Mbrojtja me rritje buxheti dhe paga më të larta për ushtarakët në 2026

Projektbuxheti i vitit 2026 reflekton prioritetet e qeverisë për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, forcimin e financave publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, në kuadër të afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Një nga shtyllat kryesore të dokumentit është politika e re e pagave, e cila synon rritjen e dinjitetit në punë dhe afrimin me standardet rajonale.

Sektori i mbrojtjes shënon një rritje të konsiderueshme të financimit. Për vitin 2026, shpenzimet për mbrojtjen parashikohen të arrijnë në 2.12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, si pjesë e angazhimit të Shqipërisë për të arritur objektivin e NATO-s prej 3.5% të PBB-së deri në vitin 2035. Krahasuar me vitin 2025, fondet për këtë sektor rriten me rreth 10.2 miliardë lekë.

Rritjet e pagave përfshijnë të gjitha kategoritë e personelit ushtarak. Ushtari i IV-të do të marrë 82,513 lekë në muaj, nga 80,500 lekë aktualisht; tetari do të paguhet 84,563 lekë, nga 82,500 lekë; ndërsa kryekapteri do të përfitojë 98,400 lekë, nga 96,000 lekë. Për oficerët e gradës Major paga do të jetë 121,463 lekë, nga 118,500 lekë aktualisht; nënkoloneli do të paguhet 142,988 lekë (nga 139,500 lekë), koloneli 167,588 lekë (nga 163,500 lekë), ndërsa gjenerali i brigadës do të marrë 194,750 lekë (nga nga 190,000 lekë). Paga mujore për gjeneral lejtnantin do të arrijë në 240,875 lekë, nga 235,000 lekë.

Përveç rritjes së pagës bazë, parashikohen edhe shtesa për kushtet e punës dhe trajtimin ushqimor për të gjithë ushtarakët.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, thekson se rritja e pagave synon të përmirësojë kushtet e jetesës dhe motivimin e efektivëve, duke e konsideruar atë një vlerësim për rolin e tyre në sigurinë kombëtare dhe misionet ndërkombëtare.