Me fermerë dhe sipërmarrës për Bujqësinë 2030

Bujqësia shqiptare po përjeton një transformim rrënjësor, i mbështetur fuqishëm nga buxheti i vitit të ardhshëm, i cili shënon një rekord prej 16.3 miliardë lekësh, me mbështetje të shtuar për bujqësinë, blegtorinë, peshkimin, agropërpunimin dhe agroturizmin, duke krijuar më shumë mundësi zhvillimi për fermerët dhe sipërmarrjet rurale.

Në këtë kuadër, sot u zhvillua një takim i zgjeruar me rreth 1500 fermerë nga të gjitha zonat e vendit, i organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili vuri në dukje se, përtej rritjes së buxhetit, ekzistojnë edhe mundësi të tjera financimi, veçanërisht në kuadër të afrimit me Bashkimin Europian, që hap perspektiva të reja për financimin e fermave, projekteve të zhvillimit dhe kërkimit shkencor në bujqësi.

Kryeministri bëri të ditur se brenda këtij viti do të finalizohet Banka e Zhvillimit, e cila do të shërbejë si një instrument i ri për mbështetjen e sipërmarrjeve shqiptare, përfshirë ato bujqësore, ndërkohë që paralelisht, do të riaktivizohet agrokrediti. “Ne finalizojmë brenda këtij viti edhe Bankën tonë të Zhvillimit. Shqipëria do të ketë më në fund Bankën e Zhvillimit që do të jetë edhe ajo një instrument për të mbështetur sipërmarrjet shqiptare për të mbështetur edhe projektet tuaja. Në ndërkohë që, po rivëmë në lëvizje prapë në favorin tuaj, për të mbështetur projektet tuaja për të mbështetur sipërmarrjet tuaja, edhe agrokreditin që është një instrument, një institucion i varur nga Ministria e Financave. Por kini parasysh që linja e re e kreditimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me fokus bujqësinë, e Bankës së Shqipërisë, e cila shkon deri në 250 milionë euro si fazë e parë dhe mund të shkojë deri në 1 miliardë euro, mund të shkojë deri në 2 miliardë euro nesër, është aty dhe ju pret ju.” – u shpreh Kryeministri.

Ky paketim mbështetës synon të përshpejtojë modernizimin e bujqësisë shqiptare dhe të rrisë konkurrueshmërinë e saj në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe trajnimit të fermerëve, në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, për të garantuar që dija, teknologjia dhe përvoja të shkojnë drejtpërdrejt në terren, aty ku çdo ditë prodhohet cilësi “Made in Albania” për tregje elitare ndërkombëtare.