Ministri Demo: Teknologjia forcon sigurinë dhe përmirëson shërbimet për qytetarët

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, mori pjesë në panairin “Future Tech 2026”, ku theksoi rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të teknologjisë në sigurinë publike dhe në shërbimet që shteti u ofron qytetarëve. “Edhe pse Ministrat e Brendshëm nuk janë pjesëmarrësit tipikë në panaire të tilla, prania ime këtu tregon prioritetin që ka teknologjia për dikasterin që drejtoj, por mbi të gjitha rëndësinë që ajo ka në jetën e qytetarëve”, u shpreh Demo. Ministri nënvizoi se teknologjia është tashmë pjesë e rëndësishme e punës së Policisë së Shtetit, përmes përdorimit të kamerave inteligjente, laboratorëve shkencorë modernë, sistemeve të avancuara, rrjeteve të sigurta digjitale dhe masave për sigurinë kibernetike. Këto mjete ndihmojnë në forcimin e sigurisë publike dhe në mbështetjen e një shërbimi më efikas për qytetarët. Në fjalën e tij, Demo veçoi edhe rolin e IdentiTek, shoqëri me 100% kapital shtetëror, e cila ka përgjegjësi për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike. Ai theksoi se identiteti biometrik është pjesë e infrastrukturës kritike të një shteti modern, pasi lidhet jo vetëm me dokumentet që qytetarët përdorin për identifikim dhe udhëtim, por edhe me sigurinë e marrëdhënieve të tyre me administratën, bankat dhe bizneset. Për qytetarët, sistemet e besueshme të identifikimit janë të rëndësishme sepse mbështesin verifikimin e identitetit dhe ndihmojnë në kryerjen më të sigurt të veprimeve e shërbimeve ku kërkohet identifikim. Sipas ministrit, përgjegjësia e IdentiTek shkon përtej prodhimit të dokumenteve dhe përfshin garantimin e sigurisë, besueshmërisë dhe përputhshmërisë së sistemit me standardet më të larta ndërkombëtare. Duke vlerësuar organizimin e “Future Tech 2026”, Demo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes kompanive të teknologjisë, universiteteve, sipërmarrësve, tregut të punës dhe aktorëve të rinj të financimit. Sipas tij, ky bashkëpunim është i domosdoshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit dhe për krijimin e mundësive të reja për brezat që vijnë. Në përfundim, ministri falënderoi organizatorët dhe bizneset pjesëmarrëse, duke e lidhur zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit me konkurrueshmërinë e vendit dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. “Suksesi juaj është suksesi i Shqipërisë”, u shpreh Demo, duke u uruar pjesëmarrësve një panair të mbarë.