Masat e sigurisë për sezonin veror 2026, ministri Lamallari: Policia me kapacitete të shtuara dhe teknologji moderne për garantimin e sigurisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me drejtues të Policisë së Shtetit, prezantoi në Durrës masat e marra për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik veror 2026, duke bërë të ditur se Policia e Shtetit, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare do të operojnë me kapacitete të shtuara, teknologji moderne dhe gatishmëri të plotë gjatë gjithë sezonit.
Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash për përballimin e fluksit të vizitorëve, me synim garantimin e një sezoni të sigurt dhe të qetë për qytetarët dhe turistët.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet sigurisë në hapësirën detare. Ministri Lamallari bëri të ditur se Njësia Policore Detare do të jetë e pranishme përgjatë gjithë vijës bregdetare me 35 motorë uji, personel të trajnuar, patrullime intensive dhe monitorim nga ajri me dronë, për të parandaluar incidentet me mjetet lundruese dhe për të rritur sigurinë e pushuesve.
Ai theksoi se Njësia Policore Detare, e krijuar në vitin 2023, është shndërruar në një strukturë të rëndësishme për garantimin e sigurisë në det. Gjatë vitit 2025, kjo njësi dhe Policia Kufitare u kanë ardhur në ndihmë 231 qytetarëve dhe 80 mjeteve lundruese në vështirësi, ndërsa kanë kontrolluar mbi 5600 mjete lundruese dhe kanë ndëshkuar shkeljet që rrezikonin sigurinë e pushuesve.
Ministri njoftoi gjithashtu se, përmes përdorimit të teknologjisë dhe lidhjes së drejtpërdrejtë me sistemin TIMS, Policia Kufitare do të lehtësojë procedurat për jahtet, velierat dhe mjetet e tjera lundruese që hyjnë në Shqipëri, duke ofruar një shërbim më të shpejtë dhe më efikas për zhvillimin e turizmit detar.
Në përfundim, ministri Lamallari theksoi se objektivi është ofrimi i një shërbimi profesional dhe garantimi i një sezoni turistik të sigurt, në funksion të mirëpritjes së qytetarëve dhe turistëve, si edhe mbështetjes së rritjes së mëtejshme të turizmit në vend.