Ministri Gogu në Komisionin e Ligjeve: Politika penale hyn në fazën e matjes së rezultateve

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, paraqiti në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike Rekomandimet Prioritare 2026 në luftën kundër kriminalitetit.

Gjatë seancës dëgjimore, ministri Gogu theksoi se risia kryesore e këtij viti është miratimi, për herë të parë, i një metodologjie për vlerësimin dhe monitorimin e zbatimit të rekomandimeve prioritare, e shoqëruar me tregues të matshëm performance. Sipas tij, ky instrument synon ta zhvendosë politikën penale nga niveli i deklarimit te vlerësimi i rezultateve konkrete.

Ministri bëri të ditur se metodologjia është miratuar me Urdhrin nr. 20, datë 19 janar 2026, duke krijuar mundësinë që zbatimi i rekomandimeve të ndiqet dhe të vlerësohet në mënyrë të vazhdueshme nga viti në vit.

Sipas tij, rekomandimet prioritare për vitin 2026 janë të strukturuara në tetë fusha kryesore dhe përqendrohen te lufta kundër krimit të organizuar, hetimi financiar paralel dhe konfiskimi i aseteve kriminale, krimi kibernetik dhe asetet virtuale, veprat penale zgjedhore, mbrojtja e të drejtave të njeriut në procedimin penal, si dhe forcimi i bashkëpunimit institucional dhe ndërkombëtar.

Ai nënvizoi se politika penale nuk duhet të ngatërrohet me ndërhyrjen në hetime konkrete, duke theksuar se pavarësia e institucioneve të drejtësisë mbetet një parim themelor i shtetit të së drejtës. Në këtë kuadër, ministri vlerësoi se orientimi i prioriteteve në nivel politikash publike është në përputhje me standardet evropiane dhe nuk cenon pavarësinë e organeve të hetimit dhe gjykimit.

Ministri Gogu theksoi se rekomandimet prioritare lidhen drejtpërdrejt me objektivat e Kapitullit 23 të negociatave me Bashkimin Evropian, duke shtuar se procesi i integrimit kërkon jo vetëm ngritjen e institucioneve, por edhe rezultate të matshme, të verifikueshme dhe të qëndrueshme në sundimin e ligjit.