Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete priti në një takim zyrtar Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, z. Alastair King-Smith. Në këtë takim u diskutua lidhur me marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe interesin dypalësh për zgjerimin e mëtejshëm të tyre në të ardhmen.
Ministri z. Mete vlerësoi mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë për zhvillimin ekonomik të vendit tonë, reformave në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe forcimit të shtetit ligjor, e sidomos për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Nga ana e tij, Ambasadori z. Alastair King-Smith shprehu angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të forcuar bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe vijuar mbështetjen për Shqipërinë.
Një temë tjetër diskutimi mes Ministrit z. Mete dhe Ambasadorit z. Alastair King-Smith ishte dhe Procesi i Berlinit dhe domosdoshmëria për shtyrjen përpara të tij, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimit të procesit të integrimit të tyre në BE.