Bashkëbisedimi i radhës në Tropojë ishte me të rinjtë e të rejat, nxënës e studentë të interesuar për të patur sukses në procesin mësimor, por edhe me dëshirën dhe angazhimin për të marrë pjesë në aktivitete dhe struktura rinore.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje dhe faleminderit shumë! Për ta bërë pak më interaktive këtë bisedë, që të mos flasim vetëm ne, aq më tepër që me siguri ju ka qëlluar t’i dëgjoni këto gjëra, unë them që paraprakisht fjalën ta marrë dikush apo disa prej jush për të ngritur shqetësime, pyetje, kritika, sugjerime, kërkesa, ankesa dhe pastaj do përpiqem që të them pjesën time.
– Si fillim, dua t’iu falenderoj në emër të të gjithë nxënëse për kontributin që keni dhënë për ndërtimin e palestrës në gjimnazin tonë. Diçka që vërtetë na shqetëson dhe kemi dëshirë ta shtrojmë si problem është se të rinjve të Tropojës nuk i është dhënë shumë mundësi vendimmarrje apo pjesëmarrje dhe duam të dimë nëse do kemi më shumë qendra rinore që do të hapen për vendin tonë dhe të rinjtë e Tropojës?
– Kërkesa ime e vetme është që premtimet që thoni çdo ditë, kërkesë e cila është dhe për ministren Muzhaqi, rinia tropojane aspiron për më shumë por të kemi gjëra objektive, nuk duam fjalë por edhe vepra.
– Kam përfunduar studimet e larta për infermieri të përgjithshme. Në provimin e licencës, dola i pari. Arritja ime ishte me sukses. Kam zhvilluar praktikën në spitalin e Durrësit. Më pas, kam zhvilluar 2 vite praktikë si infermier në urgjencën e Bajram Currit. Unë aktualisht sot jam pa punë.
– Përshëndetje kryeministër. Unë ndryshe nga të tjerët, do jap një sugjerim sot. Jam studente që kam mbaruar bachelor-in në Universitetin Politeknik ndërsa masterin në Francë. Pas 10 vitesh jam rikthyer në Tropojë dhe punoj prej 3 vitesh në Fondin Shqiptar për Zhvillim në qendrën turistike të Valbonës. Ju sugjeroj të gjithëve të merrni pjesë dhe të jepni kontributin, pse jo, këtu në Tropojë.
Kryeministri Edi Rama: Së pari, më vjen mirë që sot jam këtu në këtë palestër të re, e cila do të shërbejë me siguri edhe për programin e ri të sportit, përveç punës së përditshme me edukimin fizik, por tani me programin e ri të sportit, besoj që do të arrijmë hap pas hapi të krijojmë një lëvizje kombëtare olimpike dhe tu japim mundësi vajzave dhe djemve qysh në shkollën 9-vjeçare, pastaj në gjimnaz e më pas në universitet që të aktivizohen me sport, me basketboll, me volejboll dhe jo vetëm, por basketbollin dhe volejbollin për të dyja gjinitë do ta kemi në çdo shkollë, ndërkohë që sipas realiteteve të ndryshme, mund të organizohen dhe skuadra të sporteve të tjera. Po ashtu, për të krijuar një atmosferë pozitive edhe me ndjekjen e skuadrave nga të tjerët, nga prindërit, nga shokët, shoqet e klasave, gjë që është shumë e nevojshme. Është e vonuar sepse nuk do duhej kurrë të ishte ndërprerë edukimi fizik. U ndërpre për shumë vite, ne e rikthyem edukimin fizik. Nuk do duhet kurrë të ishte ndërprerë edhe sistemi i klasave sportive, gjithsesi besoj që tani vjen edhe si rezultat i kërkesës së brendshme të vetë nxënësve, gjë që e kemi dëgjuar në të gjitha rastet kur kemi pasur kontakte gjatë periudhës që ndërtuam Strategjinë për Rininë.
Ndërkohë, për sa i përket pjesëve të tjera të programeve të reja, unë dua ta rinënvizoj atë që tha Bora në lidhje me teknologjinë dhe ne duam që të financojmë masivisht të rinjtë që duan t’i dedikohen mësimit të teknologjisë, një gjuhë e huaj e shekullit të ri, por që siç tregojnë faktet e kësaj kohe dhe siç tregojnë edhe shembujt në Shqipëri, nuk janë shumë, por sidoqoftë janë mjaftueshëm për ta treguar këtë gjë. Është një gjuhë që u jep mundësi të rinjve që të punësohen ku të duan në botë, pa lëvizur nga shtëpia, është një gjuhë që nuk ka asnjë lidhje me gjeografinë, në pikën ku ndodhesh, po mjafton të kesh një kompjuter, ta dish atë gjuhë dhe mund të ofrosh aftësitë e tua në të gjitha kontinentet, duke marrë paga shumë më të larta se sa ne që jemi këtu përpara jush dhe pa qenë e nevojshme për të mbaruar shkollën, që mund të vazhdojë paralelisht duke shkuar në shkollë e duke punuar, duke punuar në kompani në të gjitha vendet e botës dhe vajza e djem si ju, në moshën tuaj edhe më të vegjël, bëjnë këtë punë sot në Shqipëri.
Ne nuk i dimë të gjithë sepse rrinë edhe të fshehur për shkak se kanë frikës se mos u shkojnë taksat, tatimet për t’u marrë taksat sepse fitojnë realisht paga të larta që variojnë nga 1000, në 3000, 5000 deri në 8, 9 mijë dollarë, por nga ata që ne njohim, mund tu them që janë vajza dhe djem që jetojnë edhe në fshat, jo vetëm në qytet.
Për të ndihmuar ndër ju ata që duan të hyjnë në këtë rrugë ne kemi hapur një program, po bashkëpunojë me disa entitete të specializuara të cilat bëjnë kurse të certifikuara ndërkombëtarisht, që në një periudhë të shkurtër kohe, 6 deri në 9 muaj, të japin njohuritë e nevojshme për ta përdorur gjuhën e teknologjisë, për të programuar, për të koduar për të hyrë dhe për të bërë shërbime të caktuara në kompani të caktuara.
Ashtu sikundër nga ana tjetër duam dhe kemi filluar punën për të ndërtuar një sistem të ri qendrash ku të rinjtë që janë të dhënë pas teknologjisë, të kenë një hapësirë në të cilën të takohen, në të cilën të marrin mësime, në të cilën të argëtohen, në të cilën të punojnë.
Kemi filluar me disa pre këtyre qendrave. Qendra më e madhe natyrisht do jetë në Tiranë tek “Piramida” e cila është duke u ndërtuar. Kemi një qendër që funksionon në Korçë, po ndërtojmë një në Vlorë. Do vazhdojmë me qendra të tjera në bashkëpunim me bashkitë dhe patjetër që edhe në Tropojë do bëjmë diçka, por sigurisht qendra në vetvete do kërkojë kohën e vet.
Ndërkohë që kjo punë mund të bëhet edhe pa pasur një qendër ashtu sikundër tha Bora. Shkollat do t’i shfrytëzojmë për të bërë pasdite kurse për artet, për zejet dhe për teknologjinë, përveç pjesës së sportit, por ajo që unë dua të shtoj këtu duke u nisur edhe nga ajo çfarë tha vajza që punon në qendrën turistike, që është një projekt i FSHZH-së, është që juve, jam i bindur që jeni në dilemën që çfarë të bëj: të rri, të iki, të rri në Tropojë, të iki në Tiranë, të iki jashtë shteti, të iki në Angli dhe kjo është një dilemë krejt normale, krejt e natyrshme, krejt legjitime në kohën që jetojmë, në vendin që jetojmë, kur faktikisht nuk jemi më të mbyllur, kur mundësia për të lëvizur është aty. Gjithsecili në moshën tuaj është në të drejtën e vet që të kërkojë të çajë malet edhe të arrijë majat dhe pa diskutim që unë personalisht jo vetëm që nuk i fajësoj, por përkundrazi i mirëkuptoj totalisht të gjithë ata që ikin, që duan të provojnë eksperienca të reja, që duan shkojnë të maten, të masin forcat aty ku konkurrenca është më e madhe, aty ku edhe oportunitetet janë më të shumta, por edhe vështirësitë nuk janë aspak më të vogla, kjo është normale, këtë e kanë kaluar të gjitha vendet.
Në intervistën që dhashë për BBC parmbrëmë nga Berlini, ishte me regjistrim dhe thashë dhe diçka që për arsye kohe, minutazhi ata e kishin prerë, që pas Luftës së Dytë Botërore, anglezët, britanikët patën një 20 vjeçar të gjatë emigrimi të vazhdueshëm dhe u krijua një komunitet i tërë britanikësh në Australi. Refugjatët që iknin nga Anglia shkonin në Australi, një komunitet që arrin në 10 milionë njerëz. Po kështu në Amerikë, po kështu edhe migrimi i brendshëm, nga periferia drejt Londrës. Londra është rritur jashtëzakonisht shumë, jo vetëm nga ata që shkojnë nga jashtë, por dhe vetë britanikët që shkojnë drejt Londrës, është normale.
Nga ana tjetër, unë kam ardhur në Tropojë prej vitesh, e kam vizituar rregullisht Tropojën dhe sot është një realitet tjetër që nuk ka lidhej fare me çfarë ishte kur unë kam ardhur herën e parë ose kur kam ardhur herët e para, sepse shikon që këtu ka jetë, ka shpresë dhe këtu ka mundësi. Sigurisht, e përsëris, askujt nuk do ti thoja që shiko se këtu është më mirë se sa atje. Mund të jetë më mirë këtu, mund të jetë më mirë atje. Nuk është e thënë që atje të jetë më mirë se këtu. Varet se çfarë arrin të bësh këtu apo se çfarë arrin të bësh atje.
Para se të vinim këtu, ishim me disa fermerë dhe aty njoha një djalë, kishte ardhur nga Tirana. Kur e pash mu duk si i huaj. Ai kishte ardhur nga Tirana dhe punonte në Kodrën e Gështenjave tek ai agroturizmi me ata çunat që kanë ardhur nga jashtë. Natyrisht që as ai nuk ka ardhur nga Tirana këtu e as ata nuk kanë ardhur nga jashtë këtu, por ata janë tropojanë, janë të zonës, kanë ardhur deri këtu tek toka e tyre, për të fituar më pak se sa në Tiranë apo se sa jashtë shtetit. Patjetër që ata fitojnë më shumë. Ata qeshnin dhe thonin, “nuk ta themi sa fitojmë”, por është e vërtetë që fitojnë më shumë. “Po nuk ka nevojë ta thoni”, – i thashë, “se ju vetëm budallenj nuk dukeni që të ktheheni nga jashtë e të fitoni më pak se sa fitonit jashtë”.
Kështu që unë u them të gjithëve që cilido prej jush, cilado prej jush që ka një shtëpi në fshat, kudo që të jetë fshati i gjyshit, stërgjyshit, sado e rrënuar të jetë shtëpia, ka një pasuri aty që mund ta kthejë në një biznes nga i cili mund të fitojë 2, 3, 4 fishin e asaj qe do të fitonte nëse ikën jashtë shtetit për të bërë një punë të zakonshme. Natyrisht që jashtë shtetit ka shqiptarë që kanë rritur maja dhe që marrin rroga shumë të larta, ka të tjerë që fatkeqësisht bëjnë punë shumë të këqija të cilat sjellin shumë të ardhura, por të çojnë në fund të pusit. Unë flas për punë të zakonshme, nëse nisesh që të bësh një punë të zakonshme. Të hapësh një bujtinë këtu në këtë zonë ku këtë vit ne kemi një shifër që as nuk mund të imagjinohej ndonjëherë që mund të ndodhte vizitorësh dhe turistësh në Tropojë që shkon afro 150 mijë njerëz që kanë kaluar këtu, që kanë ndaluar këtu, që kanë pirë një kafe, që kanë konsumuar një drekë, një darkë ose që kanë fjetur këtu, do të thotë që është hapur një rrugë që do sjellë gjithmonë e më shumë njerëz, që do kenë nevojë gjithmonë e më shumë për shërbime, që do kenë nevojë gjithmonë e për më shumë shtretër dhe pastaj me idetë fituese dhe me punë mund të bëhen gjëra të cilat janë fantastike.
Tropoja është një vend si të gjitha pjesët e Shqipërisë por të flasim për Tropojën, e bekuar nga shumë e shumë pasuri, po të marrim vetëm bimët medicinale që janë këtu. Ishim në Bulqizë, një djalë ishte kthyer në Bulqizë bashkë me familjen dhe kishte hapur një pikë grumbullimi për bimët medicinale. Asgjë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e investimit dhe sa po e hapte se akoma nuk ishte në aktivitet të plotë dhe na tregoi një pirg me bimë medicinale të mbledhura. “Kjo është mbledhja”, – tha, “e një dite, e një familje që mi sollën këtu. 35 mijë lek të reja, një ditë”. Më tregoni një biznes në Angli të dikujt që shkon niset sot, merr anijen, futet në gomone bën aventurën që i jep 35 mijë lek të reja në ditë. Natyrisht ato bimë medicinale nuk mblidhen dot përditë mbase, se është një punë e mundimshme por nëse mbledh 10 ditë, 35 mijë lek të reja në ditë dhe 20 ditë të tjera bën pushime ose bën të tjera gjëra, llogarinë e bëni kollaj apo jo?
Po kështu, me pjesët që kanë të bëjnë me teknologjinë, e thashë por mund të shkohet dhe më tutje. Për të gjitha këto nuk ka nevojë që ti kesh të gjitha lekët, për të gjitha këto mjafton që të duash të bësh. Nëse disa prej jush mund të bashkohen edhe të thonë: “shiko, ne do bëjmë një agroturizëm dhe ne do fusim nga një lek secili dhe duam mbështetje nga qeveria për të bërë këtë investim”, dhe bëni një projekt, bëni një aplikim, merrni mbështetje dhe bëni një rrugë suksesi.
Do e mbyll aty ku e nisa, të gjitha këto nuk janë për t’ju thënë, unë kurrë nuk ia them askujt dot se nuk e them dot që rri këtu se këtu është më mirë se atje. Kudo mund të jetë mirë, kudo mund të jetë keq. Kudo mund të bëhet sukses, kudo mund të dështosh. Një gjë vetëm mos bëni gabim. Mos llogarisni vetëm të ardhurat atje, llogarisni dhe koston atje. Se atje vërtetë ka rroga shumë më të larta, por atje ka dhe shpenzime shumë më të mëdha. Pastaj gjithsecili është në të drejtën e vet. Koha kur shqiptarët më shumë do të kthehen sesa do të ikin nuk është e largët. Jemi akoma në trendin që më shumë ikim se kthehemi, por kemi kthime domethënëse që tregojnë që këtu mundësitë janë. Kush thotë “s’ka mundësi në Shqipëri”, nuk thotë të vërteten ose nuk di të vërteten. Sigurisht që nëse do të punosh në shtet gjëja mund të jetë e komplikuar, por nëse do që këtu të ndërtosh një gjë tënden është e mundur dhe ka plot që e bëjnë këtë gjë.
Përsa i përket asaj që mos ta lë pa përgjigje djalin që foli për punë si infermier, rekrutimi i infermierëve bëhet përmes portalit. Nuk ka një rrugë tjetër, ne nuk marrim prej vitesh infermierë për dore që t’i çojmë në punë. Kjo ndodhte përpara, bëhej me parti, bëhej me ryshfet, nuk ndodh më. Kjo bëhet përmes portalit. Për fat të mirë ne nuk kemi mungesë burimesh njerëzore megjithëse ka plot vajza dhe djem që mbarojnë për infermieri dhe ikin në Gjermani. Ne nuk kemi mungesë akoma, deri tani. Kemi në listë pritje për punë mjaftueshme ende, kështu që nuk e di për çfarë arsye nuk e ke bërë portalin. Në qoftë se je regjistruar, ke bërë hapin e parë. Momenti që do behet provimi sepse ky është regjistrimi yt i parë, do marrësh pikët, në bazë të pikëve do marrësh dhe vendin e punës dhe jam i bindur që duke qenë këtu ke shumë shanse që të punosh këtu se nëse do ishe në Tiranë do kishe më pak se ka më shumë kandidatë, për më pak vende dhe mund të thoshin në Tiranë që shko puno në Tropojë. Ndërkohë që ti je këtu në Tropojë. Në qoftë se do marrësh pikët e nevojshme, do punosh në Tropojë dhe kjo gjë do ndodhë sapo të bëhet konkursi kështu që është punë, nuk e di, javësh apo muajsh por di që ke bërë gjënë e duhur që je aty në portal dhe do hysh në punë, patjetër.
– Përshëndetje! Kam mbaruar për infermieri. A është e vërtetë që ato diplomat nuk do na jepen?
Kryeministri Edi Rama: Ne po e shohim këtë punë dhe nuk është çështja që s’do ju jepen, çështja është që kjo është diçka që ne nuk e kemi shpikur, e bëjnë dhe vende të tjera sepse konsiderohet që diploma e mjekut apo infermierit nuk është si çdo diplomë tjetër dhe në momentin që ti i dedikohesh këtij profesioni, në fakt i dedikohesh jetës së tjetrit dhe merr përsipër jetën e tjetrit. Që do të thotë që përveç anës teorike ka dhe një anë praktike ku duhet të tregosh që je njeriu i duhur për t’ia u besuar jetën e të tjerëve. Kështu që ne po e studiojmë këtë gjë dhe me shumë gjasë kjo kështu do ndodhë, sepse nuk mundemi dot dhe ndërkohë mos harroni dhe një gjë, që këtë e kemi lidhur dhe me nivelin e bursave.
Ne kemi pasur një problem të madh me bursat e ekselentëve, jo me ekselentët që quajmë ne ekselentë. I kemi quajtur ekselentë për lehtësi komunikimi se nga nënta te dhjeta në fakt nuk janë ekselentë, janë nxënës shumë të mirë por nuk janë ekselentë. Ekselentët janë ata që janë me të gjitha dhjeta dhe qeveria qysh më parë, e mëparshmja, ka marrë një vendim me qëllim të mirë më siguri, që ne e kemi vazhduar. Që nxënësit shqiptar që shkojnë në universitetet top në botë dhe ka një listë universitetesh, nuk e di sa janë, por janë shumë pak, universitetet më të mira të botes, marrin bursë nga shteti shqiptar. Mirëpo vendimi ka pasur qëllimin qw shteti shqiptar të paguan që ti të studiosh në George Town, por ti duhet të vish mbrapsht dhe të punosh në Shqipëri për një periudhë kohe. Kjo është logjika dhe kjo është marrëveshja që është nënshkruar këta nxënës, asnjë nuk ka ardhur. Pra ja kanë marrë leket shtetit por asnjë nuk është kthyer. Fatkeqësisht nuk kanë bërë asnjë përpjekje as që të thonë që ndjesë, s’kthehem dot se ato universitete janë aq nivel i lartë sa aty presin në radhë kompanitë, sipërmarrjet, institucionet për t’i marrë në punë. Kjo edhe kuptohet, të kanë ofruar një rrogë të madhe, s’kthehesh, po të paktën njeriu thotë, “unë nuk kthehem dot po jam në dispozicion në një mënyrë ose një tjetër ta ndihmoj vendin tim”.
Ajo që ne kemi marrë vendim, është ta përmbysim këtë gjë. Ne nuk do paguajmë më studime jashtë. Ne do paguajmë këtu me këtë fond dhe mund të shkojë nga 200 deri në 400 studentë të nivelit më të lartë të cilëve ne do t’i japim në mënyrë të përmuajshme një pagë minimale. Një bursë që krahasimisht me bursat e tjera është shumë më e lartë, të jetë e barabartë me pagën minimale. Natyrisht, këta do firmosin marrëveshje nëse e duan pagën, nëse s’e duan pagën do vazhdojnë me lekët e veta. Jemi duke i studiuar këto gjëra. Besoj që është shumë e vlefshme si eksperiencë, eksperienca e vendit në të gjitha rastet, sidomos për këto lloj profesionesh.
Shumë faleminderit! Edhe më kanë thënë dhe i pashë vetë në fakt, skuadrat e Tropojës janë nga më të mirat, kështu që do t’i ndjek ndeshjet!