Mbështetje financiare me vlerën e një page minimale për studentët ekselentë që studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Mbështetje financiare me vlerën e një page minimale për studentët ekselentë që studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë

Studentët ekselentë, që zgjedhin të arsimohen në universitetet publike të vendit do të mbështeten financiarisht nga Fondi i Ekselencës dhe Degëve Prioritare i vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare.

Kryeministri Edi Rama, së bashku Ministren e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi u takua sot në Sallën e Hartave, në Kryeministri me studentë përfitues të programit të ri të bursave të studimit që do të jetë sa një pagë minimale e përmuajshme, ku përfitojnë ata që kanë arritur rezultate maksimale në shkollë apo në olimpiada ndërkombëtare dhe ata që kanë zgjedhur një nga programet e shpallura prioritet kombëtar (që lidhen me disa fusha të shkencave humane, mësuesi, shkenca natyrore, matematikë, statistikë, inxhinieri, bujqësi, veterinari, shërbime, etj.)

 

Ky program do të rritet financiarisht vit pas viti dhe do të mbështesë gjithnjë e më shumë studentë

Kryeministri Rama ndau me studentët lajmin se brenda pak javësh, paga minimale do të shënojë vlerën e 40 mijë lekëve dhe se me çdo rritje të pagës minimale, studentët do të përfitojnë shtesën mbi pagën minimale me të cilën e kanë filluar shkollën.

* * *

Si fillim, dua t’ju them një sekret se jemi këtu midis nesh dhe mbase është gjëja e duhur për të ndarë me ju përpara fjalëve të tjera të rastit, që paga minimale shumë shpejt do të shkojë në 40 mijë lekë dhe kur them shumë shpejt, domethënë çështje disa javësh. Do të fillojë të aplikohet brenda shumë pak muajsh për të gjithë.

Ne nuk duam që të ketë një pagë më të ulët se 40 mijë lekë në Republikën e Shqipërisë, qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat dhe nëse bëmë një përpjekje shumë serioze për të mbështetur 1 milionë shqiptarë, që nga pensionistët, tek kategoritë e tjera më në nevojë dhe tek të gjithë ata që kontribuojnë për shtetin, mbeti pa u adresuar pjesa e atyre më në nevojë që kontribuojnë në sektorin privat dhe ne besojmë që kjo rritje është e duhura dhe jo vetëm kaq, por ne besojmë po ashtu që, duke kontribuar edhe ne, qeveria, me një mekanizëm që jemi duke e përfunduar, paga minimale do të rritet në vijim dhe duam që brenda dy viteve, ajo të shkojë në 45 mijë lekë.

Kështu që juve sapo nisni shkollën, kini parasysh që me çdo rritje të pagës minimale juve do të merrni shtesën mbi pagën minimale mbi të cilën e filloni shkollën. Besoj që ky është një sekret që ia vlen ta ndaja me ju. Mos ia thoni njeriu derisa kjo gjë të bëhet zyrtare, do bëhet zyrtare shumë shpejt.

Ndërkohë është një debat i vështirë dhe do të ishte shumë e thjeshtë për mua, në pozicionin që kam, që t’i thoja vajzës që foli për emigracionin, çohu tani dhe të përqafoj, kjo është gjëja që duhet të bëjnë të gjithë, por s’ mund ta them dot këtë. S ‘mund ta them dot këtë, sepse në moshën tuaj unë kam jetuar në një vend që nuk kishte zgjedhje, madje, madje në një vend që nuk mund të zgjidhje realisht as se ku do punoje në aspektin gjeografik brenda vendit, sepse të detyronin të punoje aty ku kishte nevojë atdheu siç thuhej atëherë dhe mund të të emëronin kudo qoftë, por nuk kishte shans që ti të zgjidhje të largoheshe për të kërkuar të ardhmen tënde diku tjetër.

Ndërkohë që patjetër që ne jemi shqiptarë, patjetër që kjo është toka jonë, patjetër që kjo është vendlindja jonë, patjetër që këtu kemi gjuhën, kemi historinë, por ne fatmirësisht nuk jemi më vetëm qytetarë vetëm të këtij vendi, jemi qytetarë të botës dhe në një botë që fatmirësisht është e hapur edhe për shqiptaret, pavarësisht të gjitha vështirësive edhe shqiptarët kanë të drejtë të bëjnë zgjedhjen e tyre. Kështu që unë nuk i gjykoj keq, absolutisht, ata që zgjedhin ndryshe. Edhe unë në një moment të caktuar të jetës zgjodha të shkoj dhe të jem emigrant. Pastaj jeta soli që unë të kthehem përsëri, siç e ka sjellë për të tjerë që të kthehen, siç e ka sjellë për plot të tjerë që të mos kthehen. Ama një gjë është e sigurt, që në të gjitha rastet ne mbetemi shqiptarë.

Në të gjitha rastet ne mbetemi të lidhur me vendin tonë, më rrënjët tona, me kujtimet tona, me shtëpinë e prindërve, me lagjen, më qytetin, me shkollën, me rrugën dhe këto nuk shlyhen, por nga ana tjetër sot jetojmë në një kohë që jo vetëm për ne, por edhe për vende më të zhvilluara për ne, emigracioni është kthyer në një problem. Mjafton të shikojmë Italinë fqinje se si përballet me një problematikë të jashtëzakonshme të largimeve masive, jo më si deri dje nga jugu drejt veriut, por nga Italia drejt Gjermanisë apo drejt vendeve në veri të Europës. Ky është një trend që vendet e kanë shumë të vështirë ta kthejnë dhe historia e ka treguar që këto trende marrin kohën e tyre, por nuk ka forcë që i kthen me zor, çfarëdo që të bësh dhe faktikisht ka qenë një kohë kur migrimi si fenomen ndërkombëtar spostoi masa gjigande njerëzisht nga  Europa drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA në vitet 40-të. Pastaj erdhi një kohë spostimesh të mëdha në vitet 70-të, që të gjithë, kryesisht mjekët, lëviznin drejt Australisë, Kanadasë, Britanisë së Madhe, SHBA dhe Gjermanisë. Pastaj një kohë tjetër kur filloi lëvizja nga lindja në perëndim e kështu me radhë.

Në këtë dinamikë, ne sigurisht edhe pse jemi të vetëdijshëm që s’mund ta ndalim trendin, kemi detyrën që të bëjmë përpjekjet tona për të balancuar aq sa mundemi dhe mundësisht aq sa duhet për nevojat e brendshme të vendit. Vendi ynë ka nevojë për të gjitha shërbimet dhe shërbimet kanë nevojë për njerëz të kualifikuar duke filluar që nga shërbimet mjekësore dhe pavarësisht se trendi është i tillë që gjithmonë e më shumë bluza të bardha nga Europa e jugut po spostohen drejt Gjermanisë, Britanisë së Madhe apo vendeve të tjera më në veri të Evropës, ne nuk mund të pajtohemi më idenë që mund të mbetemi pa mjekë, mund të mbetemi pa infermierë. Deri sot balanca është e qëndrueshme edhe pse nuk është një balancë e sigurt për të nesërmen. Detyra jonë është ta bëjmë një balancë të sigurt dhe do t’ju jap një fakt në bazë të një studimi të bërë nga Universiteti i Mjekësisë në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit. Një student mjekësie në Shqipëri, i kushton shtetit shqiptar 1/15 në 16 dhe me tarifën e tij, studenti mbulon vetëm 1/16 e kostos së studimit të tij, ndërkohë që 15/16 mbulohen nga shteti. Që do të thotë që për një diplomë që ka një vlerë shumë të madhe, sepse ka një vlerë ndërkombëtare, gjë që e tregon fakti që mjekët tanë, me diplomat e Universitetit tonë të Mjekësisë mund të shkojnë lirisht në Europë dhe faktet thonë se adaptohen dhe integrohen në sistemet e shërbimeve shëndetësore europiane, nga Gjermania e më gjerë, nuk është një fakt përpara të cilit ne mund të dorëzohemi dhe është një fakt përpara të cilit ne duhet të reagojmë.

Shteti shqiptar nuk mund të vazhdojë të paguajë 15/16 pjesë të studimeve të një studenti mjekësie nëse studenti i mjekësisë nuk është i gatshëm që t’i kthejë Shqipërisë, të paktën për një periudhë kohe, investimin që Shqipëria bën për të, që shteti shqiptar investon me kontributet e qytetarëve shqiptarë dhe qytetarët shqiptarë paguajnë taksa për të marrë shërbime gjithmonë e më cilësore dhe me taksat e qytetarëve shqiptarë mbulohet pjesa dërrmuese të studimeve të një studenti që paguan një tarifë, e cila në raport me koston, është simbolike. Atëherë, qytetarët shqiptarë kanë të drejtën që të kërkojnë që përkundër parave që shpenzon shteti nga taksat e tyre për t’i formuar këta mjekë, të kenë mjekë, të mos i mungojnë mjekët asgjëkund. Mora shembullin e mjekëve sepse është shembulli më domethënës edhe për faktin se mjekët janë më të kërkuarit në tregun europian, duke filluar që nga Gjermania.

Ne edhe këtu do të ndërhyjmë me një politikë të diferencuar, por dua të qëndroj tek politika për të cilën ju keni ardhur këtu dhe për të cilin foli edhe djali që ishte student i sapo hyrë në mjekësi pasi ka marrë një medalje ari dhe të cilit i takon kjo bursë e barabartë me pagën minimale, përkundër obligimit të pranuar prej tij, ai e nënvijëzoi siç e nënvijëzoi dhe vajza tjetër më pas, që të paktën 3 vjet pas studimeve do të qëndrojnë në Shqipëri dhe kështu duhet të jetë edhe për të tjerët më pas që do të marrin një shërbim arsimor të lartë me kontribut masiv nga shteti shqiptar.

Kjo politikë është një politikë e re që vjen si rezultat i një reflektimi mbi një politikë tjetër që i përket vitit 2007 si pikënisje nga qeveria e mëparshme, i ashtuquajturi “Fondi i Ekselencës”, i ndërtuar me një qëllim shumë të mirë për të mbështetur studentë shqiptarë në universitetet më të mira të botës me qëllimin që në ndërkohë që këta studentë shqiptarë nuk kanë mundësi të përballojnë shpenzime deri në 50-60-70 mijë dollarë në vit për ato universitete, shteti t’i mbulojë dhe ata të kthehen për të kontribuar për shtetin.

Fatkeqësisht, ky instrument i cili u ofrohej studentëve të ciklit të parë ose të dytë që studiojnë në një numër të kufizuar universitetesh, të rankuara më të mira të botës, nuk e solli mbrapsht investimin që ata të ktheheshin dhe të paktën 3 vjet të kontribuonin për Shqipërinë.

Përkundrazi, kjo së bashku me qasjen tjetër të studentëve të doktoraturës që ishin pranuar në 300 universitetet më të mira, solli të kundërtën; paguan shqiptarët, taksapaguesit këtu dhe në një masë dërrmuese këta studentë nuk u kthyen më në Shqipëri, madje jo vetëm nuk u kthyen, por edhe në rastet kur bëjnë sikur kthehen deklarohen si të papunë këtu, shënojnë emrin si të papunë ose sikur janë në sektorin privat me pagë minimale. Gjëra absolutisht të padenja.

Unë nuk i gjykoj absolutisht ata të cilët pasi bëjnë një shkollë super dhe dihet që studentët mbarojnë ato shkolla i kanë tek dera, në kuptimin literal tek dera, kompanitë, bankat, korporatat e mëdha ndërkombëtare që u kërkojnë të bëhen pjesë e tyre por ama nga ana tjetër, ne nuk mund të vazhdojmë të përsërisim të njëjtën gjë duke pritur rezultat tjetër.

Të gjitha masat shtrënguese apo gjyqe apo historitë e tjera nuk do të na jepnin, siç nuk na kanë dhënë as ne, as qeverisë së mëparshme ndonjë rezultat tjetër përveçse zhgënjimit dhe ndjesisë që fatkeqësisht edhe pse kemi financuar studentë shqiptarë, në fakt kemi financuar ekonomitë e mëdha, kemi financuar shtetet e pasura.

Shqipëria nuk mund të financojë shërbimin shëndetësor gjerman, nuk ka kuptim dhe për këtë arsye, ministrja, pasi ngriti një skuadër për të bërë një analizë të plotë të të gjithë këtij programi, solli idenë që të ndryshojmë drejtim; jo më për ekselentët që shkojnë jashtë por për ekselentët që studiojnë këtu, për ata që marrin medalje ari dhe studiojnë këtu, për ata që nuk janë me medalje ari, por pranojnë të studiojnë në ato degë për të cilën ka nevojë vendi dhe të cilat duken në pamje të parë pa të ardhme.

Për shembull, kjo është komplet e lidhur me një perceptim të gabuar, por kjo është një temë tjetër, Universiteti Bujqësor. Ndërkohë që, të gjitha ato diploma që jep Universiteti Bujqësor sot do jenë gjithmonë e më të vlefshme nesër, por jo vetëm në Shqipëri, do jenë gjithmonë e më të vlefshme në tregun ndërkombëtar. Do vijë dita që agronomët do të jenë, mbase, po kaq të vlefshme që të mos them më të vlefshëm se ç’janë sot mjekët për tregun ndërkombëtar dhe jo një ditë shumë e largët sepse ju e shikoni se çfarë problematikash të mëdha po has sot e gjithë bota me temën e  ushqimit, me temën e mjedisit, me temën e burimeve ujore e kështu me radhë.

Kështu, ne kemi hyrë në këtë program të cilin do ta fuqizojmë vit pas viti gjithmonë e më shumë duke filluar të reduktojmë mbështetjen e përgjithshme për të gjithë njësoj dhe duke prioritizuar mbështetjen në mënyrë të posaçme për të gjithë ata që janë ekselentë, por ekselentë “ekselentë” me të gjitha dhjeta dhe me ata që shkojnë në degët prioritare, që nga degët e zhvillimit bujqësor dhe rural që mos t’i numëroj tek shkencat humane, tek inxhinieritë e ndryshme, tek mësuesia patjetër dhe kështu me radhë, në mënyrë që të krijojmë një bazë të qëndrueshme dhe patjetër pa ia u ndërprerë as juve dhe askujt tjetër rrugën që ta shikoni të ardhmen tuaj edhe jashtë vendit një ditë, por ama, mbasi të keni dhënë një kontribut këtu në vend. Mbasi të keni dhënë një kontribut këtu në vend për disa vjet është zgjedhja juaj.

Ndërkohë që, siç e tha vajza dhe siç mund ta dëshmojnë të gjithë nuk ka një zgjedhje bardhë e zi, ka gjëra, të cilat nuk i ofron dot Shqipëria dhe mund t’i gjesh patjetër në Gjermani, por ka gjëra, të cilat nuk i gjen dot në Gjermani dhe i ke këtu në Shqipëri, duke filluar që nga prindërit dhe shtëpia e prindërve, duke vazhduar me kostot shumë më të ulëta.

Natyrisht gjithmonë me prezumimin që pagat, – që nuk mund dot t’i kemi sa Gjermania, – të vazhdojnë të rriten dhe rritja e pagave sot që flasim në sektorin privat ka nisur dhe do të vazhdojë të thellohet, ashtu sikundër ne do të vazhdojmë të rrisim pagat dhe në sektorin publik. Është e domosdoshme.

Ne po bëjmë një tjetër studim të rëndësishëm, të cilin po e përfundojmë për të krijuar një piramidë alternative të pagave përsa i përket aftësive profesionale dhe teknike të posaçme, duke filluar që nga teknologjia. Ne nuk mundet dot të jemi një vend që mund t’i realizojë ato ambicie që kemi për Shqipërinë e 2030-ës dhe asnjë vend që si vend i NATO-s mund të gjendet në një atak, në një sulm, në një agresion kibernetik dhe shteti të mos jetë konkurrenti më i fortë në treg kur vjen puna për burimet njerëzore të teknologjisë së lartë. Pra, ne duhet t’i ofrojmë dhe do t’ja ofrojmë të rinjve tanë mundësinë që të hyjnë edhe në sektorin publik dhe të shërbejnë si inxhinier të teknologjisë së lartë sipas niveleve të ndryshme me paga po aq të mira, edhe më të mira sesa sektori privat.

Ne duam të përshpejtojmë procesin e integrimit në BE, por ndër të tjera, procesi i integrimit në BE është teknikisht të ulesh të shkruash letra, të cilat po t’i vësh njëra pas tjetrës bëjnë dy herë rrugën tokë-hënë, hënë-tokë, tokë-hënë, hënë-tokë, jo në mënyrë metaforike, realisht. Duhet të përputhin mbi 4000 ligje dhe akte nënligjore me gjithë strukturën, ngrehinën ligjore të BE dhe këto kanë nevojë për njerëz të përkushtuar, për njerëz të ditur, për njerëz që zotërojnë aftësi, që ne nuk mund dot t’i ulim në tavolinë 12 orë në ditë siç është ajo punë, nëse nuk i ofrojmë dot paga, të cilat janë konkurruese me ato të sektorit privat minimalisht dhe kështu për të tjera profesione.

Pra, Shqipëria po hyn në një fazë tjetër në aspektin e pagave, në aspektin e shpërblimit të aftësive, por po hyn në këtë fazë edhe në sektorin privat. Nëse do të shikoni sot sektorin privat së brendshmi, ka një lëvizje të rëndësishme në drejtim të rritjes së pagave, e cila do të vazhdojë sepse sektori privat po e kupton që për të mbajtur burimet njerëzore të kualifikuara këtu, duhet të jetë shumë më konkurrues në aspektin e pagave, në mënyrë që pastaj të jetë konkurrues edhe në aspektin e produktivitetit. Kështu që në këtë panoramë për ju është dita për të buzëqeshur me optimizëm.

Shimon Peres thoshte: Dhe pesimistët dhe optimistët vdesin. Ndryshimi mes tyre eshte si jetojnë. Kështu që shpeshherë krijohet ideja se kush u lind i ngrysur ia del më mirë ose po të jesh i ngrysur nuk ta hedh dot jeta. Është ide e gabuar, kështu që më shumë buzëqeshje, më mirë shkojnë gjerat. Dhe sot realisht për ju është një ditë për të buzëqeshur sepse, jo vetëm përfshiheni në një program dhe jeni si të thuash dallëndyshet e para të këtij programi që sot numëron 160 studentë të pare, por sepse përmes këtij programi siç ju thashë do të keni vit pas viti një mbështetje financiare që do të shkojë duke u rritur.

Dhe ne duam që këtë program ta fuqizojmë siç thashë edhe për shumë të tjerë. E shpjegoi ministrja. Ky program u lancua vetëm në maj të vitit të shkuar kur shumëkush nga maturantët kishin bërë zgjedhjet e veta. Natyrisht ka patur dhe skeptikët përkatës, por fakti që sot ju jeni këtu dhe janë 160 vajza dhe djem që tani janë bërë përfitues të drejtpërdrejtë të programit dhe që i prekin me dorë fondet e mbështetjes do të na ndihmojë që në vitin tjetër të kemi shumë më tepër aplikime.

Ne jemi shumë të vendosur që t’i shkojmë deri në fund kësaj mbështetje. Pra, kur vjen puna tek medaljet e arta ne nuk mund t’i shtojmë medaljet e arta. Ata që kanë medalje të arta dhe që duan të studiojnë në Shqipëri, do ta kenë. Aq sa janë. Por, kur vjen puna tek degët prioritare sigurisht që ne kemi nevojë për më shumë dhe për më shumë studentë dhe ne do të jemi të gatshëm që t’i përgjigjemi studenteve me mbështetje pavarësisht numrit të tyre, boll që kuptohet të përmbushin ato prioritete që keni përmbushur dhe ju se mund të jesh me pesa edhe vjen të bëhesh mësues dhe do marrësh dhe rrogën minimale, s’mund të hysh mësues, thjeshtë. Por ama duke patur rezultatet e tua që janë rezultate të mira, atëherë po mund të kesh dhe këtë mbështetje.

 

Në fund, dua ta mbyll duke thënë që ka arsye për të besuar në sukses edhe këtu në Shqipëri, jo vetëm në Tiranë, por patjetër edhe në Gjermani, edhe në Greqi dhe kudo qoftë. Dhe fatmirësisht që jetojmë jo më në kohën kur unë isha sa ju dhe zgjedhja e lirë nuk ekzistonte, por jetojmë në një kohë që ka një zgjedhje të lirë për të gjithë. Por ashtu, sikundër unë, asnjëherë nuk do ta them që “kush merr rrugën për të provuar suksesin jashtë kufijve të vendit bën gabim, bën diçka që s’është mirë për vendin etj”, ashtu kurrë nuk do ta pranoj sepse nuk është  e vërtetë, që kush vendos të qëndrojë këtu dhe të luftojë këtu nuk ka shanse për sukses. Suksesi mund të jetë këtu, mund të jetë atje. Dështimi mund të jetë atje mund të jetë dhe këtu. Varet se çfarë kërkon dhe sigurisht varet sesa këmbëngulës je në atë që kërkon.

 

Unë ju shpreh falënderim dhe mirënjohje që keni zgjedhur të merrni pjesë në këtë program dhe të kontribuoni si kthim i këtij investimi të qytetarëve shqiptarë për ju tre vitet e para, të paktën tre vitet e para pas përfundimit të shkollës këtu në vendin tonë. Pastaj secili deri atëherë do ketë bërë zgjedhjen e vet.

 

Shqipëria asnjëherë nuk do jetë në pozitën që të mos ketë njerëz madje unë besoj që Shqipëria do të vijë gjithmonë e më shumë në pozitën që gjithmonë e më shumë njerëz do të duan të kthehen këtu, për 1001 arsye që nuk është sot vendi dhe koha për t’i shpjeguar, por që lidhen me faktin që Shqipëria përtej asaj që duket në të përditshmen e zhurmshme dhe plot mjegull të hapësirës sonë, të komunikimit publik është duke bërë gjërat e duhura dhe është duke ecur në rrugën e duhur, se ndryshe nuk do ishte një vend që sot qëndron në grupin kryesor të vendeve europiane përsa i përket dëshirës për të ardhur dhe për ta vizituar dhe Shqipëria natyrisht nuk është një vend që do të zhvillojë ndonjëherë industrira të rënda apo që do çojë raketa në Hënë. Shqipëria është një vend që do të jetë kampion i këtij rajoni për turizmin, që do të jetë kampion i këtij rajoni për eksportet në bujqësi, që do të jetë një vend kampion i këtij rajoni në fushën e energjisë, që do të bëhet në harkun e këtyre viteve eksportues neto i energjisë dhe që natyrisht do të jetë gjithmonë një vend i bukur ku njerëzit do të jenë gjithmonë e më të bindur që jeta këtu mund të mos i ketë të gjitha ato që duken së jashtmi nga jeta diku tjetër, por ka mjaftueshmërisht gjëra për të qenë të buzëqeshur.

Shumë faleminderit!

Previous Ministrja Xhaçka takon Lord Stuart Peach