MFE do të ndërmarrë masa lehtësuese për eksportuesit, ngrirje të kësteve të tatim fitimit dhe përshpejtim i rimbursimit të TVSH - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

MFE do të ndërmarrë masa lehtësuese për eksportuesit, ngrirje të kësteve të tatim fitimit dhe përshpejtim i rimbursimit të TVSH

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi sot një komunikim me mediat, së bashku me përfaqësues të disa shoqatave të eksportuesve, ku bëri të ditura masat që do të ndërmarrë MFE për t’i ardhur në ndihmë bizneseve eksportuese në vend, të cilët janë prekur nga lëvizjet e kursit të këmbimit në vend gjatë muajve të fundit.

Ky komunikim u zhvillua pas një takimi që Ministrja Ibrahimaj zhvilloi sot me përfaqësues të shoqatave eksportuese dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave, me pjesëmarrjen edhe të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, si dhe dy takimeve të mëparshme që janë zhvilluar me bizneset eksportuese.

Një ndër sektorët që preket nga mbiçmimi i lekut kundrejt monedhave të tjera janë eksportuesit, përfshirë eksportuesit e shërbimeve dhe mallrave. Për shkak të faktit se të ardhurat e tyre vijnë në monedha Euro dhe USD, ndërkohë që shpenzimet janë në lekë, nënçmimi i monedhave të tjera ka ulur të ardhurat e tyre në lekë, ndërkohë që shpenzimet nuk kanë ndryshuar, përkundrazi mund të jenë rritur për shkak të inflacionit, rritjes së kostove të pagave dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me blerjet e brendshme.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe përfaqësuesit e saj kanë dëgjuar me shumë vëmendje argumentet dhe propozimet e paraqitura nga përfaqësitë e eksportuese dhe brenda një kohe shumë të shkurtër ka marrë të gjitha masat për të draftuar propozimet e saj brenda të gjitha hapësirave ligjore.

Ministrja Ibrahimaj informoi se dy janë masat konkrete që Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të marrë për t’i ardhur në ndihmë eksportuese:

1-Ngrirja dhe mospagimi nga eksportuesit i kësteve të tatimit mbi fitimin për periudhën e mbetur të vitit 2023.

2-Përshpejtimi i rimbursimit të TVSH-së.

Më konkretisht, sa i përket masës së parë, ndryshimet ligjore që do të propozohen do të përcaktojnë se: “Tatimpaguesit eksportues, të cilët në vitin 2022 kanë eksportuar 70% të vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet nuk do të paguajnë këstet e parapagimeve të periudhës vijuese tatimore për vitin 2023”.

“Ne kemi përgatitur një Akt Normativ i cili do të qarkullohet dhe miratohet shpejt nga qeveria, me qëllim që të gjithë këto kompani të mos paguajnë këste tatim fitimi duke krijuar kështu një mundësi të rritjes së likujditetit që kompanitë kanë në dispozicion”, tha Ibrahimaj.

Sa i përket masës së dytë, “Përshpejtimin e rimbursimit të TVSH-së”, Ministria e Ekonomisë dhe Financave ngarkon Drejtorinë e Përgjithshme e Tatimeve të marrë të gjitha masat organizative dhe mbikëqyrëse që “rimbursimi i subjekteve të parashikuara në aktet nënligjore si më sipër të bëhet brenda 3 ditëve kalendarike nga marrja e kërkesës për rimbursim të tatimpaguesit”.

“Ne do të marrim masa me qëllim që rimbursimi i TVSH që merret nga eksportuesit pranë Administratës Tatimore, që në bazë të vendimeve dhe udhëzimeve të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë duhet që të jepet brenda një afati 30 ditor nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursimit, do të jepet në një afat shumë më të shkurtër, brenda tre ditëve nga paraqitjes e kërkesës dhe dokumentacionit, gjithmonë për ato eksportues që eksportojnë mbi 70 % të prodhimit të tyre, të qarkullimit të tyre”, u shpreh Ministrja.

Në vijim, Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se këto janë dy masa afatshkurtra të cilat do të merren, ndërsa palët kanë rënë dakord edhe mbi ngritjen e një grupi të përbashkët pune midis MFE, BSH, Shoqatës së Bankave dhe shoqatave të eksportuesve, me qëllim analizimin më tej të situatës, kryerjen e parashikimeve të përbashkëta për ndikimin që një zhvlerësim i mëtejshëm i euros do të kishte në kompanitë eksportuese, si dhe diskutimin mbi marrjen e masave të mëtejshme që do të ndikojnë në afatgjatë.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e shoqatave të eksportueseve vlerësuan gatishmërinë dhe angazhimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të gjetur zgjidhje, ashtu si edhe dy masat konkrete që do të ndërmerren brenda një kohë shumë të shkurtër.

“Kjo është një ndër eksperiencat më të mira të bashkëpunimit që kemi pasur në këto vitet e fundit. Brenda më pak se 10 ditësh janë realizuar tre takime me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, të iniciuar nga MFE. Vlerësojmë shumë masat super emergjente që u morën nga MFE. Lehtësimi që bëri MFE është jashtëzakonisht i mirëpritur. Pozitive është që edhe BSH u dakordësua që bashku edhe me ndërmjetësimin e MFE ne të ulemi shumë shpejt në një takim teknik për të diskutuar për gjetjen e zgjidhjeve. Duke pasur parasysh reagimin e shpejtë të MFE dhe vazhdimësinë e saj për të negociuar dhe ndërmjetësuar zgjidhjen e problematikës, duam të jemi besimplotë që vijimi i takimeve në nivel teknik do të çojë në zgjidhje të këtij problemi makroekonomik”, u shpreh Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve.

Deklarata e Ministres Ibrahimaj:

Përshëndetje të gjithëve,

Ju falënderoj që keni ardhur sot këtu, në këtë komunikim publik. Ne sapo përmbyllëm mbledhjen e tretë të dialogut me shoqatat e eksportuesve, nisur nga shqetësimi që ato kanë pasur gjatë muajve të fundit për vlerësimin e monedhës vendase dhe zhvlerësimin e euros. Në këto takime ne kemi diskutuar gjerësisht për problematikën dhe për disa zgjidhje që do të ndikojnë në afatshkurtër dhe zgjidhje në afatgjatë.

Më konkretisht, në vijim të bisedave, ne si Ministri i Financave dhe Ekonomisë, kemi analizuar shqetësimin e zhvlerësimit të monedhës euro duke qenë se të gjithë eksportuesit tregtojnë në euro, pra të ardhurat e tyre i kanë në euro, ndërkohë që shpenzimet i kanë në monedhën vendase lek. Kjo do të thotë se gjatë muajve të fundit, por në fakt që nga fillimi i vitit të kaluar, duke qenë se euro ka ardhur në zhvlerësim nga muaji në muaj, të ardhurat e eksportuesve kanë ardhur në reduktim, ndërkohë që shpenzimet kanë mbetur konstante e ndonjëherë edhe mund të jenë rritur, për shkak të çmimeve, të inflacionit, të politikave të pagave dhe gjithë faktorëve të tjerë.

Ne kemi vendosur bashkërisht që Ministria e Financave dhe Ekonomisë, me qëllim dhënien e një zgjidhjeje afatshkurtër për rritjen e likuiditeteve të kompanive eksportuese, të ngurtësojë parapagimin e kësteve të tatim fitimit për të gjithë kompanitë eksportuese që eksportojnë më shumë se 70 % të qarkullimit dhe prodhimit të tyre.

Ne kemi përgatitur një Akt Normativ, i cili do të qarkullohet dhe miratohet shpejt nga qeveria, me qëllim që të gjithë këto kompani të mos paguajnë këste tatim fitimi duke krijuar kështu një mundësi të rritjes së likuiditetit që kompanitë kanë në dispozicion.

Nga ana tjetër, ne do të marrim masa me qëllim që rimbursimi i TVSH që merret nga eksportuesit pranë Administratës Tatimore, që në bazë të vendimeve dhe udhëzimeve të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë duhet që të jepet brenda një afati 30 ditor nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursimit, do të jepet në një afat shumë më të shkurtër, brenda tre ditëve nga paraqitjes e kërkesës dhe dokumentacionit, gjithmonë për ato eksportues që eksportojnë mbi 70 % të prodhimit të tyre, të qarkullimit të tyre.

Këto janë dy masa afatshkurtra të cilat do të merren shumë shpejt, në javët në vijim, ndërkohë që ne kemi vendosur bashkërisht krijimin e një grupi pune të përbashkët, midis MFE, BSH, Shoqatës së Bankave dhe shoqatave të eksportuesve, me qëllim analizimin më tej të situatës, kryerjen e parashikimeve të përbashkëta për ndikimin që një zhvlerësim i mëtejshëm i euros do të kishte në kompanitë eksportuese, dhe pse jo marrjen e masave të mëtejshme që do të ndikojnë në afatgjatë.

Disa masa të paraqitura nga Shoqata e Bankave lidhen gjithashtu me krijimin e mundësive për të pasur më shumë likuiditet, siç mund të jenë ristrukturimi i kredive, me qëllim që maturiteti i kredive të rritet dhe kostot e bizneseve të ulen, të paktën në afatshkurtër.

Ndërkohë, një tjetër instrument shumë i dobishëm do të ishte dhe lidhja e kontratave forward ndërmjet bizneseve dhe bankave për të pasur një lloj sigurie mbi ndryshimet e kursit të këmbimit në të ardhmen, për kontratat që do të lidhen në të ardhmen.

Këto dhe të tjera instrumente do të diskutohen në takimet teknike në vijim, ndërkohë që përfaqësuesit e institucioneve të MFE, BSH, Shoqatës së Bankave dhe shoqatave e eksportuesve do të takohen në bazë mujore, me qëllim analizimin e situatës dhe marrjen e masave të mëtejshme.

Këto janë vendimet që ne morëm në përmbyllje të takimit tonë të tretë me shoqatat eksportuese.

Faleminderit.

Previous Nënshkruhen kontratat mes specializantëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë, Manastirliu: Kushte pune bashkëkohore dhe paga më të larta, trajtim dinjitoz për mjekët e rinj