Me gratë dhe vajzat e Kamzës vijoi bashkëbisedimi i Kryeministrit Edi Rama në këtë zonë për çfarë është bërë deri më sot dhe për vijimin e mbështetjes së dhënë nga qeveria me masa të reja dhe lehtësuese.
Gjatë vitit 2022 qeveria dyfishoi masën e përfitimit të ndihmës ekonomike, fillimisht për familjet me 3 e më shumë fëmijë (pjesë e së cilës janë dhe gratë kryefamiljare) dhe nga 1 Tetori, u dyfishua ndihma ekonomike edhe për gratë kryefamiljare me dy fëmijë. Aktualisht nga skema e ndihmës ekonomike përfitojnë 6,757 gra kryefamiljare.
* * *
Faleminderit shumë për praninë tuaj për këtë takim dhe besoj që ky është vendi i duhur për të folur për këtë situatë aspak të lehtë, një situatë që përsëri na vendos përballë një vështirësie që na vjen nga larg, një vështirësie që është e krijuar nga njeriu. Këtë herë nuk është as tërmet, nuk është as pandemi, por është më keq akoma. Është më keq akoma sepse tërmeti sigurisht ishte shumë tronditës, për fat të keq mori jetën e disa dhjetëra njerëzve, shkatërroi, edhe këtu në Kamëz bëri dëmet e veta, por në të gjitha rastet nuk i preku të gjithë fatmirësisht. Pandemia pati gjithë atë presionin e vet mbi të gjithë ne, mbi situatën tonë ekonomike, sociale, por përsëri nuk preku të gjithë. Kjo situatë i prek të gjithë sepse kriza e çmimit të energjisë dhe inflacioni i luftës janë që të dyja të krijuar enkas që t’i preki të gjithë. Kush thotë sot që ne nuk kemi lidhje me luftën dhe s’ka luftë, por fajin e ka qeveria, ose e bën me qëllim dhe e bën me qëllim thjeshtë për arsye politike, për arsye të ambicies për pushtet, për arsye të mos dashamirësisë me njerëzit, por edhe për arsye dhe nuk është aspak më çudi kjo gjë se është një gjë e ditur, të shërbimit pikërisht ata që e kanë krijuar këtë situatë ose pastaj nuk di çfarë flet nga inati. Sepse, jo vetëm që ka luftë, por lufta ndaj Ukrainës është në fakt luftë ndaj Europës. Dhe Ukraina është sebepi për të gjunjëzuar Europën. Të gjithë krahun perëndimor të Rusisë, bashkësinë euroatlantik që është në këtë hapësirë dhe ne jemi aty bashkë me të tjerët dhe nuk i ikim dot kësaj
Bombat bien në Ukrainë, por faturat e energjisë futen nën derën e çdo familje, futen nën derën e çdo biznesi. Inflacioni i luftës kap dorën e çdokujt që shkon në dyqan për të blerë diçka dhe të dyja këto janë ndërtuar për të krijuar stres, për të krijuar lodhje, për të krijuar mërzi, për të krijuar tension dhe për t’i kundërvendosur rendit demokratik të gjithë vendeve që janë në perëndim të Rusisë, sa më shumë njerëz të mërzitur dhe të çorientuar nga presioni i këtyre dy armëve.
Mua më vjen mirë që deri tani ia kemi dalë që njërën armë ta neutralizojmë plotësisht dhe ta bëjmë që të mos i prekë dot familjet shqiptare, të gjitha familjet, të gjithë konsumatorët familjarë dhe njëkohësisht, duke neutralizuar plotësisht njërën armë që është çmimi, goditja përmes çmimit të energjisë kemi si të thuash amortizuar deri diku edhe armën tjetër që është inflacioni i luftës, sepse doli shifra e fundit e inflacionit për këtë muaj 8.3 % mesatarja e gjithë vitit është 6.5%, jemi shumë nën të tjerët në rajon, të cilët janë me dy shifra dhe disa prej tyre janë drejt 20 %-it që është vërtetë tepër. Dhe jemi shumë sepse pikërisht kemi bërë shumë që të mos vijë çmimi real ose një çmim i ndryshëm nga ky i sotmi, që është i njëjti me atë të paraluftës, i njëjti me atë të atë të para krizës përpara se të fillojë lufta, tek ju dhe duke shkuar tek biznesi, tek biznesi i vogël që faktikisht ka gjithë sistemin e shërbimeve për ju, të bënte kapërcimin e inflacionit në një pikë që do bëhej realisht problem i madh. Janë 460 milionë euro, janë thuajse gjysmë miliardi euro që ne i kemi vënë në dispozicion të mburojës së të gjithë abonentëve nga goditja e krizës së energjisë. Është një krizë e jashtëzakonshme për Shqipërinë, për buxhetin tonë, por mendoj që është gjëja e duhur për njerëzit tanë. Dhe në ndërkohë, nesër kemi diskutimin për projektin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Në 2023-in ne do të kemi dyfishin e buxhetit të 2013-ës. Tani, unë besoj që kjo shifër mjafton për të gjithë ata që diskutojnë në hava, që gjërat kanë shkuar më keq, ose që gjërat s’kanë ndryshuar. Sepse kemi dyfishin e buxhetit dhe nuk është thjesht çështja që kemi dyfishin e buxhetit, por kemi shumë më tepër buxhet për të mbrojtur njerëzit nga kjo goditje e tretë, që është dhe goditja më e vështirë dhe për shkak se ka ndodhur dhe dy të tjerat nuk është e lehtë për t’u përballuar siç mund të ishte njëra apo tjetra, jo sepse ishin të lehta, por se sidoqoftë ishte një lloj ndjesie që ja do ikë dhe kjo dhe pastaj gjërat do të vijë duke u përmirësuar shumë shpejt siç filluan të përmirësohen shumë shpejt pas pandemisë. Por ndodhi kjo dhe tani na duhet të fokusohemi shumë tek mbrojtja e atyre që janë më të dobët. Për këtë arsye kemi rritur dy herë pagën minimale këtë vit, do ta rrisim përsëri vitin tjetër, pra paga minimale do të shkojë në 360 mijë të vjetra, mbase do të shkojë në 380 mijë në fazën e dytë të vitit tjetër, sepse është e domosdoshme të kemi një rritje të pagës poshtë patjetër. Do të vazhdojmë me rritjen e pagave që e nisëm këtë vit për të gjithë të tjerët, për ushtarakët, për punonjësit e policisë, për mjeket, për infermierët, për zjarrfikësit dhe patjetër që do të vazhdojmë të mbështesim pensionistët. Edhe pse buxheti është në kushte të vështira, në fillim dhjetori do t’i japim një tjetër suport financiar pensionistëve për muajin e fundit të vitit prej 50 mijë lekësh secilit. Nuk është shumë, por është një shumë, të cilën ata e kanë pasur dhe të cilën do ta kenë përsëri këtë vit dhe që i lehtëson dhe iu jep një buzëqeshje të fund vitit. Ndërkohë që, vitin e ardhshëm do të vazhdojmë të çojmë të ardhura për ta, duke vendosur një taksë të jashtëzakonshme për prodhuesit e mëdhenj të energjisë sepse ndërkohë që kjo luftë ka qenë një fatkeqësi për të gjithë, ka qenë një fat i jashtëzakonshëm, i madh, i mirë për ata që prodhojnë energji sepse e shesin në mënyrë të paimagjinueshme, as vet ata nuk ditën e tyre më të bukur.
Kështu që në rregull, por ata nuk mund ta marrin të gjithë fitimin për vete. Ne do ta marrim një pjesë të fitimit për tua dhënë drejtpërdrejtë atyre që janë më në nevojë për mbrojtje, duke filluar nga pensionet, duke vazhduar me familjet në ndihmë ekonomike, me nënat kryefamiljare, kemi vendosur një dyfishim të ndihmë ekonomike për nënat me dy fëmijë dhe më shumë që janë të papuna, ndërkohë që kemi një risi tjetër në buxhet, që nënat me 3 fëmijë e lart që janë pa punë, jo vetëm që do të marrin dyfishin e ndihmës ekonomike, por do t’u paguhet edhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, duke, faktikisht i trajtuar si të punësuara, se tani, të flas për ato që i kanë fëmijët deri në 5 vjeç. Sepse të kesh 3 fëmijë dhe ndër ta edhe fëmijë deri në 5 vjeç, është më shumë se sa të jesh në punë, kështu që do t’i japim dhe këtë mbështetje, pra do t’i marrim ne përsipër pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Sigurisht që të gjitha këto janë përpjekje të mëdha për një vend si Shqipëria, për një buxhet si i yni që edhe pse është dyfishuar, nuk është i mjaftueshëm për t’i adresuar të gjithë ashtu siç do donim, por ama rritja e mundësive është një domosdoshmëri për të patur gjithnjë e më shumë pastaj kapacitet për të rritur dhe mbështetjen. Dhe për të mos e zgjatur dhe më shumë fjalën time, ndërkohë që me shumë dëshirë do të dëgjoja secilën prej jush që mbase ka diçka për të thënë, dua të nënvizoj një gjë që e thashë dhe më përpara në një takim me të rinjtë pavarësisht se në këtë komunikim intensiv që po bëjmë në gjithë Shqipërinë, nuk kemi folur për vota, nuk kemi folur për zgjedhje, këtu do bëj një përjashtim sepse unë mendoj që këtu është shembulli më konkret, më i prekshëm, më ulëritës i faktit se kush thotë që vota nuk ka rëndësi, bën një gabim shumë të madh. Vota ka një rëndësi shumë të madhe.
Sepse është pikërisht vota, e cila vendos se si shkojnë punët, në një mënyrë ose tjetër dhe nuk gabim më të madh dhe nuk ka budallallëk më të madh se sa ajo fjalia “ të gjithë janë njësoj , asgjë nuk ndryshon’’. Po të ishin të gjithë njësoj, edhe ky kopshti këtu do ishte njësoj siç ishte, edhe 18 shkolla të reja këtu në Kamëz që janë absolutisht të standardeve evropiane, shkolla që ishim sot, ia thashë edhe atyre të rinjve më përpara, se po përsëris veten, ishte një shkollë, – unë në Paris aty ku jetoja, kisha afër një gjimnaz ku shkoja se luaja basketboll në palestër, – nuk ishte jo më e mire, por nuk i afrohej kësaj shkolle që ishim sot në Kamzë. Pra janë shkolla që mund të jenë në çdo qytet të Evropës dhe në çdo qytet të Evropës hyn tek pjesa e shkollave shumë të mira.
Tani, po të ishin të gjithë njësoj, ato shkolla do ishin të gjitha njësoj siç ishin, një tmerr, pa folur për kopshte e për çerdhe që këtu as bëhej fjalë. Dhe ça ka ndryshuar? Ka ndryshuar pikërisht kjo, që vota ka shkuar si duhet.
Të thuash që nuk votoj se këtu s’ka pikë rëndësie, është gabim shumë i madh. Është shumë gabim i madh, duhet votuar patjetër dhe natyrisht që nuk ka një zgjedhje ideale sepse nuk ka zgjidhje ideale për asgjë, jo më për shumë e shumë gjëra që ne duhet të bëjmë, por që pa diskutim, siç është sot situata e shkollave në Kamëz është e gjithë Shqipëria në çdo drejtim, e pakrahasueshme me nga ku u nisëm. Por patjetër me nevoja të mëdha për ku duam të shkojmë sepse përtej godinave të bukura, kushteve fantastike të këtyre godinave, hapësirave, ngrohjes, e të gjitha me radhë hapësira, ambienteve sportive na duhen edhe shumë energji akoma për të vendosur një sistem brenda që të funksionojë po kështu siç funksionojnë godinat.
Na duhet të kemi, t’i japim jetë dhe t’i bëjmë sa më tërheqëse programet e reja që kemi për artet, për zejet, për sportet, për teknologjinë, për vajzat e djem që studiojnë nëpër këto shkolla dhe patjetër na duhet që të krijojmë kushtet që e gjithë procesi i mësimdhënies të ngrihet vit pas viti në nivel edhe pse sot nuk krahasohet me ku ishte, por nëse shkollat janë absolutisht në nivel evropian, përmbajtja është ende jo aty ku duhet por kjo kërkon më shumë kohë. S’është njësoj si të ndërtosh godinat, s’është njësoj si të ndërtosh rrugët, s’është njësoj si të ndërtosh infrastrukturën, që të ndërtosh sistemet e funksionimit të njerëzve brenda atyre sistemeve.
Shumë faleminderit edhe nëqoftëse keni diçka për të thënë ne jemi këtu.
-Ju falënderoj shumë për pjesëmarrjen dhe për mbështetjen tuaj. Falënderoj z. Kryeministër dhe znj, Lindita dhe kryetarët e bashkive respektive, unë dua të them dy fjalë si profesioniste e shëndetit mendor dhe si prind i tre fëmijëve të cilët po shfrytëzojnë këto ambiente, e njoh realitetin e Kamzës prej 20 vitesh. Unë jam vajzë Tirane, lindur, arsimuar e punuar në Tiranë. Vendosa para 20 vitesh ta ndërtoja jetën time këtu. E njoh shumë mirë realitetin e 20 viteve më parë kur s’kishte kopshte e çerdhe, drita , ujë , ambiente sportive, asgjë. Vetëm 5 vite më parë kalvari i vuajtjeve. Falënderoj kryetarin e bashkisë dhe çmoj shumë burimet njerëzore që ka aty për çdo shërbim. Falë kryetarit janë përthithur një sërë projektesh dhe për të rinjtë ,por pa diskutim shumë për të bërë. Faleminderit!
– Përshëndetje. Jam nga Mirdita, banore e Kamzës prej 14 vitesh. Nënë e 3 fëmijëve. Nisur nga eksperienca ime që kam me çerdhet, me kopshtet, është një nismë shumë e mirë e kryetarit të bashkisë së Kamzës, z. Rakip Suli, bashkë me stafin e tij, fokusin e vet e ka vënë tek arsimi, kopshtet, çerdhet. Janë këto objektet që i kanë munguar prej 31 vitesh këtij vendi. Dy fëmijët nuk kam pasur mundësi t’i arsimoj në kopsht dhe çerdhe publike. Çerdhja “Diell” është bërë një objekt me standarde, duke filluar nga profesionalizmi, ushqimi, higjiena.
– Një falënderim kam për zotin Rakip Suli. Banoj te rruga “Pekin”. 20 vite ajo lagje është shkelur në baltë dhe sot kemi një rrugë që është një ndër më të mirat që ka Kamza. Shpresoj siç është bërë për kopshtet dhe çerdhet të bëhet dhe në fusha të tjera.
Kryeministri Edi Rama: Do na bëni ndonjë kritikë se na mbytët në lavdërime për Rakipin.
– Jeni i lutur të na vini dhe ditë të tjera, jo vetëm ti, por edhe ata që janë bashkë me ju.
Kryeministri Edi Rama: Ju jeni e re dhe me aq sa kuptoj nga larg, do keni jetë shumë të gjatë. Kur ta gjeni një kryeministër tjetër që do t’iu vijë në Kamëz kaq shpesh sa kam ardhur unë, atëherë më lajmëroni edhe po s’isha gjallë se do çohem prap edhe njëherë. Për hir të vërtetës e ka sjellë edhe rasti, situata, tërmeti, por kam ardhur në Kamëz rregullisht për të ndjekur dhe punët, projektet, pavarësisht se duhet ta them se në Kamëz edhe për shkak ndoshta të eksperiencës së vet si sipërmarrës, Rakipi ka krijuar një sistem pune shumë metodik e gjërat ecin vërtet me ritëm dhe sipas parashikimeve. Nuk ka qenë e vështirë po themi që të bëhet gjithë kjo punë që është bërë, por nga ana tjetër më vjen mirë edhe për një gjë. Kamza ka bërë një bum përsa i përket arsimit, shkollave. 18 shkolla janë të reja, janë edhe 5 që bëjnë 23 gjithsej, se kam mësuar dhe numrin fiks që duhen ndërhyrë.
– Kam 60 vite që jetoj në Kamëz. A ka mundësi t’i ktheni sytë te ky trualli që është këtu bosh.
Kryeministri Edi Rama: Unë jam i fiksuar për çdo gjë që shoh. Je e fiksuar po jo aq sa unë, e di pse? Se i ktheva sytë aty sa hyra dhe mora vesh që për dy javë aty fillon ndërtimi i shkollës. Është bërë gara, është lidhur kontrata dhe po përgatitet firma që për dy javë aty do ndërtohet shkolla.
– A mund t’i bëj një pyetje zotit kryetar të bashkisë së Tiranës. Akeni shkolla ju dhe nëna që të bëjnë një rrugë 2 kilometra në ditë me një çantë 14 kg në shpinë dhe të shkojnë te shkolla atje matanë. Ku është transporti?
Kryeministri Edi Rama: Pasi e more përgjigjen që do bëhet shkolla, nuk u ule që të thuash shyqyr që do u bëka, po do ta nxjerrësh patjetër kunjën për 2 kilometra. Po të them unë, e para që ka akoma në Tiranë e çdo vend tjetër situata të tilla. Po të mos kishte s’do isha këtu, si fillim. Po ngaqë ka, jam unë këtu se s’ka kush i bën tjetër.
– Ju faleminderit, po nuk shpresoj.
Kryeministri Edi Rama: Nuk shpreson?! Mirë. Çfarë date është sot. 8 nëntor, i bie që në datën çfarë. Në çfarë date do ta thërrasësh zonjën këtu në inaugurimin e punimeve? Në çfarë date? Unë thash 2 javë. Për të qenë brenda ta bëjmë 1 javë them unë, jo 30 ditë. Shiko, për 2 javë, do të vijmë këtu, do vij dhe unë, vetëm për ty. Për 2 javë kam takim me ty kështu që me datë 22 pak a shumë, ta shohim, do caktojmë datën, do vij dhe unë e po nuk ishte këtu kompania, atëherë kemi punë me kryetarin e bashkisë. Nuk e dashke shumë kryetarin e bashkisë, por do ta duash shumë pas dy javësh.
– Përshëndetje! Unë jam një gjyshe dhe jam e kënaqur me çerdhen dhe shërbimin këtu. Kamza nuk ka pasur as çerdhe e as kopsht me ushqim.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Se do na e merrni mësysh Rakipin e nuk kemi ku gjejmë më të mirë, kështu që ju falenderoj shumë. Ne bashkë e lamë takimin. Do të ta konfirmoj. Më ke këtu në takim, do vë dhe kravatën. Dhe ky duhet të jetë aty me kompaninë, me skrapin, të fillojmë punën. Ti nuk më beson, por mua më ke këtu. Unë kam hall sa ta them, por po e thashë e mbaj fjalën. Do të lajmërojmë për datën.