Me biznesin e vogël për mbrojtjen e përfituar nga Paketa e Rezistencës Sociale. - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Me biznesin e vogël për mbrojtjen e përfituar nga Paketa e Rezistencës Sociale.

Kryeministri Edi Rama vijoi sot takimet informuese rreth Paketës së Rezistencës Sociale me përfaqësues të biznesit të vogël, përfitues nga disa prej pikave të kësaj pakete, siç është kompensimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, apo zerimi i taksës për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, duke nisur nga muaji prill.

Gjithashtu, paga e muajit prill do të fillojë të reflektojë rritjen e pagës minimale në 320 mijë lekë të vjetra.

Paketa parashikon ndër të tjera, shtimin e 28 miliardë lekëve të rinj ose 200 milionë USD për të mbajtur të pa lëvizur çmimin e energjisë elektrike në faturat e 726 mijë familjeve rezidente në Shqipëri dhe 95 mijë bizneseve të vogla.

Shumë faleminderit për praninë tuaj!

E çmoj shumë sepse në mënyrë të veçantë në këto ditë është e domosdoshme që të komunikojmë sa më shumë, ta dëgjojmë njëri- tjetrin sa më shumë dhe të heqim sa më shumë nga helmi që qarkullon në ajrin e komunikimit publik.

Nuk është një kohë e lehtë është një kohë e vështirë pa diskutim dhe është krejt e natyrshme që një ngritje e menjëhershme e çmimeve siç ndodhi të krijojë një ndjenjë pasigurie dhe alarmi tek secili në çdo familje. Sa më mirë ta dimë arsyen dhe sa më mirë t’i dimë faktet aq më të kalitur jemi psikologjikisht për ta përballuar këtë situatë. Pa diskutim që gjërat mund të shkojnë dhe me keq sepse kjo është diçka që është jashtë vullnetit tonë apo vullnetit të vendeve demokratike dhe ka të bëjë me një luftë ku agresorit, Rusia në këtë rast, është i paparashikueshëm, por ka dhe shumë më tepër gjasa që gjërat të stabilizohen dhe që një pjesë e çmimeve të fillojnë të normalizohen, ndërkohë që një pjesë tjetër të qëndrojnë pa u rritur më tutje. Të gjitha janë të mundura, por ajo që është e rëndësishme është që ne nuk jemi absolutisht të ndarë në kate të ndryshme, por jemi në të njëjtin kat të gjithë së bashku dhe përsa i takon qeverisë, qeveria është këtu pikërisht në radhe të parë për të mbrojtur njerëzit nga goditjet e ditëve të vështira, e krizave të parashikuara, fatkeqësive natyre apo e një fatkeqësie të tillë që është e paimagjinueshme deri para disa ditësh, por sot realitet, një realitet me të cilin e kemi të vështirë të mësohemi që është realitet, një luftë në Europë në një shtet që me tanke e me bomba hyn në një shtet tjetër në vitin 2022.

Pavarësisht luftës përpara disa muajve u shfaq një krizë energjetike për të cilën kishte dyshime dhe bëheshin debate edhe në platformat ndërkombëtare që ishte një krizë e nxitur edhe për arsye gjeopolitike nga ana e Rusisë, por nuk është vetëm kjo. Është edhe fakti që e gjithë bota u përball me një kërkesë shumë të rritur për energji, si pasojë e nevojës së rimëkëmbjes së shpejtë pas gjithë atij ndalimi nga pandemia dhe kërkesa u bë shumë më e lartë se oferta që ishte në treg.

Për këtë arsye filloi të ketë mungesë në raport me kërkesat dhe rritje çmimesh.

Ju e dini shumë mirë edhe besoj që po kaq mirë e di dhe unë që, në rast se familjet tona në Shqipëri dhe bizneset e vogla goditen te faturat e energjisë gjërat fillojnë dhe çekuilibrohen më shumë sesa çdo gjë tjetër. Për këtë arsye, që në krye të herës, ne thamë që do të vëmë një mburojë financiare për çmimin e energjisë në mënyrë që çdo faturë të vazhdojë të vijë te familjet dhe bizneset e vogla, siç ka ardhur deri më tani dhe askush të mos ta ndjeje rritjen e çmimit në xhep.

E thamë këtë, kur as nuk na shkonte në mend që kjo punë do të përfundonte me luftë dhe vazhdojmë ta themi këtë edhe pse çmimi ka kërcyer aty ku nuk e parashikonte askush.

Për t’iu bërë një llogari të thjeshtë 52 euro ishte përpara në marsin e vitit të shkuar, 550 këtë vit. Të njëjtën shifër tha dhe Zv.Presidenti i Komisionit Europian me të cilin isha pak më parë në konferencë për shtyp.

Ky është fakt, këtij fakti nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Me faktet nuk luftohet, faktet merren për bazë dhe pastaj ndërtohet strategjia si të veprosh. Ne do vazhdojmë ta mbajmë mburojën për çmimin. Unë i kam kërkuar OSHE-së që për çdo faturë energjie te sjellë edhe pjesën e pagesës së buxhetit të shtetit për çdo familje dhe biznes të vogël, nuk e di a do ta zgjidhe dot deri në fund se më thonë që kjo do ta komplikonte shumë nxjerrjen e faturave, por ne do ta bëjmë në mënyrë të vazhdueshme transparente këtë pjesë. Unë do të doja që faturat të ishin si kjo fatura që është e dikujt nga ju këtu, ku faktikisht shkruhet vlera për t’u paguar nga subjekti që në këtë rast është një subjektet që konsumon 176 mijë lekë energji, por po të shikojmë mbrapa çmimi real i faturës është 476 mijë lekë, pra subjekti paguan 176 mijë të vjetra, vlera reale e faturës është 476 mijë dhe 299 mijë lekë që është diferenca e paguan buxheti i shtetit.

Kjo është për t’iu thënë të gjithë atyre që thonë “po mirë s’ka problem le të rritet energjia, por të ulet nafta se çfarë domethënë të rritet energjia”. Këtij subjekti me vlerën reale të faturës, ti i çon dhe urdhrin e heqjes nga puna të një punonjësi se nuk e paguan dot një punonjës, nëse do të paguante vlerën reale të faturës.

Nga ana tjetër, fakti është që ne energjinë e marrim nga burimet tona ujore dhe kur burimet tona ujore janë të mangëta, siç janë për të tretin vit rresht, shikojeni, vazhdon dielli, edhe ato ditë me borë apo me shi që kanë qenë kanë qenë shumë më pak se sa në vitet e lagështa që quhen dhe kur nuk ka, pra kur burimet ujore janë të mangëta, ne duhet të dalim në import dhe në import ne jemi të detyruar ta blejmë energjinë siç e blejnë gjithë të tjerët. Sepse thonë disa që ne nuk mund t’i kemi çmimet siç i kanë të tjetër, sepse i kemi pagat më të ulëta. Çështja është që ti kur shkon dhe blen energjinë në tregun ndërkombëtar, sikundër edhe ky biznes këtu, çdo gjë që e blen në tregun ndërkombëtar, ai që e shet, nuk i thotë sa i kanë pagat klientët e tu. Ajo ka një çmim që është i njëjti për të gjithë dhe kjo është një histori me të cilën ne jemi njohur që në vitin 1990. Në vitin 1991, buka ka kërcyer dhjetëfish brenda një nate dhe ne në atë kohë kush e mban mend nuk kishim absolutisht mundësi teorike të ngjashme me të sotmet por kërceu sepse filloi të varej nga të tjerë faktorë.

Kështu që, për ata që thonë që ne e kemi energjinë tonë dhe ne nuk kemi pse ta kemi energjinë të shtrenjtë dhe ne duhet ta kemi falas thonë disa, është krejt e gabuar të mendosh kështu sepse e para, ne nuk e kemi tonën, pra Shqipëria nuk e prodhon, edhe sikur të ketë vitin më të lagësht. Ka një nevojë të atillë për konsum energjie, mos harroni që infrastruktura e sotme e prodhimit në pjesën e saj dërrmuese është një infrastrukturë prodhimi e ngritur për komplet tjetër strukturë konsumi, në atë kohë.

Ndërkohë që sot, nevoja për konsum është gjigande. Sa janë pallatet në Tiranë që kanë lokale si ky e që dikur kishin shtëpia në vend të këtyre lokaleve? Për të bërë një krahasim. Shqipëria nuk e prodhon të gjithë energjinë që ka nevojë dhe në vitet e thata, Shqipëria ka nevojë të dali në treg.

Nga ana tjetër, Shqipëria nuk e depoziton dot energjinë për shkak se na mungon ajo që po ndërtojmë tani, Skavica, që të krijojmë një depozitë ku prurjet e ujit që nuk futen në prodhim për shkak se janë më shumë se sa çfarë duhet, të mos i shesim në periudhën kur çmimi është i lirë, siç bëjmë, apo madje dhe t’i derdhim siç ndodh, i keni parë në televizor kur kanë ndodhur ato vitet e vështira që hapeshin portat. Pse hapen portat? Ajo është para e gjitha. Hapen sepse nëse nuk hapen portat e nuk lirohet kaskada, mund të shpërthejë larg qoftë diga dhe është bombë atomike, e fshin të gjithë veriun e Shqipërisë atje lart. Kështu që duke mos pasur një digë të katërt atje për ta depozituar ujin që nuk e përdor sot por që mund ta përdorësh në kohë thatësire, ne detyrohemi ta shesim e prandaj ne po ndërtojmë Skavicën që të rrisim kapacitetin prodhues me burim vendas edhe kur është thatësirë dhe e blejmë shtrenjtë, për shkak se kur dalim ne për ta kërkuar është kohë që ka shumë kërkesë sepse është verë kryesisht ose kohë si kjo kohë tani. Tani ne jemi në kushtet kur niveli teknik i hidrocentraleve ka rënë aty ku nuk duhet të vazhdojë të bjeri më dhe çështje ditësh, duhet të dalim prapë në import e në import do të fillojmë me ato çmimet marramendëse përsëri. Këtu është shumë e rëndësishme të kuptohet që ne po e bëjmë maksimumin tonë.

Tani, të vijmë tek nafta që meqë ra fjala, pash përpara se sa të vija këtu që bordi i administrimit që kemi krijuar me pjesëtarë të qeverisë ku është edhe ministrja e Financave dhe pjesëtarë të kompanive, sot kishte vendosur 211 lekë çmimin, sepse ka rënë në bursë edhe pak, shyqyr Zotit, ndërkohë që po të shikoni çfarë po ndodh në pompat e vendeve të tjera, ka vende që është 2.3, 2.4, 2.8 euro, kështu që për ata që i qëndronin asaj këngës që këtu është nafta më e shtrenjtë, por edhe për naftën, janë disa fakte të rëndësishme që duhen mbajtur parasysh, sepse dëgjoj tani që flitet që na e marrin të huajt, na e shfrytëzojnë të huajt, ne naftën e kemi, ne duhet të bëjmë rafinerinë tonë. Këto janë të gjitha fjalë që nuk kanë asnjë bazë të lidhur me realitetin.

Së pari, ne kemi një naftë të rëndë e cila eksportohet kryesisht për bitum dhe nëse naftën tonë ne do ta rafinonim, për të bërë benzinë apo diesel, do të ishte kostoja shumë më e lartë se sa ajo e naftës që vjen nga importi. Është llogari e bërë kjo, nuk është se e kam bërë unë, e kanë bërë të tjerë sepse kemi bërë kaq shumë përpjekje në vite për ta rivënë në punë dhe për ta investuar atë rafinerinë atje sa që e kemi parë në më shumë se sa njëherë nga të gjitha kompanitë që kanë ardhur që nuk ka interes dhe nuk ka interes të ndërtosh një rafineri këtu sot, nëse ti nuk ke kontrata për naftë importi, pra ta marrësh nga importi, ta rafinosh këtu e pastaj ta shesësh që është komplet një proces tjetër dhe që këtë nuk e bën shteti, këtë e bëjnë privatët kudo në botë.

Për taksën e naftës, përgjigja është shumë e thjeshte. Është e vërtetë, në strukturën e çmimit të naftës ne kemi një barrë taksash më të lartë se sa e kanë vendet e tjera në rajon dhe këtë e kemi thënë, nuk është sekret, sepse vendet e tjera në rajon taksën e qarkullimit nuk e kanë në strukturën e çmimit, ne e kemi aty dhe e paguan ai që e përdor më shumë makinën, jo ai që e përdor më pak. Ndërkohë që në vendet e tjera, se kur bëjmë krahasimin nuk duhet të kapemi vetëm tek një produkt e tek një taksë, duhet të kapemi tek të gjitha, se nëse do ulësh diku, duhet ta kesh diku tjetër, ta marrësh nga diku tjetër në mënyrë që të përballosh të gjitha nevojat që ke për çfarë shteti është përgjegjës. Në vendet e tjera, nuk ka askund biznes të vogël me taksë zero, siç është ky biznesi këtu për shembull. Ky biznesi këtu, nuk e di kur është hapur por deri përpara ca vitesh, nëse është hapur përpara vitit 2014, ky biznesi këtu paguante 10% taksë tatim fitimi dhe 20% TVSH. Nuk po i them kush është pronari që ta konfirmoje këtë gjë sepse ju përgjithësisht merreni me biznes të vogël dhe e dini si është kjo punë. Ishte 10% tatim fitimi dhe 20% TVSH-ja deri në vitin 2014. Në vitin 2014 ne përgjysmuam tatimin e fitimit por jo TVSH-në. apo jo? Sot prej disa vitesh ne jemi zero. Zero tatim fitimi, zero TVSH, sepse bindja jonë është që biznesi i vogël është aleati më i madh i shoqërisë shqiptare në këtë fazë. Është faktori më i rëndësishëm në këndvështrimin tim për dinjitetin e punës dhe të njeriut të punës, biznesi i vogël dhe as nuk ka rëndësi fare se çfarë janë, të majtë apo të djathtë, nuk ka rëndësi. Ata që hapin derën në mëngjes të një biznesi të vogël për mua janë njerëzit më të nderuar në këtë vend për shkak se nuk i shtrijnë dorën njeriu në kuptimin që nuk jetojnë në kurriz të askujt, nuk shkojnë dhe vijnë në shtëpi rehat se bëjnë një punë shteti dhe tjetërkush e vret mendjen se si do shkojë puna e shtetit, por çdo ditë hapin një derë dhe punësojnë familjen e tyre dhe punësojnë edhe të tjerë, në varësi nga sa vende pune kanë, por familjen e tyre pa diskutim si fillim dhe familjen e tyre e mbajnë vet komplet e nuk ia lënë në kurriz askujt tjetër dhe për 95 mijë biznese të vogla, ne kemi bërë atë që nuk e ka bërë askush, as në rajon, as në Europë se nuk diskutohet, por është minimumi që mund të bësh në këtë vend për këta njerëz, që do të thotë zero, zero, zero. As tatim fitimi, as TVSH, zero! E me një tavan shumë më të lartë se deri dje tavani ishte 80 milionë të vjetra xhiro. Sot tavani është 140 milionë për pa tatim fitimi dhe është 100 milionë xhiro pa TVSH dhe plus kësaj, ne i mbrojmë biznesit të vogël faturën e energjisë. Se faktikisht do ishte goditje.

Individët kanë tatimet më të ulëta mbi pagat në rajon nuk diskutohet, se në Europë as nuk bëhet fjalë. Që do të thotë, edhe me uljet e fundit që bëmë tani, kush punon këtu tek banaku, nëse ka sot një pagë 400 mijë lekë të vjetra, sot paguan atë 13% e tatimit, një pjesë e paguan vetë, një pjesë ia paguan shefi këtu. nuk do paguajë më, do e ketë zero. Atë 400 mijëshe do ta marri dhe përveç kontributit për sigurimin e vetë të pensionist shoqëror dhe për sigurimin e vet shëndetësor, që janë më të ulëtat në rajon, se prap nuk po diskutoj Europën, do e çojë në shtëpi.

Kush është këtu që mund të jetë krye kamarier apo menaxher, që mund ta ketë 500 mijë lekë, do ta ketë gjysmën e taksës që ka sot, pra ajo do ti bjeri në 7% që është një 7% i paguar prap bashkërisht. Tani pse po i them këto? Sepse duke pasur këtë strukturë, si mundet tani të heqësh edhe taksat e naftës, që sjellin një të ardhur të rëndësishme në buxhet, ndërkohë që nga e ardhura e rritur se kjo prap është e rëndësishme edhe kjo, në buxhet, për shkak të rritjes së çmimit, është bërë gjithë kjo paketë që i kthehet prap njerëzve dhe më shumë se aq, kini parasysh edhe këtë. pra, ato para i kthehen njerëzve. do thoni jo, mirë, për deri sa ia kthen njerëzve, pse nuk e ul atje? jo sepse nuk ia kthejmë atyre që kanë foristrada, ia kthejmë njerëzve që janë më pak të mbrojtur sot. Pra ne mbrojmë biznesin e vogël, që biznesi i vogël të mos e ndjejë fare ka apo nuk ka luftë, biznesi i vogël nuk ka taksë mbi fitimin, nuk ka TVSH dhe nuk ka faturë energjie të rritur. Këto janë. Nuk ka gjë tjetër. Të tjerat janë shpenzime të brendshme.

Me pjesën tjetër, japim mbi gjysmë milioni individëve 30 mijë lekë plus të vjetra për 3 muaj. janë disa që thonë, çfarë është kjo? 3 mijë lekë [të reja] ? Pse 30 mijë lekë? Sepse llogaria e bërë për rritjen e çmimeve të shportës, jo për të gjitha por për çmimet e shportës, se ato janë produktet bazë, është 25 mijë lekë, mesatarja e nxjerrë nga INSTAT-i, që do të thotë që me këtë 30 mijë lekësh, ne garantojmë ushqimin dhe garantojmë që asnjë pensionist nga të gjithë atë kategori pensionistësh që kemi zgjedhur, që nga pensionistët invalid, deri tek pensionistët që janë vetëm ose bashkë me gruan apo me burrin, por që janë çift dhe janë vetëm, jo me fëmijë që i mbajnë, të mos ketë problem ushqimin, për shkak të goditjes nga kriza e çmimeve. Që asnjë invalid, asnjë paraplegjik, asnjë tetraplegji, asnjë i verbër të mos ketë problem, asnjë familje me ndihmë ekonomike të mos ketë problem këtë rritjen, që u rrit ajo por ti lekët i ke që ta blesh dhe nuk ke shqetësimin e tmerrshëm që ore do blej por në ditën e fundit nuk do blej dot. se këtu është dhe një çudi tjetër e madhe, se nuk e kam tani me vete telefonin por ishte njëri, ishte shumë interesant, më thoshte, çfarë është ky vend? Unë me rrogë 200 mijë lekë, rroga 200 mijë lekë më shkon e gjitha për qeranë. Pastaj thoshte, kam edhe kaq për naftën, edhe kaq dhe i dilte atij që përveç 200 mijë lekëshit të rrogës, kishte dhe një 450 mijë lekësh më duket, që e kishte për shpenzimet e tjera dhe edhe 300mijë thoshte për ushqimet dhe nuk më ngelet gjë mua në fund. E unë i shkruaja, i thashë, po mirë, këtë 200 mijëshen e mora vesh që e ke nga rroga, megjithëse rrogë 200 mijë lekë në Shqipëri nuk ka. Po këto si i gjen çdo muaj? se dakord, një herë, një muaj nuk e di, të do shumë vjehrra dhe të dha nga lekët që i ka trashëguar prej burrit që i vdiq. Po muajin tjetër? Po tjetrin? Si i gjen ti këto? E aty ajo ishte shumë interesant, hidheshin nja 3-4 të terje që thoshin nuk e kupton ti këtë punë, ja kështu rregullohemi ne, içik këtu, içik atje. Por içik këtu, içik atje, këtyre i dilte të gjithë që këta kishin nga 500-600 mijë lekë në xhep dhe ishin protestues të gjithë me sa pashë.

E fundit që kam, që të mos e zgjas unë pjesë time, për çfarëdo pyetje që keni ju, që të mos e bëjmë vetëm ne që flasim, duhet të kemi parasysh që kjo rritje çmimesh e befasishme, fakti që ka ndodhur kudo, domethënë që nuk ka lidhje me qeverinë këtu por ka lidhje me luftën atje dhe nuk ka lidhje me qëndrimin e qeverisë ndaj luftës, apo të Shqipërisë ndaj luftës më saktë, që është komplet në front me sanksione e me të gjitha sepse edhe vendet që nuk kanë vënë sanksione, kanë të njëjtin problem. Turqia nuk i ka vënë sanksione Rusisë, për shkaqe që nuk është nevoja të zgjatemi këtu dhe prap Turqia ka të njëjtin problem. Në Turqi është dyfishuar në faturë çmimi i energjisë për të gjithë, me gjithë inflacionin e madh që Turqia ka prej disa kohësh. Edhe Serbia nuk ka vënë sanksione dhe Serbia ka të njëjtin problem me çmimet, ka të njëjtin problem me furnizimin. Është një nga eksportuesit kryesorë të drithërave në Europë dhe i bllokoi të gjitha eksportet për shkak të krizës. Nuk i ka vënë sanksion askujt, madje ka marrëdhënie me Rusinë, që edhe Rusia duke qenë prodhuesi më i madh i drithërave, pra është një krizë që ka goditur zinxhirët ekonomik që janë të lidhur gjithandej me njëri tjetrin dhe nuk funksiono kështu që të mendojmë tani, pse nuk kemi mbjellë grurë vetë. Nuk funksionon kështu, se nuk jemi më në atë ekonomi. Nuk është më një Shqipëri e mbyllur, e izoluar që sheh vetëm si të nxjerri bukën në vend, se nuk funksionon në këtë mënyrë.

Të thuash që ky rasti tani që të bëjmë rrëmujë dhe të nxjerrin atë që nuk e nxorëm dot për kaq vite, domethënë qëllimin tonë politik ndaj qeverisë, kjo është turp dhe unë këtë turpin do ta përsëris sa herë do flas për këtë punë.

Nuk është turp të protestosh, përkundrazi, të protestosh është dinjitet, por të protestosh sot për rritje çmimesh që e ka shkaktuar një luftë ku vendi yt as e ka nisur luftën, as e ndalon dot luftë dhe t’i thuash njerëzve që ”Për këto çmime nuk ka lidhje lufta, por faiin e ka qeveria” është të bësh fiks atë që është shpresa kryesore e Vladimir Putin në këtë luftë. Cila është shpresa kryesore? Shpresa kryesore është që do dorëzohet më shpejt Europa dhe Amerika, në kuptimin e opinionit publik, se sanksionet që u vendosën ndaj një vendi, në këtë rast Rusisë, nuk janë sanksione që vendosen me shpresën që do vdesë nga uria presidenti i Rusisë, por janë sanksione që vendosen për t’i thënë gjithë opinionit publik atje, që ka diçka që nuk shkon me vendin ku ju jeni, dhe vendi ku ju jeni, për shkak të shtetit dhe qeverisë që ju keni, po i bën keq botës.

Për këtë vendosen sanksionet. Mirëpo, sanksionet e vendosura ndaj Rusisë dhe lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është një sfidë e madhe edhe për opinionet publike për vendet demokratike sepse do duhet ta përballojnë goditjen sepse janë pjesë e një koalicioni që po mbron Ukrainën në vetvete, por po mbron veten. Këto lloj protestash janë protesta që më mirë dhe më bukur nuk i organizonte dot Kremlini vetë, që do të thotë që është të bësh punën e dikujt krejt tjetër, në këtë rast një armiku të demokracisë dhe lirisë së njerëzve, për të luftuar me qeverinë tënde në këtë Shqipërinë e vogël.

Këto ishin fjalët e mia. Unë po ia kaloj fjalën Lalit për këtë Malumën se mu qepën mua për Malumën. Deri dje nuk e dija kush është Maluma dhe mendova mos është ndonjë epitet që i ngjitur ndonjë ministri, kur doli që ishte këngëtar.

Pastaj sot vazhdonim “Turp është të protestosh apo turp është të bësh koncertin e Malumës”. Koncertin e Malumës, nëse mendohet që e kemi bërë ne, nuk e kemi bërë ne. në atë koncert nuk ka asnjë qindarkë…. tregoje ti se mbase ti ke bërë ndonjë gjë e të mos mbaj përgjegjësi edhe për ty këtu. U bë kjo punë, nuk guxon dot të ndalojë një Maybach afër derës së punës se ta vënë Maybach.

Mua më vunë abazhurin, abazhurin e kanë sjellë italianët që në ‘40. Abazhurin te zyra ku jam unë e kanë sjellë italianët, që e morën godinën atëherë, e ndërtuan vetë dhe e morën për ta përdorur për qeverinë e atëhershme dhe e kanë sjellë qysh atëherë. Ai abazhur ka qenë aty në kokën e gjithë kryeministrave të tjerë. Tani doli që është abazhur floriri, e kam blerë unë, që jam jashtë realiteti dhe më kanë hutuar sheikët e Dubait dhe kam dashur ta bëj tavanin e zyrës si në Dubai.

-Përshëndetje. Unë vij këtu si përfaqësuese nga “Tirana Dental Hospital”. Ofrojmë shërbime dentare për tregun vendas dhe të huaj dhe një nga shqetësimet tona më të mëdha është ndërprerja e energjisë elektrike. Sa do jemi ne të sigurt që nuk do kemi ndërprerje të energjisë elektrike pasi çdo orë pa energji elektrike është një kosto shumë e madhe për ne, sidomos për tregun e huaj, për turistët që vijnë dhe kryejnë shërbime dentare në Shqipëri?

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Është pyetje shumë me vend për arsye se, nëse dëgjoni bisedat që unë bëj me kolegë kryeministra të vendeve të tjera për të ndarë ato mendimet lidhur me situatën, gjë që është praktikë që e bënin ata dhe u përfshiva dhe unë gjatë kohës së pandemisë dhe edhe tani komunikojmë. Po të dëgjoni bisedat, shqetësimi kryesor nuk është ky që ndodh sot, shqetësimi kryesor është “Cc’hall do bëjmë ne sikur të mos ketë. Jo që të jetë e shtrenjtë, por nuk ka”, dhe ka një sërë arsyesh për të menduar që mund të vijë puna të mos ketë energji, në kuptimin që energjia do jetë me racion, ose mund të vijë puna që të mos ketë naftë. Nuk e di nëse ju ra në sy, ishte një lajm që diku kishte radhë për të marrë naftën. Në Hungari dhe në disa vende kanë filluar të vënë racion tek pompa, nuk mund të shkosh e ta mbushësh sa të duash. Secili merr një sasi të caktuar sepse nuk duan që njerëzit të shkojnë të blejnë më shumë për të krijuar rezervë. Pse? Në kohë normale, ti mund të shkoje tek pompa dhe mund ta mbushje makinën sa herë të doje dhe sa të doje. Tani jo, sepse është frika që pas disa kohësh nuk do ketë sasira normale. Sot problemi kryesor i përditshëm i kompanive të naftës është furnizimi dhe po të shikoni edhe shifrat në doganë tek ne, prurjet kanë rënie dhe nuk është vetëm tek ne, por kudo. Pse? Sepse një aktor kaq i madh në treg, siç është Rusia, që furnizon dhe mban me gaz 40% të Europës dhe që është shumë e pranishme në tregjet ndërkombëtare me naftën, sot ka filluar të ulë furnizimet. Amerika ia bllokoi, Anglia ia bllokoi dhe ndërkohë, se po zgjatem pak por po të shikoni se çfarë po ndodh me marrëveshjen nukleare me Iranin, është shumë interesante çfarë po ndodh me Iranin që SHBA dhe Bashkimi Europian janë kthyer me shumë këmbëngulje në tryezë për të mbyllur një marrëveshje për të liruar Iranin, pas 47 vitesh, në mënyrë që Irani të mund të fusë në treg 1,5 miliardë ton naftë dhe rusët e pengojnë marrëveshjen sepse rusët kanë atë që thashë në fillim, pjesë të strategjisë së tyre kanë rraskapitjen e Perëndimit, e kur them rraskapitjen e Perëndimit flas për opinionin publik, e njerëzve që janë mësuar, ministrja e tha dashje apo pa dashje, gjenerata më e re, por edhe gjithë ne që jemi këtu, ne luftën e kemi parë nëpër filma. Kemi parë një fragment lufte kur na kanë ardhur 500 mijë njerëz nga Kosova, që na kanë dhënë afshin më të prekshëm të luftës, por luftën, bombat mbi kokë apo shkatërrimet i kemi parë nëpër filma ose nëpër lajmë në vende të tjera, por jo në Europë.

Sot ka ardhur lufta në Europë dhe Rusia nuk është Irani. Nuk është as Koreja e Veriut, është këtu, shumë e pranishme në ekonominë botërore dhe në ekonominë europiane dhe bllokimi atje për çfarë bëhet? Për çfarë po iu konfiskohen atyre jahte, pasurira e të tjerë dhe u hoqën nga sistemi i pagesave, po i ikin të gjithë kompanitë?

Bëhet për ti çuar në një pikë që opinioni i tyre publik të kuptojë që duhet të bëni diçka se përndryshe kështu nuk vazhdohet. Mirëpo, ata nga ana tjetër, të njëjtën gjë duan të realizojnë me opinionet tona publike, me popujt dhe njerëzit e zakonshëm kudo që të dalin rrugëve e të fillojnë “Çmimi, çmimi” e deri të vijë pika kur të thonë “ç’na duhet neve Ukraina, ne kemi hallin tonë.

Kriza energjetike është një ngjarje e rëndë ekonomike që ka filluar përpara luftës. Pse? Sepse u ndikua shumë nga gjithë masat që u morën për të mbyllur centralet dhe termocentralet me qymyr, për të mbyllur centralet e prodhimit të energjisë nukleare dhe faktikisht, një pjesë e madhe e prodhimit u mbyll për të mbrojtur mjedisin, kundër ndryshimeve klimaterike, që është shumë fisnike nga njëra anë, por që krijoi mungesë në treg. Sot, kjo mungesë në treg rritet dhe mundësia që ne të vijnë në pikën që të racionojmë energjinë, të racionojmë naftën është reale. Sot nuk e kemi këtë problem.

Mund të vijë momenti, nuk flas për Shqipërinë, por flas për gjithë Europën, mund të vijë momenti që thonë “Nuk ka”. Nuk del në treg e nuk ka. Ti mund të shkosh dhe të thuash “Nuk ka rëndësi, 550 euro megavat/ora, do ta blej. Më duhet kaq”. “Nuk kam kaq thotë” tregu.

Edhe biseda që patëm në Emirate me Princin e Kurorës, ata janë nga prodhuesit kryesorë, ishte tek kjo “Fokusohuni tek mungesa që mund të vijë, mos u fokusoni tek çmimi sot, fokusohuni tek mungesa që mund të vijë”.

Shqetësimi është real, duhet ta dimë edhe këtë, por një gjë dua edhe ta them sepse shpeshherë njerëzit më thonë “Ccfaë njeriu je ti, ti vetëm luftë alarm, jepi shpresë popullit”. Ccfarë të bëj ?Unë nuk jam Maluma, unë nuk jam për të bërë koncerte dhe për të thënë “Hani, pini e këndoni, boni qejf”. Kush do të shkojë tek Maluma, shkon tek Maluma, unë kam për detyrë të them të vërtetën sepse unë besoj që e vërteta është e rëndësishme që ti shpresën ta ndërtosh mbi të vërtetën, jo shpresë që ta ndërtosh shpresën mbi gënjeshtra. Shpresa e ndërtuar mbi gënjeshtra të bën të pafuqishëm për të përballuar pastaj kur të vjen problemi. Kështu që, ne duhet të dimë faktet dhe pastaj mbi faktet ndërtojmë një strategji. Edhe në jetë mendoj unë kështu është; nëse ti nuk di faktet pse ky lokali jot nuk po ecën siç ti e parashikon, ti nuk e adreson dot problemin. Duhet të dish faktin e pastaj të adresosh problemin, por minimumi është të dish faktet.

Edhe ai Presidenti i Ukrainës që del atje e thotë “Ne do triumfojmë”, ai nuk e ka shpresën të bazuar tek fitorja e sigurt. Ai më shumë të sigurt ka që do japë jetën sesa do t’i mbijetojë kësaj lufte, por ajo pjesa që ka edhe mundësinë e mbijetesës, ajo i jep shpresën dhe për atë lufton. Kështu që, duhet t’i dimë të gjitha se si janë, se nuk është fare në interesin e asnjë lloj kryeministri, asnjë ministri apo asnjë kryetari bashkie të dalë e t’i flasë njerëzve për gjëra problematike. Përkundrazi, tendenca gjithmonë është për të mos i thënë të gjitha gjërat.

Kurse unë nuk e kam këtë. Unë mendoj që populli është mjaftueshmërisht i mençur dhe populli nuk është asnjë individ që flet në emër të popullit. Populli është diçka krejt tjetër. populli është një vetëdije kolektikve që mishërohet në një sjellje kolektive të një kombi dhe të një vendi.

Nuk është se “Hë mo se unë jam popull dhe do më dëgjosh mua” thotë njëri. Unë të dëgjoj jo se je popull, do të dëgjoj ty si individ se popull ti nuk je. Popull jemi të gjithë bashkë.

Ajo që ne duhet të bëjmë është të rezistojmë me vetëdijen që kjo mund të zgjasë. Kjo mund të sjellë pasoja që ne nuk i parashikojmë fare dot sot, nuk i dimë. Nuk po flas që kjo mund të sjellë Luftën e Tretë Botërore se po erdhi puna për tek Lufta e Tretë Botërore nuk bëjmë më këto biseda.

Po vajti puna tek Lufta e Tretë Botërore bisedën e bëjmë në bodrum, duke thënë “Ishalla kur do mbarojë bombardimi që të dalim të marrim ajër” dhe nuk e kemi më mendjen sa naftë do t’i hedhim X5. Flasim sot, duhet të jemi të vetëdijshëm që kjo mund të zgjasë. Mund të mbyllet shpejt, por është e sigurt një gjë, që kjo gjendje alarmi e krijuar këto ditë do të stabilizohet sepse njeriu natyrshëm adoptohet. Edhe tregu natyrshëm do adoptohet. Nëse do fillojë pastaj mungesa e lëndëve kryesore, atëherë do jetë një problem i ri, por edhe atë do ta përballojmë.

Kurrë mos e harroni rritjen e çmimit të bukës dhjetëfish brenda në nate në ’91 dhe askush nuk e di të nesërmen. Të gjithë u adaptuan, që as nuk krahasohet fare kapaciteti i rezistencës së ’91 me të sotmen, por ne nuk mund të jemi një vend kaq i dobët kurrsesi dhe nuk mund të jemi ne, populli shqiptar, ata që janë të parët që bëjnë protestë për rritjen e çmimeve kur gjithë dynjaja proteston kundër luftës. E proteston patjetër edhe për veten e vet, edhe për rritjen e çmimeve, edhe për agravimin që mund të sjellë lufta, por proteston kundër luftës dhe agresionit atje sepse atje është shkaku, nuk është tek qeveria në Francë e as në Gjermani.

“Jelekët e Verdhë” e dogjën Parisin për shumë më pak sesa cc ‘është rritur nafta sot në Francë. Donte të fuste një 5 cent ai atje. E dogjën. Por nuk kanë dalë sot. Të dalësh në protestë sot është t’i bësh duanë Kremlinit, asnjë gjë tjetër.

-Përshëndetje. Ne kemi një furrë buke dhe do doja t’iu pyesja se çfarë masash do merrni ju për të siguruar që të mos kemi kufizime në lidhje me miellin pasi miellin ne e kemi kryesor?

Kryeministri Edi Rama: Është rasti për ta përsëritur që tek furrat e bukës janë prej kohës pa taksë e pa TVSH, por kjo nuk e ka ndryshuar trajektoren, pra çmimi është diçka krejt tjetër, që të jemi shumë realistë sepse lidhet pikërisht me këtë dhe me të tjerë elementë që ka logjika e tregut. Faktikisht, gruri, që është baza, është stabilizuar prej shumë e shumë vitesh, si një produkt, të cilin kompanitë shqiptare e importojnë dhe kishim një problem deri përpara disa ditësh me kompanitë për shkak se 20 mijë ton të kontratuara siç janë kontratuar prej vitesh e vitesh, në Serbi, ishin pjesë e bllokimit të përgjithshëm që Serbia i bëri eksporteve të veta. E nëse ai 20 mijë tonësh i bllokuar atje nuk do të vinte, do të krijonte problem të zëvendësimit të sasisë dhe problem çmimi shumë të rëndë. Faktikisht, dhe ky është rasti për të dhënë një shembull se çfarë është Ballkani i hapur dhe çfarë është të ndërtosh një marrëdhënie në funksion të njerëzve, të ekonomisë, të lëvizjes së mallrave. Ballkani i Hapur funksionoi në këtë rast, pikërisht sepse Serbia liroi vetëm sasinë për Shqipërinë, të kontratuar. Ne nuk kemi problem furnizimi dhe kjo është A-ja që është shumë e rëndësishme. Problemi në tërësi i çmimit të miellit është pjesë e sfidës sonë për të mos lejuar që çmimi të reflektohet pastaj në një rritje eksponenciale të çmimit të bukës. Ne po ndjekim çdo ditë trendet e çmimeve. Edhe buka po rritet eksponencialisht në disa vende. Çmimet po rriten me shpejtësi dhe po e përsëris këtë, jo për të bërë krahasime, por për të thënë që kudo po rriten për shkak të luftës, edhe në Shqipëri po rriten për shkak të luftës. Të mohosh këtë është çmenduri se pastaj shkon në drejtim komplet të gabuar.

Shumë faleminderit të gjithëve, me shumë respekt dhe shpresoj shumë që të ketë ndihmuar pak për të vazhduar ta lehtësojmë atë renë mbi kokën e të gjithëve që ka krijuar kjo situatë.

Unë kam përtej të gjithë atyre gjërave shqetësuese apo atyre skenarëve që mund të jenë edhe më të këqij, unë kam besim që përsëri, ne do t’ia dalim ashtu sikundër kam dhe një bindje tjetër, koha do ta tregojë, që në rast se konflikti do të agravohet e nuk do ketë një armëpushim shpejtë e nuk do ketë një marrëveshje, Bashkimi Europian do të veprojë për të hedhur burime ekstra financimi për të mbështetur ekonomitë dhe sigurisht për të mbështetur gjithë popujt e vetë dhe gjëja që më takon mua është së bashku me të tjerët në rajon të bëjmë presionin maksimal që të mos na ndodhë prapë siç ndodhi me COVID-in kur në paketën e parë ata na lanë ne jashtë komplet vaksinave.

E kemi filluar këtë punë dhe kam bindjen që gjëja nuk do mbetet kështu në rënie të lirë për një periudhë të gjatë kohe se nuk ka se si të lihet të dezintegrohet froni kundër luftës për shkak të gjithë vrimave që po krijohen në ekonomi. E deri atëherë, ne e kemi paketën e rezistencës, e cila është një paketë e targetuar ekzaktësisht për ata që goditen drejtpërdrejtë nga rritja e çmimeve të shportës. Pra, nëse ne ju japim të gjithë atyre kategorive të pensionistëve që kemi vendosur aty, duke lënë vetëm pensionistët që janë në familje me të tjerë e që kanë të ardhura, atëherë ne e zgjidhim problemin e ushqimit bazë, atë që në zhargohen quhet problem i bukës, e zgjidhim. Pra nuk ka njeri që shkon i pangrënë në shtrat. Plus këtu invalidët, paraplegjikët, tetraplegjikët, të verbrit e gjithë këto kategori.

Nëse ne zgjidhim problemin e transportit, të gjithë ata që kanë veturë marrin autobusin urban, brenda qytetit apo nga qyteti në qytet, që të vazhdojnë të marrin autobusin pa paguar asnjë qindarkë më shumë, mendoj që nuk ka njeri në këtë kategori shumë të madhe që do të vuajë rritjen e çmimit të naftës.

Nëse ne zgjidhim kërkesën e fermerëve që të mos ndikojë çmimi i naftës tek kapaciteti i tyre për të bërë punën, edhe këtu ne targetojmë aty ku duhet.

Skenari ynë është që të kemi kapacitet, që të vazhdojmë ta paguajmë energjinë edhe përtej kësaj, pra edhe përtej atij 280 milionëshit dhe vetëm një llogari po ju bëj, që ne të mos lëmë që energjia të rritet për ju, nëse çmimi është ky që është, ky i çmenduri, duhet të shkojmë në 650 milionë euro, vetëm për të paguar këto. 650 milionë euro është një buxhet në vete investimesh në Republikën e Shqipërisë. Ne do ta bëjmë këtë gjë, me çdo kusht, se këta që flasin, në fakt ilaçin e kanë shumë të thjeshtë por nuk e bëjmë dot. Tua çojmë njëherë faturën siç e kanë, vetëm kaq. Kush flet dhe del bërtet atje, ti çojmë faturën siç është dhe ju siguroj që do dalin e do thonë aman vetëm këtë na e hiqni se pompa e naftës do u kujtojë biberonin e qumështit kur ishin të vegjël, do shkojnë ta marrin me kënaqësinë më të madhe më të shtrenjtë për ato auto veturat e tyre.

Përtej 3 muajshit, ne prap duhet të kemi një rezervë, se mund të jepnim në këtë moment më shumë por do të bënim atë gabimi fatal që pastaj do ngeleshim zbuluar nëse pas 3 muajsh kjo gjëja shkon më keq. Duhet të përgatitemi për të gjitha e ndërkohë duhet të vazhdojmë të jetojmë normalisht, pa panik, pa alarm, se kjo është jeta. Nëse fillon lufta e tretë botërore, ne nuk kemi gjë në dorë. Biles disa nga tipat që jetojnë mes nesh mund të thonë që më mirë ata që kanë shumë, do vdesin dhe ata, kështu që të gjithë do vdesim në të gjitha rastet. Nuk e zgjedhim ne se si por për sa kohë kemi frymë e kemi jetën, duhet të vazhdojmë pa panik. Për njeriun janë të gjitha, për popujt, për vendet, sipas gjërave që ndodhin, nuk i përcaktojmë dot ne gjërat që na ndodhin. Ne përcaktojmë vetëm gjërat që parashikojmë. Çfarë nuk e parashikojmë dot duhet ta përballojmë, shumë e thjeshtë.

Shumë faleminderit!

Previous Ministrja Manastirliu takim me zv/ Drejtoren Ekzekutive të UN WOMEN.

Leave Your Comment