Ministri i Brendshëm Taulant Balla e ka nisur ditën me një takim me punonjësit e Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës kur po merrnin turnin e parë.
Gjatë fjalës së tij, Balla kërkoi zbatimin dhe respektimin e Kodit Rrugor si dhe rritjen e intensitetit të kontrolleve për shmangien e aksidenteve, pasi sipas tij janë shtuar shumë kohët e fundit, por jo të faj të policisë.
“Çdo falënderim dhe mirënjohje është tejet i merituar dhe sikurse e kam thënë në ditën time të parë të punës, unë do bëj gjithçka që çdo punonjës policie të mos i mungojë mbështetja jonë si dhe trajtimi financiar i punonjësve të policisë të jetë sipas asaj që qeveria mundet, por besoj se ka më shumë hapësira për më shumë mbështetje”, tha Balla.
Sipas ministrit Balla, gjoba nuk është objektivi në vetvete.
“Të gjitha kufizimet që parashikon Kodi Rrugor duhen respektuar nga shpejtësia që është elementi i parë dhe tek elementët e tjerë të sigurisë rrugore na duhet të rrisim kërkesën për respektimin e disa elementëve të sigurisë sikurse është mospërdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit, vendosja e rripit të sigurisë sepse është një element shumë i rëndësishëm në sigurinë e drejtuesit të mjetit, por edhe të personave të tjerë që gjenden në mjet.
Mendoj se kemi një forcë Policore Rrugore të kualifikuar e cila duhet ta ngrejë komunikimin me njerëzit në një nivel tjetër, që do të thotë përshëndetja e çdo qytetari qoftë drejtues mjeti apo kalimtarë duke u kujtuar se ju jeni aty jo për t’u vendosur gjoba, por jeni aty për të garantuar sigurinë rrugore. Ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim. Me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë bisedojmë çdo ditë për nevojat që ka Policia Rrugore, për më shumë makina inteligjente për detektimin e problematikave që lidhen me shpejtësinë, për më shumë radarë.
Njësia e Policisë rrugore të Tiranës është një nga modelet e mira që ne kemi dhe do të vazhdojmë ta shtrijmë në të gjithë territorin. Policia duhet të jetë një strukturë shtetërore ku prevalon ndershmëria dhe ku u shërbehet njerëzve. Ju përgëzoj për punën që bëni dhe dua t’ju garantoj që do të jem gjithmonë aty në krahun tuaj”, tha ndër të tjera Ministri Balla.
Më poshtë, fjala e plotë e Ministrit Balla gjatë takimit me njësitë e Policisë Rrugore të Tiranës:
Gjatë çdo dite të vitit, qofshin këto ditë me temperatura të larta, qofshin ditë dimri me shumë shi, ju jeni ata që nuk mungoni kurrë në të gjitha rrugët e kryeqytetit dhe kolegët tua, në të gjitha rrugët e Shqipërisë.
Çdo falënderim dhe mirënjohje është tejet i merituar dhe sikurse e kam thënë në ditën time të parë të punës, unë do bëj gjithçka që çdo punonjësi policie, të mos i mungojë mbështetja jonë si dhe trajtimi financiar i punonjësit të policisë të jetë sipas asaj që natyrshëm qeveria mundet, por besoj që ka më shumë hapësirë për më shumë mbështetje.
Dua të theksoj sot pothuajse të gjitha ato udhëzime që kam dhënë në të gjithë territorin e Shqipërisë, që lidhen me detyrat e Policisë Rrugore. Nuk është gjoba objektivi ynë në vetvete. Pra, e vërteta është që natyrshëm, të gjitha kufizimet që vendos Kodi rrugor, duhen respektuar. Nga shpejtësia, që është elementi i parë, tek elementët e tjerë të sigurisë rrugore, ku këtu në Tiranë, që ndërsa qyteti po zgjohet dhe ju do të merrni detyrën pas pak, na duhet që të rrisim kërkesën për respektimin e disa elementëve të sigurisë sikurse është mospërdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit, vendosja e rripit të sigurisë sepse është një element tepër i rëndësishëm në sigurinë e drejtuesit të mjetit, por edhe të personave të tjerë që gjenden në mjet.
Ju i dini më mirë se unë detyrat. Nuk kam ardhur këtu t’ju jap mend. Ata që mund të më jepni mend mua dhe të gjithëve, jeni ju, sepse eksperienca ju ka bërë të tillë.
Por unë mendoj që kemi një forcë Policore Rrugore të kualifikuar, e cila duhet ta ngrejë komunikimin me njerëzit në një nivel tjetër. Dhe, ta ngresh në një nivel tjetër, do të thotë, pikë se pari, mënyra e komunikimit, duke përshëndetur çdo qytetar, qoftë drejtues mjeti apo kalimtar, duke u kujtuar se ju jeni aty jo për të vendosur gjoba, por jeni aty për të garantuar sigurinë rrugore.
Ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim; me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë bisedojmë çdo ditë për nevojat që ka Policia Rrugore, për më shumë makina inteligjente për detektimin e problematikave që lidhen me shpejtësinë, për më shumë radarë. Dhe natyrshëm besoj që biem të gjithë dakord që kemi një flotë shumë të mirë të makinave dhe të motorëve. Do të vazhdojmë që këtë flotë ta përmirësojmë muaj pas muaji e vit pas viti, por ajo që në fund duket nga puna juaj, janë elementët e eleminimit të trafikut. Ju e dini fare mirë që ditë në vijim, do të kemi më shumë trafik për shkak të rritjes së numrit të turistëve që vizitojnë Tiranën dhe gjithë Shqipërinë. Dhe do të kërkoja nga ana juaj një angazhim edhe më të madh në këtë drejtim ose në zgjidhjen sadopak të kësaj problematike.
Dëgjoj shpesh që thonë që kur ndodhet një punonjës policie në një kryqëzim, rëndohet më shumë trafiku. Kjo nuk është e vërtetë, është thjesht perceptim. E kundërta është e vërtetë. Në rast të mungesës suaj, problematika shtohet.
Dhe e vërteta është që njësia e Policisë Rrugore të Tiranës është një nga modelet e mira që ne kemi që duhet të vazhdojmë ta shtrijmë në të gjithë territorin. Dua t’ju falënderoj edhe për atë gjest shumë kuptimplotë që bëtë, ndërsa në ditët me temperatura edhe 40 gradë, ju gjendeshit në të gjitha kryqëzimet, në të gjitha rrugët me trafik të lartë, edhe për të shërbyer qytetarët me një shishe ujë të ftohtë. Ndoshta duket një simbolikë e thjeshtë, por për mua ishte një gjest shumë i rëndësishëm për të kujtuar këdo që policia është aty për të shërbyer.
Edhe pse nuk ka lidhje me ju, rasti i një djali që do të jetë shumë shpejt punonjës i policisë por që vjen nga radhët e Akademisë (së Sigurisë), i cili ditën e djeshme gjeti një kuletë të një qytetari apo të një turisteje, dhe që e dorëzoi atë menjëherë dhe ajo iu dha personit, është fiks ajo që ne duam të jetë policia, një strukturë shtetërore ku prevalon ndershmëria dhe ku u shërbehet njerëzve.
Nuk dua të zgjatem shumë, sepse së bashku do të kemi kohë të takohemi shpesh. Unë jam nga ata që zgjohem herët.
Kështu që dua t’ju përgëzoj për punën që bëni! Dua që secili prej jush ta konsiderojë ministrin, jo thjesht dikë në majën e kësaj hierarkie organizative të strukturës, por si një prej miqve tuaj më të afërt, sepse e kam thënë që ditën e parë, roli i ministrit është për të garantuar mbështetje për Policinë e Shtetit, dhe natyrshëm edhe për ju, që jeni gjithmonë, 24 orë do të thoja, në detyrë.
E kam thënë edhe herë të tjera që mes jush dhe kujtdo tjetër që mundohet të ndërhyjë në punën tuaj, unë jam gjithmonë aty për t’ju mbrojtur ju dhe në krahun tuaj.
Gjej rastin të kujtoj që na duhet domosdoshmërisht që rregullat e reja, ose kushtet e reja, të vendosura nga Kodi Rrugor, me ndryshimet që kemi bërë para disa kohësh në Kuvendin e Shqipërisë, ato të zbatohen, në mënyrë që ne të garantojmë sa më shumë siguri në rrugë.
Kemi një numër të rritur aksidentesh.
Kjo nuk vjen për faj të Policisë Rrugore, por ne duhet të rrisim intensitetin tonë të kontrollit në mënyrë që njerëzit të ndërgjegjësohen. Respektimi i rregullave ose i parashikimeve të Kodit Rrugor, rrit sigurinë në rrugë.
Edhe njëherë, ju uroj punë të mbarë! Dua ta mbyll me atë që e nisëm bashkë, me Drejtorin e Përgjithshëm, bashkë me z.Vocaj, z.Qato dhe të gjithë kolegët e tjerë. Shumë faleminderit z.Qibini për këtë organizim. Ndoshta do t’ju bezdis, por unë do të jem shumë shpesh në takime të tilla, sepse edhe ju, besoj që keni nevojë për më shumë mbështetje dhe inkurajim për një punë të shkëlqyer që bëni.
Punë të mbarë dhe takohemi së shpejti!
Shumë faleminderit të gjithëve!