Me të rinjtë e të rejat e Ersekës për shkollën, qytetin dhe mundësitë e reja të punësimit brenda vendit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Me të rinjtë e të rejat e Ersekës për shkollën, qytetin dhe mundësitë e reja të punësimit brenda vendit

Të rinjtë e të rejat e Ersekës, mes tyre nxënës dhe studentë me dëshirën dhe vullnetin për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre, ishin së bashku me Kryeministrin Edi Rama në bashkëbisedimin e radhës për arsimin, sportin, artin, teknologjinë dhe investimet e bëra në këto fusha, si dhe për mundësitë e reja të punësimit, që falë programeve mbështetëse për rininë, janë gjithmonë e më të larmishme.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje! Unë s’po ngrihem shumë lart se mos ju lodh kokën, por do kisha dëshirë të dëgjoja nga ju, nëse keni dhe me siguri keni shqetësime apo kërkesa apo sugjerime, kështu që po nuk folët ju, unë nuk flas. Kush do ta marrë fjalën që të thyejë akullin?

-Ne aspirojmë të jemi pjesë e BE dhe duhet të ngremë nivelin e mirëqenies. Një i ri në një vend të BE ka një nivel mirëqenie që është në kontrast me nivelin e mirëqenies që ka një i ri nga Erseka.  Që të bëjmë këtë, qeveria duhet të ndihmojë dhe të mbështesë rininë në Ersekë. Ju falënderoj për investimin që keni bërë për gjimnazin sipas standardeve, por atje ka akoma shumë problematika, që nga baza materiale, bankat e klasës time janë të amortizuara dhe të vjetëruara dhe në laboratorë është e njëjta cilësi. Mungojnë dhe mjetet specifike për të kryer eksperimente. Palestra e gjimnazit nuk është ende 100% në funksion. Ju thatë se keni krijuar disa fusha futbolli, por gjimnazit tonë i mungon ende një fushë futbolli. Gjimnazi ynë nuk ka internet akoma dhe disa që do doja shumë të ngrihet në Kolonjë dhe Ersekë është qendra rinore. Për të mos folur pastaj për qendrën e inovacionit dhe teknologjisë. Kisha dhe një pyetje për ju dhe kryetarin e bashkisë:  të rinjtë po largohen dhe po marrin hapa konkretë drejt largimit, një ndër ta mund të jem dhe unë. Çfarë plani dhe strategjie ka qeveria dhe pushteti vendor që të ndalojë hemorragjinë e largimit të të rinjve që largohen pa mbaruar pa mbaruar gjimnazin apo ende në gjimnaz. Dhe çfarë plani ka qeveria për kthimin e të rinjve për të investuar në vendin e tyre.

 

Kryeministri Rama: Shumë mirë. Të falënderoj sepse i preke të gjitha nga klasa deri tek politika kombëtare dhe shumë saktë. Por së pari, kur bëjmë krahasimin me BE duhet të kemi parasysh edhe se sa kohë kanë vendet e BE që e kanë nisur rrugën që ne e kemi nisur shumë vonë  dhe sigurisht që duke bërë këtë krahasim pastaj e kuptojmë që ne nuk mundemi dot që të jemi sot në të njëjtin nivel si vendet e BE sepse nuk  e kemi pasur kohën që ata kanë patur në dispozicion. Nuk kemi trashëgimin dhe traditën e institucioneve që ata kanë pasur dhe na duhet të vrapojmë edhe më shpejt, por ama nga ana tjetër, është po kaq e vërtetë që progresi i bërë nga Shqipëria në njësinë e kohës dhe në raport me nga u nisëm është absolutisht i pakrahasueshëm me shume vende të BE, të cilët e kanë bërë këtë progres shumë gradualisht dhe në një kohë shumë më të gjatë. Natyrisht që, për ju është e pamjaftueshme që ne pakemi bërë progres dhe kur juve s’kishit lindur akoma, paskemi qenë në fund të pusit. Për ju kjo është e pamjaftueshme dhe është krejt normale, që të jetë e pamjaftueshme. Ashtu sikundër, nga ana tjetër, unë besoj që çdo kush sidomos në moshë të re është në të drejtën e tij që të synojë të ketë më shumë, ti ketë më shpejt dhe në vend se të rri diku dhe të presë kur gjëja të vijë më avash të niset dhe të ikë diku tjetër, qoftë nga një qytet i vogël në një qytet të madh, qoftë nga një qytet i madh në kryeqytet, qoftë nga kryeqyteti i vendit të vet në një kryeqytet edhe më të madh, edhe kështu me radhë, kjo është gjëja më normale dhe këtë gjë të gjitha vendet e kanë kaluar. Ne, nuk jemi të parët që e kalojmë, por jemi nga të fundit që e kalojmë sepse jemi nga të fundit që kemi dalë nga cikli i barbarisë dhe i izolimit. Ama, nga ana tjetër, unë besoj dhe këtë gjë nuk e besoj sepse e shoh në ëndërr, por besoj që janë faktet që kanë filluar të na ndihmojnë, deri përpara disa vitesh nuk kishte fakte që të na ndihmonin, sot kemi fakte që na ndihmojnë për të thënë që nuk është e vërtetë që këtu nuk ka mundësi dhe që e vetmja mundësi është të ikësh. Kjo është tërësisht e pavërtete. E thashë që të nisesh dhe të shkosh diku për të kërkuar më shumë, për të kërkuar tani është gjëja më e natyrshme. Nuk jemi më një vend i mbyllur siç ishim në kohën e komunizmit, jemi vend fatmirësisht me liri lëvizje, bota është bërë gjithmonë dhe më e vogël, lëvizjet nga një vend në një vend tjetër edhe në Europë janë pjesë e kësaj kohe të re. Ka zona të Europës, të vendeve të BE që përjetojnë ikje drejt zonave më të pasura. Mjafton të shikosh jugun e Italisë se flasim ne për fshatra, por e njëjta problematikë është dhe në fshatrat e vendeve të BE. Të njëjtën problematikë kanë fshatrat e Italisë, të njëjtën problematikë kanë fshatrat e Greqisë, të njëjtën problematikë kanë fshatrat e Spanjës, të Portugalisë, këto nuk diskutohen. Por ajo që është  e rëndësishme është pjesa për të cilën nisa të flas.

Para se të vinim këtu ishim në një shtëpi tradicionale në Rehovë dhe aty ishte një zonjë, e cila kishte qenë drejtore banke në qytet, në Tiranë në mos gabohem dhe bashkë me të shoqin kishte vendosur të vinte këtu, ta linte punën si drejtore banke, të vinte këtu me ato kursime dhe mundësi të rindërtonin shtëpinë e tyre. Një shtëpi modeste, shumë e bukur, por modeste dhe ta kthenin në bujtinë. Tani si mendoni ju, që ajo zonja fiton më shumë këtu apo fitonte më shumë si drejtore banke në Tiranë? Se po të ishte e dyta ajo s’do të kishte ardhur këtu në të gjitha rastet, dhe nuk ishte as në një moshë të thyer që të thuash hajde se ka vendosur të vijë dhe të rrijë këtu në perëndimin e jetës vet, jo ishte në moshë vitale plotësisht dhe në moshë pune. Po si mendoni ju, që sot duke u nisur nga shifrat e sotme që kjo zonë pa e pasur akoma distancën e shkurtuar sa duhet me Korçën ka 20 mijë vizitorë, vizitorë të huaj apo vendas që kanë fjetur këtu. Nuk flas për kush ka ardhur dhe ka ikur, të regjistruar. Kjo çfarë do të thotë? Do të thotë më shumë mundësi apo do të thotë më pak mundësi? Ndërkohë që përpara disa vitesh këtu nuk kishte shans të afrohej njeri për të vizituar. Do thoni ju që pse do të thotë që ka më shumë mundësi? Ka më shumë mundësi sepse kjo bukuri këtu, se ata vijnë për bukurinë e natyrës, ata vijnë për ajrin e pastër, ata vijnë për traditat këtu, ushqimin, etj

Po do të thotë që kjo bukuri është gjithë ajo pasuri dhe lum kush e sheh me atë sy dhe bën një punë për t’i marrë një pjesë, pjesën e vet të vogël nga kjo pasuri dhe për ta kthyer në një mirëqenie familjare.

Të ndërtosh sot në një Shqipëri një bujtinë në shtëpinë e rrënuar të stërgjyshit, do të thotë t’i japësh vetes mundësinë që të fitosh më shumë sesa në çdo vend të Europës, ku mund të shkosh për të bërë një punë të zakonshme, nuk flasim për njerëz që mund të bëjnë suksese të rëndësishme dhe atje, flasim për një punë të zakonshme. Sigurisht që bujtina ka edhe ajo mundimin e vet, patjetër, po edhe ajo është punë.

Të mbledhësh bimë medicinal dhe të ndërtosh një ndërmarrje bimësh medicinale, do të thotë të fitosh shumëfishin e asaj që mund të fitosh duke bërë një punë të zakonshme në Gjermani apo në Angli, nuk diskutohet, është aritmetikë e thjeshtë.

Ishim me Fridën , në Bulqizë, dhe një djalë, edhe ai kishte lënë Tiranën, ishte kthyer atje dhe kishte hapur një pikë grumbullimi edhe me mbështetjen e qeverisë, për bimë medicinal dhe sa e kishte hapur, dhe na tregoi një grumbull që mund të ishte 4 metra katrorë me bimë medicianle, dhe tha: “kjo është mbledhja e një dite e një familjeje, 35 mijë lekë të reja”.

Natyrisht qe për t’i mbledhur ato, ajo familje është munduar sepse ngjitu, zbrit, mblidh, nuk diskutohet, po 35 mijë lekë të reja në një ditë shkoni fitojini në Gjermani ose në Angli, ku pa diskutim pagat janë më të larta, po shpenzimet nuk janë sa këtu, janë shumë më të larta dhe në fund të ditës mund të jetë një kursim pak më i madh, nuk diskutohet, sepse mund të mbetet diçka por ajo që mbetet kurrë, kurrë nuk mund të të japë në vite atë që mund të të japë kjo bukuria këtu, kurrë! Përveç faktit që je në shtëpinë tënde.

Kështu që rruga e vetme është rruga e punës. Nuk ka një formulë magjike se po të kishte një formulë magjike, do ta kishin zbuluar të tjerët dhe po të kishim mundësi që ne të ishim bërë si Bashkimi Europian kaq shpejt, do ishin bërë të tjerët. Edhe brenda Bashkimit Europian nivelet janë të ndryshme, nuk e ka arritur Gjermaninë asnjë vend tjetër nga vendet që u futën më vonë në BE, nuk e kanë arritur. Që do të thotë që sepse ecin ata, ecim ne, po ecin edhe ata që janë të parët atje. E vetmja rrugë është puna, durimi, nuk ka tjetër.

Për sa i përket pjesës që foli Bora, sot një njeri në moshën tuaj , nëse ka vullnetin dhe dëshirën për të hyrë në botën e teknologjisë, mund ta bëjë nga këtu, nuk ka nevojë të ikë asgjëkundi dhe jo vetëm mund ta bëjë nga këtu, por mund të arrijë të punësohet nga këtu, kudo në botë, pa pasur nevojë fare të lëvizë nga shtëpia, edhe mund të punojnë edhe nga klubi, me një kompjuter dhe të paguhet shumë më tepër nga të gjithë ne që na shihni ju këtu. Dhe kjo nuk është diçka që përsëri unë e kam parë në një ëndërr apo që ka ndodhur diku tjetër, kjo është diçka që ndodh këtu. Kjo është diçka që ndodh në Korçë, kjo është diçka që ndodh në qytete të tjera nga të rinj si ju komplet, që nuk janë shumë për fat të keq, akoma nuk janë shumë, por që sidoqoftë ekzistojnë. Janë disa qindra, besoj. Janë disa qindra që shkojnë në shkollë, janë edhe më të vegjël se ju, janë edhe më të mëdhenj se ju po pak a shumë rreth kësaj moshe, shkojnë në shkollë ndërkohë edhe punojnë dhe janë burimi kryesor i të ardhurave në familjen e tyre.

Këtu flasim për 3, 4, 5, 7, 8 mijë euro në muaj, nuk flasim për gjëra të vogla. Si? Duke mësuar gjuhën e teknologjisë dhe duke vënë në shërbim këtë aftësi për një treg që është kudo, që mund të punësohesh në Amerikë, mund të punësohesh në Europë, mund të punësohesh në Australi duke qenë këtu dhe ishim në Mat me atë djalin, djali ishte aty prezent, fizikisht, një djalë i cili tha: “deri para se të vinit ju në këtë takim, isha tek lokali dhe isha duke punuar” dhe nuk më kujtohet në cilin vend punonte. Kishte qenë ne emigracion dhe ishte kthyer. ‘’Për çfarë të rrija atje”, – tha, “kur këtë gjë e bëja këtu, e bëj në shtëpinë time”.

Të gjitha këto nuk duan të thonë që kush tenton të ikë, bën gabimin e jetës, absolutisht, por edhe variant tjetër, që ik, se këtu s’ka mundësi, është tërësisht e pavërtetë dhe është psikozë. Të dyja janë të mundura, në të dy drejtimet ka mundësi, por ama midis një pune të zakonshme jashtë dhe një investimi këtu, të kësaj natyre që thashë, nuk flasim për investime të mëdhaja, flasim për investime të mundura, aq më tepër në kushtet kur ne mbështesim këtë lloj investimesh dhe nëse për ju ka ende kohë për të marrë një vendim të tillë, s’do sugjeroja kurrë që në këtë moshë ti të çoheshe e të ikje, natyrisht nëse pastaj ti shkon në një universitet me mbështetjen e prindërve, kjo është komplet krejt gjë tjetër, por po flas për këto ikjet pas berihait sepse janë shumë të gabuara. Të harxhosh para për të paguar kontrabandistë, për të kaluar kanalin atje, për të shkuar në Angli, ndërkohë që me ato para mund të bësh këtu një investim, të kësaj natyre që po them, është komplet fatkeqësi, është budallallëk.

Unë kam qenë emigrant, e di shumë mirë se çfarë flas. Mua as më ka dalë keq dhe as nuk mund t’i them askujt që mos e provo, në asnjë mënyrë. Kjo është sipas njeriut, çdo njeri ka të drejtën e vet, çdo njeri është i lirë. Nuk ka shtet, nuk ka qeveri që duhet t’i tregojë, por kurrë me kontrabandistët dhe me rrugët ilegale për të harxhuar gjithë ato para dhe për të përfunduar, nuk i dihet se si dhe se ku, këtë jo. Dhe nga ana tjetër kurrë me idenë, që këtu s’ka asnjë mundësi. Jo, është gabim, nuk është e vërtetë, sepse ne nuk po shikojmë ëndrra rrugëve të Shqipërisë prej kaq vitesh, po i referohemi realitetit.

Sot ne po i afrohemi gjysmë miliardi euro eksporteve. Shqipëria, gjysme miliardi euro eksporte bujqësore që as nuk imagjinoheshin përpara 6-7 vitesh. Po ça janë këto gjysmë miliardi euro eksportesh? Këto janë prodhime të Shqipërisë këtu, të njerëzve këtu. Po ku shkojnë këto para? Këto shkojnë tek këta njerëz, mos harroni që fshati është i pataksuar në Shqipëri. Mund të duket si një gjë kështu, por është i pataksuar. Nuk ka taksë për tokën, nuk ka taksë për prodhimin, nuk ka taksë për asgjë, fare dhe këtu në këtë zonë, potencialet janë të jashtëzakonshme. Këtu bimët medicinale janë aty, domethënë ta kesh aty pasurinë dhe një pasuri që është ndryshe. Nuk është si domatja që do ta mbjellësh, do ta kultivosh, do ta mbledhësh, të ra breshëri, ta prishi. Janë aty. S’kanë nevojë as për ujitje, vaditje, prashitje as për asnjë gjë vetëm shko mblidhi e grumbulloji, paketoi e shiti. Sigurisht që ky është një process që ka nevojë për disa gjëra se nuk e bën dot çdo njeri, por ama është aty. Është në mal, ja ku e ke. Është punë, po patjetër është punë po ka të ardhura të jashtëzakonshme dhe ne e kemi vendin tonë plot bimë medicinale. Njerëzit që e bëjnë janë realë. Shkoni shikojini. Pyetini dhe shikojini konkretisht. Janë realë dhe bëjnë fitime të mëdha. Është një punë që sa më shumë të mbledhësh, aq më shumë nxjerr. Është plot, nuk mbaron. Një shembull, për të mos folur për bujqësinë intensive. Doni këtë, janë disa mundësi. Doni të drejtoheni nga teknologjia, edhe aty mundësia është e pafundme. Ne do bëjmë çmos që të mbështesim me financime lehtësuese të rinjtë që duan të futen në atë rrugë e s’kanë mundësi. Ato që tha Bora, vërtet janë kurse që në 6-9 muaj të japin këtë dijeni që ti je  gati e futesh direkt në atë lloj tregu, po janë të shtrenjta. Sigurisht që ne duam të hyjmë sa më shumë aty, prandaj do mbështesim financiarisht.

Është shumë e drejtë ajo e Qendrës së Inovacionit, por e kemi në Korçë.  20 minuta do të jetë, edhe pak nga këtu. domethënë Korça dhe Erseka do të jenë me një linjë si linjë urbani. Faktikisht një rrugë me 20 minuta, jo e gjatë në një qytet të madh europian me urban, është qendra e inovacionit, mund të shfrytëzohet ajo.

Përsa i përket atyre që the për shkollën, nuk kemi ngritur ekipe futbolli. Volejbolli dhe basketbolli, jo ekipe futbolli. Me futbollin është pak më ndryshe gjëja. Po volejbolli dhe basketbolli në shkolla për të ripërtërirë një lëvizje sportive që ka shumë rëndësi për kulturën sportive, fizike, për përfshirjen në kompeticione, jo vetëm të atyre që luajnë, po dhe të tjerëve që i ndjekin. Ndërkohë, di që duhet të bëjmë një palestër, më të madhe dhe më të mirë. Ajo palestra që ishim sot është e bukur, por është e vogël. I plotëson kushtet për të bërë fiskulturë në shkollë, por nuk është për të bërë kompeticion. Për pjesën e bankave, internetit, laborët është shumë e vërtetë edhe kjo dhe për këtë arsye kemi filluar të investojmë një gjeneratë të re laboratorësh. Kemi filluar të investojmë laboratorët smart për teknologjinë. Janë 100 shkolla ku fillon mësimi i kodimit që në klasë të parë, ndërkohë që ato laboratore do përdoren pasditeve për të gjithë të tjerët dhe në laboratorët e lëndëve shkencore, që janë, s’janë fare. Prandaj, kemi filluar të investojmë, por hap pas hapi se s’mund të bëjmë të gjitha përnjëherë. Kurse për pjesën e internetit, bankave e ku di unë, ai thotë këta janë këshilli bashkiak rinor, atëherë ju këto vendime, këtu “ver internetin te shkolla jonë se ne nuk të kalojmë asgjë”. “Shko gjeje ku të duash, ne duam internetin në shkollë”. Problemi është për çfarë e doni internetin në shkollë. Ky është një problem tjetër. Nëse bëhet fjalë për internetin për laboratorin e informatikës kjo është një gjë. Nëse bëhet fjalë për wifi që me atë mrokllën që ke në dorë ti të lundrosh e të notosh, kjo është një gjë tjetër. Këto janë gjëra që mund t’i zgjidhni me siguri me kryetarin e bashkisë. Edhe për vetë bashkinë e Kolonjës nuk janë gjëra të rënda, janë gjëra të vogla besoj.

 

– Jam nxënës në vitin e dytë në gjimnazin “Petro Nini Luarisi” dhe prej dy vitesh kryetar i këshillit bashkiak rinor të Kolonjës. Kjo nisëm e këshillit bashkiak rinor ka vënë në lëvizje gjithë rininë. Erseka është një qytet i vogël, por ka një potecial dhe vizion të madh. Këtë potencial e vizion e shoh në gjithë këta të rinj që kanë një dëshirë të madhe për të investuar dhe dhënë kontributin e tyre në qytet, siç ishte një dëshirë e madhe për pjesëmarrjen në këshillin bashkiak rinor. Jam dëshmitar që Erseka po ndryshon, rinia po merr pjesë. Jemi drejt përfundimit të qendrës rinore dhe mezi po pres që të përfshijmë të gjithë rininë në programet që do zhvillojmë. Përsa i përket turizmit, e shoh dhe këtë sepse dita-ditës po promovohemi e zhvillohemi akoma më shumë. Vetëm një kërkesë të vogël kisha, zonjës ministre, do donim që të vinte më shpesh në mënyrë që dhe ne të përfshihemi akoma më shumë në programe se vërtet ka elementë e të rinj që duan të bashkëpunojnë e të marrin pjesë për të kontribuar  jo vetëm për qytetin, por për gjithë vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama: Ti na i bërë fushë me lule, megjithatë duhet patjetër optimizmi dhe entuziazmi se pa ato, nuk bëhet dot asgjë. Unë do kisha shumë dëshirë të flisnim edhe më gjatë, po duke qenë se kemi një takim tjetër që është pak i vonuar, dua ta mbyll duke ju thënë që mos kini asnjë frikë të synoni të realizoni ëndrrat tuaja cilatdo qofshin. Kini bindjen se një ëndërr që njeriu shikon me sy hapur, mund ta realizojë. Ato me sy mbyllur janë më të rezikshme. Aty bëni kujdes. Po me sy hapur, derisa ti e sheh me sy hapur që mund të arrish diku, çfarëdo lloj destinacioni, atëherë do të thotë që ti e ke brenda vetes, por arrin apo jo varet nga sa je i gatshëm të sakrifikosh, të rezistosh, të durosh dhe të vazhdosh ta kërkosh atë pikë ku beson se mund ta arrish, sepse jo të gjithë e kanë këtë aftësi të brendshme për të rezistuar dhe në qoftë se e ke një ëndërr me sy hapur që të shkosh në hënë, mund të shkosh dhe në hënë, por sa fuqi ke që ta ndjekësh ëndrrën që të shkosh atje ku përgatiten ata që nisen për në hënë. Që të të pranojnë, që të dalësh i dalluar, që të zgjidhesh për ekuipazhet që nisen për në hënë dhe pastaj të hipësh e të shkosh në hënë. Çdo gjë mund të realizohet, mjafton që të kesh vendosmërinë për ta ndjekur gjënë. Të jeni të bindur që atë që ju thashë e besoj 100%, që këtu në këtë vend ka një bekim të madh nga Zoti. Flas për gjithë Shqipërinë, por edhe për këtë zonën këtu.

Sigurisht që bekimin, kanë qenë njerëzit, që nuk e kanë lënë të kthehet në mirësi për të gjithë, por në këtë kohë kur njerëzit të paktën janë të lirë, kush e shikon dhe guxon ta ndjekë atë që shikon, mund ta realizojë që ta kthejë në mirësi këtë bukuri që është këtu.

Shumë faleminderit!

Previous Mollas, Ersekë, me fermerë e blegtorë të zonës në dialogun e hapur për investimet e reja dhe mbështetjen në bujqësi