"Mësuesi i Vitit 2022", respekt dhe mirënjohje për mësuesit me kontribut të spikatur në edukimin e brezave - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

“Mësuesi i Vitit 2022”, respekt dhe mirënjohje për mësuesit me kontribut të spikatur në edukimin e brezave

“Mësuesi i Vitit 2022” është mbrëmja e mirënjohjes dedikuar mësuesve më të spikatur të vitit, punonjësve të shërbimit psiko-social dhe oficerëve të sigurisë në shkolla, të cilët japin çdo ditë kontributin e tyre të vyer në shërbim të fëmijëve e të të rinjve, duke bërë të mundur përmirësimin e përvitshëm të cilësisë së arsimit në Shqipëri.

Për mësuesit e pranishëm u shpërndanë certifikata mirënjohjeje me motivacionin “Mirënjohje për kontributin e dhënë në edukimin e brezave, formimin e qytetarëve të denjë dhe lartësimin e figurës së mësuesit.”, të cilat iu dorëzuan atyre nga Kryeministri Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi.

* * *

Mirëmbrëma të gjithëve!

Është sinqerisht një kënaqësi e veçantë që sot këtu sëbashku me ministren dhe disa pjesëtarë të ekipit të Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit të nderojmë disa prej mësuesve dhe mësueseve që me punën e tyre, me përkushtimin e tyre, me rezultatet e tyre janë një shembull frymëzues për të gjithë.

Nga ana tjetër dua të përfitoj nga rasti që të nënvizoj se sot ne kemi të gjitha arsyet që të ndihemi më mirë sesa deri disa vite më parë për situatën e arsimit para universitar sepse sot masat dhe reformat e bëra kanë filluar të japin rezultatet e tyre dhe padyshim atmosfera e përgjithshme dhe hapësira në të cilën punojnë të gjithë arsimtarët është ndejshëm e përmirësuar. Sot nuk ka më diskutim për paprekshmërinë e figurës së mësuesit nga orekset e politikës, të partive, të klientelave sepse tanimë i gjithë procesi i rekrutimit të mësuesve është një proces i konsoliduar dhe dihet fare mirë që ripërtëritja natyrale e trupës së mësuesve, administrimi i të gjithë vakancave në vendet e punës për mësuesit kalojnë përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, i cili na ka dhënë provën e vazhdueshme të konkurrencës dhe të meritës, duke na lehtësuar plotësisht nga barra e ndjenjës së përgjegjësisë dhe të fajit për shkak të padrejtësive të vazhdueshme që ishin kthyer në sistem, si rezultat i pikërisht atij sistemi që ju e keni njohur nga afër, flas për ata që e kanë përjetuar këtë ndryshim sepse kanë qenë aty dhe përpara këtij ndryshimi dhe kanë jetuar me hallin se mos papritur gjenden në kushtet kur duhet të lënë vendin e punës, transferohen diku tjetër pa i pyetur askush apo të kalojnë në dispozicion apo ta humbin fare punën si rezultat i faktit që sistemi s’kishte asnjë logjike tjetër përveç logjikës së klientelës politike, të klientelës së korrupsionit, së klientelës së krijuar nga lidhjet edhe nepotike, farefisnore e kështu me radhë. Kur mendon që të gjitha këto sot kanë marrë fund dhe mund të ketë raste shumë sporadike që janë përjashtime që përforcojnë rregullin është vërtetë një arsye për të marrë frymë lirisht sepse nuk kanë qenë ndodhi të përditshme të një shekulli më parë, por deri disa viteve më parë.

Nga ana tjetër më vjen shumë mirë që tanimë duket sikur është një përrallë, por edhe kjo ka qenë pjesë e jetës së mësuesve deri disa vite më parë. Përfshirja e tyre me forcë në aktivitete të natyrës politike dhe elektorale, imponimi i vullnetit të lirë për të kontribuar me votë edhe familjarisht për një parti apo për një tjetër edhe jashtë dëshirës dhe pamundësia për tu ndjere të sigurt në rrugën e një karriere të merituar. Sot jo vetëm që nuk kemi më të tilla gjëra, por po bëjmë çmos edhe që brenda sistemit të ketë përsëri një mekanizëm vlerësimi i cili faktikisht u jep mësuesve atë që u takon dhe për të përmirësuar dhe atë që është dhe hallka më e dobët e sistemit, që është drejtimi i shkollave, se nëse sot kemi garanci që mësuesit janë më shumë se asnjëherë në vitet pas rënies së regjimit dhe nisjes së këtij rrugëtimi demokratik në dispozicion të profesionit, në dispozicion të nxënësve, në dispozicion të prindërve dhe të lirë nga zgjedhat e natyrave të ndryshme dhe kjo ka bërë që edhe niveli i mësimdhënies të rritet sepse mësimdhënia ka sot aktorë të çliruar nga këto streset e tepërta dhe tërësisht pa vend dhe pa asnjë të drejtë, drejtimi i shkollave është ende një sfidë e hapur.

Nuk kemi në nivelin drejtuese të shkollave ende të dhënat e nevojshme për të thënë që siç kemi arritur të garantojmë se sot në Shqipëri janë më të mirët që japin mësim ndër mësuesit, të njëjtën gjë ta themi dhe për drejtimin e shkollave, që janë më të mirët që drejtojnë. Kjo nuk është e vërtetë dhe për këtë arsye jemi shumë të investuar në këtë drejtim me Shkollën e Drejtorëve, me gjithë ato procese që ndiqen nga Ministria e Arsimit për të rritur përgjegjshmërinë dhe cilësinë në drejtim dhe sigurisht që në këtë aspekt kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme, por jo uniforme. Kemi shkolla që pikërisht pse drejtohen me përgjegjshmëri, drejtohen me kompetencë, drejtohen me sens lidershipi dhe administrimi të duhur prodhojnë edhe rezultate shumë më të mira dhe këto shkolla janë shembuj shumë inkurajues, por ato që ne po bëjmë së fundmi është që të rrisim më shumë stimulin për të hyrë në rrugën e mësuesisë. Juve ju kujtohet shumë mirë që deri para pak vitesh në rrugën e mësuesisë hynin ata që ishin në pamundësi për të marrë çdolloj dege tjetër, pra më të dobëtit përfundonin në rrugën e mësuesisë që “hajde të shkojmë apo hajde ta çojmë fëmijën të marrë një shkollë, të marrë një diplomë” dhe këta pastaj prezumohej që të ktheheshin në mësues. Ne qysh në fillim rritëm shkallën e kërkesës për ata që hyjnë në shkollën e mësuesisë ndërsa aktualisht që flasim shkollën e mësuesisë e kemi kthyer një ndër programet që janë prioritet kombëtar dhe studentët që do të ndjekin mësuesinë do të përfitojnë një bursë mujore që do të jetë në vlerën e pagës minimale.

Pra, që në momentin e hyrjes në shkollë deri në përfundim të shkollës së mësuesisë përveçse kriteri i një note mesatare të rëndësishme do të jetë në fuqi, do të marrin edhe pagën e përmuajshme deri në përfundim të shkollës sepse do të marrin përsipër, pas shkollës, diçka që është gjëja më e rëndësishme, gjëja më e shtrenjtë, që janë fëmijët.

Tjetra që sot dua ta them sepse duket sikur ka qenë aty gjithmonë, duket sikur nuk ka qenë ndonjëherë një problem, është ndryshimi rrënjësor i sistemit arsimor parauniversitar. Sot, me kurrikulën e bazuar në kompetenca nga njëra anë dhe nga ana tjetër, me tekstet e standardeve bashkëkohore që tanimë janë pjesë e vazhdimësisë normale të ciklit shkollor. Janë dy ndryshime që kanë lehtësuar mësuesit, kanë lehtësuar nxënësit, kanë lehtësuar prindërit, që kanë zëvendësuar atë xhunglën e tmerrshme të teksteve, me demek alternative, për të mos u kthyer tek të gjitha të këqijat e asaj historie dhe që e kanë lehtësuar, e kanë çliruar, e kanë zhdërvjelltësuar të gjithë procesin mësimor.

Kjo duket qartë dhe nga përshtypjet e mësuesve vetë, të cilët ndryshojnë sot si dita me natën, me përshtypjet që mësuesit kishin në atë kohë sepse kur ne i hymë asaj reforme dhe në ministri ishte Lindita Nikolla kemi bërë një konsultë shumë të gjerë me mësuesit, kemi marrë opinionet e tyre dhe jam i bindur që ata që këtu i përkasin edhe asaj kohe sepse shoh që ka dhe disa që janë qartësisht më të rinj sesa ajo reformë tanimë, janë përfshirë në një konsultë të gjerë për tekstet, kurrikulat e kështu me radhë.

Ne jemi përpjekur që ta vlerësojmë figurën e mësuesit duke mos harruar për asnjë moment që pjesë e vlerësimit është dhe vlerësim financiar. Pavarësisht vështirësisë së madhe që kemi pasur, sidomos vitet e fundit për shkak të atyre situatave që ju i dini, tërmeti, pandemia, tanimë kjo situatë tërësisht e paimagjinueshme dhe e paparashikueshme e ndikimit të luftës në Ukrainë mbi energjinë, mbi çmimet përmes inflacionit të luftës, ne përsëri kemi vazhduar të rrisim pagat dhe siç rritëm këtë vit pagat për 31mijë mësues do t’i rrisim përsëri dhe jo vetëm për mësuesit, por edhe për punonjësit psiko-social dhe për oficerët e sigurisë sepse janë pjesë e të njëjtit front dhe ndërveprimi mes tyre shkon në të njëjtin drejtim për të njëjtat objektiva të përbashkëta.

Po ashtu, është rritur mbështetja për transportin e mësuesve dhe nxënësve që janë larg vendbanimit të tyre dhe aktualisht që flasim jemi në kushtet kur kemi arritur në 13 milionë dollarë ose 1 miliardë e 380 milionë për të mbështetur pikërisht lëvizjen e mësuesve dhe nxënësve dhe për ta lehtësuar atë duke rritur me 50% rimbursimin për nxënësit.

Rritja e numrit të mësuesve ndihmës ka vazhduar. Sot kemi aktualisht 1650 mësues ndihmës ndërkohë që e kemi nisur me 0 mësues ndihmës. Ju e dini shumë mirë që nuk ka pasur as edhe një mësues ndihmës, sot janë 1650.

Sot kemi 500 shkolla qendra komunitare nga asnjë në 2013 kur ne morëm detyrën dhe 66 të parat që hapën rrugën e transformimit të shkollave në shkolla qendra komunitare dhe brenda këtyre shkollave qendra komunitare janë ngritur rreth 2500 klube, jo klube qoftesh për ata që na ndjekin, se janë një pjesë e atyre që na ndjekin që kur dëgjojnë fjalën “klub”, ndonjëherë porosisin qofte, por klube artistike, vizatimi, teatri, informatike, mjedisi e kështu me radhë, ku marrin pjesë rreth 49mijë nxënës, diçka që nuk ndodhte më përpara ose që ishte shumë sporadike si rezultat i përpjekjeve të vetë mësuesve apo të vetë drejtuesve të shkollave, por pa asnjë sistem, pa asnjë mbështetje, pa asnjë inkurajim ndërkohë që tani përgatitemi që me janarin të hyjmë në një fazë tjetër duke shtrirë në shkolla programet e artit, programet e zejeve si dhe programin e sportit që tanimë ka marrë formë më parë sesa këto dy të parat që përmenda.

Kjo do të thotë që jo vetëm do të stimulojmë zgjerimin e këtyre klubeve, por duke kërkuar që të zgjerohen do të mbështeten financiarisht. Kemi një paketë të tërë financiare që do të mbështesë programin e arteve dhe zejeve dhe do tu japë mundësi fëmijëve dhe nxënësve që të kenë edhe më shumë orë të lira që i kalojnë bashkarisht, që i kalojnë larg celularëve, ipad-eve, kompjuterëve që janë shumë të rëndësishëm por nuk mund të jenë jeta vetë dhe ju e dini shumë mirë se çfarë problematike është kjo, e dini në shtëpi si prindër, e dini në shkollë si mësues.

Sot kemi rreth 700 skuadra volejbolli dhe basketbolli të fëmijëve përgjatë gjithë shkallëve dhe kjo na bën shumë optimistë për vijimin sepse me kalendarët sportivë, me kompeticionin që do të shtrihet gjatë gjithë vitit, me mbështetjen materiale që, siç e keni parë, kemi dhënë përmes Komitetit Olimpik Shqiptar financuar nga qeveria, jam i bindur që do të krijohet atmosferë krejt tjetër për palestrat, për jetën sportive, për edukimin fizik, por patjetër për vetë energjinë e komunitetit.

Të gjithë e pamë eventin që çeli këtë epokë të re të lëvizjes sportive në shkollë se çfarë impakti pati tek prindërit sidomos që nuk kanë reshtur së çuari mesazhe ministres, deputetët më kanë treguar plot mesazhe që kanë pasur nga prindërit dhe do të bëjmë çmos që ta thellojmë më tutje këtë proces.

Nuk po zgjatem më shumë. Ishte pak a shumë një kornizë ku u përpoqa të përmbledh gjërat që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë ose jo drejtpërdrejtë me secilin prej jush por që indirekt ndikojnë në rritjen e energjisë pozitive në mjediset e shkollës dhe kësisoj edhe në punën tuaj të përditshme.

(Kryeministri Rama i dorëzon certifikatën e mirënjohjes një prej punonjësve të sigurisë në shkolla)

 

Kryeministri Rama: Dua të shtoj diçka sepse më nxiti fjala e punonjësit të sigurisë. Besoj që ata që janë këtu, më me eksperiencë e mbajnë mend, ishte një fazë vërtet shqetësuese për trupat mësimore, për drejtoritë e shkollave, posaçërisht gjimnazeve dhe posaçërisht në pjesët më të populluara, sepse po bëhej thuajse e pamundur për të pasur një filtër mbrojtës mes nxënësve dhe individëve me profil problematik që i vinin shkollave vërdallë si hijena për natyrisht qëllime jo të mira. Në atë kohë kishte vazhdimisht edhe adresime prindërish të shqetësuar për ngacmime, për ofrime lëndësh narkotike dhe raste konkrete shqetësuese që arrinin deri edhe në media. Për hir të të vërtetës, praktika tregoi që punonjësit e sigurisë, kanë një rol shumë të dobishëm sepse nuk janë thjeshtë roje, por janë punonjës që vijnë nga shkolla e sigurisë, që vijnë nga një eksperiencë në strukturat e sigurisë dhe që e dinë fare mirë cili është roli i tyre, janë me sytë hapur dhe ndërveprojnë vazhdimisht me mësuesit, me drejtoritë. Rezultatet e këtij programi kanë qenë vërtet pozitive. Nuk mund të mohojë askush, as unë se problematikat mund të mos kenë ndonjë bisht këtu e atje, ndonjë rast sporadik, ndonjë episod, por absolutisht është një situatë shumë më e pastër, shumë më e qartë dhe shumë më pak problematike në aspektin e sigurisë së nxënësve.

Kështu që, të gjithë punonjësve të sigurisë, pavarësisht se me certefikatë apo pa certefikatë, unë dua t’ia u shpreh nga këtu mirënjohjen, respektin, falenderimin për punën që bëjnë sepse e marr me mend që nuk është aspak një punë e lehtë.

Shumë faleminderit dhe shumë respekte dhe nga ana ime. I bashkohem ministres sepse njësoj si punonjësit e sigurisë, por jo nga jashtë mureve të shkollës, por nga brenda mureve të shkollës, punonjësit psiko-socialë kanë një rol të jashtëzakonshëm, me një rëndësi të veçantë dhe faktikisht pavarësisht përmirësimeve të mëtejshme që sigurisht janë të nevojshme, rezultatet flasin. Flasin për drejtësinë e marrjes së vendimit për t’i futur punonjësit psiko-socialë në shkollë. Flasin për lehtësimin e situatave që ata mundësojnë dhe flasin për nevojën për të shtuar më tutje numrin e tyre dhe për të krijuar kushte që dhe nga pikëpamja e nivelit të shërbimit të tyre, ata të mund të rrisin nivelin duke pasur më shumë kujdes dhe më shumë mbështetje nga ana jonë.

Për këtë arsye ne kemi menduar bashkë me ministren që në fillim të vitit që vjen të organizojmë dhe disa sesione pune për të dëgjuar qoftë nga punonjësit e sigurisë, qoftë nga punonjësit psiko-socialë mbi eksperiencën e tyre, mbi nevojat e tyre dhe sugjerimet që ata kanë në raport me sferën e aktivitetit të tyre e natyrisht kjo e harmonizuar me drejtuesit e shkollave dhe me mësuesit për të kuptuar sesi të tre këta elementë, pra ata që janë në mësim, ata që merren me sigurinë dhe ata që merren me trajtimin psiko-social të nxënësve të mund të hyjnë në një ndërveprim më produktiv dhe kështu mjedisi i shkollës të bëhet gjithmonë e më shumë një mjedis siç e meritojnë fëmijët dhe siç e dëshirojnë prindërit.

 

(Kryeministri Rama i dorëzon certifikatën e mirënjohjes një prej mësuesve të pranishëm)

 

Kryeministri Rama: Personalisht, ministres i kam thënë vazhdimisht që zonjat që përfundojnë karrierën e mësuesve, mos i lini të ikin nëpër shtëpi, por bëjini drejtore. Shikojeni këtë mundësi që të përfitoni nga eksperienca e shumë viteve si mësuese, nga fuqia dhe aftësia që kanë gratë si nëna edhe si gjyshe dhe nga fakti që duke mos pasur më asnjë lloj interesi, nuk i kanë borxh askujt dhe mund ta drejtojnë shkollën shumë më mirë sesa sidomos disa drejtorë burra që s’po e zgjas më shumë.

 

(Kryeministri Rama i dorëzon certifikatën e mirënjohjes një prej mësueseve të pranishëm)

 

Kryeministri Rama: Dhe në mbyllje duke qenë se u thanë disa fjalë të mira këtu për qeverinë, unë shpresoj që zyshës mos fillojnë t’i bëjnë mesazhe hakërryese, se do dalësh patronazhiste me këto fjalë që the për ne, po faleminderit. Unë dua të bëj timen, që të mos harrohet, se në fakt transformimi në arsim nuk ka emrin tim, as të qeverisë në tërësi, por transformimi në arsim ka emrin e Lindita Nikollës dhe Evis Kushit.

Dëshiroj që të kujtoj këtu që është bërë një reformë tërësore, me masa në të gjitha drejtimet dhe ajo që mësuesja përmendi është një nga pjesët e reformës  dhe natyrsisht që mbetet shumë për të bërë akoma, por pa diskutim në arsimin parauniversitar janë vendosur të gjitha piketat.

Tani duhet synuar rritja e cilësisë në të gjitha drejtimet, por ama nuk jemi as në rrugë pa rrugë, as në rrugë pa krye, as në rrugë të shtrembër,  por jemi në rrugën e drejtë dhe i takon ministres, i takon skuadrës që drejton në ministri, i takon drejtorive arsimore, zyrave arsimore, drejtuesve të shkollave dhe patjetër mësuesve se ata janë graviteti i kësaj pune që të jenë përditë kërkues që sistemi të bëjë më shumë, që çdo ditë mësimi të sjellë më shumë për nxënësit, më shumë për komunitetin.

Unë jam i bindur që kështu po ndodh dhe kështu do të ndodhë edhe pse me arsimin koha nuk është asnjëherë bujare sepse  rezultatet në reformën në arsim dhe rezultatet e punës që bëhen në arsim, kërkojnë shumë kohë për t’u parë dhe për t’u prekur sepse është njësoj si të kultivosh një farë deri sa të kthehet në një pemë që prodhon pastaj të gjithë frutat e dëshiruar.

Shumë repsekt për të gjithë ju!

Shumë faleminderit dhe ekipit të Ministrisë së Arsimit, shumë faleminderit për këtë vit edhe gjithë përfaqësuesve të komisionit parlamentar që janë këtu të pranishëm dhe kanë bërë punën e tyre për të mbështetur nismat e ndërmarra nga ministrja, përmes qeverisë.

Previous Hapen themelet e Teatrit të ri Kombëtar