare të Futbollit një marrëveshje bashkëpunimi për projektin e FIFA-s “Programi i Futbollit për Shkollat” (F4S Programme).
Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Evis Kushi gjatë ceremonisë së nënshkrimit theksoi se ky projekt është i fokusuar në krijimin e skuadrave të futbollit në shkolla 9-vjeçare, furnizimin me bazë materiale të këtyre shkollave dhe trajnimin e mësuesve të edukimit fizik që më pas do të shërbejnë si trajnerë të ekipeve sportive.
Ky projekt i mbështetur nga FIFA, në fazën e parë do të përfshijë ekipe futbolli për djem dhe vajza në 116 shkolla. Ndërsa në fazën e dytë do të jenë edhe 416 shkolla të tjera. Në fokus të projektit është identifikimi dhe mbështetja e talenteve të rinj, duke lehtësuar edhe familjet shqiptare që të mund të përfshijnë fëmijët e tyre në projekt pa patur nevojë të paguajnë për ta.
Me anë të këtij projekti synohet zhvillimi pozitiv i aftësive fizike, një jetë më e shëndetshme për nxënësit, rritja e vetëbesimit dhe disiplinës, rritja e bashkëveprimit social, përmirësimi i performancës në procesin e të mësuarit, promovimi i gjithëpërfshirjes për nxënësit me aftësi ndryshe, promovimi i kulturës për mundësi të barabarta, si dhe mbështetja e pjesëmarrjes së vajzave në sport.