Mblidhet Konferenca e Rektorëve për analizën e punës së Institucioneve të arsimit të lartë në vend

U mblodh sot Konferenca e Rektorëve, me pjesëmarrjen e rektorëve të universiteteve publike dhe private, në një bisedë të hapur për cilësinë e institucioneve tona të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, që duhet të ngrihet në një tjetër stad përmes ndërkombëtarizimit dhe profilizimit.

Kryeminisri Rama, i cili ishte i pranishëm në Konferencë, së bashku me Ministren e Arsimit Mirela Kumbaro, theksoi mes të tjerash se ka ardhur koha për të rishikuar Ligjin e Arsimit të Lartë, dhe reflektuar të gjitha ndryshimet që ka sjellë koha, por edhe konstatimet e praktikës në raport me kornizën e ligjit.

 

* * *

Shumë faleminderit edhe përshëndetje të gjithëve! Nuk jemi takuar këtë vit kështu që ju uroj edhe një vit sa më të mbarë, qoftë familjarë, qoftë profesional.

Nuk dua të zgjatem shumë, dua vetëm të prek disa pika që në këndvështrimin tim janë me rëndësi për këtë diskutim dhe në ndërkohë duke vlerësuar sinqerisht bashkëpunimin që kemi ndërtuar dhe vijimësinë e komunikimit në një rrugë sa institucionale, aq edhe të hapur, informale, gjë që na ka dhënë mundësinë të jemi vazhdimisht në kontakt me njëri-tjetrin edhe të dëgjojmë nga njëri-tjetri dhe të kuptojmë më shumë në kohë reale, është koha për të rivizituar Ligjin e Arsimit të Lartë, pasi tanimë ka kaluar një periudhë e mjaftueshme për të reflektuar në atë ligj ndryshimet që ka sjell koha, por edhe  konstatimet e praktikës në raport me kornizën e ligjit.

Fatmirësisht kemi një praktikë të mirë të mëparshme, ligji aktual siç e dini është shkruar në bashkëpunim me ju, me kontributin tuaj, kështu që ma ha mendja që ky do të jetë rasti përsëri dhe shpresoj dhe besoj që edhe për shkak të eksperiencës edhe për shkak se në këtë rast nuk bëhet fjalë për një përmbysje si në rastin kur u shkrua ligji, por bëhet fjalë për korrektime do të jetë e mundur që ta bëjmë këtë në një kohë të arsyeshme dhe ma ha mendja që nuk do presim sesionin tjetër të Parlamentit për ta përgatitur bazën e ndryshimeve. Pastaj proceduara parlamentare mund të jetë në fund të këtij sesioni, mund të jetë në fillim të sesionit tjetër, por ajo që është e rëndësishme është që të organizohemi me një grup pune të përbashkët për të reflektuar mbi të gjitha shqetësimet apo konstatimet dhe për të shkruar ndryshimet.

E dyta, që dua të nënvizoj është edhe thelbi i kësaj ndërhyrje time këtu dhe ju falënderoj për ftesën, që nuk duhet ta humbasim për asnjë moment nga vëmendja se sfida jonë e përbashkët dhe themelore është, nga një anë ndërkombëtarizimi i universitetit dhe nga ana tjetër racionalizimi i burimeve dhe potencialeve.

Ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm në qasjen e universitetit dhe kur them universiteti flas si arsim i lartë, jo për ndonjë universitet specifik. Ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm në qasjen ndaj financimit, që do të thotë, deri dje gjithçka ishte e lidhur me buxhetin e shtetit. Sot Universiteti i Tiranës është në krye të një vargu universitetesh që e kanë rritur kapacitetin e tyre financues jashtë buxhetit të shtetit, duke faktikisht qenë në gjendje të ndërtojnë skuadra dhe të ndërtojnë projekte apo partneritete europiane dhe duke përfituar nga fondet euopiane, diçka që sigurisht ka rritur të ardhurat e pedagogëve më aktivë dhe patjetër që ka krijuar një situatë të re.

Unë do doja që në takimin e ardhshëm që kemi bashkërisht ne të mblidheshim për të diskutuar hapur këtë proces dhe me lejen tuaj do doja që të ftonim të gjithë rektorët edhe të universiteteve private. Unë nuk i them jo publike, unë i quaj publike të gjitha, disa janë me financim publik disa me financim privat por janë universitetet publike se janë në shërbim publik. Kështu që të gjithë të ulemi dhe ta shohim gjënë në sy. Sfida është, hajde t’i ri organizojmë në një sistem shumë më kompetitiv, shumë më të besueshëm dhe shumë më të gatshëm për të përballuar nesër të gjitha ato që do vijnë me procesin, me anëtarësimin në BE.

Universiteti është aleati më i rëndësishëm i institucioneve të vendit dhe i vetë vendit në tërësi në një proces si ky. Fakti e tregon që volumi i financimit, pra i projekteve të miratuara drejtpërdrejtë ose në aleanca këtu në universitetin e Tiranës nga BE rritet çdo vit. Dhe atje nuk të jep njeri bonus se ti vjen nga një vend që akoma nuk është i ambientuar. Atje vlerësohen të gjithë me të njëjtin kandar dhe në atë kandar, pedagogët e Universitetit të Tiranës, ata të cilët kanë hyrë në këtë proces vlerësohen në mënyrë të barabartë me pedagogët e universiteteve më të mëdha të Europës.

Atëherë çfarë na duhet? Na duhet që ta vlerësojmë më shumë këtë kapacitet dhe ta vendosim në kushtet që të jetë më efikas në territor.

E treta që kam është çështja e akreditimeve. Ne e kemi ngritur në mënyrë të përsëritur me thënë të drejtën këtë çështje në takime të përbashkëta me bordin. Ambicia tani është që ta lançojmë në një nivel  tjetër agjencinë, ta integrojmë me ENKA-n dhe të rrisim kapacitetin institucional për të përshpejtuar procesin e akreditimit.

Duke mos dashur të zgjatem më shumë, dua të ndalem për një moment edhe tek infrastruktura. Kemi bërë goxha ndryshime për hir të së vërtetës. Unë nuk po i numëroj këtu, ju i dini më mirë se unë investimet që kemi bërë dhe që janë ose përfunduar ose në vijim. Investime goxha domethënëse, por jemi akoma larg përmbushjes së kushteve infrastrukturore të nevojshme për të përballuar sfidat dhe nevojat.

Ju e dini që unë besoj shumë tek godinat dhe kemi dy kampuse përpara. Kampusin e madh të Tiranës. Në ndërkohë, kemi hapur procesin për kampusin e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, Kemi pasur një interes jo të vogël nga 40 studio ndërkombëtare. Ka një potencial shumë të madh për të krijuar edhe infrastrukturë qëndrimi, rezidence të studentëve duke pasur parasysh trenin që duhet të jetë në funksion së shpejti, duhet të jetë absolutisht shumë e thjeshtë që studentët të jenë në Tiranë, të kenë mundësi të strehohen në kampusin e Durrësit dhe për këtë arsye do të ndërtojmë një kompleks studentor rezidencial shumë të mirë në mënyrë që të ndihmojnë në zgjidhjen e një problemi të madh që kanë studentët për shkak të çmimeve të larta që kanë qiratë në Tiranë, edhe në Durrës gjithashtu, por në Tiranë etj.

Ne jemi absolutisht të bindur që jemi në një moment të ri ndryshimi për arsimin e lartë por ndryshe nga ndryshimi i parë, tani kemi një bazë, kemi një eksperiencë, ka shumë më tepër qartësi brenda universitetit dhe në skuadra drejtuese për çfarë ecën, çfarë s’ecën.

Gjithë këto programe se nuk i numërova, të përbashkëta kanë sjellë një tjetër kuptim dhe një tjetër dije për ku është Europa, ku janë universitetet sot dhe me çfarë merren dhe kështu, besoj unë e kemi më të thellë kuptimin e nevojave dhe të mënyrës sesi do t’i adresojmë.

Këto kisha unë dhe faleminderit për vëmendjen. Si gjithmonë nuk e mbajta premtimin për të folur shkurt, por ky është një defekt që tani ma njeh gjithë Shqipëria kështu që s’besoj se kam nevojë të sqarohem se pse është i pashërueshëm.

Shumë faleminderit!