“Medalja e Artë” për të rinjtë e të rejat që kurorëzuan gjimnazin me rezultate të shkëlqyera, duke zgjedhur të jenë më të mirët - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

“Medalja e Artë” për të rinjtë e të rejat që kurorëzuan gjimnazin me rezultate të shkëlqyera, duke zgjedhur të jenë më të mirët

Nxënësit që mbaruan gjimnazin me 10 absolute u nderuan sot me Medaljen e Artë, të dorëzuar personalisht nga Kryeministri Rama, në një ceremoni të posaçme në Sallën e Hartave, në Kryeministri.

* * *

Mirë se erdhët! Për hir të vërtetës, kjo sallë nuk ka qenë asnjëherë kaq plot dhe nuk mund të ishte asnjëherë me më shumë mend se kaq!

Ka katër mendje të ndritura për çdo metër katror. Kjo nuk realizohet në asnjë variant tjetër përveçse me ju, kështu që shumë faleminderit dhe shumë respekte për atë që keni arritur.

Jam i bindur që sot që merrni medaljet, shumëçka nga përpjekjet e vështira, momentet e vështira, çastet e hutimit, të lodhjes janë harruar, por jam po ashtu i bindur që pikërisht sot që merrni medaljet, kur të ktheheni për shtëpi mundohuni t’i kujtoni sepse tanimë që ju e keni marrë rezultatin fantastik që keni synuar, nuk duhet harruar asnjëherë që ai rezultat është frut i një përpjekjeje të jashtëzakonshme.

Pse nuk duhet harruar? Nuk duhet harruar për ta çmuar jo rezultatin, por çdokënd rreth jush që ka qenë i rëndësishëm për të arritur këtë rezultat.

Nuk e kam të mundur të mos përsëris veten, duke thënë këtu diçka që ua kam thënë atyre përpara jush, atyre të tjerëve përpara tyre sepse kjo është pjesa më e bukur për mua dhe sipas meje, pjesa më prekëse e rezultatit tuaj, pjesa që ka të bëjë me familjet tuaja, të cilat janë nga të gjitha kategoritë dhe natyrisht pjesa më e madhe e familjeve tuaja nuk janë familje të pasura dhe madje nga sa ne kemi parë gjendjen sociale, pjesa më e madhe e familjeve tuaja janë familje prindërish që përpiqen shumë.

Më kujtohet përpara disa vitesh kur ne ndamë disa bursa për disa maturantë ekselentë që shkuan të studiojnë në Universitetin Teknik të Stambollit, ndoqëm një rrugë shumë të thjeshtë. E filluam nga i pari, që ishte në fakt e para, vajzë dhe me radhë derisa të plotësohej numri 10 që ishin bursat. Telefonuam, ishte Lindita atëherë, telefonoi babain e vajzës që ishte e para për t’i thënë që “Vajza juaj, nëse dëshiron mund të marrë këtë bursë dhe të shkojë të studiojë në Universitetin Teknik të Stambollit. Unë jam ministrja e Arsimit”. Zotëria nuk e besonte, mendonte që dikush po tallej në telefon dhe ndër të tjera, i thotë ministres: “Të lutem se unë nuk jam dikush që mund të përdorem për tu tallur, jam njeri që kam halle, kam disa fëmijë për të rritur dhe punoj nga mëngjesi deri në darkë në një kioskë 5 metra katrorë”. Pastaj, kur kuptoi që kjo nuk ishte tallje por ishte e vërtetë, filloi të qante sepse i dukej e pabesueshme.

Arsyeja pse e solla këtë shembull është sepse ajo vajza e cila dhe atje shkëlqeu i kishte të gjitha arsyet për të thënë “Nuk po shkoj sot në shkollë, nuk po mësoj sot, nuk kam pse përpiqem se jeta ime nuk mi jep mundësitë që disa të tjerë i kanë”. Pra, në atë situatë në familje, jo të lehtë, ku patjetër gjithçka është kursyer për mësimet e saj dhe të motrave dhe vëllezërve të saj, i kishte të gjitha justifikimet e pranueshme.

Edhe ju, shumë nga ju këtu me siguri keni pasur çdo ditë mundësi të gjeni justifikime; një prind pa punë, të ardhura të pamjaftueshme për këtë apo për atë, çdo ditë. Por ju nuk keni zgjedhur të justifikoheni. Madje, të justifikoheni me të drejtë. Ju keni zgjedhur t’ia dilni dhe për këtë arsye meritoni të gjithë respektin dhe për këtë arsye unë edhe sot e përsëris të njëjtën gjë.

Dua ta mbyll këtë përsëritje duke iu thënë që besojeni ose jo, por ju që jeni këtu dhe ata si ju janë një nga arsyet më të mëdha, më të rëndësishme, më të paharrueshme për mua që të vazhdoj të merrem me këtë punë dhe të bëj të gjithë përpjekjet që unë mundem që gjërat të shkojnë sa më mirë sepse ju e keni provuar në atë korsinë tuaj dhe atë betejën tuaj të përditshme, se sa shpesh gjendesh përpara dilemës nëse duhet të vazhdosh të luftosh, se sa shpesh rrethanat të vënë përpara situatash, përpara ngjarjesh, përpara momentesh kur thua: “Nuk ia vlen”, dhe se çfarë force duhet ta kapërcesh atë rrethanë, ta lësh mbrapa atë ngjarje, ta kalosh atë moment dhe të ri motivosh veten. Për të ri motivuar veten dhe për ta gjetur atë forcë, të duhen shembuj, të duhen shumë arsye të cilat të jenë më të forta sesa ato arsye jo të vogla që të shtyjnë deri në pikën që të thuash, “Për çfarë duhet bërë gjithë kjo luftë, për çfarë duhet bërë gjithë kjo përpjekje”, kur shikon që ndodh kjo apo ndodh ajo apo gjendesh përpara kësaj gjëje apo asaj gjëje.

Unë kam një imazh në kokë. Në një fshat shumë të humbur në veri të Shqipërisë, në një shtëpi, ishin tre vajza, që mësonin në një dhomë me çadër, sepse pikonte tavani. Është një familje reale, vajzat janë reale dhe ishin në 9-vjeçare në atë kohë kur i kam takuar, të gjitha 10-ta, që të treja dhe më e madhja fliste një anglishte perfekte. Në atë mjedis, asgjë, zero, nuk të jepte arsye të mendoje që mund të kishte tre fëmijë me të gjitha 10-ta. Babai kishte një karrocë që e merrte çdo mëngjes dhe dilte në fshatrat rreth e rrotull për të bërë ato shërbime që mundej.

Kur unë kujtoj atë skenë, ndjehem shumë më i frymëzuar dhe shumë më i motivuar sesa kur mendime jo të mira të çojnë në drejtimin tjetër për të thënë varja.

Për të ardhur tek fjala e papërsëritur, më vjen shumë që sot ne kemi mundësi t’iu themi që ju po hyni në një rrugë ku do të gjeni më shumë sesa kanë gjetur ata si ju që ne i kemi takuar këtu dhe i kemi nderuar këtu disa vite më parë.

Së pari, ne kemi vendosur që ta ndryshojmë komplet sistemin e mbështetjes së ekselentëve, dhe këtu nuk flasim për atë pjesën që i quajmë ekselentë nga 9-ta tek 10-ta. I kemi quajtur ekselentë për lehtësi komunikimi por nëse ata me 9-ta janë ekselentë, ju i bie të jeni UFO. Këtu unë po flas për UFO-t.

Ju e dini që ka pasur një program prej vitesh që qeveria shqiptare, programi i vjetër i hershëm, i bërë me qëllim të mirë në fakt, nuk diskutohet, e kemi vazhduar dhe ne po me atë qëllim të mirë, të jepte fonde për të financuar studimet e studentëve shqiptarë në  një listë universitetesh më të mira të botës dhe kemi financuar 20, mesatarisht, studentë në vit. Mirëpo, as edhe njëri nuk ka pasur mirësinë që, në njëfarë mënyrë, t’ia kthejë këtij vendi investimin.

Unë e kuptoj shumë mirë, nuk diskutohet, që të studiosh në ato universitete që janë ndër më të mirat e botës, do të thotë që të hysh me garancinë që kur del, po arrite të dalësh deri në fund sepse janë shumë selektive, direkt do të të vijnë të të kërkojnë kompani dhe studio prestigjioze avokatie dhe sisteme të tjera duke të ofruar punë, se kështu është kur je në majë.

Por, të firmosësh një marrëveshje me shtetin tënd për t’i marrë para nga taksat një numri të madh prindërish dhe të thuash “Unë do shkoj të studioj dhe pastaj do kthehem këtu” dhe jo vetëm të mos kthehesh por as të mos kujtohesh të bësh një letër dhe të vihesh në dispozicion, në një mënyrë ose në një tjetër, duke thënë “E kam të pamundur të kthehem sepse më erdhi Steve Jobs dhe më mori në punë por jam në dispozicion”. Kjo është shumë, shumë e tepërt dhe boll.

Kështu që, ne nuk do financojmë më studime jashtë por do financojmë UFO-t këtu, pra, ata si ju apo të tjerë, kuptohet më të gjitha ato kritere dhe do bëjmë një financim të konsiderueshëm duke mos dhënë një bursë por një pagë, një pagë minimale natyrisht, por një pagë, për çdo student që është i këtij niveli.

Sigurisht që, tek mjekësia, tek ato që janë degët prioritare do të fokusohemi dhe nga 20 në vit, me këtë sistem që kemi zgjedhur ne do të financojmë mes 200 dhe 400, në varësi se nuk i parashikojmë ne, në varësi nga numri që kemi dhe duke parë dhe mesataren sesi ka qenë, midis 200 dhe 400 ne do japim një pagë për çdonjërin por ama askush që do hyjë në këtë sistem nuk do ta marrë diplomën përpara 3 vjetësh. Që do të thotë, je mjek, do të financojmë, do punosh 3 vjet mjek, patjetër, këtu dhe pastaj do marrësh diplomën me të gjitha nderimet e nevojshme dhe je i lirë të rrish këtu apo të shkosh jashtë, pa problem.

Jo vetëm kaq, por ne po punojmë që sistemi të funksionojë kështu për lëndët prioritare edhe për të tjerët sepse nuk mundemi të vazhdojmë kështu. Aq më tepër që është e padiskutueshme që 3 vjet eksperiencë në vendin tënd, edhe në kushtet e vështira të vendit tënd, në rast se të qëllon që të punosh në kushte të vështira se ka gjithmonë e më shumë kushte të mira për të punuar në një pjesë gjithmonë e më të madhe të sistemeve, e bëjnë më të fortë kandidaturën tënd nëse shkon jashtë, në vend se të ikësh direkt sa ke mbaruar shkollën për të kërkuar atje të punosh në profesion.

Tjetra që është e rëndësishme, mendoj unë, është që universiteti po ndryshon dhe më vjen shumë mirë që numri juaj që kanë vendosur të studiojnë këtu, këtë vit është më i madh sesa në të shkuarën, 87% e ekselentëve kanë vendosur të studiojnë në Shqipëri dhe të jeni të bindur që nuk keni bërë gabim. Jo se universitetet tona ofrojnë të njëjtën cilësi të universiteteve cilësore në vende të ndryshme të Europës por sepse po të shikoni situatën edhe në vende të ndryshme të Europës, sot me këto kushte krize dhe problematikash shumë të rënda, jo të gjitha universitete, gjithmonë e më pak universitete e ofrojnë atë gjënë që duket nga larg.

Janë shumë masive, janë shumë të ngarkuara, e kështu me radhë.

Thënë kjo, keni bërë shumë mirë sepse Universiteti po ndryshon dhe jo sepse dua unë që të jetë kështu, por sepse janë disa fakte që fillojnë dhe e tregojnë ndryshimin dhe një nga faktet është rritja shumë e konsiderueshme e marrëveshjeve me universitete të tjera për programe të përbashkëta të shkallëve të ndryshme, për shkëmbime cilësore dhe 41 marrëveshje që janë në proces janë me universitete prestigjioze.

Universitetet prestigjioze nuk bëjnë marrëveshje programesh të përbashkëta për të arritur deri tek diploma e përbashkët në rast se dallimi është i madh. Tjetra është që po të shikoni aksesin e universiteteve shqiptare me shtysën që ne po përpiqemi t’i bëjmë, por edhe me angazhimin e tyre në fondet europiane, është një rritje tjetër e konsiderueshme dhe ajo që është më domethënësja nuk është thjesht, po marr universitetin e Tiranës, megjithëse janë dhe universitete të tjera, universiteti i Mjekësisë është star në këtë pjesë, po marr universitetin e Tiranës. Nuk është e rëndësishme që nga 45 pedagogë në 800 që arrinin të kishin akses në fondet europiane kemi sot 400. Vetëm në 2 vitet e fundit është bërë kjo rritje.

E rëndësishme është që, jo vetëm kanë hyrë në programe financimi për projekte të përbashkëta me të tjerë, por në disa të tjerë, lider është universiteti i Tiranës. Pra, një, dy, tre universitete të BE-së me universitetin e Tiranës marrin një financim dhe lider është universiteti i Tiranës, që do të thotë që ndryshimi po ndodh. Natyrisht, jo aty ku duam të jemi, se po të ishim aty ku duam të jemi nuk do isha unë këtu, por hap pas hapi po ndodh.

Tjetra gjë që është prapë një gjë e re, që ata 3-4-5 vjet përpara nuk do ta gjenin dhe nuk e kanë gjetur rrugës, që sot kanë përfunduar studimet, anglishtja. Kemi gjithmonë e më shumë programe në anglisht, në Tiranë, në universitetin e Tiranës. Në mos gabohem 22 programe në anglisht. Nuk kishim asnjë deri pak kohë më parë, por u bënë përgatitjet, u dhanë prova që kjo mund të funksiononte dhe sot kemi 22.

Tjetra që përsëri ata që ishin më përpara, dhe që kanë qenë këtu, nuk e kanë dëgjuar sepse nuk ishte, është programi i sportit dhe kodimit, për të gjithë atë pjesë që merret me teknologji, bio-teknologji e me radhë që mund të jetë një drejtim plotësues, komplementar, shumë i rëndësishëm për nesër, por edhe për sot. Pse për sot? Sepse nëse futesh në një program kodimi dhe nëse arrin ta kalosh atë program kodimi, që është program intensiv 6 muaj, 8 muaj apo pak më pak, me certifikim ndërkombëtar, atëherë ti ke mundësi të fillosh punë, duke bërë njëkohësisht dhe universitetin,  por të fillosh punë nga kompjuteri, jo të shkosh diku në punë, por të fillosh punë nga kompjuteri dhe të punësohesh në çdo pikë të globit që mund të gjesh punë.

Edhe kjo nuk është një dëshirë pse kështu duhet të ndodhë, por programi ka ardhur si rezultat i faktit që kjo lëvizje ka filluar dhe unë e solla dje si shembull me një grup maturantësh në Gjirokastër, po e sjell dhe këtu; një vajzë kur po flisja me disa gjimnazistë në Durrës për këtë, që e dinin që në qoftë se pajiseni me gjuhën e huaj të teknologjisë, ju mund të gjeni punë në çdo vend të botës pa lëvizur nga shtëpia  dhe mund të merrni paga që janë dyfishi, trefishi, katërfishi, pesëfishi i pagave që marrin mësuesit tuaj, -filluan të qeshin, menduan që “Na la dhe ky”, më shpëtoi një vajzë që ishte aty, – nga gjithë ai ilaritet gjysmë i fshehtë, – se ajo u çua dhe tha “Pse qeshni? Unë jam një nga ato”. Ishte në fillim të gjimnazit. “Kam që 11 vjeç që punoj dhe aktualisht punoj në Amerikë, në Poloni po as kam qenë ndonjëherë në Amerikë, as kam qenë ndonjëherë në Poloni dhe shtëpinë e kam në Shën Vlash të Durrësit dhe e vetmja rrugë që bëj është rruga nga shtëpia në shkollë, nuk bëj ndonjë rrugë për të shkuar në ndonjë vend pune, por punën e kam tek kompjuteri. Unë jam personi në familje që sjell të ardhurat kryesore”. 11 vjeçe kishte filluar këtë punë.

Kështu që, kjo është bota ku jetojmë sot dhe për këtë arsye ne kemi vënë në dispozicion edhe financim edhe një plan që do shkojë duke u zhvilluar vit pas viti dhe ju fatmirësisht jeni në hapin e parë kështu që, në harkun e viteve që keni përpara, programi do të zhvillohet. Sigurisht nuk është një program brenda universitetit, por është pjesë e mundësive që janë mundësi të reja këtu. Dhe nuk po e zgjas shumë për sportin edhe pse mendoj që është një pjesë e rëndësishme. E fundit fare është, fakti që gjithmonë e më shumë ne jemi te sfiduar nga një realitet paralel. Realiteti paralel i ekranit të telefonit, realiteti paralel i ekranit të kompjuterit, realiteti paralel i ekranit te televizorit, ku gjithmonë e më shumë ka një shkëputje mes çfarë është e vërtetë dhe çfarë është gënjeshtër, çfarë është fakt dhe çfarë është fabrikim. E sjell këtë në vëmendje këtu sepse gjithmonë e më shumë jemi, dhe jeni ju më shumë se të tjerët se jeni dhe më të rinj dhe jeni dhe më të përfshirë në atë botë, objekt i një procesi deformimi sistematik të raporteve me realitetin. Që nga raportet me të tjerët tek raportet me vendin, tek raportet me botën.

Sot ju mund të shikoni dhe nuk mund t’i shmangemi këtij realiteti tipikisht këtë që po them. Ju jeni njerëz seriozë, madje jeni shumë seriozë sepse e keni marrë shumë seriozisht punën tuaj, keni mbaruar të mesmen dhe jeni në rrugën e universitetit. Po të shikoni ato ekranet, universiteti nuk bën mësim. Në universitet ka një tenxhere të madhe që vlon, pedagoget janë në bojkot, studentët s’marrin mësim. Po të shkoni nëpër universitete është ndryshe.

Ka disa pedagogë që janë në drejtim të paditur dhe ka një pjesë tjetër që është pjesa më e madhe që vazhdojnë bëjnë mësim normalisht.

Mirëpo ajo që po ndodh është që ky realiteti paralel po bëhet gjithmonë e më i uniformalizuar, nuk është se ka dhe kështu ka dhe ashtu, por gjithmonë e më shumë po bëhet një. Dhe gjithmonë e më shumë po triumfon dëshira, instikti dhe qasja për të marrë vëmendje, me çdo çmim, me çdo kusht. Dihet që vëmendja e njeriut merret më shpejtë nga e keqja sesa nga e mira. Nëse të jepet mundësia të shikosh televizor me telekomandë nuk e ndalon në një stacion ku dikush po luan sonatën e hënës, por menjëherë ndalon në një stacion ku dikush po thyen piano. Bëni çmos që të imunizoheni nga ky realiteti paralel në të gjitha aspektet dhe bëni çmos që të vazhdoni të bëni këtë që keni bërë deri tani. Gjërat nuk do shkojnë duke u bërë më të lehta, do shkojnë duke u bërë më të vështira. Por mos harroni kurrë një gjë. Nëse ju shihni një ëndërr me sy hapur, – ato me sy mbyllur janë të rrezikshme, me sy hapur, – çfarëdolloj ëndrre që të shihni duhet të dini që përderisa e shihni ju mund ta realizoni. Edhe sikur të shikoni sikur unë mund të shkoj në hënë. Nëse e sheh me sy hapur, mund ta realizosh. Por ki parasysh, nëse vendos të shkosh në Durrës në këmbë është një gjë, nëse vendos të shkosh në hënë është një gjë tjetër. Për të shkruar në Durrës në këmbë duhet një sforco, duhet një vullnet dhe një durim i caktuar, por për të shkuar në hënë duhet një sforco, një vullnet dhe një durim i jashtëzakonshëm. Që të arrish të shkosh atje ku bëhen nisjet për në hënë, që të bësh shkollën atje, që të bësh gjithë rrugën deri atje që pastaj të jesh ti që përzgjidhesh, që pastaj te hipësh ne anijen kozmike.

Previous Ngrihet Komiteti për Planifikimin Kombëtar Spitalor, Manastirliu: Plani kombëtar, gur themeli për zhvillimin e spitaleve