Ministrat Vengu dhe Salla ndjekin nga afër situatën në Durrës, angazhim i plotë për normalizimin e gjendjes

Situata e përmbytjeve në qytetin e Durrësit po shkon drejt përmirësimit gradual, pas ndërhyrjeve të koordinuara të strukturave vendore, emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se rreth 300 banorë janë evakuuar dhe janë akomoduar në konvaleshencat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme, ku po u ofrohet ushqim dhe kujdes shëndetësor.

Sipas tij, ekipet në terren vijojnë punën intensive për çlirimin e banesave nga uji dhe normalizimin e situatës, veçanërisht në zonat e Shkozetit, ish-Kënetës dhe Unazës së Durrësit, të cilat janë identifikuar si më problematike. Ministri kërkoi angazhimin e bashkisë për evidentimin e dëmeve edhe në banesat e qytetarëve që ndodhen jashtë vendit ose nuk janë aktualisht të pranishëm në to.

Ndërkohë, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë në të gjithë vendin, me fokus të veçantë në qarkun e Durrësit, i cili mbetet më i prekuri nga reshjet. Ai bëri të ditur se në zonën e Spitallës dhe në pikat e tjera kritike, pajisjet për largimin e ujit janë në funksion të pandërprerë.

Sipas tij, reshjet kanë shkaktuar edhe përmbytje të disa hektarëve tokë bujqësore. Strukturat përkatëse ndodhen në fazën e verifikimit të dëmeve në bujqësi dhe blegtori, ndërsa pritet të ndërmerren procedurat e nevojshme për dëmshpërblimin e subjekteve të prekura, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Autoritetet qendrore dhe vendore vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë, duke bashkëpunuar për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe stabilizimin e situatës në zonat e prekura nga moti i keq.