Ministri Gogu propozon katër masa për forcimin e garancive ligjore të të miturve në kontakt me policinë
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, propozoi katër masa konkrete për forcimin e mbrojtjes së të miturve në kontakt me organet ligjzbatuese. Masat përfshijnë informimin e fëmijëve për të drejtat e tyre në gjuhë të kuptueshme, garantimin e asistencës ligjore pa vonesë, njoftimin e hershëm të punonjësit të mbrojtjes së fëmijës dhe përmirësimin e shkëmbimit të të dhënave ndërinstitucionale. Ministri theksoi se projekti i Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë për të Miturit 2027–2030, i hartuar me asistencën e UNICEF-it, është në konsultim publik deri më 22 nëntor. Paralelisht, po punohet për transformimin e institutit për të miturit, me fokus arsimin, rehabilitimin dhe riintegrimin në familje, si dhe për hartimin e planeve të parandalimit të dhunës në shkolla. Duke nënvizuar rëndësinë e një drejtësie që mbron dhe rehabiliton, ministri Gogu u shpreh se shteti nuk duhet ta lërë fëmijën vetëm, edhe kur ai ka gabuar.