Ministri Demo në Akademinë e Sigurisë: Rritje e konsiderueshme pagash për Policinë e Shtetit, standardi i ri nis nga brezi i ri

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, në fjalën drejtuar studentëve të rinj të Akademisë së Sigurisë, vuri theksin te përgjegjësia e brezit të ri dhe nevoja për një Polici Shteti moderne, profesionale dhe me integritet. Ministri nënvizoi se qytetari duhet të jetë në qendër të punës së Policisë së Shtetit dhe se ligji vlen njëlloj për të gjithë, pa dallim statusi, lidhjeje, bindjeje apo pozite, duke kërkuar zero kompromis me korrupsionin. Sipas tij, sfidat e reja të sigurisë kërkojnë një polici të mbështetur te dija, teknologjia, përgatitja profesionale dhe parandalimi. Duke u ndalur te trajtimi i punonjësve të Policisë së Shtetit, ministri Demo bëri të ditur se po punohet për rritjen e pagave të të gjithë personelit. “Jemi në rrugë të mbarë për sa i përket rritjes së pagave për të gjithë personelin e Policisë së Shtetit. Do të jetë një rritje e konsiderueshme”, u shpreh ai, duke shtuar se studentët e rinj, kur të dalin në detyrë, do të kenë një trajtim më të mirë. Ministri e lidhi ngritjen e standardeve në Policinë e Shtetit edhe me procesin e integrimit evropian dhe objektivin për përmbylljen e kapitujve të negociatave brenda vitit 2027. Në përfundim, ai vlerësoi rolin e Akademisë së Sigurisë dhe stafit akademik, duke theksuar nevojën për ngritjen e mëtejshme të nivelit të formimit të punonjësve të policisë, jo vetëm përmes përmirësimit të infrastrukturës, por edhe përshtatjes së formimit profesional me sfidat e reja të sigurisë.