Ka nisur punimet në Tiranë Ministeriali BE-Ballkani Perëndimor për Punët e Brendshme dhe Drejtësinë. Në ditën e parë të ministerialit me fokus tek punët e brendshme dhe çështjet e sigurisë, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi tha se ky forum ka një rëndësi të veçantë për shkak të ndryshimit radikal të mjedisit të sigurisë globale duke iu referuar kështu agresionit rus në Ukrainë.
Çuçi shtoi gjithashtu se Ballkani Perëndimor ka dhënë dhe po vijon të japë kontributin e tij lidhur me sigurinë e vendeve të BE-së në mënyrë të veçantë në kontekstin e migracionit ilegal apo luftës kundër krimit të organizuar. Referuar konfliktit në Ukrainë, Çuçi theksoi se Shqipëria që nga momenti i parë i këtij konflikti ka qëndruar në krah të së drejtës duke dënuar këtë akt të rëndë.
“Lufta përveç mizorisë e brutalitetit, po sjell edhe pasoja të mëdha në stabilitetin dhe sigurinë e vendeve europiane dhe me gjerë. Prandaj politika e zgjerimit është thelbësore për të ardhmen e vendeve që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së si në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vendet tona po vijojnë bashkëpunimin në nivel rajonal duke përfshirë edhe fushën e sigurisë në kuadër të Open Balkan apo Procesit të Berlinit. Ky bashkëpunim tanimë ka rritur besimin reciprok duke përmirësuar ndjeshëm modus operandi tonë”, tha Çuçi.
Referuar Progres-Raportit të fundit të BE, Çuçi ka treguar që Shqipëria po bën përparim kundrejt forcimit të shtetin e së drejtës me reforma të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Lidhur me migracionin, Ministri i Brendshëm tha baza ligjore e Shqipërisë është kryesisht e linjëzuar me atë të BE-së.
“Shqipëria ka dhënë e po jep një kontribut të qenësishëm në përballimin e flukseve migratore që vijnë tranzit në vendin tonë nga Afrika dhe Lindja e Mesme, me destinacion final Bashkimin Europian. Në këtë pjesë dua të theksoj gjithashtu faktin, se bashkëpunimi ynë me FRONTEX është një histori suksesi ndonëse nuk jemi ende vend anëtar i BE”, tha Çuçi.
Krahas ministrit të Brendshëm çek, Vít Rakušan dhe Komisioneres së BE për Punët e Brendshme, Ylva Johansson, në ministerial marrin pjesë gjithashtu edhe ministrat e Brendshëm të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bonjë Hercegovinës, përfaqësues të lartë të EUROPOL, FRONTEX, Koordinatori Antiterrorizëm në BE si dhe përfaqësues të Suedisë dhe Spanjës.
Ministri Çuçi, deklaratë për mediat, pas punimeve të Ministerialit
Mirëmbrëma,
Faleminderit që jeni prezent sot në këtë konferencë për shtyp. Sot është një ditë e rëndësishme në Tiranë ku bëmë këtë forum, këtë ministerial të ministrave te Brendshëm të Ballkanit Perëndimor me BE.
Dua që në fillim të falënderoj shumë mikun tim, Ministrin e Brendshëm të Çekisë që ka dhe presidencën e vitit në BE, për këtë bashkëpunim të shkëlqyer në organizimin e këtij ministeriali kaq të rëndësishëm, si dhe mikeshën tonë tashmë Ilvën, për faktin që ka qenë një bashkëpunuese e jashtëzakonshme për të adresuar dhe përballuar gjithë sfidat që BE dhe Ballkani Perëndimor, po dhe do të kalojnë si rezultat i fenomeneve, që po ndodhin sot në Europë.
Dhe pikërisht tema e këtij forumi, këtij ministeriali midis ministrave të vendeve të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor dhe BE, lidhej me pasojat që ka sjellë dhe sjell lufta e paprecedentë, që po ndodh në Ukrainë, nga sulmi i paprecedent që Rusia ka bërë ndaj shtetit të Ukrainës.
Sot diskutuam gjerësisht pikërisht për përballimin dhe për mënyrën se si do i qasemi bashkërisht të gjithë fenomeneve negative, që vijnë si pasojë e kësaj lufte.
Pa diskutim që një situatë e tillë, pra lufta në Ukrainë, ky agresion, krijon një terren për krimin e organizuar dhe sigurisht për rritjen e trafikut, dhe këtu futet i gjithë trafiku, trafiku i qenieve njerëzore, trafiku i mallrave, trafiku i armëve, fenomene këto pastaj që në mënyrë zinxhir, pjellin krime të vazhdueshme.
Ky ministerial vjen në këtë kontekst dhe ishte shumë i rëndësishëm sepse të gjithë ne u angazhuam që t’i adresojmë së bashku, si një komunitet tashmë, europian, pa pasur dallime esenciale midis BE, si një organizëm, dhe Ballkanit Perëndimor, por duke e parë të gjithën këtë sfidë, si një sfidë të kontinentit tonë europian.
Gjithashtu ky takim vjen në një kontekst tjetër të ri ku shumica e vendeve të Ballkanit europian tashmë janë në negociata intensive dhe në procesin e aderimit në BE. Kështu që edhe sfidat janë pa diskutim më të mëdha ,pra këtu futet edhe Shqipëria, sepse tashmë kemi filluar negociatat intensive me BE.
Si çështje e dytë që u diskutua në këtë ministerial, me një fokus të veçantë tashmë, ishte edhe migracioni i paligjshëm, një fenomen që ka ekzistuar pa diskutim në gjithë këto vite dhe vazhdon të ekzistojë por që sipas të gjithë parametrave ka pasur një rritje të një fluksi migrator, që vjen nga Azia dhe Afrika veriore, për në vendet e BE. Edhe këtu patëm një angazhim të përbashkët që të adresojmë shumë më mirë përpjekjet tona minimizimin e këtij trafiku, pra migracioni të jashtëligjshëm dhe pa diskutim me angazhimin që do të jemi gjithmonë në komunikim të vazhdueshëm, do të ngremë instrumente të komunikimit të vazhdueshëm, të bindur që vetëm kështu duke bashkëpunuar ngushtësisht, ne mund t’i luftojmë këto fenomene negative.
Jam shumë i gëzuar që sot patëm edhe një anonçim nga ana e BE që, në këtë fushë, pra të emigracionit, nëpërmjet instrumentit të IPA2023, BE do të japë 30 milionë euro për të mbështetur pikërisht luftën kundër trafikimit dhe kontrabandimit të klandestinëve.
Besoj që ka qenë një ditë e frytshme edhe shumë e dobishme dhe mendoj që tashmë jemi gjithmonë e më afër, ndihemi gjithmonë e më shumë partnerë në përballimin e sfidave të përbashkëta si një kontinent i vetëm.
Faleminderit