Mbledhja e Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri/ Konferencë e përbashkët për shtyp - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Mbledhja e Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri/ Konferencë e përbashkët për shtyp

Mbledhja e dymbëdhjetë e Këshillit të Stabilizim Asociimit midis BE-së dhe Shqipërisë, format i nivelit më të lartë të dialogut politik mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, u zhvillua sot për herë të parë në historikun e saj, në Tiranë me pjesëmarrjen e përfaqësuesit të Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell dhe Komisionerit për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi.

Delegacioni shqiptar u përfaqësua nga Kryeministri Edi Rama, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, si dhe drejtues të tjerë  strukturash të lidhura me procesin e integrimit të vendit në BE.

Në përfundim të seancave plenare, Kryeministri Edi Rama, Përfaqësuesi i Lartë i BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

* * *

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit i nderuar përfaqësues i lartë i Bashkimit Europian dhe dëshiroj të shpreh mirënjohjen për gjithë mbështetjen që kemi marrë prej jush dhe prej Komisionerit Varhelyi në një proces që ka qenë tejet i vështirë dhe në një periudhë kohe jo të shkurtër shumë i padrejtë ndaj Shqipërisë për arsye të konjukturave politike që tanimë janë kapërcyer dhe sot me mbledhjen për herë të parë të Këshillit të Stabilizim Asociimit jashtë Brukselit, ju na keni dëshmuar edhe njëherë tjetër respekt, përkushtim dhe vullnet të palëkundur për të na mbështetur në këtë rrugë që tanimë është e çelur, e drejtë dhe natyrisht, jo pa vështirësitë e veta.

Më vjen shumë mirë që atmosfera e kësaj mbledhjeje ishte jashtëzakonisht pozitive. Kemi dakordësi të plotë në të gjithë boshtin e kësaj marrëdhënieje strategjike. Shqipëria, sot nuk është më në fund të trenit të integrimit, por është në krye, në këtë rajon ku roli ynë vlerësohet si model në aspektin e promovimit të paqes, të dialogut, të normalizimit dhe më lejoni t’iu them që ne shohim me admirim përpjekjen për tuaj normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këndvështrimin tonë dokumenti i normalizimit i paraqitur prej jush është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës dhe Serbisë dhe unë dua të besoj me gjithë zemër e me gjithë mendjen që as njëra palë, as tjetra, nuk do t’ia lejojnë vetes të mos e përqafojnë plotësisht dokumentin dhe programin e implementimit të tij sepse realisht BE përmes jush dhe në bashkëpunim me SHBA , i kanë ofruar Kosovës, Serbisë, rajonit, gjeneratave të tjera, një rruge të re, një portë të hapur të se ardhmes në paqe dhe një kohë tjetër të nevojshme për të arritur në përmbylljen përfundimtare procesin e njohjes reciproke.

Nga ana tjetër, duke folur për Shqipërinë dhe ecurinë e procesit, ne jemi shumë të lumtur sot që të konstatojmë se gjërat kanë shkuar sipas parashikimeve, nuk kemi asnjë vonesë, nuk kemi asnjë problem dhe mbi të gjitha ne sot mund të konstatojmë dhe sa herë takohemi, mund të rikonstatojmë ecurinë e reformës në drejtësi.

Reforma në drejtësi ka filluar të japë frute domethënëse. Natyrisht nuk është një fushë me lule, ka edhe ajo ferrat dhe gropat e veta, por një gjë është fakt, në Shqipëri po ndodh ajo që deri shumë përpara, shumë pak kohë përpara, askush nuk e imagjinonte.

Drejtësia në Shqipëri, institucionet e reja, prokuroria speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po godet njerëz, individë të lidhur me pushtetin apo jo, por këta të parët kanë më shumë rëndësi sesa të tjerët siç nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij vendit dhe po tregon kjo reformë dhe po tregojnë këto institucione dhe po tregojmë dhe ne bashkë me to, që koha e të paprekshmëve dhe koha e të strehuarve nën ombrellën e pushtetit ka mbaruar.

Nga ana tjetër unë jam krenar që në rajon Shqipëria është i vetmi vend që e ka hedhur këtë hap. Është i vetmi vend që e bërë këtë reformë dhe është i vetmi vend që e ka hedhur këtë hap. Nuk di asnjë vend tjetër të rajonit ku drejtësia godet pa parë majtas, pa parë djathtas, por duke parë vetëm drejt dhe thashë, reforma po jep rezultate. Natyrisht që zbatimi ka problemet e veta, natyrisht që nuk është fushë me lule, ka ferra, ka gropa, por ne nuk i kemi vënë në asnjë moment në diskutim ato që drejtësia e re vendos, përkundrazi, i kemi mbështetur vazhdimisht, e kemi bërë dhe do vazhdojmë ta bëjmë të qartë që cilido qoftë nëse ka punë me drejtësinë, duhet të marrë avokat.

Partia Socialiste që qeveris, qeveria nuk ofrojnë shërbime avokatie për askënd dhe kjo është një arritje domethënëse e Shqipërisë në një proces kur ne duam tani të hyjmë në një fazë të re me prokurimet publike. Duam të bëjmë të njëjtën gjë dhe po përgatisim një reformë që do të përmbysë tërësisht sistemin e zbatimit të prokurimeve publike që siç vlerësohet edhe nga raportet e Komisionit dhe nga qëndrimet e Këshillit, kanë bërë përparime të konsiderueshme, por heqja e prokurimeve nga duart institucioneve është objektivi ynë dhe për këtë po bashkëpunojmë me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara, UNOPS me të cilët do të paraqesim shumë shpejt një platformë që do të transformojë komplet prokurimet publike dhe nuk do të ketë më zyrtarë të lartë që do të kenë lidhje me prokurimet publike. Ky është një tjetër revolucion që do ta ngrejë Shqipërinë në një tjetër nivel në aspektin e transparencës dhe në aspektin e luftës kundër korrupsionit sepse aty është një nga problemet kryesore.

Kemi folur për konvergjencën ekonomike. Ky është një diskutim që e kemi hapur me partnerët tanë të BE. Do të vazhdojmë ta bëjmë sepse ne besojmë që është koha që BE të bëjë një hap të konsiderueshëm përpara në aspektin e afrimit, jo përsa i përket procesit individual të integrimit, i cili duhet bërë nga të gjithë me shumë përpikëri dhe aty ne nuk kërkojmë as dhurata, as përshpejtime, as mbyllje sysh. Ne duam të bëjmë detyrat dhe duam të vlerësohemi vetëm për detyrat, por ama në aspektin financiar, Ballkani nuk mund t’i rezistojë gjithë këtyre goditjeve pa pasur një mbështetje që është mbështetje që buron nga koha ku jetojmë.

Hendeku ynë me vendet e tjera të BE që janë rrotull nesh, Greqia, Kroacia dhe të tjerë në përfitimin e mbështetjes europiane është marramendës. Ne nuk e përballojmë dot. Ballkani Perëndimor nuk e përballon dot këtë hendek që zgjerohet në kushtet kur jemi dhe të sfiduar nga vendet e mëdha që marrin njerëz, i paguajnë më mirë.

Përsa i përket pasaportave të arta kemi bërë të qartë që e kemi pezulluar procesin deri kur të sqarohet në nivel evropian qëndrimi. Ne nuk e shpikëm këtë, e morëm nga vendet e BE që e kanë zbatuar me sukses. Ka një çështje në Gjykatën Europiane, ne nuk do ta nxjerrim më këtë iniciativë në tavolinë pa parë si do të përfundojë çështja ne Gjykatën Europiane. Nëse Gjykata Europiane vendos kundër pasaportave të arta, kjo është një çështje e mbyllur. Nëse Gjykata Europiane vendor pro, atëherë çdo vend do të bëjë zgjedhjen e vete.

Kemi folur për amnistinë fiskale që është një tjetër temë. Qëndrimi ynë është i ditur. Ne vlerësojmë shumë angazhimin e Komisionit dhe të delegacionit për të na ofruar ekspertizë. Duam të vazhdojmë punën me ekspertët. Nuk heqim dorë thjesht sepse kjo nuk është një gjë e mirë në parim, sepse ne kemi të gjitha arsyet tona për të menduar që kjo është gjëja e duhur për Shqipërinë, por ama nga ana tjetër ne duam që këtë gjë ta bëjmë së bashku dhe prandaj ju falënderojmë për ekspertizën dhe duam t’i shkojmë deri në fund procesit të dialogut edhe të përmirësimit të drafteve. Sot është një draft komplet tjetër nga ajo që ishte në fillim, falë ekspertizës që ju na keni ofruar.

Dhe e fundit, kemi përfunduar edhe gjithë procesin e konsultimit për kanabisin mjekësor kështu që do të vazhdojmë në Parlament, duke pasur shumë të qartë jo vetëm se si e shkruajmë por edhe se si e zbatojmë dhe për këtë gjithë elementet e monitorimit janë mirëmenduar, por sigurisht do të gjykohet në praktikë.

Në mbyllje të kësaj hyrje dua t’ju falënderoj shumë dhe posaçërisht Komisionerin i cili si gjithmonë kur vjen në Shqipëri, por e kam vënë re edhe në vende të tjera, nuk vjen vetëm me buqetën e parimeve dhe të predikimeve, por vjen edhe më një portofol europian që e hap gjithmonë dhe më vjen shumë mirë që Komisioneri këtë herë ka ardhur me fondin për të filluar ndërtimin e kolegjit europian të Bryzhit në Tiranë.

Është jashtëzakonisht domethënëse për ne dhe jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që pasi Kolegji europian i Bryzhit hapi filialin e vetë në Poloni në fillim të viteve 90-të për të mbështetur vendet e para që pastaj hynë në Bashkimin Europian, po hap tani filialin në Shqipëri, pasi u propozua prej nesh dhe u pranua në Samitin e Tiranës dhe kjo është realisht një dhuratë shumë e bukur dhe më lejoni ta them dhe shumë e merituar nga Shqipëria, për hir të së vërtetës. Më falni për modestinë, po Shqipëria i ka merituar të gjitha çfarë i keni dhënë. Nuk po hyj tani të them që meriton më shumë se kjo dihet.

Faleminderit!

 

Përfaqësuesi i Lartë i BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Joseph Borrel: Jam vërtetë i lumtur që jam këtu në Shqipëri. Është vizita ime e tretë në Shqipëri si përfaqësues i lartë i Bashkimit Europian, por ama sot është një mundësi e veçantë dhe ditë e veçantë sepse është hera e parë në historinë e marrëdhënieve tona mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian që ne e mbajmë këtë Këshill të Stabilizim Asociimit në Tiranë. Zakonisht këto takime dhe mbledhje të rëndësishme vjetore mbahen në Bruksel ose në Luxemburg, por sot jemi këtu në Tiranë për t’i treguar popullit shqiptar se Shqipëria po ju afrohet gjithnjë e më tepër dhe është gjithmonë e më tepër pranë jush.

Me këtë, ne duam të japim një sinjal të fuqishëm politik për angazhimin e Bashkimit Europian ndaj rrugëtimit shqiptar dhe integrimit shqiptar si anëtar i Bashkimit Europian dhe e përdorim Këshillin e Stabilizim Asociimit si ndërveprimin institucional më të rëndësishëm ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë.

Përmes këtyre takimeve ne marrim në konsideratë përparimin lidhur me përgatitjet për anëtarësimin, shqyrtojmë çfarë është bërë, diskutojmë ku ka nevojë për më tepër përpjekje dhe çfarë pune kemi ende përpara nesh dhe mesazhi kryesor nga kjo mbledhje e këtij Këshilli është angazhimi ynë i patundur për integrimin europian të Shqipërisë.

Ne shohim dhe mirëpresim drejtimin strategjik të qartë të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Ne po punojmë së bashku për integrimin e Shqipërisë në të gjitha linjat, që nga negociatat për anëtarësim, tek nisma konkrete si pjesëmarrja juaj në misionet e politikës sonë të përbashkët për sigurinë dhe mbrojtjen apo akademinë diplomatike europiane, të cilën e kam prezantuar vitin e shkuar.

Dua të pranoj dhe të vlerësoj qartë që ky vend ka treguar një angazhim të fuqishëm ndaj reformave të nevojshme dhe ka arritur etapa të rëndësishme, veçanërisht në fushën e drejtësisë ku Shqipëria ka zbatuar një reformë rrënjësore në drejtësi e cila ka ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme. Kjo është një mundësi e qartë për të ecur më tej përpara. Institucionet shqiptare duhet të përshpejtojnë reformat duke u bazuar në mbështetjen masive të popullit shqiptar për integrimin europian.

Ne patëm mundësinë të mirëpresim deklaratën e zotit kryeministër që skema e pasaportave të arta nuk do të ndiqet më tej dhe kemi trajtuar çështje të tjera në takimin tonë, sidomos polarizimin e fuqishëm dhe të fortë të mjedisit politik në vend dhe shumë çështje të tjera, të cilat do t’i diskutojë më tepër në detaje Komisioneri Varhelyi.

Kjo mbledhje organizohet dhe ndahet në një realitet të ri dhe shumë sfidues që është shkaktuar nga agresion rus në Ukrainë, por në të njëjtën kohë e bëri këtë aktivitet dhe Bashkimin Europian më të bashkuar dhe e ka sjellë së bashku më pranë Bashkimin Europian dhe Ballkanin Perëndimor.

Ky është moment kritik i të vërtetës dhe në këtë moment kritik, Shqipëria ka treguar frymën e vërtetë europiane jo vetëm në solidaritet me Ukrainën, por edhe duke vepruar plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Europian. Ju e vijoni këtë përputhje 100% me politikën e jashtme të Bashkimit Europian, përfshirë këtu edhe përgjigjen ndaj agresionit rus në Ukrainë.

Shqipëria gjithashtu ka përdorur pozicionin e saj në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara për të mbajtur një qëndrim të qartë në mbrojtje të rendit bazuar në rregulla ndërkombëtare dhe kartës së Kombeve të Bashkuara. Kjo ka treguar qartë cilësinë e Shqipërisë si një partner i besueshëm i sigurisë. Në të njëjtën kohë e bën Shqipërinë dhe një shënjestër të veprimeve armiqësore nga jashtë dhe prandaj ne qëndrojmë të angazhuar të vijojmë mbështetjen tonë për Shqipërinë në këtë pikëpamje.

Po punojmë për një sërë veprimesh për të ndihmuar përforcimin e aftësisë ripërtitëse të Shqipërisë ndaj kërcënimeve hibride në fushën e sigurisë kibernetike, manipulimit të informacionit dhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike.

Ne tashmë kemi ndërmarrë veprime të shpejta dhe jemi përgjigjur shpejt pas sulmit masiv kibernetik gjatë verës së shkuar. Kemi përfshirë të gjithë partnerët dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në politikat tonë për zbutjen e ndikimit negativ të luftës ruse kundër Ukrainës sepse kjo luftë ka dërguar goditje në të gjithë botën dhe ka ndikuar shumë vende në të gjithë botën, veçanërisht Ballkanin Perëndimor.

Për këtë duhet të mobilizojmë mbështetje urgjente. Presidenti i Komisionit ka theksuar dhe ka deklaruar mbështetje konkrete në fushën e energjisë kur ajo ishte këtu në vjeshtë, 80 milionë euro dhe dokumentacioni tashmë është nënshkruar dhe këto para do të vihen në dispozicion së shpejti.

Me këtë, ne besojmë që mbështesim Shqipërinë për t’u përballur me këto kohë të vështira.

Është mirë të dimë që mund të mbështetemi tek partnerët tanë, sidomos nga vendet kandidate si Shqipëria me përpjekjet të tyre të reformës për anëtarësim dhe 100% qëndrim të përbashkët në fushën e politikës së jashtme, që është sinjal i qartë i vullnetit tuaj europian. Faleminderit shumë zoti kryeministër!

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në BE Oliver Varhelyi: Faleminderit shumë! Duket se Tirana është vendi për të qenë. Tirana është vendi për të qenë për europainët që të vijnë. Nuk janë bërë ende 6 muaj nga samiti i Tiranës ku të gjithë krerët e shteteve të qeverisë ishin këtu, tashmë kemi dhe Këshillin e Stabilizimit dhe Asociimit këtu në Tiranë. Ja vlen gjithmonë të vish sepse nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë dhe me integrimin e saj në BE, por ka të bëjë me faktin që Europa është e përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor. Është e përkushtuar për ta pasur Ballkanin Perëndimor si përparësinë e vetë gjeo-politike sepse ajo që dëgjuam sot, fort dhe qartë nga kryeministri Rama dhe delegacioni i tij është se për Shqipërinë është Europa ajo që është përparësia gjeo-politike dhe mund ta konfirmoj se dhe për ne Ballkani është përparësia gjeo-politike. Kjo nënkupton se ne duam që ky rajon të jetë pjesë e Bashkimit Europian sa më shpejt të jetë e mundur.

Duke iu kthyer Shqipërisë, natyrisht pamë atë çka kemi përmbushur, çfarë përmbushëm vitin e kaluar e viti i kaluar ka qenë një vit mjaft i suksesshëm për Shqipërinë. Nisët konferencën e parë ndërqeveritare, nisëm të ashtuquajturin procesin të shqyrtimit analitik të legjislacionit që na çon te negociatat mjaft specifike të detajuara të anëtarësimit dhe po kështu ramë dakord se vitin e kaluar nuk u humb kohë. Reformat ecën me ritëm dhe natyrisht, Komisioni Europian është këtu për të kërkuar më shumë dhe ne kemi kërkuar më shumë. Kemi kërkuar një përshpejtim të mëtejshëm të reformave. Po kështu, ramë dakord që nëse gjithçka shkon mirë, ky vit mund të jetë edhe më i suksesshëm sepse të dyja palët përfitojnë nga përparimi i bërë nga Shqipëria. Të dyja palët përfitojnë nga ky progres sepse prej tij ne marrim një fqinj, një partner, një aleat i cili jo vetëm punon me ne, por edhe integrohet me ne qoftë në tregti, qoftë në shoqëri, qoftë në ekonomi apo qoftë në vlerat tona. Ja pse mendoj se është tejet e rëndësishme që t’i zhvillojmë këto takime ku nuk flasim vetëm për atë çfarë duhet bërë, por edhe për atë çfarë është arritur. Duke kthyer kokën pas, ajo çfarë shohim është se progresi i përgjithshëm në vend është shumë i mirë. Shohim se çështjet kryesore të grup-kapitujve themelore vazhdojnë, pra reformat në studimin e ligjit. Natyrisht e inkurajuam kryeministrin dhe delegacionin e tij që të bëjnë më shumë. Reforma në drejtësi po jep rezultate siç e shohim dhe shpresoj se do të shohim rezultate edhe në luftën kundër korrupsionit. Shohim disa çështje që janë shfaqur në nivelin e lartë, inkurajojmë sigurisht që Shqipëria të vazhdojë në këtë drejtim.

Po kështu edhe për të krijuar atë bilanc kaq fort të nevojshëm për përparimin në bisedimet e anëtarësimit. Sigurisht, nuk është vetëm Shqipëria që duhet të japë rezultate sepse dhe nga ana jonë kemi detyrime. Sipas metodologjisë të re të zgjerimit, BE-ja duhet të jetë e gatshme që të mbajë premtimet e veta kur premtimet nga ana e vendit kandidat janë mbajtur dhe kjo është ajo çfarë po bëjmë. Këtë po bëjmë me planin ekonomik dhe të investimeve. Kryeministri e përmendi hendekun e madh për sa i takon zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit social midis Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Kjo është arsyeja se pse kemi hartuar saktësisht planin ekonomik dhe të investimeve që është 30 miliard euro që është 1/3 e PPB-së së tërë të Ballkanit Perëndimor.

Kjo është arsyeja pse tashmë është kaq e rëndësishme që të përshpejtojmë realizimin e këtij plani, sa më shpejtë ta realizojmë, aq më shpejt do të jemi në gjendja ta përshpejtojmë zhvillimin e ekonomive që janë këtu dhe aq më shpejt do të jemi në gjendje që të bindim investitorët e huaj të drejtpërdrejtë që të vijnë gjithmonë e më tepër në më shumë numra.

Vitin e kaluar kemi parë që shifrat kanë qenë të mira, por ne duam të kemi më shumë sesa kaq. Për këtë arsye, kemi dhënë 1.8 miliard euro grante për zbatimin e 40 projekteve kryesore në Ballkan, por na duhet të shkojmë përtej. Na duhen lidhje tregtare që do të thotë rrugë e hekurudha, ndërlidhje digjitale, na duhet siguria energjetike dhe na duhet më shumë energji për Ballkanin Perëndimor. Këto janë tema që ne gjithashtu përmendëm. Po kështu, pamë edhe 10 projektet kryesore që duam të zbatojmë në Shqipëri dhe me Shqipërinë. Deri më tani, kemi arritur që të ofrojmë në grante dhe në hua pak më shumë se gjysmë miliardi euro për Shqipërinë vetëm gjatë 3 viteve të fundit.

Në qoftë se do të ktheja kokën pas, më kujtohet shumë mirë dita e parë në detyrë dhe ishte dita e tërmetit në Durrës dhe në rrethina. Më kujtohet më pas COVID-i që erdhi menjëherë më pas dhe më kujtohet sa të hidhëruar ishim sëbashku me kryeministrin dhe jam shumë i lumtur të shoh që Shqipëria i ka tejkaluar këto pengesa. Shqipëria u ngrit më e fuqishme nga këto momente kritike. BE-ja ka qenë gjithmonë krah Shqipërisë edhe gjatë këtyre krizave ne do të jemi krah Shqipërisë sepse tashmë energjia është kriza e re. Kjo është arsyeja pse kemi dhënë 1 miliard euro në paketën mbështetëse të energjisë. Elementet e para sapo do të mbërrijnë. Zëvendës presidneti dhe përfaqësuesi i lartë e përmendi, 80 milion euro në mbështetje në formë granti e në formë mbështetje buxhetore për Shqipërinë, por kjo nuk do të jetë mjaftueshëm pasi na duhet një sistem më rezistent e sovran energjitik për Ballkanin Perëndimor e Ballkani Perëndimor mund të shndërrohet në pikën e re hyrëse të energjisë për Europën. Po punojmë sëbashku.

Shqipëria do të jetë e para që do të realizojë një terminal të gazit të lëngshëm natyror. Ne po kështu, po shohim nevojën për të sjellë më shumë gaz në kontinent dhe diskutuam sesi Europa të mund të lidhet me atë projekt për shembull, me ndërtimin e asaj hallke që mungon.

Po kështu, diskutuam edhe temat që diskutuam në samitin e kaluar. Terminali europian i gazit të lëngshëm natyror për Ballkanin sepse kjo është përpjekja tjetër madhore që do të realizohet.

Natyrisht, këto  zhvillime duhet ta sjellin ndryshimin në teren sepse këtë po e bëjmë që të ndryshojmë realitetet në terren për njerëzit e po kështu dhe për bizneset. Në bazë të kësaj, do të nisë rajoni të rritet më shpejt, e parashikoj edhe më shpejt sesa Bashkimi Europian sepse ka një potencial të jashtëzakonshëm. Kjo është arsyeja pse jam i inkurajuar nga përkushtimi e dedikimi që shoh nga ana e qeverisë shqiptare sepse shoh që po punojnë pareshtur për të ecur përpara me agjendën e BE-së.

Kryeministri përmendi një element nga bagazhi im me të cilin kam ardhur. Deri më tani besoj më njihni. Unë nuk para komentoj. Di që një mik duhet të mbërrijë me diçka dhe kjo është arsyeja pse jam shumë i lumtur që kemi arritur të gjejmë financime për kampusin e Kolegjit të Europës këtu në Tiranë. Për mua, ky është një sinjal i qartë se anëtarësimi është afër dhe kjo është arsyeja pse jam shumë krenar të deklaroj dhe e kemi diskutuar me Kolegjin e Europës, shpresoj që dhe ata ta përpunojnë, se do të jemi në gjendje që të nisim procesin e pranimeve qysh në shtator të këtij viti.

Kështu që e vetmja gjë për të cilën kemi nevojë tashmë është një ndërtesë, një vend i bukur ku kolegji të mund të vendoset dhe ne do të ofrojmë financimin për këtë. Kështu, mendoj që me këtë mund të falenderoj mikpritësin tonë dhe mund t’i inkurajoj ata të vazhdojnë punën, ta përshpejtojnë atë sa më shumë të jetë e mundur dhe shpresoj që në gjysmën e dytë të këtij viti ne do të kemi sërish zhvillime të mëdha e pozitive për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

***

– Së pari dua t’i bëj një pyetje zotit Borrel, por është me rëndësi që të kem një koment edhe nga kryeministri por gjithashtu dhe nga Komisioneri. Për pak ditë, ju do të keni një takim ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Vuçiç ku pritet që të ketë dhe një marrëveshje të mundshme. Sa optimist jeni që mund të arrihet një marrëveshje konkrete dhe në rast se jo, cili do jetë qëndrimi i Bashkimit Europian pas kësaj?

Pyetja e dytë është specifike për të dy përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian. Cili është pozicionimi i Bashkimit Europian për liderin shqiptar, zotin Sali Berisha, i shpallur non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Britania e Madhe?

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, për Punët e Jashtëm dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrel: Sa i përket dialogut Beograd-Prishtinë, në datën 27 shkurt patëm një mbledhje të nivelit të lartë në Bruksel të cilin e organizova unë, së bashku me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin Kurti dhe të dy ranë dakord që nuk nevojiteshin më diskutime të mëtejshme për propozimin e Bashkimit Europian që do të thotë se ne e konsiderojmë që gjuha dhe teksti i kësaj marrëveshje është e mbyllur.

Të falenderoj zoti kryeministër për fjalët e mira dhe inkurajimin për këtë marrëveshje dhe punën në këtë pikëpamje. Kjo marrëveshje sjell shumë shpresë për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, por një gjë është marrëveshja dhe një gjë është si dhe kur zbatohet kjo marrëveshje sepse ka pasur marrëveshje në të shkuarën të cilat nuk janë zbatuar ndonjëherë dhe kjo nuk mund të ndodhë përsëri në këtë rast.

Aktualisht, po punojmë jo vetëm me marrëveshjen për të cilin është rënë dakord tashmë, por për zbatimin e saj dhe ky zbatim është një shtojcë qw është pjesë përbërëse e vetë marrëveshjes që do të detyrojë palët të sigurojnë dhe të kenë të njëjtin kuptim sa i përket afateve dhe modaliteteve; të dyja palët duhet të bien dakord dhe për këtë gjithashtu.

Është një marrëveshje që e bën marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë më afër, i vendos në një bazë më të qëndrueshme dhe siguron që do të vazhdojë dialogu me trajektoren drejt normalizimit gjithëpërfshirës dhe të shkojë përtej menaxhimit të krizave sepse qëkur kam marrë detyrën, ka patur menaxhim krizash të vazhdueshme mes këtyre vendeve. Këto kriza duhet të mbyllen dhe duhet të zbatojmë këtë marrëveshje dhe shpresoj, realisht shpresoj që të shtunën, të dyja palët të vijnë me një qasje konstruktive, me vullnetin për tu angazhuar, për të rënë dakord, jo për vetë marrëveshjen sepse tashmë është rënë dakord për këtë marrëveshje, por për modalitetet dhe afatet e zbatimit. Nëse kjo ndodh, atëherë besoj se Ballkani Perëndimor do festojë një hap të jashtëzakonshëm përpara drejt rrugëtimit europian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në lidhjen me pyetjen e dytë, nga pikëpamja jonë, e vetmja gjë që mund të themi është që ne i marrim vendimet për sanksionet e Këshillit dhe këto janë pjesë e politikës së jashtme të sigurisë, por mesa di unë, nuk kam asnjë informacion për propozim për sanksione për qytetar shqiptar.

 

– Pyetja e parë është për eurokomisonerin dhe kryeministrin Rama. Ju folët që Brukseli tashmë e ka Ballkanin Perëndimor të gjeopolitikës por a kemi një “deadline” se kur Shqipëria do jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian? Për ju zoti Rama, nëse Brukseli nuk e ka ende një datë, a ka qeveria shqiptare një plan se kur Shqipëria do t’i mbarojë të gjitha detyrat e saj?

Pyetja e dytë për zotin Borrel. Ju folët pak në fjalën tuaj përsa i përket polarizimit të klimës politike në Shqipëri. A është i shqetësuar Brukseli kur për herë të parë, dy muaj përpara zgjedhjeve vendore në Shqipëri, partia më e madhe opozitare nuk është regjistruar ende në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në lokalet e 14 majit për shkaqe të brendshme dhe të jashtme?

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në BE Oliver Varhelyi: Është një pyetje që më bëhet gjithmonë sa herë vi në Tiranë dhe është një pyetje, përgjigjen e së cilës e përsëris gjithmonë; çdo gjë tashmë është në vendin e duhur. Kemi bisedimet e anëtarësimit, kemi një agjendë të qartë reformash që duhen kryer, pra gjithçka varet nga sa shpejt përmbushen kushtet për anëtarësim nga Shqipëria. Ne nuk po punojmë me afate sepse afatet, si të tilla, nuk çojnë tek realizimet. Ato çfarë çojnë tek realizimet janë puna në terren. Nëse dua të jem cinik, që sigurisht nuk duhet, do të thoja që ky është një çamçakëz intelektual për disa në debatin publik dhe kjo mendoj e shmang vëmendjen nga çështja reale dhe çështja reale është ajo çfarë përmendi kryeministri dhe që unë e përmenda dhe që është integrimi real.

Vendi do të jetë gati të anëtarësohet në Bashkimin Europian në momentin që është ekonomikisht, në pikëpamjen tregtare, në pikëpamjen e investimeve dhe nga ana sociale i integruar dhe sa më shpejt të arrijmë në këtë pikë, aq më shpejt vendi do të bëhet anëtar i Bashkimit Europian.

 

Kryeministri Edi Rama: Nuk e di sesi të përgjigjen sepse janë pyetje që të çarmatosin totalisht dhe përsëriten vazhdimisht.

Keni lexuar apo studiuar apo i keni hedhur një sy gjithë historisë së integrimit dhe keni parë ndonjëherë që të vendoset datë nga Brukseli që në filan datë do vijë ky vend dhe do ulet në tryezë? Nuk ka ndodhur kurrë!

Për çfarë e kërkoni këtë datën dhe kujt ia kërkoni? Nuk ka ndodhur! Nuk është në natyrën e procesit që të vendoset një datë. Data vendoset kur përmbushen të gjitha kushtet e brendshme dhe të jashtme dhe këtë gjë nuk mund ta parashikojë askush. Për çfarë e kërkoni datën kur nuk është hiç fare mënyra sesi operon Bashkimi Europian dhe sesi funksionon procesi i integrimit në Bashkimin Europian. Nuk ka data, nuk ekzistojnë. Datat vendosen kur i vjen dita dhe dita vjen kur ti i ke bërë detyrat dhe ata janë të gjithë bashkë të gatshëm t’i shqyrtojnë detyrat e tua dhe të vendosin notën.

Ne kemi qenë gati t’i hapim negociata shumë përpara sesa negociatat u hapën. Po pse nuk u hapën më përpara? Sepse duhet të bëheshin bashkë të gjitha vendet anëtare dhe të gjenin kohën që të fokusoheshin tek çështja jonë. Dhe të gjenin kohën në aspektin politik, do të thotë mos kishin zgjedhje, mos kishin halle të tjera, mos kishin nevoja të brendshme që t’i përdornin shqiptarët si problem, mos kishin presion më të madh se nga ç ‘mund të mbanin nga opinionet e tyre të brendshme politike e kështu me radhë. Dhe kjo nuk është vetëm për Shqipërinë, kjo është edhe për të gjithë kështu që ajo që na intereson ne dhe ajo që duhet t’ju interesojë ju  dhe ajo që duhet t’u interesojë të gjithë qytetarëve shqiptarë, është: a I bëjmë ne detyrat apo jo? A I kemi kryer ne detyrat e kësaj faze apo jo?

Dhe përsa kohë ne kryejmë detyrat, ne jemi në rrugën e duhur por që ne të bëjmë anëtarë të BE ka ende shumë detyra për të kryer se ne nuk vijmë nga një histori e njëjtë me ata që janë sot anëtarë të BE-së.

Ata që janë sot anëtarë të BE kanë pasur shtet kur ne s’dinim ku ishim. Dhe ndërtimi i një shteti funksional në të gjitha aspektet nuk është vetëm një fjalë goje dhe ky është procesi I integrimit.

E rëndësishme është sot që ne jemi në proces ashtu si duhet, por edhe më e rëndësishme është që Bashkimi Evropian është sot në një tjetër këndvështrim dhe në një tjetër qasje ndaj nesh dhe ndaj rajonit, që nuk e kishte përpara disa vitesh. Qasja gjeostrategjike sot ndaj rajonit është fakt. Përpara disa vitesh nuk e imagjinonte dot njeri që të vinte BE në Tiranë të bënte samit. Përpara disa vitesh as nuk i shkonte ndër mend njeriu që do të vinte Komisioneri bashkë me përfaqësuesin e lartë dhe do të bënin Këshillin e Stabilizim-Asocimit në Tiranë; përpara disa vitesh as nuk mund të mendohej  këto gjëra dhe shumë gjëra të tjera që po ndodhin sepse ne kemi bërë tonën, por ama BE ka një qasje tjetër. Gjithë tronditjet gjeopolitike në Evropë dhe në botë, e kanë futur BE në një tjetër rrugë.

Të gjitha këto ndikojnë. Sot mund t’ju them këtë: që me këtë BE që kemi sot, anëtarësimi është më afër seç ishte me Bashkimin Evropian që kishim deri para 3 vitesh, 100%.

Me atë BE që kishim deri para tre vitesh, ne  mund të anëtarësoheshim në vitin 2070.

Me këtë BE që kemi sot ne mund të anëtarësohemi brenda kësaj dekade. Gjërat lëvizin me një shpejtësi shumë të madhe në drejtimin tonë, kështu që ajo që ne na intereson, është të bëjmë detyrat çdo ditë, çdo ditë.

Sepse rrugët e shkurtra, thotë populli ynë, të nxjerrin gjatë dhe ne shqiptarët në histori kemi rënë shumë herë shkurt, duke menduar që do t’i shmangim ato që pastaj historia t’i nxjerr përpara  për shumë gjatë.

Kjo është përgjigja ime.

 

-Zoti përfaqësues i lartë, doni të shtoni diçka  për zgjedhjet ?

Përfaqësuesi i Lartë i BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell:  Përsa i përket zgjedhjeve nuk është vendi ku unë mund të komentoj procedurave ligjore të brendshme. Unë besoj se jam plotësisht i bindur që këto çështje ligjore dhe këto procedura ligjore I përkasin shtetit shqiptar.

Kryeministri Edi Rama: Po, po kanë nevojë që t’ua thoni juve.

 

-Por çfarë mund të them?

Kryeministri Edi Rama: Në Shqipëri gjithmonë kemi dashur të dimë se çfarë mendojnë në Stamboll dhe pastaj çfarë mendojnë në Moskë dhe pastaj në Pekin. Tani në Bruksel dhe pastaj në Uashingtoni,  kështu që duhet të përgjigjesh. Çfarë mendon?

Përfaqësuesi i Lartë i BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell: Ne besojmë se zgjedhjet do të mbahen sipas standardeve ndërkombëtare.

Faleminderit shumë!

 

 

Previous Nis shpërndarja e fishave të diabetit me rimbursim për pensionistët, Manastirliu: Përfitojnë mbi 50 mijë të moshuar