Në godinën e rilindur të teatrit të Gjirokastrës vijoi sot turi i takimeve të Kryeministrit Edi Rama në bashkitë e vendit, ku bilanci i punëve të kryera nga bashkia Gjirokastër është tejet premtues për transformimin e qytetit të gurtë në vendin e dëshiruar për t’u eksploruar me kërshëri nga turistë vendas dhe të huaj.
* * *
Shumë faleminderit për mikpritjen këtu dhe kur hyra, se nuk e kisha vizituar këtë godinë totalisht të rilindur, mu kujtua kur kam ardhur për herë të parë. Sapo isha zgjedhur kryetar i Partisë Socialiste dhe ishte pas një humbjeje zgjedhjesh, nuk kishte shumë njerëz këtu brenda, por realisht ishte si të hyje në një frigorifer dhe ndjesia e të ftohtit, e lagështirës, e gjithë rrënimit të godinës, e braktisjes dukej, ndjehej që gjithë aktiviteti i mëparshëm artistik, kulturor, teatror këtu i përkiste të shkuarës dhe sikur ishte thjesht një prani hijesh vërdallë, ishte në fakt, ajo që ndjehej kudo në Gjirokastër.
Sot më vjen jashtëzakonisht mirë që kemi hyrë në një fazë kur nuk po merremi më vetëm me gjërat thelbësore, në kuptimin e atyre të domosdoshmeve, të menjëhershme, që në pjesën më të madhe janë bërë, por po rilindim objekte dhe hapësira kulturore të cilat në pamje të parë dhe për shumëkënd që i shikon sipërfaqësisht, janë luks, janë gjëra të tepërta, janë gjëra që presin, por në fakt është absolutisht e pavërtetë, janë të domosdoshme dhe pjesë integrale e përpjekjes për të rritur ekonominë, për të forcuar ndjesinë e komunitetit, përmes të cilës edhe ekonomia fuqizohet dhe për tu dhënë fëmijëve dhe më të rinjve hapësira alternative të kafeneve dhe të atij ekranit të kompjuterit apo të telefonit.
Më vjen shumë mirë që sot jemi këtu në këtë mjedis që realisht ka energji pozitive, realisht rrezaton një dëshirë, një pasion dhe një ambicie për të bërë më shumë dhe për të zgjeruar hapësirën e veprimtarisë njerëzore dhe sociale jashtë derës së shtëpisë dhe jashtë derës së punës.
Nga ana tjetër, i thashë Flamurit dhe Mirelës që kisha dëshirë të bënim një takim me të gjithë skuadrat e reja të shkollave që po formohen në të gjithë Shqipërinë për të filluar një aktivitet masiv të sportit në shkollë në muajin nëntor dhe për të vazhduar pa pushim pastaj në vitet në vijim me një kalendar lokal dhe kombëtar, basketboll dhe volejboll me të gjitha shkollat dhe mendova që mund ta bënim tek Pallati i Sportit, por Flamuri më tha “Pallati i Sportit nuk është në gjendjen që duhet”, që do të thotë që duhet tani të bëjmë menjëherë dhe Pallatin e Sportit sepse dimensioni i sportit dhe sidomos i sportit në shkollë është një domosdoshmëri tjetër të cilën tani duhet ta adresojmë edhe më me këmbëngulje dhe më me vëmendje dhe më me ambicie.
Kemi vendosur një fond të rëndësishëm në dispozicion të mbjelljes së të gjithë kësaj fidanishteje sportive në të gjithë Shqipërinë, pasi më parë rikthyem edhe orët e edukimit fizik në shkollë, të cilat ishin zhdukur fare dhe besoj shumë që duke mobilizuar vajza dhe djem qysh në shkollë dhe duke krijuar një tjetër hapësirë jo vetëm për ata që luajnë, por edhe për fëmijët e tjerë që do t’i ndjekin skuadrat, do të krijojmë një burim të ri energjie në të gjitha territoret, në të gjitha komunitetet tona.
Sot, përpara se të vinim këtu, vizituam dy muzeume të jashtëzakonshëm, të vegjël por si dy xhevahire, dy muzeume që janë projektuar nga një arkitekt vërtetë shumë i mirë, arkitekt i huaj spanjoll i cili na ka bërë edhe projektin e muzeut të fotografisë Marubi në Shkodër, që ka marrë dhe vlerësime të rëndësishme ndërkombëtare dhe jam i bindur që vlerësime të rëndësishme ndërkombëtare do të marrin dhe këtu dy muzeume të reja. Muzeu i rilindur etnografik, për kë nuk e ka parë ndër ju duhet ta shikojë përpara se të vijnë tua shikojnë të tjerët dhe Shtëpia Muze e Ismail Kadaresë. Dy adresa të tjera të cilat janë të lidhura drejtpërdrejtë me rritjen e ekonomisë në këtë qytet dhe në këtë territor sepse duhet të shtojmë arsyet për të ardhur në Gjirokastër.
Kur vinim në Gjirokastër, në atë kohë që përmenda, por edhe para 5-6 vite më parë ku ende xhiroja e re e punëve nuk kishte filluar të merrej plotësisht sepse ishim akoma në fazën e projektimit dhe të prekjeve të para, arrije tek sheshi i Çerçizit, që ishte një parkim i shëmtuar makinash dhe kishte përveç hotel Turizmit, kishte dhe dy apo tre pika të tjera. Gjirokastra e asaj kohe, që nuk është para 100 vjetësh por përpara 5-6 vjetësh, arrinte në 7000-8000 turistë. Sot deri në shtator numërojmë mbi 150 mijë turistë.
Është një ndryshim i madh, i pamjaftueshëm në raport me potencialin, por i mjaftueshëm për të na treguar dhe për të na bërë të kuptojmë se çfarë pasurie kemi këtu dhe mbi çfarë pasurie qëndron ky komunitet dhe sa shumë mund të bëhet akoma me këtë pasuri dhe sa shumë vajza dhe djem mund ta shikojmë të ardhmen e tyre këtu realisht dhe jo nesër, por që sot.
Natyrisht, për ta parë të ardhmen këtu që sot duhet kurajë për të duruar, hap pas hapi, sepse ato investime kërkojnë kohën e tyre, ama po të shikosh dhe të pyesësh të gjithë ata të cilët e kanë hedhur hapin e parë, sot janë të bindur që kanë bërë gjënë e duhur dhe vazhdojnë të bëjnë gjëra të tjera.
I kam thënë Mirelës, “Sa herë të vij në Gjirokastër, kam dëshirë të shoh dhe të shkoj në një derë të re”. Sot u gdhiva tek hoteli i ri “Rose Garden”, fantastik!
Një strukturë me 5 yje, pa diskutim! E të tilla ka përditë e gjithmonë e më shumë, por nuk është vetëm qyteti, është edhe zona rurale e cila ka filluar të ketë lëvizje pozitive dhe në zona rurale ka plot shembuj që nuk janë mjaft, janë shumë më pak seç duhet të jenë, të rinjsh që investojnë në agroturizme, që investojnë në ferma, që investojnë në prodhim dhe në agropërpunim e kështu me radhë dhe që faktikisht një pjesë e tyre janë të kthyer nga emigracioni dhe e pranojnë me plot gojën që fitojnë dyfishin apo më shumë të asaj që fitonin me punë e tyre ne emigracion.
Të investosh sot për të ardhmen tënde në Gjirokastër nuk është më një çmenduri, nuk është më asnjë aventurë siç ishte për ata që mezi mbijetonin në kohën kur Gjirokastra s’kishte një rrugë të pa prishur, një kalldrëm të pa dërrmuar, s’kishte ndriçim, s’kishte një shtëpi, që t’i kishte të tëra siç i kanë sot qindra e qindra, por ka akoma të tjera që quhet t’i kenë, por për t’i pasur duhen integruar siç po integrohen tani me bypass-in një pjesë shtëpish, vlera e të cilave është rritur menjëherë dhe po të shikojmë edhe në këtë aspekt, sot të gjithë ata që kanë shtëpinë në Gjirokastër janë më të pasur në aspektin e pasurisë së patundshme sesa ç’ishin. Në ato vite të para i thosha disa njerëzve në Tiranë, blini shtëpi në Gjirokastër se për 4-5 vjet do kenë një vlerë 2, 3, 4, 5 herë më të lartë. Atëherë ishin për një copë bukë, kur i thonë fjalës. ‘Po ç’Gjirokastër? Në Gjirokastër po ikin të gjithë, Gjirokastra ka marrë fund”. Urdhëro, ja ku jemi sot që sot nuk ka shans ta gjesh një shtëpi për ta blerë nëse nuk je gati të paguash çmime marramendëse. E gjitha kjo është një situatë pozitive shumë brenda për brenda zhvillimit të qytetit mirëpo nga ana tjetër Flamuri foli për të gjithë punët që janë bërë, unë s’dua të përsëris.
Qyteti, Gjirokastra nuk është e shkëputur, Shqipëria nuk është e shkëputur nga Europa. Europa nuk është e shkëputur nga një epokë e re që zyrtarisht ka filluar për njerëzimin, që është epoka e re e kërcënimeve, e një rreziku të ri të madh, e një rreziku shkatërrimi përfundimtar. Ne jemi shumë të ngarkuar të gjithë nga furia e lajmeve, konsumojmë shumë lajme, konsumojmë shumë imazhe, konsumojmë shumë fjalë përmes televizorit, përmes portaleve, përmes celularëve dhe e kemi humbur pak, madje jo pak, e kemi humbur shumë në sensin e peshës që kanë fjalët sepse nëse kjo që po ndodh sot, që po flitet përditë për luftë bërthamore, a thua se është ndonjë lojë luftash në lagje, do të ishte folur 10 vite më parë kur gjithë kjo botë komunikimi do të ishte shumë më pak e zhvilluar, do ishim shumë më të tmerruar dhe më të skandalizuar, por sot po flitet për luftë bërthamore dhe po flitet për një luftë bërthamore për një shkak që nuk është larg, është vetëm disa orë nga Shqipëria, që është një luftë në dyert e Europës. Një luftë me bomba, një luftë me mbi 7 milionë refugjatë lufte, një luftë me shkatërrime të përditshme, një luftë me kërcënime, një luftë që nuk është me Ukrainën por është me perëndimin, është me botën perëndimore, është me gjithë vendet në perëndim të Rusisë. Në perëndim të Rusisë një njeri, një diktator ka vënë një bast për ta gjunjëzuar Perëndimin dhe përmes shantazhit të madh konkret të mungesës së energjisë duke qenë se disponon një pjesë shumë të madhe të burimeve të energjisë së Europës, ka bërë që sot bota të flasë për dimrin më të vështirë pas Luftës së Dytë Botërore për popujt e Europës por edhe për të tjerë jashtë saj. Pse dimri më i vështirë pas Luftës së Dytë Botërore? Sepse do të mungojë energjia, sepse inflacioni që sjell lufta do vazhdojë të rritet dhe sepse në këto kushte, Perëndimi do gjunjëzohet dhe do futet në kaos dhe destabilitet. Ky është basti!
Natyrisht që këtu ne bombat dhe refugjatët e luftës i shohim në televizor, por inflacionin e luftës e ndiejmë sa herë fusim dorën në xhep për të paguar çfarëdo qoftë nga ushqimet bazë sepse inflacioni na kap dorën dhe thotë: “Dua dhe unë pjesën time”. Dhe çmimi është në të gjitha produktet bazë më i lartë sesa çmimi me të cilin jemi mësuar, çmimi i rritur nga inflacioni normal. Inflacioni i luftës është një mostër që ka futur duart në fyt të të gjithëve. Ne sot e kemi më të ulët sesa vendet e tjera të rajonit. E kemi më të ulët për një arsye të vetme kryesore. S’është e vetme, por kryesorja. Që ne kemi marrë një vendim që në krye të herës. Ju kujtohet kur dola dhe thashë që bota po hyn në një krizë energjetike dhe që filluan të gjithë të përqeshnin dhe të skërmiten dhe të thonë që ky s’rri dot pa lajmëruar fatkeqësira, se kjo është një sajesë dhe ishte përpara luftës, sepse Putini kishte filluar ta ngacmonte. Ja ku jemi sot dhe vendimi ynë ka qenë dhe mbetet: Mos ta rrisim çmimin e energjisë për familjet dhe bizneset e vogla. Është një vendim që vjen si rezultat i të kuptuarit shumë mirë i faktit që pavarësisht të gjitha këtyre, që janë shumë në Gjirokastër dhe janë shumë në gjithë Shqipërinë, njerëzit nuk e kanë të lehtë, pensionistët nuk e kanë të lehtë, përkundrazi, e kanë më të vështirë se të tjerët edhe pse janë më dinjitoz sesa gjithë të tjerët, për hir të së vërtetës. Ne nuk mundet dot që mes nesh dhe pensionistëve, mes nesh dhe atyre që janë më në nevojë, mes nesh dhe të gjitha familjeve, mes nesh dhe vetë shtresës së mesme të hyjë kjo mostër dhe të bëjë çfarë të dojë.
Kështu që ne kemi vënë një mburojë financiare e cila është shumë e kushtueshme dhe natyrisht janë paratë e përbashkëta të arkës së shtetit për të mos lejuar që inflacioni i luftës të gllabërojë komplet psikologjikisht në radhë të parë, pastaj dhe ekonomikisht familje të tëra të cilat nuk është se kanë të ardhura aq të mjaftueshme, përkundrazi ne kemi problem me pagat edhe pa inflacionin. Ne duhet t’i rrisim pagat më shumë dhe do bëjmë çmos që t’i rrisim më shumë, por ne nuk mundëm dot t’i rrisim pagat aq sa pastaj të mbetemi pa paga fare, se është njësoj si në një shtëpi ti të konsumosh më shumë sesa ke mundësi. Në fund përfundon të shesësh dhe shtëpinë kështu që sasinë kryesore te mbështetjes ne e kemi konsideruar ta vëmë tek mbulimi i çmimit të energjisë. Fatura juaj sot ka një shirit aty që ju tregon se cili është çmimi real, mjafton të bëni shumëzimin në çdo faturë, pse? Për të pasur vetëdijen se çfarë ndodh dhe për ta kursyer energjinë. Sot në ato dy muzeumet dritat ishin hapur, këtu ishin hapur, nuk mund të rrinë dritat hapur ditën, “e bëjmë për ty”, – thanë, “se po të nderojmë ty”. Po më nderon mua duke bërë të kundërtën e asaj që po i them unë?! Nuk mund të rrimë me drita hapur dhe dreqi e mori, të paktën në Gjirokastër nuk duhet bërë fare ky muhabet. Ju e dini historinë e frigoriferit. Pse gjirokastritët ndërtuan ato, si quhen, zahiretë? Pse ndërtuan ato dhe nuk morën frigoriferë? Sepse gjirokastritët nuk kanë garanci se kur të mbyllet dera e frigoriferit, nuk fiket drita.
Tani, kjo është në kontradiktë me dritat hapur. Unë s’po them fikni dritën dhe këtu se pastaj nuk do merremi vesh, po kursimi sot është i domosdoshëm që ne të kemi një mundësi sado të vogël dhe ta shfrytëzojmë, që atë fashën që ne e faktikisht e kemi menduar përsëri për të mbrojtur pjesën dërrmuese, duke thënë, po nuk ka mundësi tani që të gjithë pensionistet të paguajnë edhe për ata që harxhojnë mbi 800 kËh, se ata që harxhojnë mbi 800 kËh janë shumë, sepse Shqipëria nuk është vendi ku po vdesin njerëzit për bukë dhe nuk është vendi ku jetojnë të gjithë me 300 mijë lekë. Ka shumë që marrin pagë minimale, por ka shumë të tjerë që marrin një pagë më të lartë dhe janë ca të tjerë që janë 60 mijë abonentë të cilët harxhojnë 1500, 2000, 3000, 4000, 5000 dhe këtyre menduam dhe mendojmë, këtyre do t’i shkojmë të parët në rast se do na duhet të kursejmë më shumë. Edhe për të rritur kursimin dhe për t’i thënë: “ore harxhoni më pak”. Sepse nëse ata harxhojnë më pak, atëherë kemi më shumë për të gjithë. Kjo është tashmë situata.
Nuk mund të dëgjoni dhe nuk mund të dëgjojmë ca xhagajdurë të opozitës së rublave që janë të zhytur në thesin e rublave dhe ajo që keni parë dhe kemi parë, nuk është e gjitha. Ato paratë ruse që deri dje thoshin se janë sajesa të Sorosit e të Edi Ramës dhe sot bëjnë lojëra për t’i mbuluar e për të thënë “jo unë s’dija, jo unë s’isha , jo unë se mora vesh, jo ishte ai e jo ishte ky”. Dhe që thonë “ça janë këta arrogantë që na thonë të kursejmë, ne nuk jemi në komunizëm”. Po pse, në komunizëm janë gjermanët, në komunizëm janë italianët, në komunizëm janë francezët, në komunizëm është kryetari i Komisionit Europian që fliste dje e thoshte, “kurseni këtë e kurseni atë , për ngrohjen e për atë”. Në komunizëm është Gjermania që thotë “do t’i ulim temperaturën pishinave ku shkojnë lahen kalamajtë. Do t’i heqin ujin e ngrohtë shkollave”. Nuk janë në komunizëm por janë në luftë! Edhe ne jemi në luftë! Edhe Gjirokastra është në luftë! Edhe një fshat atje në fund fare mjafton të dalësh nga shtëpia, të shkosh në dyqan e të blesh një ushqim, je në luftë. Sepse ka ardhur lufta te shtëpia me dorën e inflacionit, ama kjo nuk mjafton që ne, që unë, që qeveria të ngrejë duart lart. Qeveria nuk mund t’i ngrejë duart lart. Ne nuk mund t’i ngremë duart lart. Përkundrazi, ne do të kërkojmë çdo mundësi, siç bëmë në tetor që nuk vumë fashën, se dhe për ato pavarësisht se nuk e kanë problem jetik siç mund ta ketë një pensionist, nëse ti shkon dhe i thua , paguaj me çmimin real, pensionistët të gjithë dorëzohen, nuk kanë se si ta paguajnë, por ama psikologjikisht ishte diçka renduese dhe mbi të gjitha nuk ishte rënduese vetëm për ata dhe gjithë pjesën tjetër që rrinin e shihnin dhe iu dukej të gjithëve sikur harxhonin më shumë se 800 kËh. Patëm disa reshje, pamë shenja kursimi dhe e shtymë, tani është nëntor. Ne duam bashkëpunim që të presim ta krijojmë një mundësi. Tani shiun nuk e sjellim dot këtu, po kursimin ne mund ta bëjmë.
Të gjithë së bashku mund ta bëjmë kursimin. Shiun, unë edhe gjithë kolegët e koleget e qeverisë e ca të tjerë që merren me energjinë, kemi hyrë në një situatë paradoksale. Jemi njerëz që kur hapim sytë edhe shohim diell, mërzitemi. Duam shi. Po shiu po mungon në vitet e fundit dhe ky është problem më vete, po të paktën kursimin duhet ta bëjmë. Dhe thënë kjo, prapë nuk mjafton. Mos ngritja e çmimit të energjisë, mbajtja e çmimit të para krizës siç po e mbajmë, është një pengesë për inflacionin e luftës.
Do ta kishim sot inflacionin më të lartë, por njerëzit, është natyra njerëzore, nuk rrinë të mendosh atë që s’ndodh. Nëse nuk të rritet energjia, të duket sikur është diçka që s’ekziston si rrezik, madje pastaj fillojnë edhe ato përrallat: “Ça problemi lufte kemi, ne kemi ujë”. A thua se të tjerët jetojnë në shkretëtirë. “Ne kemi ujë, ne kemi lumenj’, a thua se dritat ndizen nga lumenjtë. Jo, dritat ndizen nga hidrocentralet. Hidrocentralet tona edhe ne vitin me të lagësht, sikur të jenë plot e përplot, prodhojnë 75% të energjisë që i duhet këtij vendi, i cili zhvillohet, duhet më shumë energji sot në Gjirokastër se sa ç’i duhej përpara 5-6 vjetësh sepse ka shumë më tepër Gjirokastra sot godina që nuk janë më të vdekura, po harxhojnë energji sepse janë bujtina, janë klube, janë restorante, janë hotele, kështu që atë energji e sjellin hidrocentralet.
Burimet e gjenerimit të energjisë, nuk i sjell lumi. Ne e kemi rritur e po i rrisim, edhe me diellore edhe me erë, edhe me terminalin e gazit të lëngshëm duke e transformuar dhe duke vënë në punë më në fund atë termocentralin e tmerrshëm që e lanë gërmadhe pasi harxhuan 140 milionë euro këta që flasin për euro dhe që i ka mbirë euro në gojë. Në fakt, flasin për euro, por mendojnë për rubla, këta. Ndërkohë duhet të dalim në import. Dole në import , je i ekspozuar, do marrësh çmimin e importit. S’ke nga shkon, prandaj edhe ato të ardhura që janë rritur për shtetin nga rritja e çmimeve, ne përsëri i kemi vënë në dispozicion për të kompensuar çmimin e energjisë dhe njëkohësisht edhe për të mbështetur. I kemi indeksuar dy herë pensionet, nuk kemi bërë ndonjë gjë të madhe. Mua sa herë për pensionistët dhe pensionet më dridhet zërma, realisht, sepse e di shumë mirë, duke qene edhe gati 2 metra, më mirë ta qep gojën e të mos flas për këtë sepse nuk kemi bërë akoma atë gjë që pensionistët meritojnë, se atë që pensionistët meritojnë, nuk ia bën dot asnjeri pensionistëve dhe as në vende më të zhvilluara se ne, për atë që kanë dhënë në kohë shumë më të vështira, po të paktën atë që i bën të marrin frymë të papengua, por ama në këto kushte dy herë kemi bërë indeksimin dhe pensioni është rritur 10%. Si inflacioni edhe pensioni. Pse? Të paktën ajo pak të mos bëhet edhe më pak dhe nuk kemi bërë për herë të dytë një paketë rritje të përkohshme ndërkohë që po bëjmë gati edhe në këto kushte bonusin e fund vitit. Luftë pa luftë, bonusin e fund vitit pensionistët do ta marrin një më një, që është prapë një ndihmë në këtë situatë. Dhe duke bërë gati buxhetin e vitit të ardhshëm që është buxheti i dyfishuar i 2013-ës për ata që thonë se këtu gjërat, që s’kanë kujtesë ose s’duan të kujtohen ose dëgjojnë rublat. Rubla –çorbën siç ka qenë Ribla-çorba , një grup muzikor, rubla çorbën që thotë Shqipëria në rrezik, dhe ata pedagogë, sindikatë me demek, me një të SHIK-ut në krye, që kërkojnë prapë rritje page, në kushtet sot kur jo vetëm sot i është rritur paga, por i është rritur më shumë se sa të tjerëve, sepse një pjesë ia ka rritur qeveria, një pjesë ia rrit ajo autonomia që autonominë shumëkush prej tyre e kujtojnë që është vetëm liri, jo përgjegjësi. Jo, autonomia është në radhë të parë përgjegjësi dhe ata që dalin atje, ta harrojnë se do kenë një rritje tjetër sepse rritjen tjetër menjëherë do ta kenë zjarrfikësit, rritjen tjetër do ta përgatisim për pensionistët, rritjen tjetër do ta bëjmë për mësuesit, do ta bëjmë për infermierët, do ta bëjmë për mjekët, rritjen tjetër do ta bëjmë për policët, rritjen tjetër do ta bëjmë për ushtarakët Kurse për ata, mesazhi im është shumë i thjeshtë; nuk jeni as si pensionistët, nuk jeni as si ushtarakët, nuk jeni as si punonjësit e policisë, nuk jeni as si mësuesit, nuk jeni as si mjekët, as si infermierët që marrin një gjë fikse, jeni me autonomi. Pra, një pjesë do ta merrni nga qeveria dhe një pjesë tjetër do ta nxirrni vetë duke bërë projekte, duke futur universitetin në treg, duke shfrytëzuar projektet europiane e kështu me radhë. Ne nuk jemi këtu tu bëjmë llogaritë atyre, sepse pjesa dërrmuese janë në mësim, janë në mësim dhe nuk dalin selfie te dera për t’i parë Syri Qimi dhe për t’i nxjerrë pastaj bashkë me mediat e tjera të cilat kanë halle të tjera.
Unë jam krenar që sot në Shqipëri nuk ka asnjë ekran pro qeveritar. Keni parë ndonjë ekran që mos fillojë me vrasje e mos mbarojë me shpifje. Ndonjë tek-tuk, por edhe ai s’është pro qeveritar. Ju jeni nga Gjirokastra, keni parë ju në ndonjë ekran, edhe në ata më të mirët ndonjë gjë nga gjithë këto gjëra të bukura që janë bërë në Gjirokastër ta nxjerrin?! Jo s’keni parë. Edhe kur keni parë ndonjë gjë nga Gjirokastra, keni parë ndonjë kanal që nxjerr ujë të zi, keni parë ndonjë poç që nuk funksionon dhe lajme që duke kaluar njëri, i ra një tjegull nga lart dhe është në spital, jashtë rrezikut për jetën. Po, këto i nxjerrin! Nxjerrin ata në Korçë, disa fermerë që hedhin mollët.
Po keni parë të nxjerrin ata në Dibër që mollët i eksportojnë të gjitha? Nxjerrin disa në Korçë që hedhin qershitë, në Korçë prap, po keni parë të nxjerrin ata në Dibër që qershitë e Dibrës shiten me çmimin më të lartë në tregun europian. Ku është Dibra, në hënë? Apo është në ndonjë regjim tjetër? Jo! Dibra është në Shqipëri. Është më pak se 100 kilometra në vijë ajrore, në mos gabohem, nga këta tek ata, është nën të njëjtën qeveri, ka të njëjtat mundësi dhe ndryshimi është ky. Pse? Sepse nuk bëhet më bujqësi, eksport, shitje duke qëndruar tek pullë e duke thënë “të vijë qeveria”. Jo! Qeveria është aty për çdonjërin që është i gatshëm të hyjë në këtë fazë të re siç po hyn gjithmonë e më shumë, por këtë të Korçës që hedh mollët le ta nxjerrin, po të nxjerrin edhe të Dibrës. Jo! Atë nuk e nxjerrin sepse ato ekrane janë atje jo për t’iu informuar ju. Janë për të çuar mesazhin tek unë. Ato katet pa leje mirë është që të bëni sikur s’i shihni sepse na takojnë ne. Se i rregullojmë ne. Ato hapësirat shtetërore mirë është të mos i mendoni për të bërë shkolla e për tja dhënë njerëzve të pastrehë, po të na i jepni ne me qira, e të mos ju paguajmë as qira. Atë tenderin atje duhet ta marrim ne, atë këtu duhet ta marrim ne. Këto janë ato ekranet që shikoni. Po nuk ka asnjë rëndësi kjo. Nuk po ankohem, nuk po qahem thjesht po ju them që këto që shikoni këtu, janë gjëra që kanë ndodhur këtu. Në qytetin tuaj. Janë gjëra që ndodhin këtu në vendin tonë e nga ana tjetër ajo që ne po bëjmë është që ne t’i ndajmë punët. Nuk mundet dot të dalësh e të bësh protestë e të lësh pa mësim fëmijët, studentë e studente që prindërit paguajnë që të rrinë atje, në këto kushte kur paga të është rritur.
Po zjarrfikëseve çfarë t’i themi ne? Dilni dhe ju, vini ndonjë zjarr që t’ju rritet paga. Jua rritëm 7% si zjarrfikësve, si pedagogëve. Këta të dytët kanë mundësi alternative, se punojnë edhe në universitete private. Një pjesë e këtyre universiteteve privateve nuk i deklarojnë të gjitha paratë që marrin dhe këtë duhet ta rishikojmë. Jo për të bërë vetting, se tani duan t’i trembin me vettingun ata të rublave. I thonë, “do ju bëjnë vetting, dilni rrëzoni regjimin”. Jo, fare. Po për të vënë disa pika mbi i, se këtu bërtasin më shumë ata që kanë më shumë. Ky është problemi më i madh. Unë nuk kam parë këtu që ata që realisht kanë nevojë të dalin dhe të bërtasin sa bërtasin, aq sa bërtasin ata që kanë më shumë e që bëjnë sikur ua qajnë hallin të tjerëve, se po t’i qanin hallin të tjerëve, do të thoshin “e di si është puna, 7% na i dha qeveria, po marrim edhe 8% këtu nga arka e autonomisë, janë 15%”. Nuk janë maksimumi, por janë mjaftueshëm se janë më shumë se zjarrfikësit që hidhen në zjarr çdo vit e më shumë në gjithmonë e më shumë zjarre, se kjo botë po ka gjithmonë e më shumë zjarre për arsyet që dihen. Një figurë e thjeshtë e SHIK-ut, e atij SHIK-ut famëkeq, nuk mund të japi orientim dhe nuk mund të imponohet dot bashkë me një zinxhir foltorexhinjsh që kanë ngatërruar punën që kanë në universitet, me foltoren për turpin e tyre bëjnë protesta për të çuar ujin në mullirin e rublave, e çorbës së rublave e të non-gratave dhe të spiunëve të fshehur 30 vjet. Le të bëjnë protesta kundër meje. Nuk ka asnjë problem. Përkundrazi le të bëjnë protesta kundra qeverisë. Le të japin një alternativë tjetër, po të bësh protesta si skuth, sikur e ke hallin e të gjithë pedagogëve ku shumica dërrmuese janë duke dhënë mësim dhe të bësh sikur të shantazhojnë. Kush po i shantazhon? Është hera e parë që po flas unë për ta. Nëse ka këtu një subjekt të shantazhuar është qeveria e Republikës së Shqipërisë nga ekranet e atyre të cilët i kanë kthyer ato ekrane që janë në shërbim publik për ju edhe kur janë private, në frëngji për të gjuajtur dhe për të detyruar qeverinë të bëjë pakte me ta. Asnjë pakt! Le ta bëjnë si të duan punën nëpër ekrane. Ajo që ne do të bëjmë, është të bëjmë punën tonë. Puna jonë nuk është që të bëjmë pakte pas shpinës suaj. Puna jonë është t’ju themi, këto janë të ardhurat, këto janë mundësitë, kështu mendojmë t’i rishpërndajmë. Puna jonë është t’i themi prodhuesve të mëdhenj të energjisë të cilët të gjithë energjinë e prodhojnë, e eksportojnë dhe që fitojnë shumëfish sot, që ju po fitoni shumëfish, jo se keni bërë ndonjë gjë, po se fati i keq e solli që gjithë të tjerët të goditen shumëfish dhe ju të përfitoni shumëfish. Ju do të keni një taksë të jashtëzakonshme e me atë taksë ne do marrim një pjesë të këtij shumëfishit tuaj dhe nuk do tua marrim për t’ia dhënë pronarëve të mediave, po do e marrim për tua dhënë në radhë të parë pensionistëve.
Kemi ujë?! Po kemi ujë! Prodhojmë energji?! Po prodhojmë energji. Ama ju që e shisni jashtë, duhet të mendoni për këta që janë këtu. Nuk mendoni ju sepse ju jeni subjekte private, jeni në të drejtën tuaj, ju heqim kapelën për punën që keni bërë, po do mendojmë ne. Do tua marrim juve një pjesë, do tua u japim pensionistëve, atyre që janë më në nevojë, të gjithë rezistencës në këtë luftë sepse njerëzit mund të na kuptojnë dhe do na kuptojnë pavarësisht se përpjekjet për të mos kuptuar, por për tu çorientuar bëhen përditë masivisht, ama jo vetëm të na kuptojnë që ka luftë, por duhet të kuptojnë që ne jemi të vetëdijshëm që nuk mjafton t’u themi “Është luftë”, por duhet të bëjmë gjithçka që kemi të mundur, sigurisht duke garantuar që shtëpia jonë të mos rrënohet, as nga borxhet, as nga pamundësia për të vazhduar.
Thënë këto, ne do ta shtyjmë përpara amnistinë fiskale. Nuk është karshillëk me askënd. Unë i kuptoj shumë mirë, janë mësuar t’i bien shkurt. E patë sa shkurt i kishte rënë Këshilli i Europës?
A e patë sa shkurt i kishte rënë? Trafikim organesh në Shqipëri. Shqipërinë dhe shqiptarët lesh dhe li, me një akuzë që asokohe doli në të gjitha mediat ndërkombëtare, se normale, zuri faqet e para “Heronjtë e luftës, trafikantë organesh njerëzore”.
Kjo bën që “futja se shqiptari mban”, “bjeri se shqiptarët mbajnë”, këndoju çdo ditë e çdo natë “Krim e korrupsion” se shqiptarët e meritojnë. Tani, që ne e meritojmë, në një pjesë e meritojmë, jo sepse ne jemi pajtuar, ne nuk jemi pajtuar, as me krimin, as me korrupsionin. Lufta me krimin ka dhënë plot rezultate, lufta me korrupsionin është më e gjatë se kaq, por ne e meritojmë sepse një pjesë e jona, rubla-çorba jonë, që jo rastësisht, mendojeni pak, atë raport, atë pocaqi, pse shqiptarët, delegacioni shqiptar në Këshillin e Europës nuk e votoi kundër në bllok, apo të paktën nuk e refuzoi në bllok? Kush ishte përfaqësues i rubla-çorbës votoi pro, përfaqësuesi ynë e refuzoi, Shpëtim Idrizi ishte futur në parlament si i yni, pastaj kishte dalë më vete dhe refuzoi.
Pse ata e votuan pro? Si mund të votohet pro ajo poshtërsi?
Po kur thonë “Edi Rama nuk ka folur kur ishte Ramush Haradinaj në burg”. Kur Ramush Haradinaj ishte në burg, unë nuk kam qenë në qeveri, e kanë harruar. Atë që nuk e kanë bërë vetë ma faturojnë mua.
Tjetra, që është më e rëndësishmja, pse tani? Për dy arsye. E para, sepse tani doli edhe akuza në Hagë. Asnjë llaf për trafikimin e organeve. Si ka mundësi? Trafikimi i organeve u bë shkak që u bë gjykata. Asnjë llaf. E dyta, ku ta diskutoje këtë me rusët brenda? Ishte Rusia aty në Këshill të Europës deri para disa muajsh, nuk është më aty.
Prandaj është koha që ai Këshill Europe, dhe unë nuk i ndahem aty e nuk e di deri në fund a do arrijmë atë që duhet sepse nuk iu pëlqeu.
Për mua ishte si nota në provim kur më thanë “Nuk vijmë në darkë”, disa të ftuar. Kishin konfirmuar darkën. Ishte nota. Paskemi dalë mirë, iu thashë, në provim se u shqetësuan se po të vinin në darkë dhe t’ia kalonin bukur do të thotë që nuk iu bëri përshtypje. Jo, duhet t’u bëjë përshtypje, duhet ta kuptojnë që ai është një turp. O ta lënë, o ta mbajnë. Por ne nuk e mbajmë njëherë dhe nuk do mbajmë më se nuk kemi pse ta mbajmë që të vijnë të na tregojnë “Ju nuk bëni dot amnisti fiskale se është për krimin:”.
Po pse, ata shqiptarë që janë jashtë, që ju të gjithë që jeni këtu keni plot prej tyre, i keni o në familje, o në shtëpinë përballë, i keni në lagje, i keni në qytet, kriminelë janë ata? Po sa kohë kanë punuar ata në të zezë nëpër mandarinat dhe pjeshkët e grekëve? Sa kohë? Sa kohë kanë mbledhur ata para duke fjetur në pemë?
Unë kam takuar njerëz që kanë fjetur në pemë, duke punuar ditë natë atje. Pse? Për t’i kursyer të gjitha. Ku janë çuar ato para? Sigurisht një pjesë të madhe i kanë sjellë këtu dhe i kanë kursyer një pjesë, një pjesë tjetër i kanë kursyer atje.
Po pse, kur u bënë këta që na tregojnë ne “Jo, juve” kaq qibar, po punën e zezë për shqiptarët kush i ka shpikur atje, unë? Qeveria e krimit i ka shpikur që i marrin në të zezë?
Punën e tyre të zezë ata nuk mund ta legalizojnë, paratë e fituara nga puna në të zezë duke bërë roje nate, nga 8 orë me lekë nën dorë nuk mund ta legalizojnë se janë kriminelë? Pra, për 0,5% të 1milionë e kusur shqiptarëve që janë jashtë do paguajnë të tjerët dhe do t’u nxihet jeta sa herë duan të blejnë një shtëpi këtu, sa herë duan të mendojnë të bëjnë një investim këtu se u shkon Prokuroria dhe u thotë “Ku i gjete ti këto lekë”?
Jo, absolutisht jo. Mbi të gjitha, ne e kemi parë.
E kemi parë në anketimet që kemi bërë, e kemi parë dhe në Këshillimin Kombëtar. Morën pjesë rreth 500mijë njerëz, ata që donin të merrnin; Këshillimi Kombëtar ishte anonim. Nuk kishte emra, nuk kishte adresa, nuk kishte Zot që patronazhistët të kapnin gjë, meqë këta jetojnë me idenë që do t’i kapin patronazhistët.
Patronazhistët kanë për t’i kap, ua kam thënë. Çfarë idiotësh.
Ishin mbi 60% e atyre që morën pjesë që thoshin duhet bërë dhe patjetër duhet bërë dhe do ta bëjmë, patjetër në bashkëpunim me të gjithë partnerët tanë.
Jemi duke dialoguar vazhdimisht. Por kur na thanë “Po mirë, bëjeni, por jo për ata që punojnë tek ne”. Domethënë, paratë i doni atje, sido që të jenë, këtu nuk mund të vijnë? Po jo, ato do t’i sjellin paratë këtu se ata janë shqiptarë. Kush do t’i sjellë këtu, t’i sjellë këtu. Kush do t’i mbajë atje, le t’i mbajë atje.
Nëse këtë do e kishim shpikur ne, atëherë dakord. Por këtë e bën Italia rregullisht, ja ku është Italia nga ana tjetër. Po këtë e kanë bërë të gjitha vendet e Europës, e bëjnë shtetet e Amerikës sot që flasim pse të mos e bëjmë ne?
Ne do bëjmë draftin, do kërkojmë vota, shpresoj të ketë njerëz normale që do thonë “Ok, poshtë qeveria, por amnistia është për të gjithë, nuk është as për demokratët, as për socialistët, por është për të gjithë”, dhe do bëhet për të sjellë më shumë para shqiptarët këtu dhe të bëjnë ca të duan me ato para legale në pronën e tyre, në vendin e tyre ku, dhe këtu do ta mbyll, sot ky është fakt dhe nuk është më një fakt që unë e thosha kur lancuam programin për agroturizmin, që kishim dy, tre agroturizma, por nuk kishim fare ne asnjë gjurmë të një politike për të nxitur turizmin në fshat. Shkohej nëpër fushata që në ’91 “Do t’iu bëjmë turizëm këtu e do t’iu bëjmë turizëm atje”. Po si do bëhej turizmi?
Sot kemi një rrjet agroturizmi që është baza e një zhvillimi fantastik dhe po iu them që siç thosha atëherë që kush do bëjë agroturizëm do fitojë dyfishin e asaj që fiton në emigracion, në qoftë se merret me punë të pastër, qoftë në të bardhë e qoftë në të zezë, nëse nuk merret me drogë, kuptohet, do fitojnë më shumë.
Sot e dëshmojnë plot njerëz. Para se të vinim këtu ishim në takim me këta operatorët dhe ishte një djalë që ka ardhur nga emigracioni, Marsel i cili e dëshmoi vet, është fakt. Shko paguaj atje 20 mijë paund për të kaluar kanalin e për të shkuar për të bërë punëtorin në Londër. Dakord, e kuptoj dhe dëshirën dhe nevojën, i kuptoj të gjitha, por mos thuaj që këtu s’behet se këtu kush do ta bëjë, e bën, por sigurisht do më shumë këmbëngulje, do më shumë durim se nuk vjen puna dhe nuk të vjen suksesi tek celulari, aty të vjen Kim Kardashian, po dhe duke parë Kimin kujton se po shkove atje do takosh Kimin, por e sjell ti. Dhe unë jam kundër të gjithë atyre që thonë: Kush është këtu duhet të rrijë këtu, të gjithë të rinjtë, të gjithë njerëzit kanë të drejtën të provojnë çfarë dëshirojnë se nuk jemi më në bunkerin e atij gjirokastrit, por nga ana tjetër të mos na thonë që këtu s’bëhet!
Dhe kush e ka një copë tokë, kush e ka një shtëpi qoftë dhe të rrënuar të gjyshit, të babës kudo qoftë edhe ne fshatin më të largët të shkojë ta investojë se do ta shikojë që do t’i vijnë atje turistët, do t’i vijnë atje vizitorët. 6000 e disa vizitorë kishte Gjirokastra kur filluam ne Rilindjen Urbane, ka shkuar 150 mijë sot.
Po ju them që më këtë 10 vjeçar, brenda 2030-ës Gjirokastra do të shkojë 400, do shkojë 500 mijë, këtu do të jemi se kur e thoja atëherë, thoshin ja flet kot, “do vijnë turistë në Gjirokastër, në Gjirokastër vetëm pleq ama është shumë e rëndësishme që ata, të cilët po ja shohin hairin kësaj pune dhe ata të cilët po ia shohin hairin sipërmarrjes të rrisin pagat, të rrisin pagën minimale.
Ne do ta rrisim pagën minimale përsëri, e kemi rritur dy herë këtë vit, do ta rrisim prapë. Por ata duhet ta rrisin pagën, duhet t’i japin vetes më pak dhe atë pagën që do rrisin tek punëtoret e tyre duhet ta konsiderojnë si për veten se po iu ikën ata punëtorët atëherë fitimet që ata llogarisin që do rriten nuk do rriten sepse shërbimi nuk do jetë i atillë që të sjellë fitimin që ti llogarit. Se ai biznesi yt do rritet, duke u rritur biznesi yt, ti duhet të rritësh kapacitetet njerëzore. Nëse ti do rritesh biznesin, bën më shumë dhoma dhe të zvogëlohen kapacitetet dhe pastaj vrapon me gruan për të shërbyer vet, për të gatuar vet, ke mbaruar!
Ashtu sikundër, dhe për gjithë bizneset e tjera, duhen rritur pagat në sektorin privat patjetër. Patjetër! Aq më tepër në këtë kohë. Duhet të jemi shumë më tepër bashkë dhe mirëkuptues dhe duhet të rishpërndajmë shumë më mirë në këtë fazë sepse nuk ka asnjë shans që asnjë nga palët të ndihet më mirë dhe ta kalojë më mirë këtë lum nëse palët e tjera ndihen keq. Duhet të ndihemi të gjithë edhe të shqetësuar, edhe nën presion, por ama ta shpërndajmë barrën. S’mund ta mbajnë barrën njerëzit e zakonshëm. Barrën njerëzit e zakonshëm mbajnë pjesën e tyre. Të gjithë ata të tjerët që japin punë, që krijojnë punë, që japin shërbime, që kujdesen nga sipërmarrësi më i vogël deri te qeveria duhet të marrin përsipër më shumë. Ne jemi këtu për të marrë përsipër më shumë.
Ju falënderoj shumë nga zemra dhe që mos t’i mbetet hatri doktorit tonë (Kryetari i Bashkisë Flamur Golemi) këtu më rezulton i vetmi doktor që nuk është i mirë vetëm për t’u zgjedhur, por edhe për të punuar, se kemi pasur raste doktorësh që edhe kur kanë qenë mortje, por edhe kur kanë qenë burra të mirë, janë të mirë kur marrin votat pastaj ngelen.
Kurse ky doktori juaj këtu, (Flamur Golemi) hajde këtu, është gjirokastrit në kuptimin e plotë të fjalës. Dua realisht tani ta përgëzoj, siç përgëzova Almën dje në Përmet sepse Alma është pak më përpara se ti the për bletërritësit, për bletë, ju keni më shumë bletë, por puna është që ata janë më të organizuar. Keni më shumë mjaltë, por ata janë më të organizuar dhe kur vjen puna te aplikimet për fonde ata marrin më shumë fonde se ju, ju keni më shumë mjaltë ata marrin më shumë fonde. Kuptove? Se ju mjaltin e bëni dhe e mbani fshehur. Kështu që jo aq sa Alma, por më shumë se të tjerët Bashkia e Gjirokastrës, Flamuri janë shembull për të marrë fonde alternative nga donatorët dhe do t’i lë amanet pedagogët e foltores këtu në Universitetin e Gjirokastrës. Ata nuk janë shumë, por ata që keni hudhra për të mos marrë sysh, merri thuaj mos dilni të bëni selfie atje, por hajdeni t’ju mësoj si merren fonde me projekte që rrogën pastaj ta keni thjeshtë për shpenzime të vogla ndërkohë që bashkia e Gjirokastrës pikërisht buxhetin e saj që merr nga shteti e ka për shpenzime një pjesë se s’mund të japin donatorët për shpenzime kurse shpenzimet kapitale e patë sesa punë janë bërë, edhe kjo këtu, është meritë e imja që shtyva këtë, por është meritë e Flamurit që mori fondet nga donatorët. Dhe më tha dje: Unë tha në pallat të sportit nuk të çoj dot, aty me një fjalë e ke lënë ti keq, te teatri që e kam rregulluar me donatorët, hajde. Domethënë po deshe të vish në pallat të sportit më jep lekët. Dhe unë i thashë: Ok. Kështu që fondin e projektit të pallatit të sportit do ta marrë menjëherë sepse ekipet e fëmijëve të Gjirokastrës kur të bëjnë ndeshjet e qarkut me ata të Tërmetit të ketë pallat sporti se ka Tërmeti pallat sporti dhe të mos ketë Gjirokastra, por bëj kujdes që kur të luash me Tepelenën, bëj kujdes arbitrin se mos jetë nën presion.