Me të rinjtë e talentuar të Gjirokastrës që kërkojnë më të mirën për qytetin e tyre, me gatishmërinë për të dhënë më të mirën nga vetja - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Me të rinjtë e talentuar të Gjirokastrës që kërkojnë më të mirën për qytetin e tyre, me gatishmërinë për të dhënë më të mirën nga vetja

Nxënës dhe studentë të Gjirokastrës, të rinj të talentuar dhe këmbëngulës në mësime ishin së bashku me Kryeministrin Rama në bashkëbisedimin e radhës, për të kërkuar e sugjeruar se çfarë mund të bëhet më bukur e më mirë në qytetin e tyre, të cilit janë të gatshëm t’i vënë në dispozicion energjitë, dijet e marra dhe shpirtin e tyre krijues.
* * *

-Përshëndetje! Jam maturante në gjimnazin “Frymë dashurie” këtu në qytetin e Gjirokastrës. Në takimin e fundit që kishim organizuar me zonjën ministre dhe kryetarin e bashkisë, si shkak kërkesa ime mbi transportin publik, jemi informuar për planifikimin e terminalit në qytetin tonë, si pjesë e planit për buxhetin 2023. Tani kam një kërkesë tjetër për të bërë; gjatë verës, kur isha në punë në një ëmbëltore, shumë turistë vinin dhe nuk dinin si të mbërrinin në Pazar. Pra, vinin nga Tirana dhe nuk kishin informacion se si të mbërrinim deri në Pazar. Duke ditur që qyteti jonë i ka rrugët komplekse, mendova se disa tabela konkrete me guida mbi rrugët e qytetit do ishin të nevojshme të vendoseshin edhe përgjatë lagjes 18 shtatori ose tek Ura e Lumit direkt sa zbresin turistët.
Nëse nuk realizohet në mënyrë elektronike që do ishte zgjidhja ideale, por mbase edhe utopike për mundësitë që kemi ne, do thosha që edhe një fletë e thjeshtë kartoni me hartën e qytetit, e vendosur në disa pika të rrugës poshtë, do ishte mjaftueshme që turistët të arrinin të orientoheshin më mirë.

Kryeministri Edi Rama: Kjo është për ty (Kryetari i Bashkisë) sepse mori guximin, por prapë ty të ra nuk më ra mua. Thashë se do më thoje dhe mua ndonjë gjë, por ndërkohë një ndërhyrje do bëj unë përpara se kryetari i bashkisë të marrë mikrofonin e të justifikohet pse nuk e ka bërë këtë sepse kjo është një gjë e thjeshtë.

Nuk është utopike ajo që the për pjesën elektronike pikërisht për një arsye; sepse teknologjia digjitale është bekimi i vendeve më pak të zhvilluara dhe i të rinjve me më pak mundësi objektive. Pse? Sepse nëse ne do të ishim një epokë përpara epokës së teknologjisë digjitale, avancimi ynë do të ishte shumë më i ngadaltë në realizimin e disa objektivave që përndryshe sot realizohen shumë më thjeshtë.

Për shembull, ne sot, Shqipëria kemi shërbime publike digjitale në 95%. Pra, në një kohë prej vetëm disa vitesh ne i kemi eliminuar sportelet, kemi eliminuar radhët, kemi eliminuar kohën dhe stresin dhe paratë, qoftë ato mbi dorë për tarifat e shërbimeve, qoftë ato nën dorë për ryshfet dhe i kemi dhënë mundësinë, në 95% të shërbimeve që kush do një dokument të çfarëdolloj, nuk ka rëndësi fare a është afër institucionit a është larg, madje nuk ka rëndësi fare a është në Shqipëri apo në Australi, mjafton të jetë i regjistruar në platformën e-Albania dhe merr shërbimin.

Si do e bënim ne këtë nëse nuk do ishte teknologjia? Ne do të na duheshin shumë vite të tjera që të arrinim të kishim një organizim dhe një shërbim me një përkushtim dinjitoz në sportel, në të gjitha sportelet nga administrata siç e kanë vendet e zhvilluara. Shembulli tjetër është personi. Sot ti nuk ke nevojë, fare, të vish as në Gjirokastër jo më të ikësh nga Gjirokastra nëse zotëron teknologjinë, nëse di se çfarë të bësh me një kompjuter për të vënë në dispozicion dijet e tua për një treg që është një treg me kërkesë, sot që flasim, 16 milionë vende pune, që është tregu global i shërbimeve, i biznesit dhe i aktivitetit online.
Duke mësuar kodimin, ti mund të hysh në sekondë, përmes kompjuterit në sistemin e një kompanie, kudo qoftë ajo, dhe mund të jesh i/ e punësuar jo tek një, por tek disa kompani dhe të marrësh nga kjo punë një pagë që nuk e merr kurrë nëse merr rrugët dhe nisesh pas berihajit në Gjermani, Greqi apo të dalë ca të dalë.

Kjo që po ju them nuk është diçka që unë e kam lexuar apo e kam parë në ndonjë film dokumentar.

Kjo që po ju them unë është diçka që e bëjnë sot që flasim disa mijëra të rinj në Shqipëri, që nuk duken, nuk i shihni në televizor, nuk dalin nëpër gazeta, nuk merret njeri me ta.

Duke bërë këtë bisedë, në një takim që ishim me Borën në Durrës, kur po bënte Bora ato dëgjesat për strategjinë e rinisë, unë po flisja këtë dhe filluan të qeshnin të gjithë. Më shpëtoi nga ajo situatë, – të gjithë qeshnin, njëri ulte kokën e thoshte “Iku ky, deri këtu e patëm, ku vajti na u bë dhe deputet në Durrës tani”, – më shpëtoi një vajzë 15 vjeç, në mos gabohem. Mori mikrofonin dhe tha “Pse qeshni? Unë jam një nga këta”. Banoj, në mos gaboj në një fshat të Durrësit, familja e ardhur dhe punoj, tha, në tre kompani të huaja, një në Poloni, një në Amerikë dhe një tjetër s’më kujtohet se ku, në tre shtete të ndryshme dhe vazhdoj gjimnazin këtu në Durrës dhe më kushton më pak kohë të shkoj në kompaninë në Amerikë, në Poloni apo tjetra sesa të shkoj te gjimnazi, se e kam në shtëpi, e kam në kompjuter, hap kompjuterin dhe futem dhe mbaj familjen.

Të ardhurat më të larta ajo familje i ka nga vajza që është në gjimnaz. Si e ka bërë? Që 11 vjeç. Ka filluar të punojë që 11 vjeç në kompjuterin e vet. Mbasi i tha këto, u interesova, e takova dhe është reale e gjithë historia.
Ne atë vajzën e kemi një nga personat që na ndihmon, na ka ndihmuar në këtë projektin që po bëjmë, për t’i dhënë më shumë mundësi të rinjve tani që të hyjnë në këtë fushë, po fillojmë me klasat e para që, që fëmijë të fillojnë të funksionojnë me atë gjuhën e huaj, që tha Bora që është një gjuhë tjetër. Po ashtu, po i japim mundësi dhe të rinjve si ju që të hyjnë në këto kurse, të cilat janë, se ka trajnim të gjatë dhe trajnim të shkurtër intensiv të licencuar nga kompani të famshme të mëdha që kanë përfaqësi të tyre dhe që kanë dyer të hapura në shumë vende dhe këtu tani kemi disa. Në 6 muaj ti merr të gjithë njohuritë për shkak se programi është i ndërtuar i tillë, që ti mund të hysh në këtë botë dhe pastaj aty është e pafundme, për të thënë që edhe për një shtet, edhe për një individ sot teknologjia është një bekim kur ka vizion dhe kur ka vendosmëri. Këto të dyja duhen. Vendosmëri do të thotë këmbëngulje, durim për t’ia dalë. Asnjë gjë nuk e pengon. Dhe kush nuk e beson të paktën ta provojë, të mos thotë kjo është kot. Të paktën ta provojë.
– Kam ardhur si përfaqësues i ekipit të futbollit të Universitetit Eqerem Çabej. Do kërkoja krijimin e terreneve sportive.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë edhe respekt edhe për angazhimin me skuadrën se ky është edhe qëllimi në fakt, që ne ta stimulojmë krijimin e skuadrave, ta mbështesim, Bora e përmendi pak në fillim, faktikisht kemi filluar me basketbollin dhe volejbollin, janë krijuar skuadrat ne të gjitha shkollat, 90 % e kusur, po them, edhe në universitet dhe jo vetëm kaq, por bashkëpunimi me KOKSH të cilit i kemi dhënë edhe një fond të konsiderueshëm për të bërë diçka që është serioze, po investohet për gjithë uniformat sportive të shkollave, për gjithë ata që do përfshihen, të kenë uniformën e tyre sportive, të kenë jo vetëm ato bluzat edhe uniformën e ndeshjes, por edhe tutat, edhe atletet, edhe çantat, pra një set i tërë uniformash.
Mua më kujtohet kur ne, atëherë kur ishim në atë ekipin e parë të fëmijëve në basketboll, ishte kënaqësia me e madhe e jetës kur ne merrnim ato tutat, e ato atletet dhe visheshim njësoj, se ajo uniforma të jep një sens përkatësie edhe kështu që, kjo është njëra. E dyta, po investohet për të krijuar gjithë sistemin e trajnerëve sepse mund të bësh skuadra, por duhen edhe trajnerë dhe trajnerët pasi janë lënë shumë kohë pas dore, tani janë përfshirë më mësimet e fizkulturës, por tani nuk është e njëjta gjë. Pra kemi krijuar për të gjithë trajnerët dhe tani specializimin e trajnerëve të këtyre skuadrave. Më duket se është në fillim të nëntorit, akoma s’është e saktësuar data, do të bëjmë një takim të madh, do bëjmë një hapje të madhe të kësaj lëvizjeje të re shkollore sportive në Tiranë me gjithë skuadrat dhe pastaj do kemi kalendarin vendor që do të thotë, do të luajnë skuadër me skuadër këtu në nivel bashkie, pastaj do të luajnë në nivel qarku, pastaj ata që do të dalin më të mirët në nivel qarku do të luajnë dhe në nivel kombëtar dhe do të kemi edhe kampionët kombëtare në fund të vitit shkollor.
Kështu që pak a shumë ky është sistemi që është ngritur por ajo që më la një çikë kështu të turbulluar dje, i thashë Flamurit dhe Mirelës më përpara të takojmë këta fëmijët e këtyre skuadrave te Pallati i Sporti. Më tha, “Pallati i Sportit nuk është për atë punë, është copë-copë”. ‘’Te kinoteatri që e kam bërë vetë”, – tha, “hajde shihe, po aty që qeveria e ka lënë rrugëve, s’kam ç’bëj”. Se në fakt e vërteta është dhe është meritë e Flamurit në këtë rast, që për projektin e teatrit ka bërë gjithë demarshet e duhura dhe ka arritur edhe të marrë një financim jashtë buxhetit, jashtë grantit të qeverisë nga donatorët dhe faktikisht nga donatorët italianë në mos gabohem, që duhen falenderuar se realisht janë impenjuar goxha për nivelin vendor dhe përfituesit më seriozë të atyre projekteve janë Alma në Përmet, Flamuri dhe pak të tjerë. Kështu i thashë që do ta bëjmë. Do ta financojmë, do ta kemi Pallatin shpejt, domethënë ne do t’i japim paratë shpejt pastaj Flamuri e di vetë se për sa kohë do ta bëjë, por normalisht i bën shpejt punët dhe i bën mirë për hir të së vërtetës, pavarësisht se me tabelat na i prishi një çikë qejfin sot.
Po bëjmë edhe një palestër të re, po na duhet më shumë, po megjithatë duhet ta bëjmë këtë gjë, por nuk e di si do zgjidhet përkohësisht se ku do zhvillohen këto aktivitetet e basketbollit dhe të volejbollit.
Po pra, dakord, por për sa i përket futbollit tani unë jam angazhuar bashkë presidentin e Federatës dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, edhe me FIFA-n, edhe me UEFA-n kemi biseduar dhe do të bëjmë një program për fushat e futbollit sepse jemi vendi me numrin më të vogël të fushave të futbollit për frymë në rajon, në Europë po e po, kështu që në mos i fundit, nga të fundit kështu që duhet patjetër t’i japim edhe një nxitje kësaj. Do ta kemi në konsideratë patjetër edhe Gjirokastrën aq më tepër që ju paskeni një skuadër amatore që qenka serioze dhe do ta shtyjmë përpara edhe këtë projektin e Flamurit për të marrë, se ky sa herë vij unë, këtë bën, merr fonde, merr terrene, por i rri të vërtetës dhe duhet thënë që i bën punët mirë.
Kështu që do shikojmë edhe këtë pjesën e kësaj, e terreneve.
– Studentet po ikin nga Shqipëria se nuk kanë të punojnë, vemi të kërkojmë punë dhe na kërkojnë eksperiencë pune, por ne jemi nga bankat e shkollës. Me ne të rinjtë çfarë do të bëhet? Ku është mbështetja për ne?
Kryeministri Edi Rama: E para njëherë ai trajnimi që fola unë nuk ka të bëjë me ëmbëltoren, me atë trajnimin që fola unë mund të punësohesh pa lëvizur fare nga vendi, në Shënavlash jeton vajza që sollëm dhe ka shumë si ajo, pa lëvizur dhe mund të marrësh edhe një pagë që mund të jetë edhe trefishi i pagës së kryetarit të Bashkisë, që të jemi të qartë se për çfarë po flasim. E dyta, këtu nuk është çështja që të mbarosh shkollën dhe të fillosh në ëmbëltore, edhe pse ka plot njerëz jo këtu, që mbarojnë shkollat , marrin diplomat edhe në botën e zhvilluar dhe punojnë edhe në ëmbëltore.
Nuk po e relativizoj fare pjesën e vështirësive, nuk po e diskutoj. E di që kur mbaron universitetin nuk janë të hapura të gjitha dyert dhe të të presin, por nuk janë të hapura askund.
Ndërkohë që përsëri duke u nisur nga shembuj konkretë jo nga teoritë, sot këtu në Gjirokastër keni shembuj të rinjsh që kanë shkuar në fshat, kanë hapur atje një sipërmarrje të vogël e cila rritet vit pas viti dhe jo më larg se paradite, takova një nga ata djemtë,. Ka ardhur nga emigracioni dhe fiton dyfishin e asaj që fitonte atje në emigracion dhe e treta nuk është shteti zgjidhja, se kur thoni fjalinë, “duhet të kesh eksperiencë”, kjo është përgjigjja që jepet nga ligji që është bërë shumë vite para dhe që nuk më duket anormal që për të hyrë në administratë duhet të kesh eksperiencë. Por nuk është vetëm shteti përgjigjja. Shteti nuk mund të jetë vendi ku punësohen të gjithë. Në shtet punësohen vetëm një pjesë e caktuar ndërkohë që është gjithë hapësira tjetër e sektorit privat ku ka mundësi që kërkojnë patjetër sakrifica, kërkojnë patjetër durim, kërkojnë patjetër një vendosmëri por ku dilet. Nëse do ma thoshe të njëjtën gjë në Gjirokastrën e 5-6 viteve përpara, do ta kisha më të vështirë të të ktheja përgjigje, të them të drejtën. Sot nuk e kam aq të vështirë të kthej përgjigje për faktin se ne kemi parë dhe shohim çdo ditë shembuj që shtohen.
Gjirokastra ka pasur më pak se 7mijë turistë në 2013, vizitorë se turistë sot ka 150 mijë deri në shtator. Si u shtuan? U shtuan sepse janë shtuar kapacitetet këtu. Kush i shtoi kapacitetet? I shtoi puna e njerëzve. Natyrisht që kush ka ambicie për më shumë sesa të shkojë të punojë kamarier, patjetër që është më një betejë në një hapësirë tregu që nuk është e lehtë. Nuk ekziston, edhe në botën më ideale që nuk ekziston as ajo që të gjithë ata që mbarojnë, të gjithëve shteti u jep punë. Nuk ekziston kjo. Është vështirë, nuk diskutohet, ne nuk jemi një vend me mundësi të pafundme, në aspektin me ofertë të pafundme. Oferta është e kufizuar pa diskutim, e kuptoj dhe këtë shqetësim dhe nuk është rasti yt apo i atyre që janë me këto kërkesa dhe që kanë investuar seriozisht për arsimimin e tyre, por është rasti i shumë të rinjve që paguajnë 20 mijë paund për të shkuar ilegalisht në Angli por nëse ke 20 mijë paund që të paguash për të shkuar ilegalisht, ti mund të fillosh një biznes këtu dhe mund të bësh këtu shumë më tepër sesa do merrje atje. Po të shkosh atje e të punosh, në të bardhë apo në të zezë, një punë të zakonshme, nuk po flas për punë të jashtëzakonshme shkencëtarësh e mjekësh, pse duhet bërë kjo?
Megjithatë, unë nuk hyj tek ata që thonë “O bo, bo nuk duhet të ikin”. Jo, unë hyj tek ata që thonë “Ne nuk jemi më në bunkerin e shokut Enver”. Ne jemi një vend i hapur, të gjithë janë në të drejtën e tyre që të kërkojnë më shumë, çdo i ri është në të drejtën e vet që të thotë, “Unë të pres këtu edhe 20 vjet të tjera, edhe 30 vite të tjera sa të bëhet këtu njësoj si atje? Unë shkoj direkt atje për një orë dhe e kam kollaj”. Nuk është aq kollaj, është shumë e vështirë sepse vërtetë pagat atje janë më të larta, nuk diskutohet, vërtetë atje ka më shumë oportunitete, por atje ka dhe më shumë detyrime, në cdo hap do fusësh dorën në xhep dhe do paguash.
Ju keni njerëz atje, merrini pyetini dhe shikojeni se pavarësisht se, nuk diskutohet që kanë arritur shumë në raport me nga u nisën, nuk është atje një parajsë. Sigurisht ka më shumë mundësi atje se këtu sot për sot por ama kush shfrytëzon mundësitë këtu, fiton më shumë se atje në rast se i dedikohet punës me këmbëngulje.
Ai djali fermë ka bërë. Ata bletë-rritësit në Përmet, ata jetojnë larg Përmetit jo më larg Tiranës por ama ata eksportojnë mjaltin e tyre dhe marrin të ardhura shumëfish sesa marrin ata që rrisin bletët e grekëve apo italianëve në Greqi apo Itali dhe ky është fakt.
Shqipëria e ka këtë mundësi sepse është e bekuar në cdo metër katror. Në cdo fshat të Gjirokastrës të marrësh një shtëpi me qera, nga ato shtëpitë e braktisura fare, të marrësh një mbështetje të një projekti nga AZHBR, nga bashkia, nga donatorët, të hapësh një bujtinë me dy-tre shokë të tjerë dhe të vësh në funksion ato dije që ke marrë për ekonomi, marketing e të tjerë, është më e suksesshme sesa të nisesh pas berihajit.
Çfarë do bëja unë personalisht në rast se do isha në këtë? Do thoja “Çfarë duhet për të bërë këtë gjë? Unë di pak ekonomi se kam studiuar ekonomi. Ti di pak marketing se ke studiuar marketing. Ti tjetri di pak futboll se ke lozur futboll. Hajde bëhemi bashkë, vëmë dy lekë, bëjmë një projekt, marrim dhe 5 lekë të tjera, hapim një bujtinë, bëjmë një fushë për fëmijët që vijnë atje për të lozur, e kemi dhe këtë si gjysmë trajneri dhe fillojmë pak nga pak”.
Siç kishte filluar Kristina. Kristinën e njihni me kuajt. Një person aq vital ,aq i talentuar, aq i vendosur mund të shkonte në Greqi, mund të shkonte në Gjermani dhe patjetër do e kishte marrë një punë, patjetër do e kishte marrë një rrogë si gjithë të tjerët por në vend se të dilte nga këtu dhe të shkonte atje, hipi në mal, shkoi në majë të malit atje dhe filloi të bënte guidat e kuajve dhe sot ajo fiton shumë më tepër sesa çdo fitonte po të kishte shkuar atëherë.
Duhet ta shohim, mendoj unë, gjithmonë është më kollaj të flasësh sesa ta bësh. E di shumë mirë. Unë e kam shumë bezdi të jap këshilla sepse e kam pasur shumë bezdi kur më jepnin këshilla kur isha në moshën tuaj kështu që kur më jepnin këshilla më të mëdhenjtë ose prindërit rrija thoja me vete “Mos ua bëj kurrë atyre që do vijnë pas teje se qenka një tmerr” por nuk po jap këshilla thjesht po e nis nga vetja.
Edhe unë kam ikur, e di se çfarë është andej. Nuk jam kthyer se nuk kisha ç’bëja por gjithsesi jeta e secilit është personale.
Shyqyr Zotit, lavdi popullit shqiptar ia kemi arritur këtë gjë 32 vite përpara. Dikush do të ikë, dikush do të rrijë, dikush do të lëvizi, dikush. Çështja është që këtu ka filluar një kthesë dhe kjo nuk diskutohet sepse po të mos kishte filluar një kthesë nuk do ishim sot në një Gjirokastër komplet tjetër. Patjetër që këtu është shumë më e kufizuar oferta sesa është në Gjermani ose në Angli por për ata që e duan menjëherë. Për ata që janë të vendosur që t’i hynë detit në këmbë, në thonjëza, këtu është më mirë sesa atje.
– Përshëndetje. Kur dëgjova rastin e vajzës që punonte në tre kompani, atëherë thashë po e them dhe unë rastin tim. Jam bashkëshorte, nënë e një vajzë 4 vjeçe, kam mbaruar një 3+2, ky është universiteti i dytë. Punoj në një kompani italiane dhe jam studentja më e mirë e vitit aktualisht. Ajo çka doja të kërkoja unë është pak më shumë mbështetje për Universitetin Eqerem Çabej sepse unë vetë nuk jam gjirokastrite, jam e ardhur prej dy vitesh këtu dhe kur kam ardhur, fjalët që kisha dëgjuar për Universitetin Eqerem Çabej është universitet në provincë, çfarë pedagogësh mund të ketë atje, nuk do kesh një të ardhme të mirë me diplomën. Nuk jam aspak dakord me atë çfarë kam dëgjuar.
Kryeministri Edi Rama: Pak më shumë mbështetje për universitetin. Ka një gjë, universitetet kanë një avantazh, që nuk janë si gjimnazet, nuk janë si sistemet e tjera publike të cilat kanë një kapital njerëzor të caktuar, pra kanë një numër njerëzish që paguhen me një rrogë dhe aty mbaron. Universitetet kanë autonominë e tyre që i jep mundësinë të krijojnë të ardhura të tjera dhe edhe këto të ardhurat e tjera nuk do t’ia përmendja sikur të mos ndodhnin në Shqipëri sot sepse deri dje ndodhnin jashtë, në Shqipëri nuk ndodhte fare. Sot ka filluar një lëvizje pozitive e universiteteve, edhe nga nxitja që po i bëjmë, edhe nga ajo që do u themi vazhdimisht “Mos hajdeni tek qeveria të kërkoni çdogjë sepse jeni autonomë”. Autonomia nuk është që unë bëj ca të dua kur vjen puna se si e shfrytëzoj gjithçka që kam kurse kur kam nevojë do ma bësh ti.
Jo, autonomia është ti më mbështet dhe unë mbështes veten dhe zbatoj rregullat që janë përcaktuar. Që do të thotë, janë fonde europiane plot që mund të aksesohen, kanë filluar të aksesohen. Sot në universitetin e Tiranës janë rreth 800 pedagogë që ka nga ata, një pjesë e vogël e të cilëve dalin e bëjnë ato shfaqjet e shëmtuara në një kohë si kjo, duke kërkuar rritje pagash të tjera, ndërkohë që ju rrit paga dhe ju është rritur më shumë në këto kushte sesa mësuesve sepse përveç rritjes që i bëri qeveria bënë dhe rritjen vetë rektoratet nga autonomia. I është rritur 15% atyre, jo mësuesve. Në kushtet e kësaj situate që është një situatë realisht shumë e rrezikshme për të gjithë njerëzimit jo për ne që jemi këtu, po që si pjesë e njerëzimit, është dhe për ne. janë rreth 800 pedagogë. 400 prej tyre kanë përfituar nga projektet europiane, falë meritës së tyre, bravo i qoftë, nuk diskutohet, ama janë para që i kanë marrë ekstra dhe shumë mirë kanë bërë edhe të marrin edhe më shumë. Pra nuk kanë vetëm rrogën, kanë edhe më shumë falë meritës së tyre se për atë janë. Që do të thotë, shikoni mundësinë që të shtoni kapacitetin tuaj për të thithur më shumë fonde europiane duke bërë projekte të përbashkëta me pedagogët e të tjerë. Ne e kemi rritur në mënyrë të përvitshme mbështetjen për universitetin dhe po e rrisim përsëri dhe për kërkimin shkencor në mënyrë që t’i japim më shumë mundësi universiteteve që të krijojë më shumë të ardhura përmes kërkimit shkencor që nuk është mi jep lekët dhe unë po bëj një projekt që ta fus në sirtar, po është t’i më jep lekët dhe unë dal në treg të marr dhe lekë të tjera. Kampet e universiteteve sot nëpër botë e Europë e rajon janë universiteti, konvikti dhe laboratorët, start up-et, biznesi, është trekëndësh. Nuk është drejtëz me një vajtje e një ardhje. Infermierët janë pjesa që kanë oportunitetin më të madh. Nuk mund të them të njëjtën gjë për ekonomistët, as për juristët jo e jo, sepse ne kemi prodhuar numrin më të madh të juristëve dhe ekonomistëve për metër katrorë, por për infermierët sigurisht që e them sepse infermierët i kanë të hapura dyert edhe në sistemin këtu edhe jashtë. Ne fatmirësisht nuk kemi mungesë edhe pse jo pak janë larguar, po nuk kemi mungesë. Kemi një portal për infermierët që është në bazë të meritës dhe funksionon më së miri, po kemi edhe në listë pritje.
Edhe për mjekët nuk kemi mungesë. Lexoja dje, Spanja i mungojnë 12 mijë bluza të bardha se kanë ikur dhe vazhdojnë të ikin. Ata kanë tjetër arsye. Kanë hallin e pensionit që është më i ulët në Spanjë se ç’është në Gjermani dhe ja u thith Gjermania e vende nordike mjekët. Kjo është bota në të cilën jetojmë sot. Është një lëvizje permanente për të kërkuar më shumë. Unë vij prapë te ajo që thashë, po të shikoni historitë e sukseseve këtu në daç edhe nëpër fshatra mund mbase t’ju ndizet edhe një llampë tjetër alerti për të parë që përpara se të mendoni që këtu nuk ka, nuk ka shtet, të mendoni në formë tjetër.
Çfarë shërbime të tjera mund të jepen këtu? Si mund të jesh vlerë e shtuar për tregun këtu? Çfarë mund të japësh t’i personalisht një sipërmarrje që është e ngritur? Siç tha vajza nga eksperienca një gjë të thjeshtë po është vlerë e shtuar për qytetin. Në momentin që nesër vihen ato tabela, ajo është vlerë e shtuar. Nëse bëhet elektronike dhe pastaj kthehet në një “app” që ti kur vjen në Gjirokastër s’ke nevojë për tabelën. Ty të vjen Gjirokastra te telefoni sa futesh atje. Të përshëndet me një mesazh, të jep edhe linkun edhe ti futesh te “app-i” dhe ke të gjitha rrugët, lëvizjet e të tjerë. Ky është një produkt. Po kush do e bëjë këtë produkt. E thotë dikush, kryetari i bashkisë e merr, po prapë produktin do duhet ta realizojnë njerëz. Imagjinoni tani se çfarë produktesh të tjera mund të ketë këtu që mund të jenë teknologjike. Për çfarë vijnë njerëzit këtu. Për çfarë vijnë turistë kanadezë, bënin Mesdheun me varkë dhe na thanë shkoni në Gjirokastër se është një gjë e paharrueshme. Ndaluam në Sarandë, kemi ardhur në Gjirokastër për 40 minuta. Ata vijnë këtu për këtë. Nuk vijnë të gjejnë një Kanada tjetër, as Gjermaninë. Këtu ka shumë gjera të tjera që duhet të dalin në pah. Ekonomistë, po. Sa shumë e kërkojnë artizanatin ata që vijnë? Sa produkte artizanale ka në Pazar? Shumë pak dhe po të shikosh dyqanet e artizanatit, 90% e atyre që dalin në dyert e dyqaneve janë mallra joautentike. Mallrat autentike janë nëpër sëndyqe, nëpër shtëpia. E dyta, dija për t’i prodhuar është po është nëpër fshatra. Nëse fillon mendon si ta krijoj një sipërmarrje me këtë, që i mbledh, bën bashkë disa gra që qëndisin, i merr produktet, i sjell këtu dhe pastaj nga shitja unë marr pjesën time. Mendon që kjo është një gjë e vogël në qoftë se kjo shtrihet e bëhet me 150 mijë veta që vijnë aty?! Bëje përpara se do ta bëjë dikush tjetër. Dhe kështu duhet menduar. Ju dini anglisht të gjithë. Sa nevojë ka këtu për kurse anglishteje?! Kush i bën?! I bëjnë mësuesit që japin anglisht edhe në shkollë. Pra ju keni plot gjëra për të parë dhe eksploruar dhe ndërkohë keni dhe disa gjëra që sot për sot i dini dhe mund t’i vini në dispozicion e pastaj me eksperiencën vijnë të tjera. Pyetja nuk është sa nëpunës do dalin nga ju. Pyetja është sa biznesmenë do dalin nga ju. Sa sipërmarrës, sa njerëz nga ju do dalin që të krijojnë punë për të tjerët? Jo vetëm që të kërkojnë një punë për veten e të thonë s’ke eksperiencë. Se të thonë s’ke eksperiencë, po dhe po u fute, mbete atje. Gjithë jetën në një punë shteti. Nëse futesh në rrugën tjetër, me të gjitha vështirësitë që ka, mund të dalësh matanë dhe del shumë më lart sesa kushdo tjetër që i bie shkurt.
Shumë faleminderit! Do shkojmë te fermerët!

Previous Me gjirokastritët, për punët e kryera dhe ato që presin të bëhen së shpejti në hapësirat e rilindura të qytetit