MatchMaker Albania 2026 bashkon mbi 1000 pjesëmarrës nga 40 vende, fokus te investimet konkrete

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u zhvillua edicioni i dytë i “MatchMaker Albania 2026”, platforma ndërkombëtare e organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), që synon të lidhë investitorët me projekte konkrete zhvillimi në Shqipëri. Aktiviteti mblodhi mbi 1000 pjesëmarrës nga më shumë se 40 vende dhe parashikon mbi 400 takime të planifikuara mes investitorëve, kompanive dhe institucioneve.

Gjatë aktivitetit, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cilësoi “MatchMaker Albania” si një platformë të konsoliduar të dialogut ekonomik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, e orientuar drejt marrëveshjeve konkrete dhe investimeve të zbatueshme. Ajo theksoi se edicioni i këtij viti është ndërtuar mbi katër fusha strategjike: zhvillimin urban dhe turizmin, bujqësinë moderne, ekonominë digjitale dhe energjinë.

Sipas Ibrahimajt, Shqipëria po forcon profilin e saj si destinacion investimesh, e mbështetur nga tregues të qëndrueshëm ekonomikë, përmirësimi i klimës së biznesit, avancimi i digjitalizimit dhe stabiliteti makroekonomik. Ajo vuri në dukje paketat konkurruese fiskale për investitorët, veçanërisht në zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, si edhe në parqet e inovacionit. Sipas saj, këto zona ofrojnë tatim 0% mbi fitimin për aktivitetet inovative deri në 15 vjet, përjashtime nga TVSH-ja për pajisje dhe shërbime, si dhe lehtësi të tjera fiskale.

Në fokus të aktivitetit ishte edhe sektori i energjisë, ku Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, nënvizoi potencialin në rritje të Shqipërisë për investime në energjinë e ripërtëritshme. Ai evidentoi zgjerimin e kapaciteteve në energjinë diellore, projektet e avancuara në energjinë e erës dhe synimin për të forcuar rolin e Shqipërisë në tregun rajonal dhe evropian të energjisë.

Sipas ministrit, ambicia është zgjerimi i kapaciteteve prodhuese dhe pozicionimi i Shqipërisë si eksportuese neto e energjisë elektrike deri në vitin 2030, përmes një faze të re të mbështetur te inovacioni dhe teknologjia. Digjitalizimi i sistemeve, matësit inteligjentë dhe automatizimi synojnë modernizimin e sektorit energjetik dhe harmonizimin e tij me standardet e BE-së, ndërsa forcimi i sigurisë juridike, transparencës dhe lehtësimi i procedurave synojnë rritjen e besimit të investitorëve.

Edhe sektori i turizmit u paraqit si një nga fushat me potencial të lartë për investime. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, theksoi se rritja e fluksit të vizitorëve kërkon zhvillim të mirëplanifikuar, investime cilësore dhe një kuadër ligjor më të qartë e të parashikueshëm për investitorët.

Në këtë kuadër, “MatchMaker Albania 2026” përbën një instrument të rëndësishëm për avancimin e agjendës ekonomike të vendit dhe për konsolidimin e pozicionit të Shqipërisë në hartën e investimeve ndërkombëtare.