Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka mbledhur Task-Forcën dhe Komitetin e Menaxhimit të Sezonit Turistik. Kumbaro u shpreh se të dhënat e tre muajve të parë të këtij viti, që tregojnë për një rritje 59% të vizitorëve të huaj krahasuar me vitin e kaluar, paralajmërojnë për një fluks turistësh gjatë pikut të sezonit veror.
“Kemi përmbyllur aplikimin për menaxhimin e parcelave të plazheve, dhe aktualisht jemi në procesin e përmbylljes së kontratave. E kemi nisur këtë proces që në vitin 2022, gjë që na jep siguri për një menaxhim më të mirë të sezonit veror”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja vuri theksin në dy aplikime shumë të rëndësishme që janë në proces. “Së pari, janë hapur aplikimet për certifikimin e operatorëve turistikë detarë. Të gjitha subjektet që ofrojnë atraksione lundrimi, që nga skafet, motorët e ujit, apo çdo mjet që lidhet me sportet ujore, duhet të certifikohet, pasi në të kundërt nuk do të lejohet nga Policia e Kufirit të ushtrojë veprimtarinë. Nga ana tjetër, vijojnë të jenë të hapura aplikimet pranë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për stacionet sezonale të ankorim/bregëzimit. Janë përcaktuar pikat e mundshme në çdo bashki bregujore, me qëllim që çdo mjet detar turistik ta ketë të përcaktuar korridorin e lëvizjes dhe vendin e qëndrimit. Është shumë e rëndësishme t’i shpërndajmë këto informacione me të gjitha kanalet e komunikimit që kemi sipas institucioneve”, tha Kumbaro.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit tha se me praktikën pozitive të vitit të kaluar, këtë vit do të jenë gjashtë bashki që do të mbështeten me operator shtesë pastrimi për vijën bregdetare, ku Durrësit, Kavajës, Sarandës, Himarës i shtohen edhe Vlora e Rrogozhina. Ndërkohë theksin Kumbaro e vuri edhe tek detyrimi që kanë subjektet të cilat menaxhojnë parcelat e plazheve për kontraktimin e vrojtuesve.
Mbledhja e Task Forcës së turizmit dhe Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik erdhi pas vendimit të Këshillit të Ministrave që miratoi projektligjin “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, i cili pritet të votohet së shpejti në Parlament. Kumbaro kërkoi bashkëpunimin dhe gatishmërinë e të gjitha institucioneve, duke nisur nga bashkitë, te Policia e Shtetit, Emergjencat Civile, Ministria e Shëndetësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Autoriteti i Kontrollit Ushqimor e më gjerë.