Ministri Balla në Parlament: Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike janë sot prioriteti ynë kryesor - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministri Balla në Parlament: Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike janë sot prioriteti ynë kryesor

Ministri i Brendshëm Taulant Balla theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike janë prioriteti kryesor i punës së Ministrisë dhe strukturave të varësisë. Ministri Balla i bëri këto deklarata në seancën plenare në Kuvend ku po diskutohet një rezolutë për luftën kundër korrupsionit.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike janë sot prioriteti ynë kryesor. Është domosdoshmëri jetike për vendin, për të ardhmen, thellimi i luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar e mbi të gjitha, fenomenit të pandëshkueshmërisë, në mënyrë kapilare në të gjitha nivelet, duke e vendosur në fokusin e shoqërisë shqiptare dhe të gjitha institucioneve të shtetit ku natyrshëm një rol të rëndësishëm merr padyshim edhe Policia e Shtetit,” – u shpreh ministri Balla në fjalën e mbajtur.

Ai vuri në dukje se tashmë vendi ka hyrë në një fazë intensive që na shkëput nga e kaluara, kur persona të ndryshëm i shmangeshin drejtësisë apo kur gjykata i lironte nga akuzat.

“Sot jemi në një moment të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se rezultatet e arritura deri tani janë vetëm fillimi i një revanshi të sundimit të ligjit, të epokës së pandëshkueshmërisë. Këtu besoj që ka prej jush që bashkëndajnë vlerësimin tonë se në territorin e kësaj republike, sikurse në karriget e kësaj salle, nuk mund të ketë as politikanë të paprekshëm, e as të fortë lagjesh mbi ligjin dhe mbi qytetarët. Mos harroni asnjëherë se nuk ka qenë e largët dita kur syresh prej të dy racave i shmangeshin drejtësisë. Më keq akoma i ndalonte policia, ngrinte akuza prokuroria, por gjykata i nxirrte nga dera e pasme pas pagesës si në një treg gjëje të gjallë,” – theksoi Ministri.

Duke folur për progresin e bërë nga vendi ynë në luftën kundër kriminalitetit, ai shtoi se Shqipëria ka pasur përmirësimin më të dukshëm gjatë vitit 2023 në raport me të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë.

“Viti 2023 shënoi dhe numrin më të ulët të vrasjeve kriminale: 35 krahasuar me 107 në vitin 2013 dhe me 124 në vitin 2012. 28 prej këtyre ngjarjeve janë zbuluar. Iniciativa Globale Kundër Korrupsionit dhe po ashtu Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, në raportin e publikuar për vitin 2023, ka vënë në dukje se Shqipëria ka shënuar dhe progresin më të madh krahasuar me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ulur nivelin e kriminalitetit me 0.46 pikë, krahasimisht me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe duke e nxjerrë përfundimisht Shqipërinë nga 10 vendet e para më nivelin më të lartë të krimit të organizuar dhe me një përmirësim të dukshëm krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor,” – deklaroi Ministri Balla në këtë seancë plenare.

Ministri u ndal gjithashtu edhe në procesin e vetëpastrimit të strukturave të Policisë së Shtetit duke e konsideruar këtë si të pakthyeshëm.

“Rritja e performancës së Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit,  e cila tashmë ka hyrë në një fazë të re për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e policisë së shtetit elementët e dëmshëm të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi,” – theksoi Ministri në fjalën e tij.

Në lidhje me çështje të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë dhe transparencën ndaj publikut, Ministri Balla bëri me dije edhe disa detaje nga projekti “smart-city” që po implementohet me mbështetjen e qeverisë së Emirateve të Bashkuara.

“Projekti i rëndësishëm SMART CITY për 20 qytetet kryesore të vendit, kryesisht qytete e mëdha dhe ato që kanë fokus zhvillimin e turizmit, do të na japi mundësinë jo vetëm për rritjen e sigurisë publike, përmirësimin e monitorimit të territorit, por natyrshëm edhe ngritjen në një nivel tjetër të rolit që luan Policia e Shtetit në bashkëveprim me institucione, me agjencitë e tjera ligj zbatuese,”  – bëri me dije Ministri i Brendshëm.

Ministri ironizoi në fjalën e tij në lidhje me qëndrimet e disa deputetëve të opozitës, të cilët kanë bërë flamur beteje imazhin e një politikani të shpallur “non grata” për korrupsion nga SHBA dhe Britania e Madhe.

“Disa prej deputetëve të opozitës valëvisin një fotografi të shëmtuar, të një personi të shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe me përmbajtjen “akte korruptive që kanë minuar demokracinë”, shtuar këtu faktin që po i njëjti në atë fotografi, është sot nën akuzë zyrtare për korrupsion nga drejtësia, prandaj dua t’i them sot qytetarëve shqiptarë se rezultatet e arritura deri tani, janë vetëm fillimi i një revanshi të sundimit të ligjit. Na duhet domosdoshmërisht ta thellojmë këtë revansh të nisur, e natyrshëm duke ndarë mes njëri tjetrit ndërgjegjësimin se kjo i shërben një herësh si vlerë e shtuar dhe e patjetërsueshme e procesit të anëtarësimit drejt Bashkimit Evropian,” nënvizoi Balla.

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit Balla në Parlament:

Angazhimi i përbashkët në reforma kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit e ndërsa sa Kryeministri i vendit flet mbi rezolutën, disa prej deputetëve të opozitës valëvisin një fotografi të shëmtuar, të një personi të shpallur non grata nga SHBA dhe BM me përmbajtjen akte korruptive që kanë minuar demokracinë dhe shtuar këtu faktin që po i njëjti në atë fotografi është sot nën akuzë zyrtare për korrupsion nga drejtësia, prandaj dua t’i them sot qytetarëve shqiptar se jemi në një moment të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se rezultatet e arritura deri tani janë vetëm fillimi i një revanshi të sundimit të ligjit, të epokës së pa ndëshkueshmërisë me që disa prej jush këtu janë ende këtu të ndajnë veten nga epoka e vjetër. Na duhet domosdoshmërisht ta thellojmë këtë revansh të nisur, e natyrshëm duke ndarë mes njëri tjetrit ndërgjegjësimin se kjo i shërben një herësh si vlerë e shtuar dhe e patjetërsueshme e procesit të anëtarësimit drejt Bashkimit Evropian. E këtu besoj që ka prej jush që bashkë ndajnë vlerësimin tonë se në territorin e kësaj republike, sikurse në karriget e kësaj salle nuk mund të ketë as politikanë të paprekshëm, e as të fortë lagjesh mbi ligjin dhe mbi qytetarët dhe mos harroni asnjë herë se nuk ka qenë e largët dita kur syresh prej të dy racave i shmangeshin drejtësisë, më keq akoma i ndalonte policia, ngrinte akuza prokuroria, por gjykata i nxirrte nga dera e pasme pas pagesës si në një treg gjeje të gjallë,  është domosdoshmëri pra kolegë jetike për vendin, për të ardhmen, thellimi i luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar e mbi të gjitha fenomenit të pandëshkueshmërisë, në mënyrë kapilare në të gjitha nivelet, duke vendosur në fokus, në fokusin e shoqërisë shqiptare dhe të gjitha institucioneve të shtetit ku natyrshëm një rol të rëndësishëm merr padyshim edhe Policia e Shtetit.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike janë sot prioriteti ynë kryesor.

Hetime komplekse Hetime komplekse me SPAK dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në rrethe po çmontojnë grupe të përfshira në ngjarjet e rënda, si vrasje, apo trafik narkotikësh, kontrabandë, pastrim parash etj.

Viti 2023 shënoi dhe numrin më të ulët të vrasjeve kriminale: 35 krahasuar me 107 në vitin 2013 dhe me 124 në vitin 2012. 28 prej këtyre ngjarjeve janë zbuluar.

Iniciativa Globale Kundër Korrupsionit dhe po ashtu Iniciativa Globale Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, në raportin e publikuar për vitin 2023, ka vënë në dukje se Shqipëria ka shënuar dhe progresin më të madh krahasuar me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ulur nivelin e kriminalitetit me 0.46 pikë, krahasimisht me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe duke e nxjerr përfundimisht Shqipërinë nga 10 vendet e para më nivelin më të lartë të krimit të organizuar dhe me një përmirësim të dukshëm krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ne jemi të vetëdijshëm se goditja e pandëshkueshmërisë  duhet të vijoj edhe brenda strukturës së PSH përmes procesit të vet pastrimit dhe e dimë fare mirë që ky proces varet ngushtësisht  nga bashkëpunimi por dhe besimi i ndërsjellë me Prokurorinë e Posaçme, me Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe natyrshëm me sistemin gjyqësor.

Kolegë e kolege, dua të ndajmë me ju, sepse detyrat e MB nuk janë vetëm ato që lidhen me Policinë e Shtetit dhe ato që lidhen me bashkëveprimin me institucionet e tjera, përfshirë këtu dhe agjencitë ligj zbatuese ndërkombëtare, por dua të them edhe disa fjalë edhe sa i përket pjesës që lidhet me reformimin e institucioneve dhe këtu po jap një shifër që është shumë domethënëse, një shifër që vjen nga DPGJC. Vetëm në dy vite nga maj i 2022 deri më tani, janë plot 11.5 milion certifikata elektronike lëshuar te qytetarët duke i kursyer miliona madje më shumë se kaq, kohë çdo qytetari për të përfituar këto shërbime dhe po ashtu t’ju them që 80% e këtyre shërbimeve janë online dhe kjo risi i ka mundësuar çdo shtetasi shqiptar të marrë shërbim online, pa qenë nevoja të kontaktojë nëpunës të shërbimit të GJC dhe po ashtu të kursejë para për transportin, të kursejë kohë dhe gjithçka tjetër.

Ne jemi në një proces të rëndësishëm transformimi dixhital, ku shumë shpejtë kompania shtetërore  IdentiTek, ne do të vijmë në Kuvend për ndryshimet ligjore dhe shumë shpejtë do të kemi mundësinë që qytetarët shqiptarë si disa prej vendeve më të përparuara europiane të kemi edhe identitetin dixhital, përfshirë edhe ajo që quhet e-wallet, do ta quaja përmbledhja e të gjitha dokumenteve dixhitale, në mënyrë që në një kuletë dixhitale çdo qytetar shqiptarë të ketë të gjitha dokumentet pa qenë e nevojshme për t’i transportuar ato fizikisht, por të gjitha të përfshira në telefonin e tyre celular.

Dhe, e fundit, që sa herë më jepet mundësia ta komunikoj këtu në Kuvend  është edhe projekti i rëndësishëm SMART CITY për 20 qytetet kryesore të vendit, kryesisht qytete e mëdha dhe ato që kanë fokus zhvillimin e turizmit, ne po punojmë ngushtësisht me qeverinë e EBA, të cilët gjejë rastin t’i falënderoj për financimin e këtij projekti të madh, i cili do të na japi mundësinë jo vetëm për rritjen e sigurisë publike, jo vetëm për përmirësimin e monitorimit të territorit, por natyrshëm edhe ngritjen në një nivel tjetër të rolit që luan Policia e Shtetit në bashkëveprim me institucione, me agjencitë e tjera ligj zbatuese,  e rëndësishme është të vazhdojmë ta ruajmë certifikim tashmë ndërkombëtar të Shqipërisë si një vend me një siguri publike mbresëlënëse shtuar këtu edhe pjesën tjetër të pasaportës shqiptare që lidhet me turizmin pa harruar faktin që këtë vit do të kemi një thyerje të rekordit tonë historik të vitit të kaluar ku presim që të kemi në Shqipëri 30-40 % më shumë vizitorë sesa vitin e kaluar.

Me shpresën që deri në fund të këtij diskutimi do të arrini t’i shpëtoni porosisë që keni marrë nga fotografia që valëvitet për fat të keq, për fatin tuaj të keq, shpresoj që deri në orën 5 t’i thirrni mendjes dhe të votoni rezolutën.

Previous Fjala e Kryeministrit Rama në Kuvend mbi Projektrezolutën “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian