Ministri Ervin Mete drejton mbledhjen e Këshillit të Investimeve, me temë “Për Përmirësimin e Cilësisë së Shërbimeve Publike të Digjitalizuara ndaj Biznesit” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministri Ervin Mete drejton mbledhjen e Këshillit të Investimeve, me temë “Për Përmirësimin e Cilësisë së Shërbimeve Publike të Digjitalizuara ndaj Biznesit”

Këshilli i Investimeve zhvilloi mbledhjen e tij të radhës nën drejtimin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, me temë diskutimi “Për Përmirësimin e Cilësisë së Shërbimeve Publike të Digjitalizuara ndaj Biznesit”.

Z.Mete informoi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë është në fazën e hartimit të projektbuxhetit për vitin 2024 dhe paketës së re fiskale. Në këtë drejtim, Ministri ftoi biznesin që të bëhet pjesë e konsultimeve përkatëse.

“Mirëpresim rekomandimet dhe sugjerimet e biznesit, për të cilat në vijimësi do të zhvillojmë takime të posaçme për të biseduar dhe për të kuptuar më mirë qasjen dhe propozimet e përfaqësuesve të biznesit”, u shpreh z. Mete.

Në fjalën e tij, Ministri vlerësoi kontributin e Këshillit të Investimeve në trajtimin e një sërë çështjesh, duke e cilësuar si një platformë të rëndësishme që mbledh së bashku përfaqësuesit e biznesit, institucionet shtetërore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Duke iu referuar anketimit të kryer me bizneset nga Sekretariati i Këshillit të Investimeve në lidhje me shërbimet publike të digjitalizuara, Ministri evidentoi se biznesi rezulton përgjithësisht i ndërgjegjësuar që shërbimet online e kanë reduktuar barrën administrative për kompanitë. Nga përgjigjet e përfaqësuesve të bizneseve rezulton se shmangia e kontaktit fizik të aplikuesve për shërbime të ndryshme publike ka reduktuar praktikat abuzive. Gjithashtu, në masën më të madhe bizneset janë të kënaqur me përdorimin e platformave online.

Megjithatë, disa aspekte mbeten ende për t’u përmirësuar dhe në këtë kuadër z. Mete ftoi përfaqësuesit e bizneseve dhe dhomave të tregtisë që të japin rekomandimet e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike të digjitalizuara, me qëllim përmirësimin e klimës së të bërit biznes, reduktimin e problematikave të sipërmarrjes dhe rritjen e konkurrencës në rajon e më gjerë.

Në fund të fjalës së tij, Ministri ritheksoi rëndësinë e madhe të forcimit të bashkëpunimit mes bizneseve dhe qeverisë, në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe rritjes së qëndrueshme të ekonomisë.

Në mbledhjen e KI merrnin pjesë dhe Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe Klimën e Biznesit, znj. Delina Ibrahimaj, Zv.Guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, znj. Natasha Ahmetaj, përfaqësues të shoqatave të biznesit dhe institucioneve ndërkombëtare.

Fjala e Ministrit z. Ervin Mete:

Përshëndetje të gjithëve,

Unë kam qenë i përfshirë në themelimin e Këshillit të Investimeve dhe më vjen mirë të shoh që ndër vite është zhvilluar në një trup dhe në një platformë efektive diskutimi, shkëmbimi idesh dhe rekomandimesh. Mendoj që është një nga platformat më efektive trepalëshe: institucionet, si qeveria apo Banka e Shqipërisë; biznesi, ku ndër bizneset edhe diaspora; si dhe donatorët apo aktorët ndërkombëtare, ku një rol kyç luan EBRD-ja dhe besoj se është një forum shumë i mirë për të shkëmbyer qëndrime dhe ide, qoftë për sfidat me të cilat përballet biznesi, qoftë për iniciativa të qeverisë të cilat impaktojnë klimën e biznesit dhe ekonominë.

Para se të kaloj te tema, duke qenë se ne tani jemi në proces buxhetimi dhe të paketës fiskale, unë gjej rastin t’ju ftoj të gjithëve që si anëtarë të Këshillit, nëpërmjet Këshillit apo dhe strukturave të tjera me të cilat ne do të kemi mundësi të bëjmë takime konsultuese, të pres sugjerimet tuaja qoftë për buxhetin e vitit 2024, ashtu edhe për paketën fiskale të vitit të ardhshëm, në mënyrë që këto procese të konsultohen sa më gjerë që të jetë e mundur.

Dua të shpreh një falënderim për ministren Ibrahimaj që ka drejtuar para meje Këshillin e Investimeve, ashtu edhe për Dianën që ka shërbyer këto vite në rolin e drejtueses së Sekretariatit, pa harruar mbështetjen e EBRD-së në këtë drejtim.

E pashë anketën që ka realizuar Sekretariati dhe më vjen mirë të gjej që disa nga konkluzionet janë inkurajuese sepse rezulton që biznesi përgjithësisht është i ndërgjegjësuar për shërbimet online dhe mendon se shërbimet online dhe dixhitalizimi kanë reduktuar barrën administrative për kompanitë. Shmangia e kontaktit fizik, thonë bizneset e anketuara, ka reduktuar praktikat abuzive dhe përgjithësi bizneset janë të kënaqur me përdorimin e platformave online.

Më vjen mirë që edhe nga ky anketim dalin këto rezultate sepse në vazhdimësi qeveria e Shqipërisë ka qenë e angazhuar drejt dixhitalizimit, drejt kalimit te shërbimet online, drejt ri-inxhinierimit të shërbimeve dhe deregulimit në përgjithësi, për të lehtësuar edhe klimën e biznesit. Kjo frymë është prezente dhe do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në vitet në vijim. Më vjen mirë që edhe nga sondazhi, që besoj Diana do ta prezantojë më në detaje, kemi një ndjeshmëri pozitive në përgjithësi nga biznesi sa i përket dixhitalizimit dhe shërbimeve të ofruara online.

Sigurisht që ka ende nevojë për përmirësim dhe për të bërë në këtë drejtim. Rekomandimet që janë dhënë do të diskutohen dhe do të merren nga Këshilli, do të jenë patjetër në vëmendjen tonë jo vetëm në rolin si ministri i financave, por në rolin tonë si ministri e zhvillimit ekonomik, besoj ministres Ibrahimaj në rolin e saj si ministre e sipërmarrjes, në mënyrë që të lehtësojmë klimën e biznesit.

Është kënaqësi për mua që ta gjej veten në këtë Këshill dhe të shoh këtë pjesëmarrje kaq të gjerë. Besoj që komunikimi me njëri-tjetrin do të na shërbejë të gjithëve.

Shumë faleminderit.

Previous Marrëveshja për hapjen e Kolegjit të Evropës në Tiranë, Manastirliu: Historike për arsimin në Shqipëri