MFE-AMF, Strategji 5 vjeçare përzhvillimin dhe mirëfunksionimin e tregjeve të kapitalit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

MFE-AMF, Strategji 5 vjeçare përzhvillimin dhe mirëfunksionimin e tregjeve të kapitalit

Zhvillimi i tregjeve të kapitalit përbën një element kyç në forcimin e ekonomisë së vendit dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.

Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në fjalën e saj në Kuvend, ku u prezantua raporti i aktivitetit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2021.

Ministrja Ibrahimaj vlerësoi punën e bërë vitin e kaluar nga AMF në funksion të krijimit të kushteve për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në vendin tonë, duke vënë theksin në disa aspekte, si: plotësimin e kuadrit rregullator në tregjet e kapitalit; detyrimin për përshtatshmërinë me kërkesat e ligjit të ri për tregjet e kapitalit; mundësitë e reja të krijuara përmes hapësirave ligjore të ligjit të ri për tregjet e kapitalit; si dhe rolin proaktiv në zhvillimin e tregjeve të kapitalit.

Ministrja informoi se në bashkëpunim me AMF, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hartuar Strategjinë 5 vjeçare për zhvillimin dhe mirëfunksionimin e tregjeve të kapitalit.

Përmes kësaj Strategjie, theksoi Ibrahimaj, synohet të arrihen përmirësime të treguesve të tregut të kapitaleve, si:

Rritjen e kapitalizimit të tregut, përmes emetimeve të obligacioneve;

Rritjen e likuiditeti, përmes zhvillimit të tregut sekondar të titujve të qeverisë;

Hedhjen e bazave për zhvillimin e tregut të obligacioneve korporatave;

Rritjen e angazhimit të sektorit privat në emetimin e obligacioneve korporatave;

Edukimin e konsumatorëve drejt formave të reja të kursimit, me fokus tregun e kapitaleve.

“Zhvillimi në nivel kombëtar i një strategjie me angazhimin e institucioneve me rol kyç si Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare apo Banka e Shqipërisë̈ është një hap i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të tregut të kapitaleve. Duhet theksuar që suksesi i implementimit të kësaj strategjie është i lidhur ngushtë edhe me bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e aktorëve të tregut, të cilët janë partnerë në vitalizimin dhe reformimin e tregjeve të kapitalit në vend”, tha Ibrahimaj.

Sipas Ministres, objektivi i përgjithshëm i strategjisë është promovimi i tregjeve eficiente të kapitalit nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të këtyre tregjeve dhe mbikëqyrjes efektive të tyre.

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

Funksionimi i duhur i tregjeve të kapitalit është kyç në forcimin e ekonomisë dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Një treg i zhvilluar ofron më shumë mundësi investimi si dhe alternativa të reja financimi. Përmes kanalizimit të kursimeve drejt sektorëve produktivë dhe novativë këto tregje nxisin zhvillimin e biznesit dhe rrjedhimisht shoqërohen me përfitime që shtrihen në të gjithë ekonominë.

Një treg i zhvilluar kapitalesh si segment i sistemit financiar ndihmon në diversifikimin e burimeve të financimit, por edhe në zbutjen e ekspozimit të tij ndaj riskut sistemik, duke qenë se risku nuk përqendrohet më i tëri tek sistemi bankar.

Në këtë kuptim, zhvillimi i këtij tregu, krahas sistemit bankar, është një vlerë e shtuar për transformimin dhe qëndrueshmërinë e ekosistemit financiar shqiptar, prandaj tregjet e kapitalit duhen konsideruar si plotësues të sistemit bankar dhe jo zëvendësues të tij, duke qenë se së bashku ata përbëjnë një model optimal të financimit të ekonomisë.

Viti 2021 ka qenë një vit intensiv pune për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare në drejtim të krijimit të kushteve të mëtejshme, që përbëjnë bazën për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në vend dhe që nxisin pjesëmarrjen në këto tregje. Në këtë aspekt viti 2021 u karakterizua nga një sërë hapash konkretë veprimi dhe mundësish për subjektet e tregjeve të kapitalit, që renditen si vijon:

Plotësimi i kuadrit rregullator në tregjet e kapitalit;

Detyrimi për përshtatshmërinë me kërkesat e ligjit të ri për tregjet e kapitalit;

Mundësi të reja të krijuara përmes hapësirave ligjore të ligjit të ri për tregjet e kapitalit;

Roli proaktiv në zhvillimin e tregjeve të kapitalit

Në funksion të vizionit për zhvillimin dhe mirë-funksionimin e tregjeve të kapitaleve është hartuar Dokumenti Strategjik, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Autoritetit dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, i cili synon që brenda një periudhe pesë-vjeçare të ketë një përmirësim të treguesve të mëposhtëm të tregut të kapitaleve:

Rritje e kapitalizimit të tregut. Synohet që tregu i aksioneve të japë një kontribut modest në PBB. Edhe tregu i borxhit pritet të kontribuojë në rritjen e kapitalizimit si rezultat i emetimeve të obligacioneve.

Rritje e likuiditetit. Me implementimin e sistemit Primary Dealer pritet një rritje e likuiditetit në tregun sekondar të titujve të Qeverisë. Edhe një rritje e likuditetit në tregun e aksioneve/obligacioneve të emetuara nëpërmjet rritjes së volumit të tregëtimit synohet të arrihet gjatë një periudhe 5-vjeçare.

Një treg më të zhvilluar të titujve të Qeverisë që hedh bazat për zhvillimin e tregut të obligacioneve korporative.

Ndryshim i mentalitetit në financimin e kompanive shqiptare në favor të financimit jo-bankar nëpërmjet rritjes së volumit të emetimit të obligacioneve korporative.

Ndryshim në strukturën e investimeve të ekonomive familjare duke i orientuar kursimet e tyre nga depozitimet në bankë, drejt kalimit të këtyre kursimeve në favor të tregut të kapitaleve.

Zhvillimi në nivel kombëtar i një strategjie me angazhimin e institucioneve me rol kyç si Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare apo Banka e Shqipërisë është një hap i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të tregut të kapitaleve. Duhet theksuar që suksesi i implementimit të kësaj strategjie është i lidhur ngushtë edhe me bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e aktorëve të tregut, të cilët janë partnerë në vitalizimin dhe reformimin e tregjeve të kapitalit në vend.

Në lidhje me masat e parashikuara në aneksin e plan veprimit të Strategjisë janë parashikuar;

  1. “Mundësi për krijimin e lehtësirave fiskale për mëtuesin e titujve me ofertë publike
    2. “Lehtësira fiskale për nxitjen e investitorit në investimin e e instrumenteve financiare”

Me qëllim zhvillimin e këtij tregu lind domosdoshmëria e adresimit të disa çështjeve si:

  •  Rritja e besimit së investitorit vendas në tregjet e kapitalit;
  •  Përmirësimi i transparencës dhe qeverisjes korporative të kompanive shqiptare;
  •  Nxitja e investitorëve të huaj për investim në tregun e kapitalit vendas;
  •  Krijimi i lehtësirave fiskale për të nxitur përdorimin e fondeve në këto tregje;
  •  Krijimi dhe forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit;
  •  Krijimi i produkteve të larmishme dhe tërheqëse për investim;
  • Sigurimi i edukimit financiar për investitorët dhe emetuesit.

Objektivi i Përgjithshëm i kësaj strategjie është promovimi i tregjeve eficiente të kapitalit nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të këtyre tregjeve dhe mbikëqyrjes efektive të tyre.

Aktualisht Qeveria luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e tregut të kapitaleve si emetuesi i vetem i Bonove dhe Obligacioneve shtetërore. Ndërkohë Tregu i Kapitaleve karakterizohet nga një mungesë aktuale e emetuesve potencialë të aksioneve apo obligacioneve jo-qeveritare dhe gatishmëria e kompanive shqiptare për të emetuar tituj borxhi në treg është ende e ulët. Një nga sfidat më të mëdha është ndërgjegjësimi i emetuesve për këto alternative të tjera të financimit.

Për nxitjen dhe zhvillimin e tregut të kapitaleve shihet e arsyeshme që të realizohet emetimi i obligacioneve me ofertë publike nga ana e disa kompanive shtetërore, të cilat realisht janë shumë mirë nga pikëpamja financiare dhe plotësojnë edhe kriteret cilësore apo sasiore për tu listuar. Pra, disa operatorë ekonomikë shtetërorë do të ishin kandidatë potencialë shumë të mirë për listim në Bursë, pasi janë operatorë që kanë kredi në banka tregtare dhe kanë nevojë për financim përmes borxhit. Kjo është një mundësi e mirë për këto kompani të shfrytëzojnë tregun e kapitaleve dhe ndërkohë shteti mund të japë shembullin e parë në mënyrë që më pas të vijojnë edhe kompanitë private të listohen.

Ligjet e reja për tregjet e kapitalit dhe sipërmarrjet e investimeve kolektive, të cilat harmonizojnë legjislacionin tonë me atë të Bashkimit Evropian, kanë përmirësuar ndjeshëm kuadrin e nevojshëm ligjor, standardet e mbikëqyrjes dhe kërkesat për transparencë e mirëqeverisje, të cilat synojnë rritjen e besimit në mekanizmat e tregut, si element thelbësor të nxitjes së pjesëmarrjes së investitorëve në këtë treg.

Në linjë me rregullimet evropiane, aktet e reja ligjore kanë sjellë shumëllojshmëri në ofrimin e shërbimeve të investimit, mundësi të zgjeruar ndërlidhjeje me tregjet globale, si edhe ofrimin e një game të gjerë të instrumenteve financiare.

Si përfundim dua t’i bashkohem rezolutës së parlamentit veçanërisht në drejtim të punës së bërë nga AMF në drejtim të Implementimit të ligjeve të reja të tregut të kapitalit dhe Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive nëpërmjet plotësimit dhe përafrimit të një pjese të konsiderueshme të kuadrit ligjor dhe rregullator të tregjeve nën mbikëqyrje, nëpërmjet të cilave janë shtuar mundësitë dhe janë diversifikuar hapësirat për investitorët për të investuar në produkte të reja dhe për kompanitë për të përthithur fonde alternative duke plotësuar një rekomandim të ngritur që në vitin 2013 nga Fondi Monetar Ndërkombëtar i cili kërkonte që tregu i kapitalit të ishte një alternativë konkuruese ndaj tregut bankar.

Previous Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 9 Qershor 2022

Leave Your Comment