Düsseldorf, Gjermani – Shqipëria do të forcojë bashkëpunimin në fushën e sigurisë publike dhe policisë me Landin Nordrhein – Westfalen (NRW).
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili u prit sot në Düsseldorf, nga Ministri i Brendshëm i Nordrhein – Westfalen, Herbert Reul, u shpreh se ka tashmë një projekt të përbashkët për t’u çuar përpara.
Në prag të ndeshjes së tretë të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, me Kombëtaren e Spanjës sonte në mbrëmje, ministri Balla i shprehu homologut gjerman mirënjohje për mikpritjen e ekipit kombëtar gjatë qëndrimit në këtë Kaiserau.
“Rreth 35 mijë qytetarë shqiptarë jetojnë në këtë Land dhe vlerësohet integrimi i tyre në jetën social-ekonomike”, theksoi ministri i Brendshëm Shqiptar.
Balla takon punonjësit e Policisë Shqiptare të angazhuar për sigurinë e Kampionatit Europian të Futbollit: Asnjë rast problematik nga tifozat shqiptarë
Gjatë qëndrimit në Dusseldorf, Gjermani, ministri i Brendshëm, Taulant Balla takoi nga afër punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët në bashkëpunim me kolegët e tyre gjermanë janë duke u kujdesur për garantimin e sigurisë dhe rendit publik për mbarëvajtjen e Kampionatit Europian të Futbollit.
Punonjësit e policisë shqiptare janë vendosur në pika të ndryshme të kalimit të udhëtarëve si aeroporte, stacione trenash dhe autobusësh, e ku së bashku me punonjësit e Policisë Gjermane kanë kryer kontrolle të dokumentacioneve për tifozët e dyshuar.
Gjithashtu, në bashkëpunim me Qendrën e Koordinimit Policor Ndërkombëtar, ITCC kanë administruar listën e tifozëve problematik.
“Deri tani nuk është evidentuar asnjë rast problematik nga tifozët shqiptarë”, informoi Ferdinand Mara, Drejtor i Rendit, në Policinë e Shtetit.
Në fund të takimit, ministri Balla i përgëzoi për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe u uroi një qëndrim sa më të gjatë, duke siguruar edhe mbështetjen e tij si Ministër i Brendshëm në kontributin e tyre për mbarëvajtjen e zhvillimit të ndeshjeve në një atmosferë sa më të sigurtë.