Ministri Demo në Rinas me Policinë Kufitare: Mirënjohje për menaxhimin efikas të fluksit rekord të udhëtarëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, vizitoi punonjësit e Policisë Kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, për t’i falënderuar për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë një sezoni turistik me flukse të jashtëzakonshme udhëtarësh.

I shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ministri Demo vlerësoi punën e strukturave që përballojnë çdo ditë hyrje-daljet në pikën kryesore kufitare ajrore të vendit, duke garantuar njëkohësisht shërbim të shpejtë, siguri dhe kontroll të standardeve kufitare.

Gjatë muajve të verës, Policia Kufitare në Rinas ka punuar me ngarkesë të shtuar për përballimin e flukseve që kanë arritur në dhjetëra mijëra pasagjerë në ditë. Vetëm gjatë muajit gusht u regjistruan afro 55 mijë pasagjerë në ditë, ndërsa shërbimet kufitare kaluan në regjim 12-orësh gjatë sezonit turistik.

Duke iu drejtuar efektivëve, ministri Demo theksoi se për shumë vizitorë kontakti i parë me Shqipërinë është pikërisht ai me punonjësit e Policisë Kufitare.

“Ju jeni fytyra e parë që udhëtarët shohin kur mbërrijnë në vendin tonë. Marrëdhënia që krijojmë me këdo që kalon kufirin, qytetar vendas apo i huaj, duhet të përçojë sigurinë që duam të ofrojmë”, u shpreh ministri.

Ai falënderoi punonjësit e Policisë për profesionalizmin me të cilin kanë përballuar rritjen e ndjeshme të flukseve, duke nënvizuar se rezultatet e arritura janë, mbi të gjitha, meritë e punës së njerëzve në terren.

“Çdo gjë nis me punonjësin e Policisë. Sjellja e tij duhet të jetë një model qytetarie, i cili duhet të shtrihet në të gjitha shërbimet, duke nisur nga pikat kufitare”, deklaroi ministri Demo.

Gjatë takimit u evidentua gjithashtu roli gjithnjë e më i madh i teknologjisë në përpunimin e udhëtarëve dhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimit. Modernizimi i sistemeve dhe pajisjeve të kontrollit kufitar, si dhe përdorimi i sistemit e-Gate, kanë mundësuar shkurtimin e kohës së përpunimit dhe menaxhimin më efikas të flukseve.

Ministri i Punëve të Brendshme theksoi se teknologjia do të vijojë të jetë një instrument i rëndësishëm, por ajo nuk mund ta zëvendësojë rolin e punonjësit të Policisë.

“Do të punojmë fort për ta shtrirë përdorimin e teknologjisë në të gjitha shërbimet, jo vetëm në ato kufitare, për të rritur efikasitetin, për të garantuar sigurinë publike dhe për të krijuar një standard të ri shërbimi për qytetarët dhe vizitorët në territorin e Shqipërisë”, tha ministri Demo.

Ai nënvizoi se rritja e numrit të udhëtarëve kërkon vijimin e investimeve në burime njerëzore, teknologji dhe kushte më të mira pune, në mënyrë që shërbimi ndaj qytetarëve të bëhet më i shpejtë, pa cenuar standardet e sigurisë.

Në këtë kuadër, ministri Demo foli edhe për përgatitjet për sezonin e festave dhe sezonin e ardhshëm turistik, si dhe për nevojën e forcimit të kapaciteteve të Komisariatit të Policisë së Rinasit.

“Së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm po vlerësojmë mundësinë që të përgatitemi edhe më mirë për sezonin e festave dhe sezonin e ardhshëm turistik, duke përforcuar Komisariatin e Rinasit për të përballuar fluksin në rritje të turistëve që vizitojnë Shqipërinë”, përfundoi ministri Demo.